Mësime dhe urtësi nga Kur’ani i Shenjtë

Nw ajetin 174 të sures “En-Nisa” Allahu Madhwruar thotw:

﴿ يَا أَيُّهَا النَّاسُ قَدْ جَاءَكُم بُرْهَانٌ مِّن رَّبِّكُمْ وَأَنزَلْنَا إِلَيْكُمْ نُورًا مُّبِينًا﴾

“O njerëz! Juve ju ka ardhur një provë e qartë nga Zoti juaj dhe Ne ju kemi zbritur një dritë të ndritshme e të qartë.”

            Kur’ani i Shenjtë përmban mësime, urtësi, argumente ndriçuese, udhëzim, dritë dhe mëshirë për njerëzit e devotshëm. Nëpërmjet këtyre mësimeve, njeriu mund të jetojë një jetë të lirë, dinjitoze dhe fisnike.

            Allahu i Madhëruar i udhëzon njerëzit drejt këtyre të vërtetave ndriçuese përmes shpalljes që ia zbriti të Dërguarit të Tij të zgjedhur, Muhamedit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Kur’ani i Shenjtë është dritë dhe jetë për njerëzit. Në ajetin 203 të sures “El-A’raf” Allahu i Madhëruar thotë:

هَٰذَا بَصَائِرُ مِن رَّبِّكُمْ وَهُدًى وَرَحْمَةٌ لِّقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ

“Këto janë dëshmi ndriçuese nga Zoti juaj, udhëzim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.”

            Njeriu ka nevojë për dritë që të shohë rrugën e drejtë. Dhe Kur’ani është rruga që të çon drejt Allahut. Ai e ka përcaktuar këtë rrugë për robërit e Tij, që ata të arrijnë afërsinë me Krijuesin e Madhëruar.

            Kur’ani është rregulluesi i jetës së tyre dhe rruga që përputhet me natyrën e pastër njerëzore (el-fitretu).

            Në Kur’an gjendet rruga e drejtë, e qëndrueshme, pa asnjë shtrembërim. Kjo  rrugë përputhet plotësisht me natyrën e pastër të njeriut. Në suren “El-Kehf”, ajetet 1-2 Allahu i Madhëruar thotë:

الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي أَنزَلَ عَلَىٰ عَبْدِهِ الْكِتَابَ وَلَمْ يَجْعَل لَّهُ عِوَجًا ۜ ۝ قَيِّمًا لِّيُنذِرَ بَأْسًا شَدِيدًا مِّن لَّدُنْهُ وَيُبَشِّرَ الْمُؤْمِنِينَ

“Falënderimi i takon Allahut, i Cili ia shpalli robit të Vet Librin dhe nuk lejoi në të asnjë shtrembërim. E bëri atë të drejtë e të qëndrueshëm, për të paralajmëruar për një dënim të ashpër prej Tij dhe për t’u dhënë lajmin e gëzuar besimtarëve.”

            Pra, Kur’ani është rruga e drejtë e Allahut, e cila i nxjerr njerëzit nga errësirat në dritë. Ai është argument dhe dëshmi e qartë në jetën e tyre.

            Nëse njerëzit ndjekin natyrën e tyre të pastër dhe arsyen e shëndoshë, ata do të ecin në rrugën e së vërtetës dhe të dritës së qartë, që është rruga e Kur’anit.

            Kur’ani është Libri në të cilin nuk ka dyshim dhe që këshilla të mrekulluedshme për njerëzit. Ai që largohet nga rruga e drejtë dhe drejtohet kah errësira, përfundimisht do të bjerë në humnerën e humbjes.

Kur’ani është ushqimi i mendjes, zemrës, natyrës së pastër dhe vullnetit

            Në rrugëtimin e tij drejt Allahut të Madhëruar, njeriu ka nevojë për disa fuqi dhe aftësi themelore, si: arsyeja, zemra, natyra e pastër, vullneti dhe vendosmëria. Të gjitha këto kanë nevojë për ushqim.

            Kur’ani është ushqimi hyjnor. Ai është udhëzimi, drita, vetëdija, bindja e palëkundur dhe vendosmëria për të cilat njeriu ka nevojë gjatë rrugëtimit të tij drejt Allahut të Madhëruar.

            Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kur’ani është sofra e Allahut. Prandaj, mësoni nga sofra e Allahut aq sa të mundeni. Vërtet, ai është drita e qartë dhe shërimi i dobishëm. Mësojeni atë, sepse Allahu ju nderon përmes mësimit të tij.”

            Është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), se ka thënë: “Libri i Allahut është ai përmes të cilit shihni, flisni dhe dëgjoni. Një pjesë e tij shpjegon pjesën tjetër. Ai nuk përmban kundërthënie në lidhje me Allahun dhe nuk e largon nga Allahu atë që e ndjek.”

Prandaj, marrja e udhëzimit dhe përcjellja e tij duhet të bëhen nëpërmjet Kur’anit.

            Kur’ani është Libri i Allahut që flet dhe është mjet për zgjerimin dhe ndriçimin e kraharorit.

            Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), kur përfundonte leximin e Kur’anit, lutej: “O Allah! Ma zgjero kraharorin përmes Kur’anit, bëje trupin tim të veprojë sipas Kur’anit, ma ndriço shikimin përmes Kur’anit, ma çliro gjuhën me të dhe më ndihmo të jem i lidhur me të për sa kohë të më mbash gjallë.”

 Me Kur’anin zemrat japin fryte

            Kur’ani i bën zemrat pjellore dhe të frytshme. Kur zemrat ndriçohen dhe marrin udhëzimin e tyre prej Kur’anit, ato fillojnë të japin fryte.

            Kur Kur’ani hyn në zemrat e besimtarëve, i ndriçon ato dhe bën që prej tyre të lindin frytet e besimit, të dijes dhe të veprave të mira.

            Allahu e ka bërë Kur’anin shuarës të etjes së dijetarëve dhe pranverë të zemrave të njohësve të fesë, siç ka thënë Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!).

Në Kur’an gjendet ajo që i mjafton njeriut për udhëzimin e tij shpirtëror.

            Kush strehohet tek Kur’ani dhe udhëzohet prej tij, gjen pasurinë e vërtetë shpirtërore, ndërsa kush e braktis dhe largohet prej tij, rrezikon shkatërrimin.

            Kur’ani përmban sqarim, udhëzim dhe këshillë për të devotshmit. Ai përmban dëshmi ndriçuese dhe mëshirë. Në të gjenden sqarimet për gjithçka që njeriu ka nevojë në rrugëtimin e tij drejt Krijuesit të Madhëruar.

            Prandaj, nëse njeriu e njeh dritën dhe udhëzimin, pajiset me vetëdije dhe pranon këshillën e Allahut, ai do të shpëtojë.

            Pas udhëzimit të Kur’anit nuk mbetet varfëri shpirtërore.  Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të), ka thënë: “Dijeni se askush nuk mbetet i varfër pasi ka Kur’anin dhe askush nuk është vërtet i pasur pa Kur’anin.”

            Gjithashtu, ai ka thënë: “Kur’ani është pasuri, përtej së cilës nuk ka pasuri tjetër, dhe pas tij nuk ka varfëri.”

            Kështu, largimi nga Kur’ani dhe mungesa e interesimit për të janë ndër shkaqet që sjellin varfëri shpirtërore, padrejtësi, errësirë dhe humbje të rrugës së drejtë.

Kur’ani është litari i fortë i Allahut

            Kur’ani është gjithashtu mbrojtje dhe siguri për njeriun. I Dërguari i Allahut (Paqjae bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, ky Kur’an është drita e qartë, litari i fortë dhe lidhja më e sigurt.”

            Ndërsa Prijësi i Besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të), ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk i ka dhënë askujt diçka të barabartë me Kur’anin, sepse ai është litari i fortë i Allahut dhe lidhja e Tij e sigurt. Në të gjendet pranvera e zemrave dhe burimet e dijes. Nuk ka asgjë tjetër që ta pastrojë dhe ta ndriçojë zemrën si ai.”

Kur’ani i forcon zemrat dhe i shëron ato

            Kur’ani është burim qëndrueshmërie për zemrat dhe shërim për sëmundjet e tyre shpirtërore. Në ajetin 44 të sures “Fusilet” Allahu i Madhëruar thotë:

هُوَ لِلَّذِينَ آمَنُوا هُدًى وَشِفَاءٌ ۖ وَالَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ فِي آذَانِهِمْ وَقْرٌ وَهُوَ عَلَيْهِمْ عَمًى ۚ أُولَٰئِكَ يُنَادَوْنَ مِن مَّكَانٍ بَعِيدٍ

“Ai është udhëzim dhe shërim për ata që besojnë. Ndërsa ata që nuk besojnë, kanë shurdhim në veshët e tyre dhe ai është për ta si verbëri. Ata janë sikur të thirren nga një vend shumë i largët.”

Kurse në ajetin 82 të sures “El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:

وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ وَلَا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلَّا خَسَارًا

“Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa keqbërësve ai nuk u shton tjetër veçse humbje.”

            Kur’ani i gjallëron dhe i begaton zemrat. Ai është fjala vendimtare që ndan të vërtetën nga e pavërteta, thesari i dijes, burim i vetëdijes dhe i kuptimit të thellë.

            Përmes Kur’anit, njeriu fiton dritën që i nevojitet për të njohur të vërtetën, për të dalluar të mirën nga e keqja dhe për të ecur me siguri në rrugën që e afron drejt Allahut të Madhëruar.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Kur’ani nuk është vetëm një libër që duhet lexuar, por një dritë me të cilën duhet jetuar.

            Ai ushqen mendjen me dije, zemrën me besim, shpirtin me qetësi dhe vullnetin me vendosmëri.

            Kur njeriu lidhet me Kur’anin, zemra e tij gjallërohet, mendja ndriçohet dhe jeta e tij merr drejtim.

            Prandaj, lidhja e vërtetë me Kur’anin nuk kufizohet vetëm në leximin e ajeteve, por përfshin kuptimin e mesazheve të tyre, meditimin mbi to dhe zbatimin e mësimeve të tyre në jetën e përditshme.

            Kur’ani duhet të kalojë nga faqet e librit në zemrën e njeriut dhe nga zemra në veprat e tij.

O Allahu ynë! Na e ndriço jetën me dritën e Kur’anit!