Ku po shkoni?

Në ajetin 26 të sures “Et-Tekuir” Allahu i Madhëruar thotë:

 فَأَيْنَ تَذْهَبُونَ

“Ku po shkoni?”

            Kjo pyetje e shkurtër në dukje, por shumë e fuqishme në përmbajtje, zgjon ndërgjegjen, trondit zemrën dhe e fton njeriun të rishikojë drejtimin e jetës së tij. Në jetën tonë të përditshme, shpesh i bëjmë vetes shumë pyetje: Ku do të punojmë? Ku do të jetojmë? Si do ta sigurojmë të ardhmen? Si do ta rrisim pasurinë? Si do ta përmirësojmë pozitën tonë?

            Por ekziston një pyetje shumë më e rëndësishme, të cilën shpesh e harrojmë: Ku po shkojmë me jetën tonë?

            Mund të jemi duke ecur çdo ditë, por a po ecim në drejtimin e duhur? Mund të jemi duke arritur suksese, por a po i afrohemi Allahut? Mund të kemi fituar shumë gjëra në këtë botë, por a kemi fituar atë për të cilën jemi krijuar?

            Allahu na fton të mendojmë për drejtimin që kemi zgjedhur. Sepse nuk mjafton që njeriu të ecë; rëndësi ka se ku e çon rruga e tij.

            Kjo pyetje nuk ka të bëjë thjesht me lëvizjen fizike të njeriut. Ajo është një qortim dhe një ftesë për ata që largohen nga e vërteta, megjithëse udhëzimi u është bërë i qartë.

            Është sikur njeriu të pyetet: Pasi të është dhënë Kur’ani, të kanë ardhur profetët dhe të dërguarit, ku tjetër po e kërkon udhëzimin? Pasi e ke njohur të vërtetën, përse largohesh prej saj? Pasi e di se jeta ka një fund, përse jeton sikur nuk do të japësh llogari?

            Ky ajet na mëson se rreziku më i madh nuk është vetëm të mos e njohësh rrugën, por ta njohësh rrugën e drejtë dhe të largohesh prej saj.

Njeriu është udhëtar, ndërsa kjo botë është vendkalim

            Një nga gabimet më të mëdha të njeriut është të mendojë se kjo botë është vendqëndrimi i tij përfundimtar.

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kjo botë është vendkalim, jo vendqëndrim.” (Burimi: Nehxhul-Belaga, urtësia 133,)

            Sa kuptimplotë është kjo thënie! Ne jetojmë në këtë botë, por nuk do të qëndrojmë përgjithmonë në të. Ndërtojmë shtëpi, por një ditë do t’i lëmë. Grumbullojmë pasuri, por një ditë do të ndahemi prej saj. Krijojmë marrëdhënie, por një ditë do të largohemi nga njerëzit që duam. Atëherë, çfarë do të marrim me vete? Asgjë tjetër përveç veprat tona, besimin tonë, sinqeritetin tonë dhe përgjegjësinë për atë që kemi bërë.

Në ajetin 6 të sures “El-Inshikak” Allahu i Madhëruar  thotë:

يَا أَيُّهَا الْإِنْسَانُ إِنَّكَ كَادِحٌ إِلَىٰ رَبِّكَ كَدْحًا فَمُلَاقِيهِ

“O njeri! Ti përpiqesh vazhdimisht drejt Zotit tënd dhe do ta takosh Atë.”

            Në këtë ajet Allahu nuk thotë se vetëm besimtari po shkon drejt Tij. Çdo njeri po shkon drejt takimit me Allahun. Besimtari dhe jobesimtari, i pasuri dhe i varfri, sundimtari dhe i sunduari, të gjithë janë udhëtarë drejt një përfundimi të pashmangshëm. Por dallimi është se njëri përgatitet për këtë takim, ndërsa tjetri e harron.

            Ne nuk mund ta ndalim udhëtimin drejt Allahut, por mund të zgjedhim se me çfarë veprash do të arrijmë në takimin me Të.

Rreziku i humbjes së drejtimit

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Njeriu mund të humbasë rrugën pa e kuptuar. Nuk është e domosdoshme që ai ta mohojë Allahun për t’u larguar nga udhëzimi i Tij. Ndonjëherë mjafton që zemra e tij të mbushet me gjëra që e bëjnë ta harrojë Allahun. Në ajetin 19 të sures “El-Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَا تَكُونُوا كَالَّذِينَ نَسُوا اللَّهَ فَأَنْسَاهُمْ أَنْفُسَهُمْ

“Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Ai bëri që ata të harronin vetveten.” 

            Ky ajet na zbulon një të vërtetë të thellë, e cila është: Kur njeriu e harron Allahun, gradualisht humbet edhe vetëdijen për qëllimin e jetës së tij. Ai mund ta njohë botën, por mund të mos e njohë vetveten. Mund të dijë shumë për pasurinë, por din pak për shpirtin e tij. Mund të jetë i suksesshëm në sytë e njerëzve, por mund të jetë duke humbur në marrëdhënien me Allahun.

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çuditem me atë që kërkon sendin që i ka humbur, ndërkohë që ka humbur vetveten dhe nuk e kërkon atë.” (Burimi: Gurerul-Hikem ve Durerul-Kelim)

Ne shqetësohemi kur humbasim telefonin, paratë apo një send me vlerë! Por sa shqetësohemi kur humbasim qetësinë e zemrës, sinqeritetin, përulësinë apo lidhjen me Allahun? Prandaj pyetja: “Ku po shkoni?” na fton të kontrollojmë jo vetëm veprimet tona, por edhe gjendjen e zemrës sonë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Tri pyetje mund të bëhen themeli i vetëdijes sonë. Ato janë:

Prej nga kemi ardhur? Nga Allahu, i Cili na krijoi dhe na dhuroi jetën.

Ku ndodhemi? Në një botë sprove, përgjegjësie dhe mundësish për të bërë mirë.

Ku po shkojmë? Drejt kthimit tek Allahu dhe llogaridhënies për veprat tona.

Nëse njeriu e harron pyetjen e parë, mund të bëhet mendjemadh.

Nëse e harron pyetjen e dytë, mund ta shpërdorojë jetën.

Nëse e harron pyetjen e tretë, mund ta humbasë përgatitjen për botën tjetër.

Në ajetin 115 të sures “El-Mu’minun” Allahu i Madhëruar thotë:

أَفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثًا وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لَا تُرْجَعُونَ

“A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni te Ne?” 

            Pra, jeta nuk është një rastësi pa qëllim. Çdo ditë është një mundësi për ta përmirësuar veten, për t’u afruar me Allahun dhe për të lënë pas vepra të mira. Nuk duhet vetëm të themi: Çfarë kam arritur deri sot? Por edhe të themi: Çfarë njeriu jam bërë gjatë rrugës së jetës?

Përpara se të bëjmë një hap, të mendojmë ku na çon ai

            Një nga mësimet më të rëndësishme të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!) është që njeriu të mos jetojë pa menduar për pasojat e veprimeve të tij.

            Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kur vendos të bësh një punë, mendo për përfundimin e saj. Nëse është e drejtë, vazhdoje; nëse është devijim, largohu prej saj.” (“El-Kafij”, vëll. 8, f. 150.)

Ky hadith është një shpjegim praktik i mesazhit të ajetit: “Atëherë, ku po shkoni?”

            Përpara se të flasësh, pyete veten: Ku do të më çojë kjo fjalë? Përpara se të marrësh një vendim, pyete veten: A do të më afrojë ky vendim me Allahun apo do të më largojë prej Tij? Përpara se të hysh në një marrëdhënie, pyete veten: A do të më ndihmojë kjo marrëdhënie të bëhem më i mirë? Përpara se të fitosh pasuri, pyete veten: A është kjo rrugë e ndershme dhe hallall?

            Kjo nuk do të thotë që besimtari duhet të ketë frikë nga çdo vendim. Përkundrazi, ai duhet të jetojë me përgjegjësi dhe vetëdije. Njeriu i mençur nuk mendon vetëm për kënaqësinë e çastit, por edhe për pasojën e veprës.

            Një pyetje që duhet bërë çdo ditë: A po ecim drejt Allahut apo drejt dëshirave të pakontrolluara?

            Kur’ani na mëson se njeriu mund të ndjekë një drejtim të gabuar edhe duke menduar se është i lirë. Në ajetin 23 të sures “El-Xhathijeh” Allahu i Madhëruar thotë:

أَفَرَأَيْتَ مَنِ اتَّخَذَ إِلَٰهَهُ هَوَاهُ

“A e ke parë atë që dëshirën e vet e ka marrë për zot?”

            Një nga sëmundjet më të rrezikshme shpirtërore është  kur njeriu nuk e pyet më veten çfarë është e drejtë, por vetëm çfarë dëshiron.

            Dëshira nuk është gjithmonë e keqe. Por kur ajo bëhet sunduese mbi arsyen, ndërgjegjen dhe udhëzimin e Allahut, njeriu fillon të humbasë drejtimin.

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa e sa mendje janë robëruar nën sundimin e një dëshire!” (“Nehxhul-Belaga), urtësia 211.)

            Ky hadith na tregon se njeriu mund të jetë shumë inteligjent, por nëse nuk i kontrollon dëshirat, inteligjenca e tij mund të vihet në shërbim të gabimit.

            Për shembull, dikush e di se padrejtësia është haram, por dëshira për pasuri e shtyn të marrë hakun e tjetrit.

            Dikush tjetër e di se gënjeshtra është mëkat, por dëshira për të mbrojtur interesin personal e shtyn të gënjejë.

            Dikush e di se namazi është detyrim, por pakujdesia e shtyn ta shtyjë vazhdimisht.

            Kështu, largimi nga rruga e Allahut shpesh nuk ndodh me një vendim të madh, por me shumë hapa të vegjël.

Prandaj, në ajetin 168 të sures “El-Bekare” Kur’ani na paralajmëron dhe na thotë:

وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ

“Mos ndiqni hapat e shejtanit.”

            Sa i mrekullueshëm ky ajet. Në të është përdorur fjala “hapat”, që do të thotë se devijimi mund të jetë gradual. Njeriu nuk e humbet gjithmonë drejtimin menjëherë. Ndonjëherë largohet pak nga pak, derisa një ditë e kupton se është shumë larg vendit ku duhej të ishte.

Si ta kuptojmë nëse jemi në rrugën e drejtë?

            Një nga dhuratat e mëdha që Allahu na ka dhënë është mundësia për ta shqyrtuar vetveten.

            Imam Musa El-Kadhimi (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk e merr veten në llogari çdo ditë. Nëse ka bërë mirë, i kërkon Allahut t’ia shtojë të mirën; e nëse ka bërë keq, i kërkon falje Allahut dhe pendohet tek Ai.” (“El-Kafij), vëll. 2, f. 453.)

            Ky hadith na mëson një metodë të thjeshtë, por shumë të rëndësishme. Në fund të çdo dite, përpara se të flemë, mund t’i bëjmë vetes pesë pyetje: A iu afrova sot Allahut me ndonjë vepër të mirë? A e lëndova dikë me fjalën apo sjelljen time? A e fitova dhe e përdora me ndershmëri atë që pata? A i përmbusha detyrimet ndaj familjes dhe njerëzve? Nëse kjo do të ishte dita ime e fundit, për çfarë do të pendohesha?

            Këto pyetje nuk kanë për qëllim ta fusin njeriun në dëshpërim, por ta ndihmojnë të korrigjojë drejtimin. Sepse ai që e kontrollon rrugën e tij çdo ditë, ka më shumë mundësi ta dallojë gabimin përpara se të largohet shumë.

Nëse kemi humbur drejtimin, dera e kthimit është ende e hapur

Të dashur vëllezër dhe motra!

Një nga mesazhet më të bukura të Islamit është se njeriu nuk duhet ta humbasë shpresën. Mund të kemi gabuar. Mund të kemi kaluar vite në pakujdesi. Mund të kemi marrë vendime që na kanë larguar nga Allahu. Por për sa kohë që jemi gjallë, kemi mundësinë të pendohemi dhe ta ndryshojmë drejtimin.

Në ajetin 53 të sures “Ez-Zumer” Allahu thotë:

قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

“Thuaj: O robtë e Mi që e keni tepruar në dëm të vetes! Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.”

Ky ajet është një ftesë për kthim. Nëse kemi ecur në drejtimin e gabuar, nuk duhet të vazhdojmë vetëm sepse kemi ecur gjatë në atë rrugë.

Nuk është turp të kthehesh nga gabimi. Turp është ta njohësh gabimin dhe të këmbëngulësh në të.

Në ajetin 50 të sures “Edh-Dharijat” Allahu i Madhëruar thotë:

فَفِرُّوا إِلَى اللَّهِ

“Prandaj, ikni drejt Allahut!”

Sa i bukur është ky urdhër!

            Kur njeriu ka frikë nga diçka, zakonisht largohet prej saj. Por Kur’ani na mëson se kur kemi frikë nga pasojat e mëkateve tona, duhet të kthehemi tek Allahu. Sepse tek Ai gjendet falja, mëshira dhe shpëtimi.

Kjo është përgjigjja më e bukur ndaj pyetjes: Ku po shkoni? Pra, Nxitoni drejt Allahut!

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Pyetja: “Ku po shkoni?”, nuk u drejtohet vetëm atyre që e mohojnë të vërtetën. Ne mund ta përdorim atë edhe për të zgjuar ndërgjegjen tonë.

            Kur zemra mbushet me urrejtje, le ta pyesim veten: Ku po shkojmë? Kur pasuria bëhet më e rëndësishme se ndershmëria, le ta pyesim veten: Ku po shkojmë? Kur harrojmë namazin, Kur’anin dhe përgjegjësitë tona, le ta pyesim veten: Ku po shkojmë? Kur marrëdhëniet familjare shkatërrohen për shkak të krenarisë dhe egoizmit, le ta pyesim veten: Ku po shkojmë?

            Por edhe kur bëjmë mirë, duhet ta pyesim veten: A po e bëjmë këtë për hir të Allahut? Sepse rruga drejt Allahut nuk është vetëm rruga e adhurimit, por edhe rruga e drejtësisë, mëshirës, ndershmërisë, diturisë dhe shërbimit ndaj njerëzve.

Le të mos harrojmë se çdo ditë që kalon është një pjesë e jetës sonë që nuk kthehet më.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Frymëmarrjet e njeriut janë hapat e tij drejt afatit të jetës.” (“Nehxhul-Belaga”, urtësia 74.)

            Çdo frymëmarrje është një hap. Çdo ditë është një pjesë e udhëtimit. Çdo vendim është një zgjedhje drejtimi. Do të vijë një ditë që udhëtimi ynë në këtë botë do të përfundojë. Atë ditë nuk do të ketë rëndësi vetëm sa gjatë kemi jetuar, por si e kemi jetuar jetën tonë.

            Jeta nuk matet vetëm me vitet që kalojmë, por me drejtimin që zgjedhim. Njeriu mund të ecë shumë, të fitojë shumë dhe të arrijë shumë, por nëse largohet nga Allahu, ai ka humbur qëllimin më të rëndësishëm të udhëtimit të tij. Mos pyet vetëm sa larg ke arritur në jetë, por pyet edhe sa afër je me Allahun. Sepse suksesi i vërtetë nuk është vetëm të arrish atje ku dëshiron, por të arrish atje ku Allahu është i kënaqur me ty.

            Prandaj, le të themi gjithmonë le lutemi e të themi:  O Allah! Ne po vijmë drejt Teje, me besim, pendim, vepra të mira dhe shpresë në mëshirën Tënde. O Allah! Na udhëzo në rrugën e drejtë! Forcoji zemrat tona në fenë Tënde! Mos na bëj prej të pakujdesshmëve dhe na dhuro një përfundim të mirë!