Në ajetin 82 të sures “El-Isra” Allahu i Madhwruar thotw:
﴿ وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ ۙ وَلَا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلَّا خَسَارًا﴾
“Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa zullumqarëve ai nuk u shton veçse humbje.”
Kur’ani është shërim për zemrën, shpirtin dhe mendjen e besimtarit. Ai sjell qetësi, shpresë, udhëzim dhe mëshirë, sidomos në kohë mërzitjeje, frike dhe sprove. Por dobia e tij lidhet edhe me mënyrën si njeriu i afrohet: me besim, sinqeritet dhe gatishmëri për t’u udhëzuar. Kështu, Kur’ani nuk është vetëm fjalë për t’u lexuar, por burim shërimi të brendshëm dhe orientimi në jetë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Secili prej nesh, në një moment të jetës, është përballur me mërzitjen. Ndonjëherë mërzitemi për një problem që kemi sot. Ndonjëherë për diçka që ka ndodhur dje. Ndonjëherë kemi frikë nga ajo që mund të ndodhë nesër. Njeriu mund të ketë pasuri, familje, shëndet dhe shumë të mira, por përsëri ndien një boshllëk në zemër. Mërzitja mund të vijë nga shumë burime dhe jo gjithmonë ka vetëm një shkak. Më të zakonshmet janë humbja e diçkaje ose dikujt, zhgënjimi, pritshmëritë e paplotësuara, konfliktet me njerëzit, vetmia, pasiguria për të ardhmen, lodhja e tepërt, mungesa e gjumit, stresi i vazhdueshëm dhe ndjenja se njeriu nuk ka kontroll mbi situatën.
Çfarë na mëson Kur’ani për ta shëruar këtë gjendje?
Kur’ani na jep një përgjigje shumë të thellë në ajetin 28 të sures “Err-Rra’d” ku thotë:
﴿ … ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾
“…Vërtet, me përmendjen e Allahut zemrat qetësohen.”
Kur’ani nuk na thotë: ‘Mos u mërzit kurrë’, sepse mërzitja është njerëzore, por të mos lejojmë që humbja të na pushtojë plotësisht. Kur’ani na mëson se kur të mërzitesh, mos e lër zemrën të humbasë drejtimin. Ktheje zemrën kah Allahu.
Lidhja me këtë botë na bën të mërzitemi
Ne mërzitemi kur humbasim diçka që e duam. Humbim pasurinë, mërzitemi. Humbim një njeri të dashur, mërzitemi. Dështojmë në një punë, mërzitemi. Nuk realizohet ajo që dëshironim, mërzitemi. Mirëpo, problemi nuk është gjithmonë vetë ngjarja. Shpesh problemi është lidhja e tepërt e zemrës me atë që humbëm.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se kjo botë është e ndryshueshme dhe se njeriu nuk duhet ta ndërtojë të gjithë qetësinë e tij mbi diçka që është kalimtare. Ai ka thënë: “Preokupimi i tepërt për çështjet e kësaj bote e errëson zemrën.”
Nëse zemra jonë e lidh lumturinë vetëm me pasurinë, atëherë kur e humbasim pasurinë, humbasim edhe qetësinë. Nëse zemra jonë e lidh lumturinë me lavdërimin e njerëzve, atëherë një kritikë na mërzit dhe na shkatërron. Nëse zemra jonë e lidh lumturinë me suksesin, atëherë një dështim na mërzit dhe na rrëzon. Por kur zemra lidhet me Allahun, njeriu mund të humbasë shumë gjëra, por nuk e humbet shpresën.
Mërzitja shpesh vjen nga e kaluara dhe frika nga e ardhmja
Një njeri mund të jetë ulur në shtëpi, pa pasur asnjë problem në atë moment, por zemra e tij është duke jetuar një ngjarje të së kaluarës. Përshembull, ai mendon dhe thotë: Pse e thashë atë fjalë? Pse e bëra atë gabim? Pse ndodhi kjo?
Ndërsa, dikush tjetër jeton vazhdimisht në të ardhmen duke thënë: Po sikur të ndodhë kjo? Po sikur të humbas punën? Po sikur të sëmurem? Po sikur të mos realizohet ajo që dëshiroj?
Kështu njeriu mund të vuajë për një të kaluar që nuk mund ta ndryshojë dhe për një të ardhme që ende nuk ka ardhur. Kur’ani na mëson mbështetjen tek Allahu. Në ajetin 3 të sures “Et-Talak” Allahu thotë:
وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ ۚ
“Kush mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton atij.”
Të mbështetesh tek Allahu nuk do të thotë të mos veprosh. Të mbështetesh tek Allahu do të thotë të bësh atë që ke mundësi të bësh.
Mërzitja mund të vijë edhe nga krahasimi me të tjerët
Një nga sëmundjet e kohës sonë është krahasimi me të tjerët. Dikush shikon jetën e tjetrit dhe mendon: Pse ai ka më shumë se unë? Pse atij i shkon gjithçka mirë? Pse ai është më i suksesshëm?
Shpesh herë ne krahasojmë brendësinë tonë me pamjen e jashtme të të tjerëve. Ne shohim buzëqeshjen e tyre, por nuk shohim lotët e tyre. Shohim suksesin, por nuk shohim sprovat. Shohim atë që kanë, por nuk shohim atë që u mungon. Në ajetin 131 të sures “Ta Ha” Kur’ani na mëson dhe na thotë:
﴿ وَلَا تَمُدَّنَّ عَيْنَيْكَ إِلَىٰ مَا مَتَّعْنَا بِهِ أَزْوَاجًا مِّنْهُمْ زَهْرَةَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا …﴾
“Mos i zgjat sytë me lakmi ndaj asaj që u kemi dhënë disa prej tyre si kënaqësi të kësaj bote…”
Ai njeri që vazhdimisht shikon atë që kanë të tjerët, harron të falënderojë Allahun për atë që ka vetë.
Si e shëron Kur’ani mërzitjen?
Kur’ani nuk ofron vetëm një fjalë ngushëlluese. Ai ndërton një mënyrë jetese që e forcon zemrën. Kur’ani përmban recetën më të mirë për shërimin e mërzitjes. Ajo recetë përmban këto përbërës:
I pari: Përmendjen e vazhdueshme të Allahut (Dhikri)
Në ajetin 28 të sures “Err-Rra’d” Allahu thotë:
﴿ … ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾
“Vërtet, me përmendjen e Allahut zemrat qetësohen.”
Në këtë ajet Allahu nuk thotë se zemra nuk do të sprovohet. Ai thotë se zemra gjen qetësi tek Allahu. Prandaj, kur zemra rëndohet, thuaj: SubhanAllah. Elhamdulilah. La ilahe il-lAllah. Allahu Ekber. O Allah, më ndihmo! Dhikri nuk është vetëm përsëritje e fjalëve. Është t’i kujtosh vetes: Unë nuk jam vetëm. Allahu është me mua.
I dyti: Namazi
Kur njeriu mërzitet, shpesh kërkon dikë me të cilin të flasë. Islami i jep atij një mundësinë më të madhe: Të qëndrojë përpara Allahut. Pa ndërmjetës. Pa turp. Pa pasur nevojë t’i fshehë lotët. Të bisedojë me Të. T’ia qajë hallet Atij. Në ajetin 45 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَاسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ ۚ…﴾
“Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz.”
Ndonjëherë njeriu nuk di t’ia shpjegojë dhimbjen e tij askujt. Por Allahu e di. Prandaj, sexhdeja është një nga vendet ku zemra e lodhur gjen strehë. Ndoshta problemi nuk zhduket menjëherë pas sexhdes. Por, njeriu që kthehet nga sexhdeja mund të jetë më i fortë për ta përballuar atë problem.
I treti: Durimi dhe shpresa
Në ajetet 5-6 të sures “El-Inshirah” Allahu Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ فَإِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا (5) إِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا﴾
“Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi. Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi.”
Sa e fuqishme është kjo thënie! Allahu nuk thotë se jeta do të jetë gjithmonë pa vështirësi. Por, na mëson se vështirësia nuk është përgjithmonë. Njeriu duhet të kujtojë se kjo ditë do të kalojë. Ky problem do të ndryshojë. Kjo dhimbje nuk është e përjetshme. Ai që është i përjetshëm është Allahu. Prandaj, besimtari nuk mërzitet dhe e humb shpresën. Edhe kur nuk sheh rrugëdaljen, ai beson se Allahu e sheh dhe është i bindur se pas vështirësisë vjen lehtësimi.
I katërti: Të mos e mbajmë dhimbjen vetëm për vete
Islami nuk e mëson njeriun të izolohet. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na mësojnë rëndësinë e vëllazërisë, vizitës, ndihmës dhe lehtësimit të brengave të besimtarëve. Ndonjëherë një telefonatë, një vizitë, një fjalë e mirë ose thjesht të ulesh pranë dikujt mund t’ia lehtësojë zemrën. Prandaj, nëse dikush është i mërzitur, mos i thuaj menjëherë: Mos u mërzit! Më mirë thuaji: Jam këtu. Më trego çfarë të shqetëson. Sepse ndonjëherë njeriu nuk ka nevojë për një ligjëratë por ka nevojë për një zemër që e dëgjon.
I pesti: Të kuptojmë se edhe sprova mund të ketë kuptim
Në ajetin 155 të sures “El-Bekare” Kur’ani thotë:
﴿ وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ﴾
“Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, pakësimi i pasurisë, i njerëzve dhe i të korrave. Dhe përgëzoji durimtarët.”
Sprova nuk do të thotë se Allahu e ka braktisur njeriun. Edhe profetët dhe njerëzit më të mirë të Allahut janë sprovuar. Profeti Ja’kub (Paqja qoftë mbi të!) u nda nga Jusufi (Paqja qoftë mbi të!) dhe qau nga pikëllimi. Por çfarë tha kur ishte në këtë gjendje? Ai tha:
﴿ قَالَ إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّهِ…﴾
“Unë vetëm Allahut ia shprehi ankimin dhe pikëllimin tim.” (Sure “Jusuf”, ajeti 86)
Ky është një mësim i madh për të gjithë ne. Të qash nuk është mungesë besimi. Të ndiesh dhimbje nuk do të thotë se ke humbur besimin. Edhe Ja’kubi (Paqja qoftë mbi të!) u pikëllua. Por ai e çoi pikëllimin e tij tek Allahu, pra ia delegoi Atij. Edhe ne kështu duhet të veprojmë.
Kur na ndodh një sprovë, pyetja e parë shpesh është: Pse më ndodhi mua? Por kur të sprovohemi duhet të bëjmë pyetjen: Çfarë mund të na mësojë kjo sprovë? Ndoshta na mëson durimin. Ndoshta na largon nga një gabim. Ndoshta na bën të vlerësojmë një mirësi që më parë nuk e vlerësonim. Ndoshta na afron me namazin. Ndoshta na mëson të kuptojmë dhimbjen e të tjerëve.
Besimtari beson se asgjë nuk është jashtë dijes dhe urtësisë së Allahut. Prandaj, ai nuk mërzitet. Në kujtesën e tij ndodhet i ngulitur ajeti kur’anor:
﴿ أَلَا إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“Me të vërtetë, të dashurit e Allahut (evlijatë e Allahut) nuk do të kenë frikë dhe as nuk do të pikëllohen.” (Sure “Junus”, ajeti 62)
Kur njeriu e lidh zemrën me Allahun, beson tek Ai dhe ecën në rrugën e Tij, frika për të ardhmen dhe pikëllimi për të kaluarën nuk e mposhtin më. Ai e di se është nën kujdesin e Allahut dhe se, edhe në vështirësi, Allahu nuk e braktis. Ky ajet na mëson se qetësia e vërtetë e zemrës lind nga afërsia me Allahun. Të dashurit (Evlijatë) e Allahut nuk janë njerëz që nuk përballen me sprova, por janë njerëz që, edhe në sprova, nuk e humbin besimin, shpresën dhe mbështetjen tek Allahu.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Njeriu mërzitet sepse është njeri dhe mërzitja është njerëzore Njeriu mërzitet kur humbet. Mërzitet kur zhgënjehet. Mërzitet kur frikësohet. Mërzitet kur ndahet nga njerëzit që do. Mërzitet kur ëndrrat e tij nuk realizohen.
Por Kur’ani i mëson një sekret të madh: Mos kërko një jetë pa dhimbje por ndërto një zemër që di ku të drejtohet kur dhimbja vjen. Kur të mërzitesh mos u largo nga Allahu por afrohu tek Ai. Kur të frikësohesh mos e humb shpresën por mbështetu tek Allahu. Kur të humbasësh mos harro atë që nuk mund ta humbësh kurrë dhe ai është Allahu Fuqiplot. Dhe kur zemra të rëndohet, kujtoje këtë ajet: “Vërtet, me përmendjen e Allahut zemrat qetësohen.” (Sure “Err-Rra’d” ajeti 28)
Në përfundim themi se Kur’ani nuk e mohon mërzitjen, sepse ajo është pjesë e natyrës njerëzore, por na mëson si të mos mbetemi robër të saj. Ai e qetëson zemrën përmes kujtimit të Allahut, durimit, shpresës, lutjes dhe bindjes se pas çdo vështirësie ka urtësi dhe lehtësim. Kur njeriu e lidh zemrën me Allahun, ai mëson të mos dëshpërohet për atë që ka humbur dhe të mos humbasë ekuilibrin për atë që ka fituar. Kështu, Kur’ani e shëron mërzitjen duke e kthyer frikën në besim, humbjen në durim dhe dhimbjen në afrim me Allahun.
Le të lutemi e të themi gjithmonë: O Allah! Na jep zemra që nuk thyhen nga sprovat, gjuhë që të përmendin Ty në vështirësi, durim kur sprovohemi, shpresë kur dëshpërohemi dhe bindje se mëshira Jote është më e madhe se çdo dhimbje që mbajmë në zemrat tona!
O Allah, shëroji zemrat e të mërziturve, lehtësoja barrën atyre që janë në vështirësi dhe na bëj prej atyre që në çdo gjendje kthehen tek Ti!

