Mos u mbështetni tek ata që bëjnë padrejtësi

Padrejtësia nuk jeton vetëm me fuqinë e zullumqarit; ajo jeton edhe mbi supet e atyre që e mbajnë, me gjuhët e atyre që e justifikojnë, me penat e atyre që e zbukurojnë, me duart e atyre që e ndihmojnë dhe me zemrat e atyre që pajtohen me të.

Prandaj ndalesa kuranore nuk erdhi vetëm kundër kryerjes së padrejtësisë, por erdhi më e gjerë dhe më e hollë në kuptim:


“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, se do t’ju prekë zjarri.” (Sure “Hud”, ajeti 113]

Allahu i Madhëruar nuk tha vetëm: “Mos bëni padrejtësi”, dhe as vetëm: “Mos i ndihmoni zullumqarët”, por thotë: “Mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi.”

Kjo fjali i mbyll shumë prej dyerve nëpër të cilat padrejtësia mund të depërtojë në jetën e njerëzve. Sepse animi nga I padrejti (zullumqari) mund të jetë simpati ndaj tij; mund të jetë mbrojtje e tij; mund të jetë justifikim i veprës së tij; mund të jetë zbukurim i krimit të tij; mund të jetë heshtje përballë padrejtësisë së tij; mund të jetë dhënia e forcës dhe e mbulesës që i nevojitet; mund të jetë përdorimi i penës, i dijes apo i ndikimit për ta forcuar të pavërtetën e tij; dhe mund të jetë madje edhe thjesht pajtimi me atë që bën, vetëm sepse padrejtësia nuk të ka rënë ty mbi kokë.

Zullumqari nuk ka gjithmonë nevojë për dikë që ta kryejë krimin së bashku me të me duart e veta. Ndonjëherë i mjafton të gjejë dikë që thotë: ‘Ka arsyet e veta.’

Dikë që thotë: ‘Neve nuk na takon.’

Dikë që thotë: ‘Çështja nuk është aq e rëndë.’

Apo dikë që përmbys figurën e të shtypurit dhe kërkon justifikime për shtypësin.

Dhe këtu na del përpara qëndrimi i Musait (Paqja qoftë mbi të!) i cili vendos një kufi të qartë:

“Ai tha: O Zoti im, për hir të mirësisë që më ke dhuruar, kurrë nuk do të jem përkrahës i keqbërësve.” (Sure“El-Kasas”, ajeti 17)

Musai nuk tha vetëm: “Nuk do të jem kriminel”, por tha: “Kurrë nuk do të jem mbështetës i kriminelëve.” Domethënë: Nuk do të jem mburojë për ta, as ndihmës i tyre, as forcë mbi të cilën ata mbështeten në të pavërtetën e tyre.

Këtu takohet ajeti: “Kurrë nuk do të jem mbështetës i kriminelëve.” Me ajetin: “Mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi.”

Pastaj vjen pasoja: “Se do t’ju prekë zjarri.”

Pra çështja nuk është thjesht një qëndrim politik, as një besnikëri ndaj një personi apo grupi. Është një qëndrim moral për të cilin njeriu do të pyetet përpara Allahut.

Dhe ndoshta ky “zjarr” mund të shfaqet edhe në këtë botë, kur vetë njeriu përfundon duke provuar padrejtësinë që dikur e mbështeti ose e toleroi.

Prandaj, mos e bëj dijen tënde, penën tënde, pozitën tënde, dëshminë tënde apo ndikimin tënd urë mbi të cilën e pavërteta kalon për t’i marrë të drejtën një njeriu.

Mos e përdor aftësinë tënde për ta ndryshuar të vërtetën si mjet për ta forcuar zullumin.

Mund të arrish t’i mashtrosh njerëzit me mbrojtjen tënde, mund ta përmbysësh pamjen e ngjarjes, mund ta paraqesësh agresorin si viktimë dhe viktimën si fajtor, por Allahun nuk mund ta mashtrosh. Në ajetin 42 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe mos mendo kurrsesi se Allahu është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëjnë zullumqarët.”

Ndoshta ti nuk e ngrite dorën për të bërë padrejtësi, por ia hoqe turpin dhe pengesën atij që e bëri.

Ndoshta nuk e kreve vetë krimin, por i dhe forcë atij që e kreu.

Ndoshta nuk e shqiptove fjalën e së pavërtetës, por heshtje kur e drejta kishte nevojë për zërin tënd.

Dhe prej këtu, kur vijmë tek Gaza dhe Jugui Libanit, peshorja nuk ndryshon; përkundrazi, pikërisht aty provohet vërtetësia e saj.

Kur shohim gjakun, shtëpitë e rrënuara, frikën që banon në zemrat e fëmijëve, njeriun që shkulet nga toka e vet, vritet apo dëbohet, atëherë qëndrimi moral nuk duhet të përcaktohet nga harta politike, nga rreshtimi partiak, apo nga identiteti i viktimës dhe i agresorit.

Ne jemi me të shtypurin sepse është i shtypur.

E refuzojmë agresionin sepse është agresion.

E refuzojmë vrasjen e civilëve sepse është padrejtësi.

Nuk pranojmë që gjaku të quhet i lejueshëm kur vrasësi është nga kampi ynë, dhe i shenjtë kur vrasësi është nga kampi kundërshtar.

Nuk pranojmë që dinjiteti i njeriut të varet nga grupi të cilit ai i përket.

Sepse e drejta nuk ndryshon kur ndryshojnë emrat.

Padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm sepse zullumqari është aleati ynë.

Agresioni nuk bëhet i ligjshëm vetëm sepse ne kemi mosmarrëveshje me viktimën e tij.

Dhe të qëndrosh përkrah banorëve të Gazës, përkrah banorëve të Jugut dhe përkrah çdo të shtypuri, nuk kërkon që të braktisim peshoren e drejtësisë; përkundrazi, kërkon që të kapemi pas saj edhe më fort.

Të jemi me të shtypurin, pa justifikuar një padrejtësi tjetër.

Ta refuzojmë padrejtësinë kudo që të jetë.

Ta refuzojmë agresionin, kushdo qoftë ai që e kryen.

Ta refuzojmë vrasjen e të pafajshmëve, çfarëdo identiteti që ata të kenë.

Dhe të mos lejojmë që njeriu të shndërrohet në një numër në llogaritë e politikës.

“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, se do t’ju prekë zjarri.” (Sure “Hud”, ajeti 113.)