Pse Allahu nuk i shkatërron menjëherë zullumqarët?

Në ajetin 135 të sures “El-En’am” Allahu i Madhëruar thotë:

قُلْ يَا قَوْمِ اعْمَلُوا عَلَىٰ مَكَانَتِكُمْ إِنِّي عَامِلٌ ۖ فَسَوْفَ تَعْلَمُونَ مَن تَكُونُ لَهُ عَاقِبَةُ الدَّارِ ۗ إِنَّهُ لَا يُفْلِحُ الظَّالِمُونَ 

“Thuaj: O populli im! Veproni sipas gjendjes dhe mundësisë suaj; edhe unë do të veproj. Së shpejti do ta merrni vesh se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë. Me të vërtetë, zullumqarët nuk do të shpëtojnë.”

            Njeriu është i lirë të veprojë dhe të zgjedhë rrugën e vet, por çdo vepër ka përfundimin dhe përgjegjësinë e saj. E vërteta nuk matet vetëm me fuqinë apo suksesin e çastit. Në fund, padrejtësia dhe zullumi nuk sjellin shpëtim e sukses të qëndrueshëm. Ajeti është një thirrje për përgjegjësi, durim dhe qëndrueshmëri në të drejtën.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Një nga pyetjet që lind shpesh te njeriu, sidomos kur sheh padrejtësi, është: Pse Allahu nuk i shkatërron menjëherë zullumqarët? Pse dikush që shtyp të tjerët vazhdon të jetojë? Pse ai që merr të drejtën e tjetrit vazhdon të ketë pasuri? Pse dikush që derdh gjak, mashtron, grabit dhe shkel të drejtat e njerëzve nuk ndëshkohet menjëherë?

Kur’ani na mëson se vonesa e dënimit nuk do të thotë mungesë e drejtësisë së Allahut.

Kur’ani thotë se Allahu nuk është i pavetëdijshëm për zullumin

Në ajetin 42 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ ۚ إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍ تَشْخَصُ فِيهِ الْأَبْصَارُ

“Dhe mos mendo kurrë se Allahu është i pavetëdijshëm për atë që bëjnë zullumqarët. Ai vetëm ua shtyn dënimin deri në Ditën kur sytë do të mbeten të ngrirë nga tmerri.”

            Ajo që bën përshtypje në këtë ajet është shprehja: “إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ” – “Ai vetëm ua shtyn…” Pra, Allahu nuk thotë se i ka harruar. Nuk thotë se nuk e di çfarë kanë bërë. Nuk thotë se zullumi është zhdukur. Përkundrazi, Ai thotë se dënimi është shtyrë, jo anuluar.

            Kjo është një prej dallimeve më të mëdha ndërmjet mënyrës se si e shohim ne drejtësinë dhe mënyrës se si e sheh Allahu. Ne duam ta shohim drejtësinë menjëherë. Allahu e sheh drejtësinë në tërësinë e kësaj bote dhe të Botës Tjetër. Prandaj ky ajet është njëkohësisht kërcënim për zullumqarin dhe ngushëllim për të shtypurin. 

2- Allahu u jep afat zullumqarë, por nuk i harron

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, Allahu i jep afat zullumqarit; por kur e kap atë, nuk e lë të shpëtojë.” Pastaj Profeti lexoi ajetin 102 të sures “Hud”:

وَكَذَٰلِكَ أَخْذُ رَبِّكَ إِذَا أَخَذَ الْقُرَىٰ وَهِيَ ظَالِمَةٌ ۚ إِنَّ أَخْذَهُ أَلِيمٌ شَدِيدٌ

“I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd kur i dënon vendet që bëjnë zullum. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.”

            Pra, afati nuk është falje automatike. Dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Ndonjëherë njeriu zullumqar mendon: ‘Unë po bëj padrejtësi dhe asgjë nuk po më ndodh.’ Zullumqari sheh pasurinë që ka, sheh pushtetin që ka, i sheh njerëzit që i frikësohen dhe mendon se është i sigurt. Por besimtari duhet ta dijë se: Qetësia e përkohshme e zullumqarit nuk është dëshmi se Allahu është i kënaqur me të.

Lind pyetja: Pse Allahu ua jep këtë afat?

            Këtu duhet të kuptojmë një parim të madh të Kur’anit. Allahu nuk e krijoi këtë botë si vendin ku çdo shpërblim dhe çdo dënim duhet të ndodhë menjëherë. Kjo botë është sprovë.

Në ajetin 2 të sures “El-Mulk” Allahu i Madhëruar thotë:

الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا

“Ai që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se cili prej jush është më i mirë në vepra.”

            Nëse çdo zullumqar do të shkatërrohej në çastin që bën zullum, atëherë ku do të ishte sprova? Njeriu nuk do të kishte më mundësi të zgjedhë.

            Por Allahu i jep njeriut mundësi, afat dhe argument. Zullumqarit i jep mundësi të pendohet. Të shtypurit i jep mundësi të tregojë durimin, besimin dhe qëndrueshmërinë e tij.

Vonesa e dënimit mund të jetë edhe një mundësi për pendim

            Një nga mëshirat më të mëdha të Allahut është se Ai nuk e ndëshkon menjëherë çdo mëkat. Nëse Allahu do të na ndëshkonte menjëherë për çdo gabim, kush prej nesh do të mbetej mbi tokë?

Për këtë në ajetin 45 të sures “Fatir” Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَوْ يُؤَاخِذُ اللَّهُ النَّاسَ بِمَا كَسَبُوا مَا تَرَكَ عَلَىٰ ظَهْرِهَا مِنْ دَابَّةٍ

“Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për atë që kanë bërë, nuk do të linte mbi faqen e saj asnjë krijesë…”

            Pra, shtyrja e dënimit mund të jetë edhe mëshirë dhe mundësi për t’u kthyer tek Allahu. Njeriu që ka bërë zullum ende ka një derë përpara tij që është pendimi (teubeja). Ai mund të kthejë të drejtën. Mund t’i kërkojë falje atij që ka dëmtuar. Mund ta braktisë zullumin. Mund të pendohet sinqerisht. Por nëse vazhdon me zullum dhe e interpreton afatin si “fitore”, atëherë ai po mashtron veten.

Ndonjëherë vonesa e dënimit është pjesë e sprovës Në ajetin 61 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَوْ يُؤَاخِذُ اللَّهُ النَّاسَ بِظُلْمِهِمْ مَا تَرَكَ عَلَيْهَا مِنْ دَابَّةٍ وَلَٰكِنْ يُؤَخِّرُهُمْ إِلَىٰ أَجَلٍ مُسَمًّى

“Sikur Allahu t’i ndëshkonte njerëzit për zullumin e tyre, nuk do të linte mbi të asnjë gjallesë, por Ai ua shtyn dënimin deri në një afat të caktuar.”

            Kjo na mëson diçka të jashtëzakonshme se Allahu nuk vepron sipas nxitimit tonë. Ne shohim vetëm një pjesë të historisë. Allahu sheh fillimin, fundin dhe çdo gjë ndërmjet tyre. Ne themi: Pse po vonon? Allahu thotë: “Unë e di.”

Zullumi nuk mund të zgjasë përgjithmonë, sepse një nga mesazhet më të fuqishme të Kur’anit është se Allahu nuk e zullumin dhe as zullumqarët. Në ajetin 57 të sure “Ali Imran” thuhet:

وَاللَّهُ لَا يُحِبُّ الظَّالِمِينَ

“Allahu nuk i do zullumqarët.”

Gjithashtu, në ajetin 21 të sures “El-En’am” thuhet :

إِنَّ اللَّهَ لَا يُفْلِحُ الظَّالِمُونَ

“Me të vërtetë, zullumqarët nuk do të shpëtojnë.”

            Mund të duket se zullumqari ka shpëtuar për një periudhë kohe. Por Kur’ani na mëson të mos e masim shpëtimin vetëm me: pasurinë, pushtetin, famën, numrin e njerëzve që e ndjekin apo sa gjatë qëndron në pozitën e tij. Sepse ekziston një ditë kur të gjitha këto përfundojnë: Dita e shkëputjes nga kjo botë dhe Dita e llogarisë.

Allahu është kundërshtari i zullumqarit

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), në këshillën e tij të famshme drejtuar Malik El-Eshterit, thotë: “Kush u bën zullum robërve të Allahut, Allahu bëhet kundërshtari i tij kundër tij. Sepse Allahu e dëgjon lutjen e të shtypurve dhe Ai është në pritë ndaj zullumqarëve.” (“Nehxhul-Belaga”, Letra 53) Çfarë fjale madhështore!

            Allahu e dëgjon lutjen e të shtypurit.Ndoshta njerëzit nuk e dëgjojnë. Ndoshta gjykata nuk e dëgjon. Ndoshta shoqëria nuk e dëgjon. Ndoshta askush nuk e di se çfarë ka kaluar një njeri. Por, Allahu e dëgjon. Dhe imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Ai (Allahu) është në pritë ndaj zullumqarëve.”

            Kjo do të thotë: Mos mendo o zullumqar se zullumi yt është zhdukur vetëm sepse nuk pe një ndëshkim të menjëhershëm.

            Dikush mund të pyesë: Pse ndonjëherë Allahu nuk e shkatërron zullumqarin, por e lejon të vazhdojë? Kjo sepse shkatërrimi fizik nuk është gjithmonë forma e vetme e ndëshkimit. Ndonjëherë njeriu dënohet duke humbur: qetësinë, besimin e njerëzve, bereqetin, dashurinë, respektin, ose duke u larguar gjithnjë e më shumë nga Allahu.

            Por dënimi më i madh është ai që nuk e shohim ende dhe ai është dënimi në Botën Tjetër. Prandaj, në ajetin 47 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar  thotë:

فَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ مُخْلِفَ وَعْدِهِ رُسُلَهُ ۗ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ ذُو انْتِقَامٍ

“Mos mendo kurrsesi se Allahu do ta shkelë premtimin që u ka dhënë të Dërguarve të Tij. Allahu është i Plotfuqishëm dhe Zot i hakmarrjes së drejtë.”

Po i shtypuri? Çfarë duhet të bëjë?

            Këtu është pjesa më e rëndësishme. Kur njeriu sprovohet nga zullumi i dikujt tjetër, djalli mund t’i pëshpërisë e t’i thotë: Pse po e lejon Allahu këtë?

Por besimtari thotë: “Allahu e di. Allahu e sheh. Allahu do të gjykojë.”

            Kjo nuk do të thotë se duhet të pranojmë pasivisht zullumin. Islami nuk na mëson ta duam padrejtësinë. Ne duhet ta mbrojmë të drejtën, të ndihmojmë të shtypurin dhe të kundërshtojmë zullumin me mënyrat e lejuara. Por zemra jonë nuk duhet të humbasë besimin tek drejtësia e Allahut.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë “Zullumi në këtë botë është shkatërrim, ndërsa në Ahiret është rrënim.” (“Ghurarul-Hikam”) 

Zullumqari mund të ketë një periudhë pushteti. Por, ai nuk ka pushtet mbi përfundimin.

Mund të ketë mundësi të bëjë zullum. Por, nuk mund ta shmangë llogarinë.

Mund t’i frikësojë njerëzit. Por, nuk mund ta frikësojë Allahun.

Mund t’i mbyllë gojën një të shtypuri. Por, nuk mund ta mbyllë librin e veprave të tij.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kur të shohim zullum në botë, të mos themi: Allahu nuk po sheh.

Kur të shohim zullumqarin të pasur, të mos themi: Allahu është i kënaqur me të.

Kur të shohim se dënimi vonon, të mos themi: Zullumi fitoi.

Jo! Kurrë.

Kur’ani na mëson e na thotë

وَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ

“Mos mendo se Allahu është i pavetëdijshëm për atë që bëjnë zullumqarët.”

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson e na thotë: “Allahu i jep afat zullumqarit, por kur e kap, nuk e lë të shpëtojë.” 

 Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na kujton se: “Allahu e dëgjon lutjen e të shtypurve dhe është në pritë ndaj zullumqarëve.” 

            Prandaj, nëse je i shtypur, mos e humb shpresën. Nëse të është marrë e drejta, mos mendo se Allahu nuk e di. Nëse dikush të ka bërë padrejtësi, mos e lejo zullumin e tij të ta shkatërrojë besimin.

            Nëse ndonjëherë ne kemi bërë zullum ndaj dikujt, të mos presim dënimin e Allahut. Të kërkojmë falje, të kthejmë të drejtën dhe të pendohemi. Sepse pyetja nuk është vetëm: Pse Allahu nuk i shkatërron zullumqarët?

            Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është: “A jam unë i sigurt se nuk jam duke i bërë zullum dikujt?” A jam përkrahës i zullumit dhe i zullumqarëve?

Në ajetin 112 të sures “Hud” Kur’ani na urdhëron e na thotë:

﴿ وَلَا تَرْكَنُوا إِلَى الَّذِينَ ظَلَمُوا فَتَمَسَّكُمُ النَّارُ وَمَا لَكُم مِّن دُونِ اللَّهِ مِنْ أَوْلِيَاءَ ثُمَّ لَا تُنصَرُونَ﴾

“Dhe mos u anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, se përndryshe do t’ju prekë zjarri. Përveç Allahut, ju nuk keni mbrojtës të tjerë; pastaj nuk do të ndihmoheni.”

            Kuptimi i këtij ajeti fisnik është: Mos e mbështet, mos e përkrah dhe mos u bëj palë me zullumqarin, sepse afrimi dhe pajtimi me padrejtësinë e bën njeriun pjesëmarrës në pasojat e saj.

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) i ka thënë dy djemve të tij, Hasanit dhe Hysenit: “Jini kundërshtarë të zullumqarit dhe ndihmës të të shtypurit.”

            Ne nuk duhet ta ndihmojmë zullumqarin, sepse nuk na lejohet ta përkrahim atë. Po ashtu, nuk na lejohet të qëndrojmë asnjanës ndërmjet zullumqarit dhe të shtypurit, qoftë zullumqari apo i shtypuri një individ, një popull, një komb apo një shtet. Ne duhet të mbajmë një qëndrim pozitiv e aktiv dhe të mendojmë si t’i përdorim të gjitha mundësitë tona për ta dobësuar zullumqarin dhe për ta ndihmuar të shtypurin, secili sipas mundësisë së vet.

            Nuk duhet t’i dëgjojmë ata që thonë se zullumqarët zotërojnë fuqi. Edhe nëse zullumqari është i fuqishëm, ne duhet t’i dalim përballë me forcë dhe në mënyrë të bashkuar. Sepse zullumqari është i fortë kur ne jemi të përçarë dhe kur secili i del përballë veçmas. Ajo që kërkohet është që t’i bashkojmë fuqitë tona në përballjen me të, sepse padrejtësia përfiton nga asnjanësia e atyre që qëndrojnë neutralë; çdo fuqi që qëndron asnjanëse, në të vërtetë i sjell dobi zullumqarit.

            Islami nuk e pranon që njeriu të qëndrojë neutral në përballjen ndërmjet zullumqarit dhe të shtypurit. Përgjegjësia dhe detyra jonë është t’u kundërvihemi zullumqarëve, t’i dobësojmë ata dhe t’i forcojmë të shtypurit. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “O njerëz, jini kundërshtarë të zullumqarëve brenda shoqërisë suaj.”

            Mos lejojmë që zullumqarët të na mpijnë me propagandën, lajmet dhe thashethemet e tyre; as me përpjekjet e tyre për të na frikësuar e për të na shndërruar në skllevër.

            Ne duhet të lidhemi me njerëzit mbi bazën e drejtësisë dhe të së vërtetës dhe të çlirohemi nga skllavëria dhe nga frika e zullumqarëve.

            Allahu na bëftë prej atyre që nuk bëjnë zullum, nuk e pranojnë zullumin dhe qëndrojnë pranë të shtypurve! O Allah, ndihmoji të shtypurit, poshtëroi zullumqarët dhe na bëj prej ndihmësve të së vërtetës dhe drejtësisë!

وَصَلَّى اللَّهُ عَلَى مُحَمَّدٍ وَآلِ مُحَمَّدٍ.

Allahu e bekoftë Muhamedin dhe amiljen e Muhamedit!