Kur flasim për gruan dhe dinjitetin e saj në Kur’an, nuk flasim thjesht për një çështje sociale. Por, flasim për mënyrën se si Kur’ani e sheh njeriun, për vlerën që Allahu i ka dhënë gruas dhe për përgjegjësinë që shoqëria, familja dhe vetë individi kanë ndaj këtij dinjiteti.
Kur’ani nuk e paraqet gruan si një qenie të dorës së dytë. Ajo, para së gjithash, është njeri, robinë e Allahut, krijesë me shpirt, arsye, vullnet, përgjegjësi dhe mundësi për përsosje shpirtërore.
Këtu lind pyetja është: “Si e përcakton dhe si e mbron Kur’ani dinjitetin e gruas?”
Kur’ani thotë se dinjiteti i gruas buron nga dinjiteti njerëzor
Në ajetin 70 të sures “El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:
وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِي آدَمَ
“Vërtet, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit.”
Vërejeni shprehjen e ajetit: “bijtë e Ademit”. Kur’ani nuk thotë se Allahu ka nderuar vetëm burrat. Edhe gruaja është pjesë e këtij nderimi të Allahut. Ajo ka një pozitë që nuk buron nga bukuria, pasuria, statusi shoqëror apo pozita e saj në shoqëri. Dinjiteti i saj buron nga fakti se ajo është krijesë e Allahut. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme.
Nëse dinjiteti i gruas do të varej nga bukuria, atëherë ai do të zvogëlohej me kalimin e moshës. Nëse dinjiteti i gruas do të varej nga pasuria, do të zhdukej me varfërinë. Nëse dinjiteti i gruas do të varej nga statusi, do të ndryshonte me pozitën shoqërore. Por kur dinjiteti buron nga Allahu, ai është shumë më i fortë dhe më i thellë.
Kur’ani thotë se burri dhe gruaja kanë origjinë të përbashkët
Në ajetin 1 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi nga një qenie e vetme dhe prej saj krijoi bashkëshorten e saj…”
Ky ajet vendos një themel shumë të fuqishëm. Burri dhe gruaja nuk paraqiten si dy lloje të ndryshme njerëzish. Të dy vijnë nga “një qenie e vetme”. Pra, në origjinën njerëzore ekziston një unitet. Kjo na mëson se gruaja nuk duhet parë si pronë, si objekt apo si qenie pa personalitet. Ajo është një person me dinjitet dhe përgjegjësi para Allahut.
Kur’ani thotë se vlera te Allahu nuk përcaktohet nga gjinia
Një nga parimet më të fuqishme të Kur’anit është se më i nderuari, miri më me vlerë është ai që është më i fevotshëm. Në ajetin 13 të sures “El-Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ
“Me të vërtetë, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm.”
Këtu Kur’ani e shpalos kriterin e vlerës. Ai nuk thotë: më i pasuri, më i fuqishmi, më i bukuri dhe më më i famshmi. Por thotë “më i devotshmi.” Dhe kjo vlen si për burrin, ashtu edhe për gruan.
Kur’ani i vendos burrin dhe gruan krah për krah në përgjegjësinë shpirtërore
Në ajetin 35 të sures “El-Ahzab” Allahu thotë:
﴿ إِنَّ الْمُسْلِمِينَ وَالْمُسْلِمَاتِ وَالْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ وَالْقَانِتِينَ وَالْقَانِتَاتِ وَالصَّادِقِينَ وَالصَّادِقَاتِ وَالصَّابِرِينَ وَالصَّابِرَاتِ وَالْخَاشِعِينَ وَالْخَاشِعَاتِ وَالْمُتَصَدِّقِينَ وَالْمُتَصَدِّقَاتِ وَالصَّائِمِينَ وَالصَّائِمَاتِ وَالْحَافِظِينَ فُرُوجَهُمْ وَالْحَافِظَاتِ وَالذَّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيرًا وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُم مَّغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا﴾
“Me të vërtetë, muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit dhe të bindurat, të sinqertët dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përulurit dhe të përulurat, ata që japin sadaka dhe ato që japin sadaka, agjëruesit dhe agjërueset, ata që ruajnë nderin e tyre dhe ato që e ruajnë nderin e tyre, si dhe ata që e përmendin shumë Allahun dhe ato që e përmendin shumë Allahun – për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”
Ky është një nga ajetet më të qarta për këtë temë. Kur’ani përmend burrin dhe gruan veçmas dhe thotë: “myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit dhe të bindurat, të sinqertët dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret…” dhe në fund Allahu thotë se për të gjithë ka falje dhe shpërblim të madh. Pra, gruaja nuk është thjesht “nëna e dikujt”, “bashkëshortja e dikujt” apo “vajza e dikujt”. Ajo ka marrëdhënien e saj të drejtpërdrejtë me Allahun.
Kur’ani e vlerëson gruan për veprën dhe besimin e saj
Në ajetin 97 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً
“Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë…”
Në botën e shpërblimit hyjnor, dera e përsosjes shpirtërore është e hapur për të dy gjinitë. Gruaja mund të arrijë nivele të larta të besimit, devotshmërisë, diturisë, durimit, sakrificës dhe moralit.
Kur’ani na mëson të respektojmë gruan brenda familjes
Një prej ajeteve më të bukura për marrëdhënien bashkëshortore është ajeti 19 në suren “En-Nisa” në të cilin thuhet:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“Dhe jetoni me to në mënyrë të mirë.”
Ky është një urdhër. Nuk thotë vetëm: mos i dëmtoni gratë. Por thotë “jetoni me to në mënyrë të mirë.” Pra, marrëdhënia bashkëshortore nuk duhet të ndërtohet vetëm mbi detyrime juridike, por mbi mirësi, respekt, njerëzillëk dhe moral.
Një burrë nuk e nderon gruan vetëm duke i siguruar ushqim dhe strehim. Ai e nderon edhe duke respektuar personalitetin e saj; duke dëgjuar fjalën e saj; duke mos e poshtëruar; duke mos e fyer; duke mos e trajtuar me dhunë; duke ruajtur sekretet e saj dhe duke vlerësuar sakrificën e saj. Sepse dinjiteti nuk mbrohet vetëm me fjalë; mbrohet me sjellje.
Kur’ani e paraqet martesën si burim qetësie dhe mëshire
Në ajetin 21 të sures “Err-Rrum” Allahu thotë:
وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً
“Dhe prej shenjave të Tij është se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga mesi juaj, që të gjeni qetësi tek ato, dhe vendosi ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.”
Këtu Kur’ani nuk e përshkruan gruan si shërbëtore të burrit. Martesa paraqitet si një marrëdhënie ku ekzistojnë: qetësia, dashuria dhe mëshira. Dhe kjo është shumë domethënëse. Një familje e shëndoshë është ajo ku dinjiteti i burrit dhe dinjiteti i gruas mbrohen reciprokisht.
Kur’ani na jep shembuj të grave të mëdha
Kur’ani nuk na flet për gratë vetëm si pjesë të historive familjare. Ai na paraqet gra me besim, vendosmëri dhe personalitet të fuqishëm shpirtëror. Një shembull madhështor është bashkëshortja e Faraonit. Në ajetin 11 të sures “Et-Tahrijm” Allahu i Madhëruar thotë:
وَضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا لِّلَّذِينَ آمَنُوا امْرَأَتَ فِرْعَوْنَ
“Allahu ka sjellë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit…”
Kjo është jashtëzakonisht e fuqishme. Gruaja e Faraonit përmendet si shembull për besimtarët dhe jo vetëm për gratë. Ajo jetonte në pallatin e një prej njerëzve më arrogantë të historisë, por nuk lejoi që ambienti ta shkatërronte besimin e saj. Kjo na mëson se njeriu nuk përcaktohet nga ambienti ku jeton, por nga zgjedhjet që bën përpara Allahut.
Edhe Merjemja, nëna e Profetit Isa, është model kur’anor
Në ajetin 12 të sures “Et-Tahrijm” Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَرْيَمَ ابْنَتَ عِمْرَانَ الَّتِي أَحْصَنَتْ فَرْجَهَا فَنَفَخْنَا فِيهِ مِن رُّوحِنَا وَصَدَّقَتْ بِكَلِمَاتِ رَبِّهَا وَكُتُبِهِ وَكَانَتْ مِنَ الْقَانِتِينَ
“Edhe Merjemen, bijën e Imranit, e cila e ruajti dëlirësinë e saj… dhe ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe Librat e Tij dhe ishte prej të bindurve.”
Merjemja ishte shembull i besimit, dëlirësisë dhe nënshtrimit ndaj Allahut. Kur’ani na mëson të mos e masim vlerën e gruas vetëm me atë që shihet nga jashtë. Vlera e vërtetë është edhe ajo që ndodhet në zemër.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Dinjiteti i gruas kërkon edhe mbrojtjen e saj nga padrejtësia. Kur’ani e lufton në çdo formë të padrejtësisë. Në ajetin 57 të sures “Ali Imrani” Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الظَّالِمِينَ
“Me të vërtetë, Allahu nuk i do të padrejtët.”
Prandaj nuk mund të flasim për dinjitetin e gruas dhe në të njëjtën kohë të tolerojmë: poshtërimin, dhunën, shfrytëzimin, padrejtësinë ekonomike, shpifjen, përçmimin ose cenimin e të drejtave të saj. Kur’ani kërkon drejtësi. Dhe drejtësia nuk ka gjini.
Dinjiteti nuk është vetëm një “e drejtë”, por është edhe përgjegjësi
Këtu duhet të kuptojmë një ekuilibër të rëndësishëm. Kur’ani i jep gruas dinjitet, por njëkohësisht i jep edhe përgjegjësi morale. Gruaja është përgjegjëse para Allahut për besimin, moralin dhe veprat e saj, ashtu siç është edhe burri. Pra, dinjiteti islam nuk nënkupton: Unë kam vlerë, prandaj mund të bëj çfarë të dua. Përkundrazi, dinjiteti islamnënkupton: Unë kam vlerë sepse jam krijesë e Allahut. Prandaj duhet ta ruaj këtë dinjitet me besim, moral, dije dhe vepra të mira.
Çfarë duhet të dijë familja myslimane?
Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri kur’anore, edukimi duhet të fillojë në familje.
Vajza duhet të dijë se ajo ka dinjitet dhe Allahu e ka krijuar me qëllim. Vlera e saj nuk përcaktohet nga opinioni i njerëzve, por nga besimi, kultura, sjellja dhe morali i saj.
Djali duhet të dijë se femra nuk është objekt e as mall. Ajo është krijesë e Allahut dhe ti ke përgjegjësi ta respektosh dinjitetin e saj.
Burri duhet të dijë se forca e tij nuk i jep të drejtën të poshtërojë gruan.
Gruaja duhet të dijë se dinjiteti i saj nuk varet nga miratimi i njerëzve.
Dhe të dy bashkëshortët duhet të dijnë se do të japin llogari para Allahut për mënyrën se si e trajtuan njëri-tjetrin në këtë jetë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur’ani e vendos dinjitetin e gruas mbi një themel shumë më të fortë sesa standardet që ndryshojnë nga një shoqëri në tjetrën.
Themeli është: Allahu e ka nderuar njeriun.
Gruaja është pjesë e këtij nderimi. Ajo është krijuar nga “një qenie e vetme”. Ajo ka përgjegjësi shpirtërore. Ajo shpërblehet për veprat e saj. Ajo mund të bëhet shembull për besimtarët. Dhe ajo duhet të trajtohet me drejtësi, mirësi dhe respekt.
Prandaj, kur flasim për “gruan dhe dinjitetin e saj në Kur’an”, nuk duhet ta kufizojmë këtë temë vetëm te të drejtat e saj. Duhet të flasim edhe për nderimin e saj, mbrojtjen e saj, edukimin e saj, rolin e saj në familje dhe shoqëri dhe, mbi të gjitha, marrëdhënien e saj të drejtpërdrejtë me Allahun.
Ndoshta mesazhi më i rëndësishëm i kësaj teme është: Mos e matni vlerën e një gruaje me sytë e njerëzve. Mate atë me kriterin e Allahut. Sepse Allahu thotë:
إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ
“Me të vërtetë, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm.”
Allahu na bëftë prej atyre që e lexojnë Kur’anin jo vetëm me gjuhë, por edhe me zemër! Na dhëntë mundësinë të ndërtojmë familje ku gruaja respektohet, burri respektohet, fëmijët edukohen dhe dinjiteti i çdo njeriu mbrohet!
Allahu na udhëzoftë në rrugën e Tij!

