Ndonjëherë e dimë se kemi gabuar, e dimë se kemi lënduar dikë, e dimë se fjalët tona kanë qenë të rënda, por përsëri heshtim.
Kalojnë orë, ditë, ndonjëherë edhe vite, dhe ne presim që tjetri të vijë e të na flasë i pari.
Pse? Sepse shpesh pengesa nuk është gjuha. Pengesa është egoja.
1-Pse hezitojmë të kërkojmë falje?
Një nga arsyet kryesore është se ne e lidhim kërkimin e faljes me dobësinë. Mendojmë dhe themi veten: Po i kërkova falje, do të dukem i dobët. Po pranova gabimin, do të humbas autoritetin. Po i thashë ‘më fal’, ai do të mendojë se kishte të drejtë. Por Islami na mëson se të pranosh gabimin nuk është poshtërim. Është madhëri.
Në ajetin 134 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ
“…ata që e përmbajnë zemërimin dhe ua falin njerëzve; e Allahu i do bamirësit.”
Njeriu i fortë nuk është ai që nuk gabon kurrë. Njeriu i fortë është ai që, kur kupton se ka gabuar, ka guximin të kthehet dhe ta korrigjojë gabimin.
2- Pengesa e parë: Mendjemadhësia
Ndonjëherë ne nuk kërkojmë falje sepse kemi frikë se do të ulim veten. Por në realitet, ajo që duhet të ulim është egoja.
Në ajetin 18 të sures “Lukman” Kurani na paralajmëron duke thënë
وَلَا تُصَعِّرْ خَدَّكَ لِلنَّاسِ وَلَا تَمْشِ فِي الْأَرْضِ مَرَحًا ۖ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍ فَخُورٍ
“Mos i kthe faqet me përbuzje ndaj njerëzve dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi. Vërtet, Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e mburravec.”
Mendjemadhësia na bën të mendojmë: Pse duhet të kërkoj falje unë? Por besimtari pyet: Çfarë kërkon Allahu prej meje? Dhe nuk pyet: Çfarë do të mendojë egoja ime?
3- Ndonjëherë presim që tjetri të kërkojë falje i pari
Kjo është një nga sëmundjet e marrëdhënieve njerëzore. Unë pres që ai të më kërkojë falje. Ai pret që unë t’i kërkoj falje. Dhe kështu, dy njerëz që mund të duhen, mbeten larg njëri-tjetrit për shkak të krenarisë.
Në ajetin 22 të sures “En-Nur” Kur’ani na jep një mësim shumë të bukur. Ajeti thotë:
ۖ وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا ۗ أَلَا تُحِبُّونَ أَنْ يَغْفِرَ اللَّهُ لَكُمْ ۗ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ
“Le të falin dhe të mos ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë? Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”
Kjo është një pyetje që duhet ta bëjmë shpesh me veten: A nuk dëshiroj që Allahu të më falë? Nëse dëshiroj faljen e Allahut, atëherë duhet të mësoj edhe unë të fal.
Dikush mund të thotë: Unë nuk kam qenë i vetmi që gabova! Kjo është një tjetër arsye pse hezitojmë. Ne themi: Edhe ai më lëndoi. Edhe ai foli keq. Edhe ai gaboi.
Mund të jetë e vërtetë. Por pyetja është: Cila është përgjegjësia ime?
Besimtari nuk pret që tjetri të përmirësohet në mënyrë që edhe ai të bëjë atë që është e drejtë.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se: “Falja më e mirë është falja jote ndaj atij që të ka bërë keq.”
Falja nuk do të thotë se e quajmë të drejtë atë që ka ndodhur. Falja do të thotë se nuk lejojmë që gabimi i tjetrit të na shndërrojë edhe ne në njerëz të padrejtë.
5- Kërkimi i faljes nuk është vetëm një fjalë
Duhet të bëjmë dallimin ndërmjet: Më fal nëse u mërzite dhe: Më fal, të lëndova dhe nuk duhej të veproja ashtu.
E para ndonjëherë e zhvendos përgjegjësinë te tjetri.
E dyta pranon gabimin. Kur njeriu kërkon falje me sinqeritet, ai nuk duhet të kërkojë justifikime të pafundme.
Mund të thotë thjesht: Kam gabuar. Të kam lënduar. Më fal. Do të përpiqem të mos e përsëris. Këto janë fjalë të shkurtra, por mund të shërojnë një zemër.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “A t’ju tregoj për diçka më të vlefshme se shkalla e agjërimit, namazit dhe sadakasë? Pajtim dhe përmirësim i marrëdhënieve mes njerëzve.”
Ky hadith na tregon se marrëdhëniet njerëzore kanë një peshë të madhe në Islam. Ndonjëherë ne falim shumë namaz, agjërojmë, japim sadaka, por kemi një zemër të thyer pas nesh. Prandaj duhet të pyesim veten: A ka dikush që e kam lënduar dhe me të cilin duhet të pajtohem?
7- Pse egoja e ka kaq të vështirë të thotë “më fal”?
Sepse kërkimi i faljes na detyron të pranojmë diçka që egoja nuk e pëlqen. Ndonjëherë ne duam të ruajmë imazhin që kemi krijuar për veten: “Unë jam i drejtë.” “Unë jam i mirë.” “Unë nuk gaboj.” Por, njeriu që nuk pranon gabimin nuk mund të përmirësohet.
Ndërsa besimtari thotë: Po, gabova. Por unë mund të kthehem.
Kjo është një prej bukurive të fesë. Allahu nuk kërkon prej nesh të jemi njerëz që nuk gabojnë. Ai kërkon që, kur gabojmë, të pendohemi dhe të kthehemi tek Ai.
Në ajetin 222 të sures “El-Bekare” Kur’ani thotë:
إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ
“Vërtet, Allahu i do ata që pendohen.”
8- Nga kërkimi i faljes prej Allahut te kërkimi i faljes prej njerëzve
Ne çdo ditë themi: “I kërkoj falje Allahut.” Por duhet të pyesim veten: Nëse i kërkoj falje Allahut për një mëkat që lidhet me një njeri tjetër, a nuk duhet të përpiqem edhe ta ndreq dëmin që i kam shkaktuar atij?
Nëse e kam përgojuar dikë, duhet të pendohem. Nëse e kam ofenduar dikë, duhet të kërkoj falje. Nëse i kam bërë padrejtësi dikujt, duhet të përpiqem ta korrigjoj padrejtësinë. Pendimi i vërtetë nuk është vetëm një fjalë e gjuhës, ai është kthim i zemrës dhe korrigjim i veprës.
9- Imam Zejnul-Abidini (Paqja qoftë mbi të!) dhe edukimi i shpirtit
Në lutjet e Imam Zejnul-Abidinit (Paqja qoftë mbi të!), sidomos në “Sahifen Sexhadije”, gjejmë një shpirt të jashtëzakonshëm përballë gabimit.
Njeriu besimtar nuk e justifikon veten para Allahut. Ai e njeh dobësinë e tij. Ai thotë: ‘O Allah, më fal për gabimet e mia dhe më ndihmo të mos kthehem tek ato.’
Kjo na mëson një parim shumë të rëndësishëm: Sa më shumë ta njohim veten, aq më pak do ta kemi të vështirë të kërkojmë falje. Sepse do të kuptojmë se të gjithë jemi të mangët.
10- Kërko falje para se të bëhet tepër vonë
Një nga gabimet më të mëdha është të mendojmë: “Do t’i kërkoj falje më vonë.”
Por sa është “më vonë”? Nesër? Javën tjetër? Kur të qetësohemi? Kur të plaket marrëdhënia?
Ndonjëherë “më vonë” nuk vjen kurrë. Sa njerëz sot do të dëshironin të kishin mundësinë t’i thonin dikujt: “Më fal.” Por ai person nuk është më pranë tyre.
Prandaj, nëse zemra të thotë se duhet të kërkosh falje, mos e shty pa arsye. Shko. Telefonoje. Dërgoji një mesazh. Thuaji: ‘Nuk dua që krenaria ime të jetë më e madhe se dashuria dhe vëllazëria jonë. Kam gabuar. Më fal.’
11- Po nëse tjetri nuk na fal?
Kjo është një pyetje e rëndësishme. Ne mund të kërkojmë falje me sinqeritet, por nuk mund ta detyrojmë tjetrin të na falë. Detyra jonë është të bëjmë pjesën tonë: të pranojmë gabimin; të kërkojmë falje; të korrigjojmë dëmin, kur është e mundur; të mos e përsërisim gabimin dhe t’ia lëmë zemrën e tjetrit Allahut. Falja është një dhuratë. Por pendimi dhe kërkimi i faljes janë përgjegjësi.
12- Një ushtrim për veten
Sonte, para se të flini, bëjini vetes tri pyetje:
E para: A ka dikush që e kam lënduar me fjalë ose me veprime?
E dyta: A ka dikush me të cilin jam larguar vetëm sepse asnjëri prej nesh nuk dëshiron të bëjë hapin e parë?
E treta: A ka dikush të cilit duhet t’i them: “Më fal”?
Nëse përgjigjja është “po”, mos lejoni që egoja t’ju ndalojë. Sepse ndonjëherë një fjali prej dy fjalësh: “Më fal.” mund të bëjë atë që nuk e bëjnë dot njëqind shpjegime.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ndoshta një nga betejat më të vështira të njeriut nuk është beteja me një armik jashtë vetes. Është beteja me egon brenda vetes.
Egoja thotë: ‘Mos kërko falje.’
Besimi thotë: “Prano gabimin.”
Egoja thotë: ‘Le të vijë ai i pari.’
Besimi thotë: “Bëje ti hapin e parë.”
Egoja thotë: ‘Do të dukesh i dobët.’
Besimi thotë: “Forca është të pranosh të vërtetën.”
Egoja thotë: ‘Mos e fal.’
Kurani na kujton e na thotë: “A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë?”
Prandaj, nëse dëshirojmë faljen e Allahut, le të mësojmë edhe ne të falim.
Nëse kemi gabuar, le të kërkojmë falje. Nëse kemi lënduar, le ta ndreqim. Nëse jemi larguar, le të afrohemi.
Dhe nëse zemra jonë na thotë: “Shko dhe thuaji: Më fal…” mos ta lejojmë krenarinë të na ndalojë. Sepse ndoshta ajo fjali që po e shtyjmë prej ditësh është pikërisht fjalia që mund të shpëtojë një marrëdhënie, të qetësojë një zemër dhe të na afrojë më shumë me Allahun.
O Allah, na pastro zemrat nga mendjemadhësia, na mëso të pranojmë gabimet tona, na jep forcë për të kërkuar falje dhe na bëj prej atyre që falin dhe pajtojnë!

