Kurani i Shenjtë urdhëron që me Ithtarët e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët), që janë paqësorë, të sillemi me drejtësi, paanshmëri, mirësi dhe t’i ftojmë me mënyrën më të mirë.
Kur’ani bën thirrje për afrim rreth parimeve të përbashkëta, në adhurimin vetëm të Allahut dhe në mosshoqërimin e askujt me Të, siç thotë i Lartësuari:
﴿قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَى كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا﴾
“Thuaj: O Ithtarë të Librit! Ejani te një fjalë e përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë askënd tjetër përveç Allahut dhe të mos i shoqërojmë Atij asgjë.”
Kur’ani e ka lejuar ushqimin e tyre, përfshirë mishin e therur prej tyre sipas kushteve fetare, dhe ka lejuar martesën me gratë e ndershme e të dëlira prej tyre, siç thotë i Lartësuari në ajetin 5 të sures “El-Maide”:
﴿وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حِلٌّ لَكُمْ وَطَعَامُكُمْ حِلٌّ لَهُمْ وَالْمَحْصَنَاتُ مِنَ الْمُؤْمِنَاتِ وَالْمَحْصَنَاتُ مِنَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ مِنْ قَبْلِكُمْ﴾.
“Ushqimi i atyre që u është dhënë Libri është i lejuar për ju, dhe ushqimi juaj është i lejuar për ta; po ashtu edhe gratë e ndershme prej besimtareve dhe gratë e ndershme prej atyre që u është dhënë Libri para jush.”
Kur’ani, gjithashtu, nxit në durim, falje dhe tolerancë përballë qëndrimeve negative ose zilisë që mund të vijë nga disa prej tyre, siç thotë i Lartësuari në ajetin 109 të sures “El-Bekare”:
﴿فَاعْفُوا وَاصْفَحُوا حَتَّى يَأْتِيَ اللَّهُ بِأَمْرِهِ﴾
“Prandaj falni dhe tregohuni të mëshirshëm, derisa Allahu të sjellë urdhrin e Tij.”
Kur’ani bën thirrje për dialog me Ithtarët e Librit në mënyrën më të mirë, pa ashpërsi dhe pa lëndim, siç thotë Allahu i Lartësuar në ajetin 46 të sures “El-Ankebut”:
﴿وَلَا تُجَادِلُوا أَهْلَ الْكِتَابِ إِلَّا بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ إِلَّا الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنْهُمْ ۖ وَقُولُوا آمَنَّا بِالَّذِي أُنزِلَ إِلَيْنَا وَأُنزِلَ إِلَيْكُمْ وَإِلَٰهُنَا وَإِلَٰهُكُمْ وَاحِدٌ وَنَحْنُ لَهُ مُسْلِمُونَ﴾
“Dhe mos polemizoni me ithtarët e Librit, përveçse në mënyrën më të mirë, me përjashtim të atyre prej tyre që bëjnë padrejtësi. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është shpallur neve dhe në atë që ju është shpallur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një, dhe ne i jemi dorëzuar Atij.”
Ky ajet fisnik është një parim i rëndësishëm kur’anor përdialogun, respektin dhe mënyrën e trajtimit të atyre që kanë bindje të ndryshme.
Në këtë ajet Allahu i urdhëron besimtarët që të polemizojnë me ithtarët e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët) me mënyrën më të mirë, me fjalë të bukura, me butësi dhe sjellje të mirë, duke i ftuar drejt Allahut me urtësi dhe këshillë të mirë. Fjalët duhet të jenë të sjellshme dhe me edukatë. Të jenë fjalë dashamirësie e respekti, që të përmbajnë argumente. Zëri gjatë bisedës të jetë i qetë dhe jo i ashpër, të mos e tejkalojë kufirin e moralit e të etikës. Gjithashtu, edhe lëvizjet e duarve, të syve, të vetullave, të jenë të qeta dhe me edukatë. Sa e bukur kjo shprehje kur’anore, e cila përfshin një botë me kuptime të hollësishme në një fjali të shkurtër!
Në diskutim nuk kërkohet superioriteti dhe as ndalimi i palës tjetër. Qëllimi është që fjalët të jenë depërtuese në zemrën e palës tjetër. Rruga më e mirë për të arritur këtë qëllim është metoda kur’anore.
Natyrisht që për çdo ligj ka përjashtime (klauzola). Nga kjo mënyrë e mirë e dialogut që urdhëron Kur’ani, përjashtohen nga ithtarët e Librit ata që kanë bërë padrejtësi, kanë sulmuar, kanë këmbëngulur në armiqësi dhe nuk pranojnë gjë tjetër veç luftës dhe përplasjes. Me këta veprohet në përputhje me gjendjen e tyre dhe, kur është e nevojshme, merret qëndrimi i duhur përballë tyre. Prandaj, Kur’ani thotë: “…me përjashtim të padrejtëve…”. Ata janë të padrejtët ndaj vetave të tyre dhe ndaj të tjerëve, që fshehën shumë prej argumenteve dhe shenjave të Allahut me qëllim që njerëzit të mos njiheshin me cilësitë e Profetit Muhammed (Paqja e bekimet e All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Të padrejtët janë ata që i nëpërkëmbën Urdhrat e Allahut që nuk përputheshin me interesat e tyre personale.
Në fund të ajetit Kur’ani i Shenjtë thotë: “…Dhe thoni: ‘Ne besojmë në atë që na është zbritur dhe në atë që ju është zbritur. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një – dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë.’”.
Sa e mrekullueshme kjo thënie! Sa bukur tingëllon melodia e saj! Melodia e unitetit dhe e besimit në çdo gjë që ka zbritur Allahu i Vetëm e i Pashoq! Kjo thënie zhduk racizmin dhe thotë se ne dhe ju jemi monoteistë dhe Atij i nënshtrohemi. Ky është një shembull i vetëm prej diskutimit me atë që është më e mira, e cila tërheq gjithkënd që e dëgjon dhe tregon se njeriu duhet të qëndrojë larg shkatërrimit. Thirrja e Islamit është thirrje për unitet dhe nënshtrim ndaj çdo thënieje të vërtetë.
Me thënien: “…Dhe thoni: ‘Ne besojmë në atë që na është zbritur dhe në atë që ju është zbritur. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një – dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë.’”, Allahu i udhëzon besimtarët të shprehin besimin e tyre në të vërtetën që u është shpallur atyre dhe në shpalljet që u janë dhënë profetëve para tyre. Të gjithë kanë një Zot të vetëm, Allahun, dhe ata i janë dorëzuar dhe i janë nënshtruar Atij.
Ashpërsia në diskutim, kërkimi i epërsisë, nënvleftësimi i palës tjetër, shfaqja e mendjemadhësisë dhe e vetëpëlqimit, mosrespektimi i mendimit të tjetrit, mungesa e seriozitetit në diskutim, të gjitha këto çojnë në mposhtjen e njeriut në diskutimin e tij duke mos triumfuar ndaj palës tjetër. Prandaj, ne shohim në kërkimet e moralit islam se ka një kapitull të posaçëm me temë: “Ndalimi i debatit dhe i mburrjes”. Qëllimi prej këtyre debateve nuk është kërkimi i të vërtetës dhe shfaqja e saj, por qëllimi në ato debate është epërsia, lartësia dhe paraqitja e muskujve palës tjetër.
Debati dhe mburrja janë të ndaluar sepse, në shtesë të dëmeve morale dhe shpirtërore, nëpërmjet tyre nuk arrihet rezultati i duhur. Disa dijetarë myslimanë kanë bërë dallim mes tyre. Mburrja ka si qëllim shfaqjen e virtytit dhe të përsosurisë, kurse debati ka si qëllim nënvlerësimin dhe poshtërimin e palës tjetër. Kanë thënë se debati është faza sulmuese në bisedë, kurse mburrja është diga mbrojtëse në bisedë. Po ashtu, ka edhe një thënie se debati ndodh në çështjet shkencore, kurse mburrja është më e përgjithshme. Sigurisht nuk ka kundërshtim mes këtyre komentimeve.
Sido që të jetë, diskutimi dhe dialogu me të tjerët, herë kryhet në mënyrën më të mirë, që e sqaruam me kriteret e lartpërmendura, të cilat duhen ruajtur me kujdes, e herë tjetër, me mënyrë jo të mirë. Kjo, nëse neglizhohen çështjet që përmendëm në fillim të fjalëve tona rreth debatit dhe nëse palosen në faqet e harresës.
Në një hadith të transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), thuhet: “Robi nuk e plotëson të vërtetën e besimit, derisa të lërë mburrjen, edhe nëse është i vërtetë.” (“Sefinetul Bihar”, lënda “merea”.)
Në një hadith tjetër lexojmë se Profeti Sulejman (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) i ka thënë djalit të tij: “O biri im! Mjerë ti dhe mburrja, sepse në të nuk ka dobi. Ajo përhap urrejtje mes vëllezërve.” (“Ihjaul Ulum”.)
MËSIMET MË KRYESORE TË AJETIT JANË:
Mësimi i parë: – Islami e pranon dialogun me tjetrin
Ajeti nuk e ndalon diskutimin me njerëzit që kanë besim tjetër, por udhëzon që ai të zhvillohet me mënyrën më të mirë.
Mësimi i dytë: E vërteta nuk ka nevojë për fyerje
Kur njeriu beson se ka të drejtën, nuk ka nevojë ta mbrojë atë me sharje, përçmim apo arrogancë. Argumenti i fortë shoqërohet me urtësi dhe moral të mirë.
Mësimi i tretë: Respekti nuk do të thotë heqje dorë nga bindjet
Të dialogosh me respekt nuk do të thotë të relativizosh të vërtetën apo të fshehësh bindjet e tua. Do të thotë t’i paraqesësh ato me drejtësi, qetësi dhe argument.
Mësimi i katërt: Qëllimi i dialogut duhet të jetë udhëzimi, jo poshtërimi
Një debat fetar nuk duhet të kthehet në garë për të treguar se kush e mposhti tjetrin. Qëllimi duhet të jetë kërkimi i së vërtetës dhe sqarimi me urtësi.
Mësimi i pestë: Morali duhet të jetë pjesë e argumentit
Ajeti na mëson se mënyra se si flasim është po aq e rëndësishme sa ajo që themi. Një argument i saktë i shoqëruar me sjellje të keqe mund ta largojë tjetrin nga e vërteta.
Mësimi i gjashtë: Islami nuk kërkon të tolerohet padrejtësia.
Përjashtimi në fund të ajetit: “përveç atyre prej tyre që bëjnë padrejtësi”, tregon se urdhri për dialog të mirë nuk nënkupton pasivitet përballë agresionit, shtypjes apo padrejtësisë.
Në një kohë kur diskutimet fetare, politike dhe shoqërore shpesh kthehen në fyerje, përçmim dhe konflikte, ky ajet na jep një rregull të qartë: Mos e humb moralin tënd vetëm sepse tjetri mendon ndryshe nga ti. Mund të mos pajtohemi me dikë, mund të mbrojmë bindjet tona dhe madje mund ta kundërshtojmë fort një ide të gabuar, por këtë duhet ta bëjmë me drejtësi, me respekt dhe me fjalën më të mirë.
Ky ajet na mëson tre parime të mëdha:
1- E vërteta të bazohet te argumenti.
2- Dialogu të bazohet te urtësia.
3- Kundërshtimi të bazohet te morali dhe drejtësia.
Besimtari nuk duhet të jetë thjesht njeri që ditë argumentojë, por duhet të jetë njeri që di të dialogojë me edukatë. Sepse mënyra se si e prezantojmë të vërtetën është pjesë e mesazhit që përcjellim. Në ajetin 33 të sures “Fusilet” Allahu I Madhëruar thotë:
﴿ وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِّمَّن دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ﴾
“E kush flet më bukur se ai që thërret tek Allahu, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Unë jam prej myslimanëve.’”
Ajeti mëson se fjala më e mirë është ajo që i afron njerëzit te Allahu. Por, kjo thirrje duhet të shoqërohet me vepra të mira dhe me një qëndrim të sinqertë e të përulur. Pra, nuk mjafton vetëm të flasësh për besimin; njeriu duhet ta dëshmojë atë edhe me sjelljen dhe veprat e tij. Ky ajet fisnik është një thirrje për urtësi, mirësi, shembull personal dhe paqe në fjalë e në vepra.
Allahu na bëftë prej atyre që janë të butë e të sjellshëm në trajtimin e të tjerëve!

