Të dashur vëllezër dhe motra!
Jetojmë në një kohë kur njeriu ka shumë mjete për ta lehtësuar jetën, por jo gjithmonë ka qetësi në zemër. Ka njerëz që zotërojnë pasuri, por jetojnë me frikë. Ka njerëz që kanë familje, punë dhe mundësi, por brenda vetes ndiejnë një shqetësim të vazhdueshëm.
Dikush shqetësohet për të ardhmen. Dikush ka frikë se mos humbet punën. Dikush jeton me ankthin e sëmundjes, dikush për fëmijët, ndërsa dikush tjetër nuk arrin të gjejë qetësi edhe pse nuk e di saktësisht arsyen e shqetësimit.
Këtu lind një pyetje e rëndësishme: Çfarë thotë Islami për ankthin? A është ankthi shenjë e dobësisë së besimit? Dhe si mund ta ndihmojë Kur’ani njeriun të gjejë qetësinë shpirtërore?
Islami na mëson se njeriu nuk është vetëm trup. Ai ka mendje, zemër, shpirt dhe nevoja emocionale.
Prandaj, Islami nuk e trajton shqetësimin vetëm si një problem të jashtëm, por na mëson edhe si ta forcojmë botën tonë të brendshme.
Duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: ankthi si përjetim njerëzor nuk është domosdoshmërisht sëmundje, ndërsa çrregullimet e ankthit mund të kërkojnë trajtim profesional. Ankthi nuk është automatikisht shenjë e besimit të dobët dhe ndihma mjekësore nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu.
1- Ankthi është pjesë e jetës njerëzore
Në ajetin 4 të sures “El-Beled” Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
لَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنسَانَ فِي كَبَدٍ
“Vërtet, Ne e kemi krijuar njeriun për të përballuar mundime.”
Ky ajet na mëson se jeta e njeriut nuk është e zbrazët nga vështirësitë, sprovat dhe shqetësimet. Njeriu përballet me pasigurinë, humbjen, frikën dhe ndryshimet e jetës. Madje Kur’ani na tregon se edhe profetët kanë përjetuar frikë dhe trishtim. Kur profeti Musa (Paqja qoftë mbi të!) u përball me magjistarët e Faraonit, Allahu thotë:
فَأَوْجَسَ فِي نَفْسِهِ خِيفَةً مُّوسَىٰ
“Atëherë Musai ndjeu një frikë në vetvete.” (Sure “Ta Ha”, ajeti 67)
Por Allahu menjëherë i tha:
قُلْنَا لَا تَخَفْ إِنَّكَ أَنتَ الْأَعْلَىٰ
“Ne i thamë: Mos ki frikë! Vërtet, ti do të jesh ngadhënjyes.” (Sure “Ta Ha”, ajeti 68)
Sa mësim i madh! Allahu nuk e qortoi Musain për ndjenjën e frikës, por e qetësoi dhe i dha siguri.
Besimtar i vërtetë nuk është ai që nuk ndien kurrë frikë, por është ai që, edhe kur frikësohet, kërkon forcë dhe mbështetje tek Allahu.
2-Pse njeriu përjeton ankth?
Kur’ani na ndihmon të kuptojmë disa burime shpirtërore të ankthit.
Së pari: Frika nga e ardhmja
Njeriu pyet veten: Çfarë do të ndodhë nesër? A do të kem shëndet? A do të kem furnizim? A do të jenë mirë fëmijët e mi? Shpesh njeriu vuan jo për atë që po ndodh sot, por për atë që mendon se mund të ndodhë nesër. Në ajetin 3 të sures “Et-Talak” Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ
“Dhe kush mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton atij.”
Mbështetja tek Allahu nuk do të thotë të mos punojmë apo të mos planifikojmë. Do të thotë të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe të mos e ngarkojmë zemrën me atë që është jashtë kontrollit one.
Së dyti: Lidhja e tepruar me gjërat e kësaj bote
Kur njeriu e lidh gjithë lumturinë me pasurinë, pozitën ose mendimin e njerëzve, ai fillon të ketë frikë nga humbja e tyre.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “E gjithë përmbajtja ndaj kësaj bote përmblidhet në dy shprehje të Kur’anit.”, (Nehxhul-Belaga, urtësia 439) duke iu referuar ajetit 23 në suren “El-Hadijd:
لِّكَيْلَا تَأْسَوْا عَلَىٰ مَا فَاتَكُمْ وَلَا تَفْرَحُوا بِمَا آتَاكُمْ
“Që të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar dhe të mos mburreni me atë që Ai ju ka dhënë.”
Kjo nuk do të thotë të mos gëzohemi apo të mos trishtohemi. Do të thotë të mos bëhemi robër të asaj që fitojmë ose humbasim.
Si e shëron Islami ankthin?
Receta e Islamit për shërimin e ankthit përbëhet nga këto ilaçe:
Ilaçi i parë për shërimin e ankthit është Përmendja e Allahut
Një nga ajetet më të rëndësishme për qetësinë shpirtërore është ajeti 28 në suren “Err-Rra’d” i cili thotë:
الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكْرِ اللَّهِ ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut. Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”
Ky ajet na mëson se zemra e njeriut ka nevojë për diçka më të thellë se kënaqësitë materiale. Njeriu mund të ketë një shtëpi të bukur, por zemrën të shqetësuar. Mund të ketë shumë miq, por të ndihet i vetmuar.
Përmendja e Allahut na kujton se nuk jemi të braktisur, se jeta jonë ka kuptim dhe se ekziston një Zot që na dëgjon.
Por çfarë do të thotë ta përmendim Allahun?
Nuk është vetëm shqiptimi i fjalëve “Subhanallah”, “Elhamdulilah” apo “La ilahe il-lallah”. Dhikri i vërtetë është edhe vetëdija se Allahu është pranë nesh, se Ai e di gjendjen tonë dhe se mëshira e Tij është më e madhe se frika jonë.
Kur njeriu thotë: O Allah!, apo o Zot!, ai nuk po shqipton thjesht një emër. Ai po kërkon strehim tek Burimi i mëshirës dhe i sigurisë. Përmendja e Allahut mund ta ndihmojë njeriun të qetësohet, por nuk duhet paraqitur si një garanci që çdo simptomë ankthi do të zhduket.
Ilaçi i dytë për shërimin e ankthit është Lutja dhe hapja e zemrës para Allahut
Në ajetin 186 të sures El-Bekare Allahu i Madhëruar thotë:
وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ
“Kur robtë e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit kur ai më lutet.”
Sa i bukur është ky mesazh! Allahu nuk thotë se është larg dhe se njeriu duhet të kalojë shumë pengesa për t’iu afruar Atij. Ai thotë: “Unë jam afër.”
Kur njeriu përjeton ankth, ndonjëherë nuk arrin t’ua shpjegojë të tjerëve atë që ndien. Por para Allahut nuk ka nevojë të fshehë asgjë. Mund të thotë: “O Allah! Ti e di atë që më shqetëson. Ti e di frikën time, pasigurinë time dhe atë që nuk arrij ta shpreh me fjalë. Më jep qetësi, më jep durim dhe më udhëzo drejt asaj që është më e mirë për mua.”
Në Kur’an gjejmë lutjen e profetit Junus (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:
لَّا إِلَٰهَ إِلَّا أَنتَ سُبْحَانَكَ إِنِّي كُنتُ مِنَ الظَّالِمِينَ
“Nuk ka zot tjetër përveç Teje! I Lartësuar je Ti! Vërtet, unë kam qenë prej atyre që i kanë bërë padrejtësi vetes.” (Sure El-Enbija, ajeti 87.)
Profeti Junus e shqiptoi këtë lutje në errësirën e barkut të balenës. Dhe Allahu thotë:
فَاسْتَجَبْنَا لَهُ وَنَجَّيْنَاهُ مِنَ الْغَمِّ ۚ وَكَذَٰلِكَ نُنجِي الْمُؤْمِنِينَ
“Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga pikëllimi. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” (Sure “El-Enbija”, ajeti 88)
Edhe kur njeriu ndihet i rrethuar nga errësira e shqetësimit, dera e lutjes mbetet e hapur.
Ilaçi i tretë për shërimin e ankthit është shpresa tek Allahu dhe mendimi i mirë për Të
Një nga gjërat që e rëndon më shumë zemrën është humbja e shpresës. Njeriu i shqetësuar ndonjëherë mendon se gjendja e tij nuk do të ndryshojë kurrë. Por Kur’ani na mëson të mos e shohim vështirësinë si fundin e gjithçkaje. Në ajetet 5-6 të sures El-Inshirah Allahu i Madhëruar thotë:
فَإِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا إِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا
“Vërtet, me vështirësinë vjen lehtësimi. Vërtet, me vështirësinë vjen lehtësimi.”
Nga këto ajete kuptohet se Allahu nuk thotë që jeta nuk do të ketë vështirësi. Po ashtu, Ai na mëson se vështirësia nuk është e vetmja e vërtetë e jetës sonë. Sa njerëz kanë kaluar periudha të rënda dhe më vonë kanë gjetur rrugëdalje! Sa njerëz kanë menduar se nuk mund ta përballojnë një sprovë, por me ndihmën e Allahut, të familjes dhe të njerëzve të duhur kanë gjetur forcë për të vazhduar!
Në një nga thëniet e tij të njohura, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), na mëson: “Kur vështirësia arrin kulmin e saj, vjen çlirimi; dhe kur rrathët e sprovës ngushtohen, vjen lehtësimi.” (Nehxhul-Belaga, urtësia 351
Ky është një mesazh shprese dhe jo një premtim se çdo problem do të zgjidhet menjëherë. Besimtari duhet ta ruajë shpresën edhe kur rruga e shërimit është e gjatë.
Ilaçi i katërt për shërimin e ankthit është Namazi dhe durimi
Në ajetin 153 të sures El-Bekare Allahu i Madhëruar thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ ۚ إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ
“O ju që besuat! Kërkoni ndihmë përmes durimit dhe namazit. Vërtet, Allahu është me durimtarët.”
Namazi është një nga lidhjet më të rëndësishme të besimtarit me Allahun. Kur njeriu qëndron në namaz, ai largohet për disa çaste nga zhurma e jetës së përditshme dhe drejtohet tek Krijuesi i tij. Në sexhde, njeriu vendos ballin në tokë, por zemrën e ngre drejt Allahut. Në ato çaste ai mund t’ia dorëzojë Allahut shqetësimet që e rëndojnë.
Kur njeriu përulet para Allahut, ai afrohet shpirtërisht me Të. Por, këtu duhet të kuptojmë diçka se namazi nuk është një teknikë që garanton zhdukjen e menjëhershme të ankthit. Ai është adhurim, lidhje me Allahun dhe burim mbështetjeje shpirtërore.
Njeriu që vazhdon të ketë ankth edhe pse falet, nuk duhet të mendojë se namazi i tij nuk ka vlerë ose se Allahu e ka braktisur.
Islami na mëson të kërkojmë edhe ndihmën e duhur
Të dashur vëllezër dhe motra!
Një gabim që duhet ta shmangim është të mendojmë se çdo shqetësim psikologjik zgjidhet vetëm duke shtuar lutjet dhe adhurimet. Islami na mëson të përdorim shkaqet dhe mjetet që Allahu ka vendosur në jetën tonë. Në Kur’an thuhet:
فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ
“Pyetni ata që kanë dije, nëse ju nuk dini.” Sure “En-Nahl”, ajeti 43
Në kontekstin e tij, ajeti flet për kërkimin e dijes lidhur me shpalljen, por prej tij mund të nxjerrim edhe parimin e përgjithshëm të konsultimit me njerëz kompetentë.
Kur kemi dhimbje fizike, shkojmë tek mjeku. Po kështu, kur ankthi është i fortë, zgjat për një kohë të gjatë, na pengon gjumin, punën, marrëdhëniet ose jetën e përditshme, është e arsyeshme të kërkojmë ndihmën e psikologut, psikiatrit ose mjekut. Mbështetja tek Allahu dhe trajtimi profesional nuk janë kundërshtarë të njëri-tjetrit. Përkundrazi, mund të plotësojnë njëri-tjetrin.
Gjithashtu, Islami na nxit të kujdesemi për njëri-tjetrin, të dëgjojmë atë që vuan, të mos e përqeshim dhe të mos e gjykojmë. Ndonjëherë një fjalë e mirë, një bisedë e sinqertë dhe një dorë e zgjatur bëhen shkak për lehtësimin e vuajtjes së dikujt.
Islami nuk na mëson se besimtari nuk përjeton ankth. Ai na mëson se, edhe në çastet e frikës dhe të pasigurisë, njeriu mund të gjejë mbështetje tek Allahu, qetësi në përmendjen e Tij, forcë në namaz, shpresë në mëshirën e Tij dhe ndihmë përmes njerëzve e mjeteve të duhura.
Mos e lejojmë ankthin të ta marrë shpresën
Nga Kur’ani dhe mësimet e Ehli Bejtit kuptojmë se jeta nuk është pa sprova, por as njeriu nuk është pa mbështetje.
Kur të shqetëson e ardhmja, kujto mbështetjen tek Allahu. Kur zemra të rëndohet, përmende Allahun. Kur ndihesh i vetmuar, drejtohu Atij me lutje. Kur vështirësitë shtohen, mos e humb shpresën. Kur ankthi bëhet i rëndë, mos ngurro të kërkosh ndihmë.
Dhe mbi të gjitha, kujto fjalët e Allahut drejtuar Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familen e tij!):
مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَىٰ
“Zoti yt nuk të ka braktisur dhe as nuk të ka urryer.” Sure “Ed-Duha”, ajeti 3
Ky ajet, edhe pse i drejtohet drejtpërdrejt Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familen e tij!), ai mbart një mesazh të madh shprese për besimtarët.
Nuk është e nevojshme që çdo shqetësim të zhduket për të ndier afërsinë e Allahut. Ndonjëherë besimi na jep forcën për ta përballuar vështirësinë, ndërsa kërkojmë rrugën drejt shërimit.
Kur të na ngushtohet kraharori dhe na vështirësohet jeta le të lutemi me këtë lutje:
ربِّ اشْرَحْ لِي صَدْرِي وَيَسِّرْ لِي أَمْرِي
“O Zoti im! Ma zgjero kraharorin dhe ma lehtëso çështjen time.” (Sure “Ta Ha”, ajetet 25–26)
Të dashur vëllezër dhe motra! Le të jemi gjithmonë të lidhur me Krijuesin tonë! T’I drejtohemi Atijn ë çdo kohë e nëçdo moment e të themi: O Allah! Qetësoji zemrat tona, largoje prej nesh frikën që na rëndon, na dhuro durim në sprova dhe shpresë në vështirësi. O Allah! Ndihmoji ata që vuajnë në heshtje, ata që kalojnë net pa gjumë, ata që përballen me frikë dhe shqetësime. Jepu forcë, udhëzoji drejt ndihmës së duhur dhe bëje mëshirën Tënde burim shprese për ta!

