Përse ka padrejtësi në botë? Çfarë thotë Kur’ani për këtë?

Përse ka padrejtësi në botë? Çfarë thotë Kur’ani për këtë?

Një nga pyetjet më të vjetra dhe më të vështira të njeriut është: nëse Zoti është i drejtë dhe i mëshirshëm, përse në botë ka kaq shumë padrejtësi, vuajtje dhe të këqija? Kur’ani e trajton këtë çështje duke theksuar se Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, ndërsa shumë prej padrejtësive lindin nga zgjedhjet, veprat dhe sjelljet e vetë njerëzve. Ai na mëson gjithashtu se kjo botë është vend prove, përgjegjësie dhe lirie morale, ku çdo vepër ka pasojën e saj.

Në një Hadith Kudsij Allahu i Madhëruar thotë:

)يا عبادي إني حرمت الظلم على نفسي وجعلته بينكم محرما فلا تظالموا(

“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe e kam bërë atë të ndaluar edhe mes jush; prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.”

            Në këtë Hadith Kudsij Allahu na mëson se padrejtësia është e papranueshme në çdo formë. Ai, në madhështinë dhe drejtësinë e Tij absolute, nuk i bën padrejtësi askujt dhe ua ndalon edhe njerëzve që të shtypin, dëmtojnë apo t’ia cenojnë hakun njëri-tjetrit.

            Nga ky Hadith Kudsij mësojmë se besimi nuk ndahet nga drejtësia. Njeriu nuk mund të pretendojë afërsi me Zotin ndërkohë që i ha hakun tjetrit, e poshtëron, e mashtron apo e dëmton. Drejtësia ndaj njerëzve është vetë pjesë e adhurimit ndaj Allahut.

            Meqenëse Allahu është i Drejtë dhe i Gjithëfuqishëm, përse e lejon që në botë të ketë padrejtësi, shtypje, luftë, varfëri dhe vuajtje? A e krijoi Allahu padrejtësinë?

            Kur’ani përgjigjet: Jo. Allahu nuk e ka krijuar padrejtësinë. Ai është i Drejti Absolut. Në ajetin 40 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿إِنَّ اللَّهَ لَا يَظْلِمُ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ ۖ …

“Vërtet, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, as sa pesha e një grimce…”

Në ajetin 10 të sures “Junus” Allahu thotë:

﴿ إِنَّ اللَّهَ لَا يَظْلِمُ النَّاسَ شَيْئًا وَلَٰكِنَّ النَّاسَ أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ﴾

“Allahu nuk u bën padrejtësi njerëzve, por njerëzit i bëjnë padrejtësi vetvetes.”

            Nga këto dy ajete, si dhe në ajete të tjera, kuptohet se padrejtësia nuk është cilësi e Allahut. Ajo lind nga zgjedhjet, dëshirat dhe veprimet e njerëzve.

 Atëherë, lind pyatja: Nga vjen padrejtësia?

Kësaj pyetjeje Kur’ani i përgjigjet: Padrejtësia vjen nga vetë njerëzit. Në ajetin 41 të sures “Err-Rrum” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ ظَهَرَ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ

“Është shfaqur shkatërrimi në tokë dhe në det për shkak të asaj që kanë bërë duart e njerëzve…”
            Ky ajet na tregon se shumë prej problemeve që shohim në botë janë pasojë e veprimeve njerëzore për shkak të lakmisë, arrogancës, padrejtësisë, luftërave, shfrytëzimit dhe korrupsionit.

Përderisa situate është e tillë, përse Allahu nuk i ndalon menjëherë të gjithë zullumqarët?

            Kësaj pyetjeje Kur’ani i përgjigjet: Sepse kjo botë është sprovë, jo vendi përfundimtar i gjykimit. Në ajetin 2 të sures “El-Mulk” thuhet:

﴿ الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا ۚ …﴾

“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më i mirë në vepra

            Nëse çdo padrejtësi do të ndalohej menjëherë dhe çdo zullumqar do të ndëshkohej në çast, atëherë sprova e kësaj bote do të humbiste kuptimin e saj. Njeriu në këtë jetë është përballë zgjedhjes: të bëjë drejtësi ose zullum, të ndihmojë ose të dëmtojë, të heshtë ose të ngrihet kundër padrejtësisë.

Shumë njerëz pyesin: A do të mbetet padrejtësia pa u ndëshkuar?

Kur’ani përgjigjet: Kurrë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Në ajetin 42 të sures “Ibrahim” Allahu thotë:

﴿ وَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ ۚ إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍ تَشْخَصُ فِيهِ الْأَبْصَارُ﴾

“Dhe mos mendo kurrsesi se Allahu është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëjnë zullumqarët. Ai vetëm ua shtyn afatin deri në një Ditë, kur sytë e tyre do të shtangen.”

            Kjo është një nga përgjigjet më të fuqishme të Kur’anit. Vonesa nuk do të thotë harresë.
            Fakti që zullumqari nuk dënohet menjëherë, nuk do të thotë se ai i shpëtoi drejtësisë së Allahut. Le të mësojmë nga fundi i zullumqarëve dhe tiranëve të shkuar si Faraoni, Nemrudi, Karuni etj.

A do të kompensohen viktimat e padrejtësisë?

            Kur’ani përgjigjet: Po. Ata do të shpërblehen. Në ajetin 17 të sures “Gafir” Allahu I Madhëruar thotë:

﴿ الْيَوْمَ تُجْزَىٰ كُلُّ نَفْسٍ بِمَا كَسَبَتْ ۚ لَا ظُلْمَ الْيَوْمَ ۚ

“Sot çdo njeri do të shpërblehet për atë që ka bërë. Sot nuk ka padrejtësi.”

            Kjo botë nuk është vendi ku çdo gjë merr drejtësinë e saj përfundimtare. Dita e Gjykimit është dita kur do të vendoset drejtësia absolute.

 A duhet besimtari të qëndrojë pasiv përballë padrejtësisë?

Kur’ani përgjigjet: Jo! Në ajetin 135 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ ۞ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ بِالْقِسْطِ شُهَدَاءَ لِلَّهِ وَلَوْ عَلَىٰ أَنفُسِكُمْ أَوِ الْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ ۚ …﴾

“O ju që keni besuar! Bëhuni të qëndrueshëm në drejtësi, dëshmitarë për Allahun, edhe nëse kjo është kundër vetvetes, prindërve ose të afërmve…”  

Ndërsa në ajetin 8 të sures “El-Maide” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ لِلَّهِ شُهَدَاءَ بِالْقِسْطِ ۖ وَلَا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَىٰ أَلَّا تَعْدِلُوا ۚ اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَىٰ ۖ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ﴾

“O ju që keni besuar! Bëhuni të palëkundur për hir të Allahut, dëshmitarë me drejtësi. Dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli që të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë; kjo është më afër devotshmërisë.”

            Pra, Kur’ani nuk na mëson vetëm pse ekziston padrejtësia, por edhe çfarë duhet të bëjmë përballë saj.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Për atë që pyet: “Përse ka padrejtësi në botë?”

Kur’ani përgjigjet se:

Allahu nuk bën padrejtësi. 

Padrejtësitë janë pasojë e veprimeve të njerëzve. 

Kjo botë është vend sprove. 

Allahu nuk i harron zullumqarët. 

Drejtësia e plotë do të vendoset në Ditën e Gjykimit. 

Besimtari është i urdhëruar të qëndrojë në krah të drejtësisë. 

Prandaj ne duhet të pysim vetat tona: Çfarë po bëj unë përballë padrejtësisë që Allahu më ka dhënë mundësinë ta ndryshoj?

Sepse Kur’ani nuk na mëson të jemi spektatorë të padrejtësisë, por dëshmitarë të drejtësisë.

Në ajetin 46 të sures “Fusilet” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ مَّنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِنَفْسِهِ ۖ وَمَنْ أَسَاءَ فَعَلَيْهَا ۗ وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّامٍ لِّلْعَبِيدِ﴾

“Kush bën vepra të mira, i bën për të mirën e vet; ndërsa kush bën keq, e bën në dëm të vetes së tij. Dhe Zoti yt nuk u bën kurrë padrejtësi robërve.”

            Ky ajet na kujton se çdo vepër e njeriut kthehet tek vetë ai. E mira sjell dobi, dritë dhe shpërblim për atë që e kryen, ndërsa e keqja sjell pasojat e saj mbi vetë njeriun. Allahu është plotësisht i drejtë dhe nuk i bën askujt padrejtësi; prandaj njeriu mban përgjegjësi për zgjedhjet dhe veprat e veta.

Në ajetin 118 të sures “En-Nahl” Allahu I Madhëruar thotë:

﴿وَمَا ظَلَمْنَاهُمْ وَلَٰكِن كَانُوا أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ﴾

“…Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata i bënin padrejtësi vetvetes.”

            Ajeti na mëson se Allahu nuk i trajton njerëzit me padrejtësi. Shpesh pasojat e këqija vijnë nga vetë zgjedhjet, mëkatet dhe veprat e njeriut. Pra, njeriu mund ta dëmtojë vetveten duke u larguar nga e mira, drejtësia dhe udha e drejtë. Mesazhi është një thirrje për përgjegjësi personale, pendim dhe kthim te e mira, pa ia atribuar Zotit padrejtësinë që buron nga veprat tona.

            Në përfundim, Kur’ani na mëson se padrejtësia nuk buron nga Allahu, sepse Ai është i Drejti dhe nuk i bën padrejtësi askujt. Shumë prej të këqijave në botë janë pasojë e zgjedhjeve dhe veprave të njerëzve, ndërsa kjo jetë është një sprovë ku secili mban përgjegjësi për atë që bën. Detyra jonë është të mos pajtohemi me padrejtësinë, por të përpiqemi për drejtësi, mëshirë dhe mirësi, duke besuar se asnjë e mirë dhe asnjë e keqe nuk humbet para drejtësisë së Allahut.