Një nga armiqtë më të mëdhenj të njeriut nuk është gjithmonë armiku që shohim me sy. Ekziston një armik që punon në mënyrë të fshehtë dhe ai shejtani. Fjala “shejtan” është përmendur në Kur’anin e Shenjtë në 64 vende, të shpërndara në 31 sure. Përmendja më e shpeshtë e shejtanit gjendet në suren “El-Bekare”, ndërsa pjesa më e madhe e ajeteve lidhet me temën e “vesveseve të shejtanit”, gjithsej në 51 ajete.
Shejtani nuk e detyron njeriun. Ai e mashtron, e tundon dhe e largon gradualisht nga rruga e Allahut. Shpëtimi nga djalli kërkon njohjen e kurtheve të tij dhe përdorimin e mjeteve që Kur’ani Profeti dhe Ehli Bejti na kanë mësuar.
Shejtani nuk vjen gjithmonë duke i thënë njeriut: Bëj një mëkat të madh. Shpesh fillon me një mendim të vogël, një justifikim, një dëshirë, një vonesë në namaz, një fjalë të keqe, një shikim të ndaluar dhe gradualisht e largon njeriun nga Krihuesi i tij Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.
Në ajetin 6 të surex “Fatir” Kur’ani na paralajmëron dhe na thotë:
﴿إِنَّ الشَّيْطَانَ لَكُمْ عَدُوٌّ فَاتَّخِذُوهُ عَدُوًّا﴾
“Vërtet, Shejtani është armik për ju, prandaj konsiderojeni atë armik.”
Vëreni fjalën e Allahut në këtë ajet e cila thotë: “konsiderojeni atë (djallin) armik.” Nga kjo kuptohet se problemi është kur njeriu harron se ka një armik të përbetuar në jetën e tij.
Cilat janë kurthet e Shejtanit?
Kurthi i parë i shejtanit është ta harrojmë së është armik
Shejtani dëshiron që njeriu të mos mendojë për praninë e tij dhe për mënyrën se si ai vepron. Në ajetin 27 të sures “Ali Imran” Kur’ani thotë:
﴿يَا بَنِي آدَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ الشَّيْطَانُ﴾
“O bijtë e Ademit! Mos lejoni që Shejtani t’ju mashtrojë…”
Shejtani e mashtroi Ademin (Paqja qoftë mbi të!) dhe bashkëshorten e tij dhe për këtë arsye Allahu na paralajmëron që të mos biem në të njëjtin kurth. Prandaj besimtari duhet të jetë vigjilent.
Kur të dëgjojmë pëshpëritjen të thotë: ‘Bëje këtë, askush nuk po të sheh’, duhet të kujtojmë se Allahu na sheh. Kur na thotë: ‘Lëre namazin për pak më vonë’, duhet të kujtojmë se: ‘Vdekja nuk na ka premtuar se do të na presë’. Kur na thotë: ‘Merre hakun tënd me çdo mënyrë’, duhet të kujtojmë se do të japim llogari para Allahut.
Kurthi i dytë: Vesveset (pëshpëritjet)
Një nga armët më të rëndësishme të Shejtanit është vesvesi (pëshpëritja), siç thotë Kur’ani në ajetet 4 dhe 5 të sures “En-Nas”:
﴿مِن شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ الَّذِي يُوَسْوِسُ فِي صُدُورِ النَّاسِ﴾
“Nga e keqja e atij që pëshpërit e pastaj fshihet, i cili pëshpërit në gjokset e njerëzve.”
Shikoni përshkrimin: “el-uesaasul-khannas”, që është ai që pëshpërit dhe pastaj tërhiqet. Pra, shejtani nuk e detyron njeriun. Ai hedh një ide. ‘Thuaje këtë fjalë.’ ‘Shikoje këtë pamje.’ ‘Bëje këtë mëkat.’ ‘Askush nuk do ta marrë vesh.’ ‘Ti je ende i ri/e re.’ ‘Do të pendohesh më vonë.’ E të tjera ide. Këto janë dyert që shejtani përpiqet të hapë për njeriun që ta devijoi e ta shkatërroi.
Por në ajetin 98 të sures “En-Nahl” Kur’ani na mëson e na thotë:
﴿فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ﴾
“Kërko mbrojtje tek Allahu nga Shejtani i mallkuar.”
Prandaj një nga armët më të fuqishme për mbrojte nga shejtani është thënia:
أَعُوذُ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ
“I kërkoj mbrohtje Allahut nga shejtani i mallkuar.”
Kurthi i tretë: Dëshirat dhe pasionet
Kur’ani nuk thotë se shejtani vetëm na frikëson. Ai, gjithashtu, thotë se na e zbukuron mëkatin. Në ajetin 63 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَزَيَّنَ لَهُمُ الشَّيْطَانُ أَعْمَالَهُمْ﴾
“Shejtani ua zbukuroi veprat e tyre.”
Kjo është shumë e rrezikshme. Mëkati shpesh nuk paraqitet si mëkat. Mund të duket si kënaqësi. Si liri. Si argëtim. Si hakmarrje. Si krenari. Si “e drejtë e imja”. Por besimtari pyet: ‘A është kjo gjë që e kënaq Allahun?’
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të ) na mëson e na thotë: “Ajo që kam më shumë frikë për ju janë dy gjëra: ndjekja e dëshirës dhe shpresa e gjatë.” Dëshira e pakontrolluar mund të bëhet derë për shumë mëkate. Prandaj, një mënyrë për ta mbyllur derën e shejtanit është të mos i bindemi çdo dëshire.
Kurthi i katërt: Përçarja
Një nga qëllimet e Shejtanit është të prishë marrëdhëniet mes njerëzve. Në ajetin 91 të sures “El-Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّمَا يُرِيدُ الشَّيْطَانُ أَن يُوقِعَ بَيْنَكُمُ الْعَدَاوَةَ وَالْبَغْضَاءَ﴾
“Shejtani dëshiron të mbjellë ndërmjet jush armiqësi dhe urrejtje…”
Sa familje janë prishur nga një fjalë? Sa miq janë ndarë për shkak të një keqkuptimi? Sa vëllezër nuk flasin me njëri-tjetrin për shkak të krenarisë? Prandaj në ajetin 53 të sures “El-Isra” Kur’ani na jep një ilaç shumë të rëndësishëm:
﴿وَقُل لِّعِبَادِي يَقُولُوا الَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ۚ إِنَّ الشَّيْطَانَ يَنزَغُ بَيْنَهُمْ﴾
“Thuaju robërve të Mi të thonë atë që është më e mira. Vërtet, Shejtani nxit përçarje ndërmjet tyre.”
Prandaj jo çdo fjalë duhet kthyer me një fjalë. Ndonjëherë fitorja mbi shejtanin është të heshtësh. Ndonjëherë është të falësh. Ndonjëherë është të thuash: ‘Më fal.’
Kurthi i pestë: Dëshpërimi pas mëkatit
Ky është një nga kurthet më të rrezikshme. Shejtani mund të të shtyjë drejt mëkatit dhe pastaj të të thotë: ‘Ti nuk ke më shpresë.’ ‘Si mund të të falë Allahu pas gjithë këtyre mëkateve?’ ‘Ti nuk je njeri i mirë.’ ‘Mos u fal më, nuk ka kuptim.’
Por kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të besojmë sepse në ajetin 53 të sures ‘Ez-Zumer’ Allahu i Madhëruar thotë:
﴿قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ﴾
“Thuaj: O robërit e Mi që e keni ngarkuar veten me mëkate! Mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut.”
Nëse shejtani thotë: Ti ke mëkatuar, mos u kthe tek Allahu, Kur’ani thotë: “Mos e humb shpresën nga mëshira e Allahut.” Sa mësim madhështor!
Si të shpëtojmë nga kurthet e Shejtanit?
Së pari me dhikër (përmendjen e Allahut)
Në ajetin 201 të sures “El-A’raf” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ الَّذِينَ اتَّقَوْا إِذَا مَسَّهُمْ طَائِفٌ مِّنَ الشَّيْطَانِ تَذَكَّرُوا فَإِذَا هُم مُّبْصِرُونَ﴾
“Vërtet, ata që janë të devotshëm, kur i prek ndonjë vesvese nga Shejtani, kujtohen dhe atëherë shohin qartë.”
Sa bukur e thotë Kur’ani: “ata kujtohen.” Kur zemra kujton Allahun, njeriu fillon ta shohë mëkatin ashtu siç është. Prandaj: thuaj: I lartësuar është Allahu (Subhanallah); thuaj: Falënderimi i takon Allahut (Elhamdulilah); thuaj: Allahu është më i Madhi (Allahu Ekber); kërko falje tek Allahu (Estagfirullah); lexo Kur’an; dërgo salavate për Muhamedin dhe familjen e tij të pastër. Dhikri nuk është vetëm lëvizje e gjuhës, ai është zgjim i zemrës.
Së dyti me namaz
Një nga mburojat më të mëdha kundër kurtheve të shejtanit është namazi. Në ajetin 45 të sures “El-Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ﴾
“Me të vërtetë, namazi e pengon njeriun nga imoraliteti dhe e keqja.”
Namazi i vërtetë nuk është vetëm pesë herë në ditë të lëvizim trupin. Namazi i vërtetë është pesë herë në ditë t’i themi vetes: “Unë kam një Zot.” “Unë jam rob i Allahut. “Unë nuk jam rob i dëshirave të mia.”
Së treti: Të kërkojmë mbrojtje tek Allahu
Profeti Muhammed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na ka mësuar që kur njeriu përballet me vesvese dhe tundime, të kërkojë mbrojtje tek Allahu.
Në ajetin 36 të sures “Fusilet” Kur’ani na meson dhe na thotë::
﴿وَإِمَّا يَنزَغَنَّكَ مِنَ الشَّيْطَانِ نَزْغٌ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ﴾
“Nëse të nxit Shejtani me ndonjë nxitje, kërko mbrojtje tek Allahu.”
Së katërti: Kujdesi ndaj zemrës
Kur’ani, Profeti dhe Ehli Bejti na mësojnë kujdesin ndaj zemrës. Duhet të ndërtojmë një zemër që nuk i hap dyert shejtanit. Prandaj: ruaje shikimin; ruaje gjuhën; ruaje dëgjimin; zgjidh shoqërinë e mirë; mos u ushqe me atë që e ndot zemrën; mos qëndro vetëm me dëshirat e tua; pendohu shpejt kur gabon.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Shejtani nuk ka nevojë të na largojë menjëherë nga Islami. Atij i mjafton që namazin ta vonojmë pak, pastaj ta lëmë një herë, pastaj të humbasim lidhjen me Kur’anin, pastaj të mësohemi me një mëkat, pastaj të na ngurtësohet zemra. Prandaj duhet t’ia mbyllim derën që në fillim. shejtanit
Sa bukur na mëson Kur’ani në ajetin 168 të sures “El-Bekare”:
﴿وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ﴾
“Mos ndiqni gjurmët e shejtanit.”
Kur’ani nuk thotë vetëm: Mos ndiqni shejtanin, por thotë: “Mos ndiqni gjurmët e tij.”, sepse ai punon hap pas hapi derisa ta çojë njeriun në shkatërrim në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Për të shpëtuar nga kurthet e shejtanit duhet të ndjekim këto hapa:
Hapi i parë: Ta njohim atë si armik.
Hapi i dytë: Të kërkojmë mbrojtje tek Allahu.
Hapi i tretë: Të mos ndjekim dëshirat e nefsit.
Hapi i katërt: Të ruajmë gjuhën dhe marrëdhëniet me njerëzit.
Hapi i pestë: Të mos humbasim shpresën pas mëkatit.
Hapi i gjashtë: Të kujtojmë shumë Allahun.
Hapi i shtatë: Të kujdesemi për namazin dhe Kur’anin.
Hapi i tetë: Të ndjekim mësimet e Profetit (s.a.v.a.) dhe Ehli Bejtit (a.s.).
Dhe mbi të gjitha, të kuptojmë një të vërtetë: Shejtani është armik, por ai nuk është i pathyeshëm. Në ajetin 76 të sures “En-Nisa” Kur’ani thotë:
﴿إِنَّ كَيْدَ الشَّيْطَانِ كَانَ ضَعِيفًا﴾
“Vërtet, dredhia e shejtanit është e dobët.”
Prandaj, sa herë që Shejtani na thotë: ‘Nuk mundesh.’, duhet t’i themi vetes: ‘Me ndihmën e Allahut mundem.’
Kur shejtani thotë: ‘Nuk ka më shpresë.’ Ne të themi: ‘Mëshira e Allahut është më e madhe se mëkatet e mia.’
Kur shejtani na thotë: ‘Ndiq dëshirën tënde.’ Ne të themi: ‘Unë jam rob i Allahut.’
Dhe kur shejtani na thotë: Je vetëm.’, të kujtojmë fjalën e Allahut:
﴿إِنَّ اللَّهَ مَعَ الَّذِينَ اتَّقَوا﴾
“Vërtet, Allahu është me ata që janë të devotshëm.” (Sure “En-Nahl”, 128)
Duhet të dimë se shejtani do t’i braktisë ndjekësit e tij në Ditën e Ringjalljes siç thotë ajeti 22 në sures “Ibrahim”:
وَ قَالَ الشَّیْطَانُ لَمَّا قُضِىَ الاَْمْرُ إِنَّ اللهَ وَعَدَکُمْ وَعْدَ الْحَقِّ وَ وَعَدْتُکُمْ فَأَخْلَفْتُکُمْ وَ مَا کَانَ لِی عَلَیْکُمْ مِنْ سُلْطَان إِلاَّ أَنْ دَعَوْتُکُمْ فَاسْتَجَبْتُمْ لِی فَلاَ تَلُومُونِی وَ لُومُوا أَنْفُسَکُمْ مَا أَنَا بِمُصْرِخِکُمْ وَ مَا أَنْتُمْ بِمُصْرِخِىَّ إِنِّی کَفَرْتُ بِمَا أَشْرَکْتُمُونِ مِنْ قَبْلُ إِنَّ الظَّالِمِینَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِیمٌ
“Pasi çështja të jetë vendosur shejtani do të thotë: ‘Vërtet, Allahu ju premtoi një premtim të vërtetë, ndërsa edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk pata mbi ju asnjë pushtet, përveçse ju thirra dhe ju m’u përgjigjët. Prandaj mos më qortoni mua, por qortoni vetveten. As unë nuk mund t’ju vij në ndihmë juve, e as ju nuk mund të më vini në ndihmë mua. Unë e mohoj atë që më parë më bënit ortak me Allahun.’ Vërtet, për zullumqarët ka një dënim të dhembshëm.”
Ky ajet e sqaron qartë se shejtani nuk e detyron njeriun, por vetëm e fton dhe e josh dhe në fund e braktis.
Le t’i drejtohemi Allahut e t’i lutemi: O Allah! Na mbro nga vesveset e shejtanit, nga mashtrimet e tij dhe nga ndjekja e dëshirave të këqija! Pastroji zemrat tona, forcoje besimin tonë, na bëj prej atyre që e kujtojnë Ty kur shejtani i tundon dhe që kthehen tek Ti sa herë që gabojnë! Na bëj prej pasuesve të vërtetë të Muhammedit (s.a.v.a.) dhe Ehli Bejtit të tij të pastër (a.s.)!

