Dy librat e shenjave të Allahut

Në ajetet 20-21 të sures “Edh-Dharijat” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿وَفِي الْأَرْضِ آيَاتٌ لِّلْمُوقِنِينَ ۝ وَفِي أَنفُسِكُمْ ۚ أَفَلَا تُبْصِرُونَ﴾

“Dhe në tokë ka shenja për ata që janë të bindur. Dhe në vetat tuaja, a nuk po shihni?”

            Këto dy ajete janë shumë të fuqishme, sepse Allahu e drejton njeriun te dy libra të hapur të shenjave të Tij: I pari është universi dhe libri i dytë është vetë njeriu.

            Kur lexojmë ajetin: “Dhe në tokë ka shenja për ata që janë të bindur” shohim së në këtë ajet ka një tregues për mrekullitë e shumta që përmban toka, të cilat dëshmojnë për unitetin e rregullimit dhe administrimit të saj, që buron nga Një Rregullues i Vetëm.

            Shenjat në tokë përfshijnë fushat, detet, malet, kodrat, burimet, bimët, pemët, lumenjtë, mineralet dhe dobitë e tyre, të cilat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe të përshtatura në mënyrë të përkryer. Prej tyre përfitojnë bimët dhe kafshët që gjenden mbi tokë, brenda një sistemi të vetëm dhe të vazhdueshëm.

            E gjithë kjo nuk është rezultat i rastësisë dhe as i një përputhjeje të verbër. Në të shfaqen qartë gjurmët e fuqisë, dijes dhe urtësisë, të cilat dëshmojnë se krijimi i saj dhe administrimi i çështjeve të saj i atribuohen një Krijuesi dhe Rregulluesi, i cili është i Fuqishëm, i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.

            Nga ajeti: “Në tokë ka shenja për ata që janë të bindur.” mësojmë se toka nuk është thjesht një vend ku jetojmë, por ajo është një libër përplot me shenja të Allahut Fuqiplot. 

            Shiko tokën, malet, detet, bimët, kafshët, ndryshimin e natës dhe ditës, shiun, jetën që del nga toka pas një shiu të vetëm. E gjithë kjo e drejton mendjen e njeriut te Krijuesi.

Më pas Allahu e sjell vëmendjen te shenjat që janë edhe më afër me njeriun. Ai thotë: “Dhe edhe në vetet tuaja…”

            Ndër shenjat që gjenden në vetat tona janë ato që lidhen me përbërjen e trupave tanë, me organet e tyre, me pjesët përbërëse të këtyre organeve, derisa të arrijnë te elementet më të thjeshta. Në to gjenden mrekulli të shumta të veprimeve dhe ndikimeve të tyre, të cilat, megjithëse janë të shumta, janë të bashkuara dhe të drejtuara të gjitha nga një Rregullues i vetëm. Trupi jonë kalon në gjendje të ndryshme, si gjendja embrionale, fëmijëria, adoleshenca, rinia dhe pleqëria.

            Ndër këto shenja janë edhe ato që lidhen me marrëdhënien e shpirtrave me trupat. Të tilla janë shqisat: shikimi, dëgjimi, shija, nuhatja dhe prekja. Ato janë rrugët e para përmes të cilave shpirti njihet me botën e jashtme. Nëpërmjet tyre njeriu dallon të mirën nga e keqja dhe atë që është e dobishme nga ajo që është e dëmshme, në mënyrë që të kërkojë atë që kontribuon në përsosmërinë e tij dhe të largohet nga ajo që nuk i përshtatet.

            Secila prej këtyre shqisave ka sistemin e vet të gjerë dhe funksionon në mënyrë të pavarur nga të tjerat. Për shembull, shikimi nuk ka dijeni për atë që dëgjimi kryen përmes sistemit të vet, dhe anasjelltas. Megjithatë, pavarësisht kësaj ndarjeje dhe veçueshmërie, të gjitha ato janë të harmonizuara dhe veprojnë nën drejtimin e një Rregulluesi të vetëm, i cili është shpirti që e drejton trupin. Dhe Allahu i përfshin të gjitha me dijen dhe pushtetin e Tij.

            Në të njëjtën mënyrë janë edhe fuqitë e tjera që burojnë nga shpirti dhe veprojnë në trup, si fuqia e zemërimit dhe fuqia e dëshirave, së bashku me degët dhe pasojat që lidhen me to. Edhe pse secila prej tyre është e veçuar nga të tjerat dhe funksionon sipas një sistemi të ndryshëm, të gjitha janë nën drejtimin e një Rregulluesi të vetëm. Të gjitha degët dhe pjesët e tyre bashkëpunojnë dhe harmonizohen për t’i shërbyer atij.

Në ajetin 14 të sures “El-Mu’minun” thuhet:

﴿…فَتَبَارَكَ اللَّهُ أَحْسَنُ الْخَالِقِينَ﴾

“I Lartësuar dhe Plot Bekim është Allahu, më i Miri i krijuesve.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Në këtë ajet duket sikur Allahu na thotë: Nëse nuk e sheh madhështinë e Allahut duke parë botën përreth teje, atëherë shiko veten tënde. Shiko trupin tënd, zemrën, trurin, shqisat, frymëmarrjen, kujtesën, ndjenjat, ndërgjegjen, aftësinë për të menduar dhe për të dalluar të mirën nga e keqja.

            Dhe ajeti përfundon me pyetjen: “A nuk po shihni?” Fjala تُبْصِرُونَ (tubsirun) lidhet me shikimin dhe perceptimin. Kjo nuk është thjesht pyetje për sytë. Është pyetje për zemrën, mendjen dhe ndërgjegjen.  Njeriu ka sy, por ai nuk mund të mos shohë shenjat e Allahut.  Sa bukur i përshkruan këta njerëz ajeti 179 në suren “El-A’raf” ku thotë:

﴿…لَهُمْ قُلُوبٌ لَّا يَفْقَهُونَ بِهَا وَلَهُمْ أَعْيُنٌ لَّا يُبْصِرُونَ بِهَا وَلَهُمْ آذَانٌ لَّا يَسْمَعُونَ بِهَا…﴾

“…Ata kanë zemra, por nuk kuptojnë me to; kanë sy, por nuk shohin me ta; dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë me ta…”

            Çdo gjë në krijim na fton të mendojmë. Kur shohim një farë të vogël që mbillet në tokë dhe prej saj del një bimë, pastaj ajo jep fruta, kemi përballë një sistem të jashtëzakonshëm. 

            Kur shohim shiun që zbret dhe tokën e thatë që gjallërohet, Kur’ani na mëson të mos shohim vetëm procesin fizik, por edhe shenjen e fuqisë së Allahut. Prandaj besimtari nuk e shikon krijimin vetëm me syrin fizik, por edhe me syrin e besimit. Ky është një nga mesazhet më të fuqishme të ajetit.

            Njeriu shpesh kërkon shenja të mëdha jashtë vetes, ndërkohë që vetë ekzistenca e tij është një mrekulli. Ali ibn Ebi Talib ka thënë: “Dhe ti mendon se je veç një qenie e vogël, ndërsa brenda teje është përmbledhur bota e madhe.”

Këto dy ajete mund t’i përmbledhim në dy drejtime: universi përreth nesh dhe vetja jonë.

            Shiko jashtë vetes, do të gjesh shenjat e Allahut. Shiko brenda vetes, do të gjesh shenjat e Allahut. Sa më shumë njeriu i vëren këto shenja, aq më shumë forcohet bindja e sigurt në lidhje me Krijuesin e tij.

Mësimet kryesore të këtyre dy ajeteve janë:

Mësimi i parë: Krijimi nuk është pa qëllim. Bota përreth nesh është e mbushur me shenja që na drejtojnë te Krijuesi.

Mësimi i dytë: Njeriu është një nga argumentet më të mëdha Për ta njohur madhështinë e Allahut, nuk është e nevojshme të shikojmë gjithmonë larg. Mund të fillojmë duke studiuar veten.

Mësimi i tretë: Besimi kërkon reflektim. Kur’ani nuk na kërkon vetëm të shohim, por të mendojmë mbi atë që shohim.

Mësimi i katërt: Sytë nuk mjaftojnë. Mund të kesh shikim fizik, por mund të jesh i verbër ndaj të vërtetës. Shikimi i vërtetë është kur ajo që sheh të afron me Allahun.

Mësimi i pestë: Bindja forcohet duke reflektuar

            Ajeti i parë i lidh shenjat e tokës me njerëzit e bindur. Sa më shumë të meditojë njeriu mbi krijimin, aq më shumë mund të forcohet bindja e tij.

            Këto ajete sikur na thonë: Mos e kërko gjithmonë Allahun vetëm larg. Shiko përreth teje dhe shiko brenda vetes. Në tokë ka shenja. Në qiell ka shenja. Në trupin tënd ka shenja. Në zemrën tënde ka shenja. Në vetë ekzistencën tënde ka shenja. Pyetja e Kur’anit mbetet: “A nuk po shihni?”

            Ndonjëherë problemi nuk është se mungojnë shenjat; problemi është se njeriu nuk ndalet për t’i parë.

            Prandaj këto ajete na mësojnë një mënyrë të veçantë të jetës: Ta shohim krijimin dhe, përmes krijimit, të njohim Krijuesin.

Sa bukur na e sqaron Kur’ani i Shenjtë praninë e Allahut! Sa metodë të thjeshtëdhe bindëse që përdor për çdo njeri!

Në ajetin 89 të surs “Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْكِتَابَ تِبْيَانًا لِّكُلِّ شَيْءٍ﴾

“Dhe Ne ta zbritëm ty Librin si shpjegim për çdo gjë.”

            Ky ajet na mëson se Kur’ani është udhëzim dhe sqarim për çështjet themelore që i duhen njeriut për besimin, moralin, drejtësinë dhe rrugën drejt Allahut. Shprehja “për çdo gjë” nuk do të thotë se Kur’ani është enciklopedi e çdo shkence apo hollësie teknike, por se ai jep parimet, kriteret dhe udhëzimin e nevojshëm për jetën shpirtërore dhe morale.

Në ajetin 17 të sures “El-Kamer” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَلَقَدْ يَسَّرْنَا الْقُرْآنَ لِلذِّكْرِ فَهَلْ مِن مُّدَّكِرٍ﴾

“Dhe vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për përkujtim e mësim; a ka vallë ndonjë që merr mësim?”

            Mesazhi i këtij ajeti fisnik është shumë i fuqishëm. Ai na thotë se Allahu e ka bërë Kuranin të lehtë për t’u lexuar, kujtuar, mësuar dhe për të nxjerrë këshillë prej tij. Por pjesa e fundit: “a ka ndonjë që merr mësim?”, është një thirrje drejtpërdrejt për njeriun. nuk mjafton që Fjala e Allahut të jetë e lehtësuar, duhet që edhe zemra të hapet, mendja të reflektojë dhe njeriu ta kthejë dijen në vepër. Pra, Kurani nuk është vetëm për t’u lexuar me gjuhë, por për t’u kujtuar me zemër, kuptuar me mendje dhe jetuar me vepra.

            O Allah, na jep sy që shohin, mendje që meditojnë dhe zemra që i njohin shenjat e Tua! Mos na lejo të kalojmë pranë mrekullive të krijimit Tënd pa i kuptuar ato! Na shto bindjen dhe na bëj prej atyre që, kur shohin shenjat e Tua në tokë dhe në vetat e tyre, afrohen edhe më shumë me Ty!