Në një nga lutjet e tij drejtuar Allahut të Lartësuar Profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) tha:
وَاجْعَلْنِي مِن وَرَثَةِ جَنَّةِ النَّعِيمِ
“Dhe më bëj mua prej trashëgimtarëve të Xhenetit të Begatisë!”
Me këtë lutje, Profeti i madh Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) i kërkon Allahut ta përfshijë ndër ata që do të trashëgojnë Xhenetin e përjetshëm, vendin e lumturisë, paqes dhe begatisë hyjnore. Edhe ne duhet t’i kërkojmë Allahut këtë gjë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Në jetën tonë dëgjojmë shpesh pyetje të ndryshme: Kush është njeriu më i pasur?
Kush është më i fuqishmi? Kush është më i dituri? Kush është më i suksesshmi?
Por rrallëherë ndalemi dhe pyesim: Kush është njeriu më i mirë në sytë e Allahut?
A është ai që zotëron më shumë pasuri? Ai që ka pozitë më të lartë? Ai që flet më bukur? Apo ai që kryen më shumë adhurime?
Kur’ani dhe mësimet e Profetit e të Ehli Bejtit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) na tregojnë se vlera e vërtetë e njeriut nuk përcaktohet nga ajo që zotëron, por nga ajo që është. Nuk përcsktohet vetëm nga fjalët që thotë, por nga veprat që kryen.
Sot do të ndalemi te cilësitë që e bëjnë njeriun më të mirë dhe më të dashur tek Allahu. ato cilësi janë:
E para: Njeriu më i mirë është ai që ka devotshmëri
Në ajetin 13 të sures “El-Huxhurat Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ ۚ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ
“Vërtet, më i nderuari (më i miri) prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshmi. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Mirinformuar.”
Ky ajet fisnik na mëson një të vërtetë themelore, e cila është se Allahu nuk e mat njeriun me pasurinë, prejardhjen, kombësinë apo pozitën e tij shoqërore. Kriteri i të qënit më i mirë dhe më i nderuar tek Allahu është devotshmëria (tekuaja)
Devotshmëria nuk është vetëm të falësh namaz apo të agjërosh. Ajo është të ndiesh përgjegjësi përpara Allahut në çdo veprim të jetës.
Kur je vetëm dhe largohesh nga mëkati, kjo është devotshmëri.
Kur ke mundësi të bësh padrejtësi, por zgjedh drejtësinë, kjo është devotshmëri.
Kur mund të mashtrosh, por thua të vërtetën, kjo është devotshmëri.
Kur zemërohesh, por e përmban veten për hir të Allahut, kjo është devotshmëri.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Nuk ka nder më të lartë se Islami dhe nuk ka krenari më të madhe se devotshmëria.” (“Nehxhul-Belaga”, urtësia 371.)
Nga kjo thënie e imam Aliut mësojmë se njeriu mund të jetë i panjohur në tokë, por mund të jetë shumë i nderuar dhe më i miri në qiell. Vlera e tij nuk qëndron në famën që ka mes njerëzve, por në pozitën që ka tek Allahu.
E dyta: Njeriu më i mirë është ai që u sjell dobi njerëzve
Në ajetin 114 të sures “En-Nisa” Allahu i Msdhëruar thotë:
لَا خَيْرَ فِي كَثِيرٍ مِّن نَّجْوَاهُمْ إِلَّا مَنْ أَمَرَ بِصَدَقَةٍ أَوْ مَعْرُوفٍ أَوْ إِصْلَاحٍ بَيْنَ النَّاسِ
“Nuk ka të mirë në shumicën e bisedave të tyre të fshehta, përveç atij që urdhëron për lëmoshë, për një vepër të mirë ose për pajtim ndërmjet njerëzve.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij)) ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që është më i dobishëm për njerëzit.” (El-Mu‘xhemul-Eusat”, Taberaniu)
Ky hadith na mëson se mirësia e njeriut nuk kufizohet vetëm në marrëdhënien e tij me Allahun, por shfaqet edhe në marrëdhëniet me krijesat e Tij.
Njeriu i mirë nuk mendon vetëm: “Çfarë mund të fitoj unë?”, por pyet edhe: “Çfarë të mire mund të bëj për të tjerët?”
Një njeri mund të mos ketë shumë pasuri, por mund të ketë një zemër të madhe.
Ai mund të ndihmojë një të varfër, të vizitojë një të sëmurë, të mbështesë një jetim, të pajtojë dy njerëz të zemëruar ose t’i japë shpresë një njeriu të dëshpëruar.
Prandaj, mos e mat vlerën e jetës vetëm me atë që ke grumbulluar për veten. Por, mate edhe me të mirat që ke lënë në jetën e të tjerëve.
E treta: Njeriu më i mirë është ai që ka moralin më të bukur
Në ajetin e katërt (4) të sures “El-Kalem” Allahu i drejtohet Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me këto fjalë:
وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ
“Dhe vërtet, ti je me një moral madhështor.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, ndër më të mirët prej jush janë ata që kanë moralin më të bukur.” (Sahihul-Buhari, nr. 3559; Sahih Muslim, nr. 2321.)
Morali i mirë nuk është thjesht të buzëqeshësh kur je i lumtur. Morali i vërtetë shfaqet në momentet e vështira. Ai shfaqet kur dikush të fyen dhe ti nuk ia kthen me fyerje; kur dikush gabon dhe ti zgjedh faljen; kur dikush ka nevojë dhe ti nuk ia kthen shpinën.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Morali i mirë është shoqëruesi më i mirë.” (Nehxhul-Belaga, urtësia 38.)
Mund të ketë njerëz që falen shumë, por me gjuhën e tyre lëndojnë të tjerët. Mund të ketë njerëz që flasin për fenë, por nuk tregojnë mëshirë në familjen e tyre. Prandaj, adhurimi duhet të ndikojë në sjelljen tonë.
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: A janë njerëzit më të qetë, më të sigurt dhe më të respektuar kur janë pranë nesh? Nëse po, atëherë morali ynë po bëhet pasqyrë e besimit tonë.
E katërta: Njeriu më i mirë është ai që është i drejtë dhe nuk i dëmton të tjerët
Në ajetin 90 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ
“Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe dhënien ndaj të afërmve.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), në porosinë e tij drejtuar imam Hasanit dhe imam Husejnit (Paqja qoftë mbi ta!), thotë: “Bëhuni kundërshtarë të zullumqarit dhe ndihmës të të shtypurit.” (Nehxhul-Belaga, letra 47.)
Njeriu i mirë nuk është vetëm ai që nuk bën padrejtësi, por edhe ai që nuk qëndron indiferent përballë padrejtësisë. Ai nuk e shfrytëzon dobësinë e të tjerëve, nuk ua cenon të drejtat dhe nuk e përdor pozitën për t’i poshtëruar.
Drejtësia fillon nga gjërat e vogla: në familje, në tregti, në punë dhe në marrëdhëniet me njerëzit. Nuk mund të pretendojmë se jemi njerëz të mirë, ndërkohë që cenojmë të drejtat e të tjerëve. Mirësia nuk është vetëm të bësh vepra të mira, por edhe të përmbahesh nga dëmtimi i njerëzve.
Njeriu më i mirë është ai që është i drejtë edhe kur e urren dikënd. Në ajetin 8 të sures “El-Maide” thuhet:
وَلَا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَىٰ أَلَّا تَعْدِلُوا ۚ اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَىٰ
“Dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli që të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë, sepse drejtësia është më afër devotshmërisë.”
Ky ajet na mëson një parim madhështor islam: Drejtësia nuk duhet të ndikohet nga dashuria apo urrejtja që kemi ndaj të tjerëve.
Njeriu më i mirë është i drejtë jo vetëm me ata që i do, por edhe me ata që nuk i pëlqen, madje edhe me kundërshtarët e tij.
Mos lejo që urrejtja ndaj dikujt të të largojë nga drejtësia, sepse drejtësia është shenjë e devotshmërisë dhe e afërsisë me Allahun.
E pesta: Njeriu më i mirë është ai që kujdeset për familjen
Në ajetin 19 të sures “En-Nisa”, Allahu i Madhëruar thotë:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“Dhe jetoni me to në mënyrë të mirë.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë ndaj familjes së tij, dhe unë jam më i miri prej jush ndaj familjes sime.”
Ky hadith na jep një kriter shumë të rëndësishëm: Njeriu mund të jetë i sjellshëm në shoqëri, i respektuar në punë dhe i admiruar nga njerëzit, por karakteri i tij i vërtetë zbulohet në shtëpi. Si sillet ai me bashkëshorten? Si i trajton fëmijët? A i respekton prindërit? A ka durim me të moshuarit?
Familja nuk duhet të jetë vendi ku njeriu shkarkon zemërimin e tij, por vendi ku shfaq mëshirën dhe dashurinë. Një njeri që flet butë me të huajt, por ashpër me familjen, duhet të rishikojë kuptimin e moralit të mirë. Nëse dëshiron të dish sa i mirë je, mos pyet vetëm njerëzit që të takojnë jashtë shtëpisë, por shiko edhe si ndihen njerëzit që jetojnë me ty.
E gjashta: Njeriu më i mirë është ai që mëson dhe e zbaton Kur’anin
Në ajetin 9 të sures”El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ هَٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ
“Vërtet, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e drejta.”
Përderisa Kur’ani është i tillë, atëherë ai duhet zbatuar në jetë.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve.”
Kur’ani nuk është zbritur vetëm që të lexohet me zë të bukur, por edhe që të kuptohet, të meditohet dhe të zbatohet.
Çfarë vlere ka të lexojmë ajetet për drejtësinë, nëse sillemi padrejtësisht?
Çfarë vlere ka të lexojmë ajetet për mëshirën, nëse zemrat tona janë të mbushura me urrejtje?
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Mësojeni Kur’anin, sepse ai është fjala më e bukur, dhe thellohuni në kuptimin e tij, sepse ai është pranvera e zemrave.” (Nehxhul-Belaga, hutbeja 110.)
Kur’ani duhet të bëhet udhërrëfyesi i vendimeve tona, mësuesi i moralit tonë dhe drita e zemrave tona. Njeriu më i mirë nuk është vetëm ai që e mban Kur’anin në duar, por ai që përpiqet t’i mbajë mësimet e Kur’anit në zemër dhe në jetën e tij.
E shtata: Njeriu më i mirë është ai që e kontrollon zemërimin dhe fal
Në ajetin 134 të sures “Alj Imran” Allahu i Madhëruar, duke përshkruar njerëzit e devotshëm, thotë:
وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ
“Ata që e përmbajnë zemërimin dhe ua falin njerëzve. Allahu i do bamirësit.”
Profeti Muhamed (s.a.a.) ka thënë: “I forti nuk është ai që i mund të tjerët në përleshje. I forti i vërtetë është ai që e kontrollon veten kur zemërohet.”
Kur’ani e konsideron përmbajtjen e zemërimit dhe faljen si cilësi të njerëzve të devotshëm. Falja nuk do të thotë të pranosh padrejtësinë ose të heqësh dorë nga të drejtat e tua. Ajo do të thotë të mos lejosh që urrejtja të sundojë zemrën tënde.
Njeriu i mirë nuk është ai që nuk zemërohet kurrë, por ai që nuk lejon që zemërimi ta udhëheqë drejt mëkatit.
Si të bëhemi njerëzit më të mirë?
Të dashur vëllezër dhe motra!
Nga ajetet e Kur’anit, hadithet e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), kuptojmë se njeriu më i mirë ka disa cilësi të pandashme.
Ai është i devotshëm ndaj Allahut, i dobishëm për njerëzit, i bukur në moral, i drejtë në veprime, i mëshirshëm me familjen, i lidhur me Kur’anin dhe i aftë të kontrollojë veten.
Këto cilësi nuk janë të ndara nga njëra-tjetra. Ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe ndërtojnë personalitetin e njeeiut më të mirë, të cilët Allahu i do ata, siç thotë ajeti 195 i sures “El-Bekare”:
إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ
“Vërtet, Allahu i do bamirësit.”
Le ta pyesim gjithmonë veten: A jam unë një njeri nga i cili të tjerët përfitojnë apo një njeri nga i cili të tjerët vuajnë? A i afroj njerëzit me moralin tim drejt Allahut apo i largoj prej Tij? A jam më i mirë sot sesa isha dje?
Nuk duhet të dukeemi të mirë para njerëzve, por të bëhemi të mirë në sytë e Allahut.
Njeriu më i mirë nuk është domosdoshmërisht ai që ka më shumë pasuri, famë apo pushtet, por ai që ka më shumë devotshmëri, moral të bukur dhe vepra të dobishme.
Njeriu më i mirë është ai që e do Allahun me zemër, e adhuron me sinqeritet dhe e dëshmon besimin e tij përmes mirësisë ndaj krijesave.
O Allah! Na e zbukuro moralin, na i pastro zemrat, na bëj prej të devotshmëve dhe bamirësve. Na jep sukses që t’u shërbejmë robërve të Tu dhe të ndjekim Profetin Tënd Muhamed dhe Ehli Bejtin e tij të pastër! Amin, o Zot i botëve!

