Më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj ju

Në ajetin 152 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُوا لِي وَلَا تَكْفُرُونِ﴾
“Më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj ju; më falënderoni dhe mos u bëni mosmirënjohës ndaj Meje!”
Ne gëzohemi shumë kur dikush na kujton. Kur një mik nA telefonon pas një kohe të gjatë, kur një prind na thotë: “Të kam pasur në mendje”, kur dikush na kujton në lutjet e tij, zemra jonë ngrohet. Ndiejmë se kemi vlerë dhe se lidhja mes nesh vazhdon të jetojë.
Por mendoni për një çast: Çfarë do të thotë që të të kujtojë vetë Allahu, Krijuesi i qiejve dhe i tokës?
Ajet që përenda është i shkurtër, por përmban një thirrje që mund të ndryshojë gjithë jetën tonë. Allahu na fton ta mbajmë të gjallë lidhjen me Të dhe na premton se përmendja jonë do të marrë përgjigjen e Tij.
Për ta kuptuar këtë premtim, duhet të ndalemi te kuptimi i përmendjes së Allahut, te frytet e saj dhe te mënyra se si mund ta bëjmë pjesë të jetës së përditshme.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur Allahu thotë: “Më kujtoni Mua”, kjo nuk do të thotë se Ai ka nevojë për përmendjen tonë. Allahu është i Pasuri Absolut, ndërsa ne jemi nevojtarët. Ne kemi nevojë ta kujtojmë Atë, sepse harresa na largon nga qëllimi i jetës.
Na ndodh të kujtojmë me hollësi detyrimet e punës, çmimet, takimet dhe planet tona, ndërsa mund të kalojnë orë të tëra pa u drejtuar me vetëdije nga Krijuesi yë, Allahu i Madhëruar.
Mund ta mbushim ditën me shumë veprime dhe, në fund, ta ndiejmë zemrën të zbrazët. Kemi ushqyer trupin, kemi përmbushur detyrimet shoqërore, por e kemi lënë shpirtin pa ushqimin e tij. Prandaj, urdhëri për ta kujtuar Allahun është mëshirë për ne. Është një ftesë për t’u kthyer te burimi i jetës, i shpresës dhe i udhëzimit.
Përmendja e Allahut fillon me gjuhën. Të thuash “Subhanallah”, “Elhamdulilah”, “La ilahe il-lallah”, “Allahu ekber” dhe “Estagfirullah” është adhurim. Këto fjalë e mësojnë gjuhën të shqiptojë të mirën dhe i japin zemrës mundësi të zgjohet.
Por dhikri ka nevojë edhe për praninë e zemrës. Kur themi “Elhamdulilah”, le të kujtojmë një mirësi konkrete: shëndetin, familjen, ushqimin, besimin, mundësinë për t’u penduar. Kur themi “Estagfirullah”, le të pranojmë gabimin tonë dhe të kemi dëshirë të sinqertë për ta lënë atë.
Pastaj përmendja e Allahut duhet të shfaqet në veprime.
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Por, synimi është ta kujtosh Allahun përballë asaj që Ai e ka lejuar dhe e ka ndaluar. Nëse është bindje ndaj Tij, ta kryesh; dhe nëse është mëkat, ta braktisësh.”
Në të njëjtin transmetim, Imami sqaron se edhe tesbihu dhe falënderimi janë pjesë e dhikrit. (“El-Kafij”, vëll. 2, f. 80, kapitulli mbi shmangien e të ndaluarave, hadithi 4.)
I dashur vëlla, e dashur motër!
Kur je gati të përgojosh dikë dhe e ndal gjuhën për hir të Allahut, e ke kujtuar Allahun.
Kur të jepet mundësia të fitosh me mashtrim dhe zgjedh ndershmërinë, e ke kujtuar Allahun.
Kur zemërohesh në familje, por e përmban veten që të mos lëndosh, përmendja e Allahut ka dhënë frytin e saj.
Kur je vetëm dhe mund të bësh një mëkat pa të parë askush, por thua: “Allahu më sheh”, kjo vetëdije ndaj Allahut po e ruan zemrën tënde.
Prandaj, secili prej nesh duhet ta pyesë veten: Sa ndikon përmendja ime e Allahut në mënyrën se si flas, si fitoj, si gjykoj dhe si sillem me të tjerët?
Të dashur vëlkezër dhe motra!
Allahu nuk harron siç harron njeriu. Dituria e Tij përfshin gjithçka. Këtu bëhet fjalë për një përkujdesje të veçantë, për mëshirën, shpërblimin dhe afërsinë që Ai i dhuron robit që i drejtohet. Sa shpresë i jep kjo zemrës!
Ndoshta njerëzit nuk e dinë përpjekjen tënde për të qëndruar i ndershëm. Ndoshta askush nuk e sheh lotin që derdh në lutje. Ndoshta përmbajtja jote kalon pa u vënë re dhe mirësia jote mbetet pa falënderim. Por marrëdhënia jote me Allahun nuk varet nga vëmendja e njerëzve. Ajeti na mëson ta kërkojmë vlerën e veprës te pranimi i Allahut. Të bëjmë mirë edhe kur nuk na lavdërojnë. Të lutemi edhe kur nuk na dëgjon askush. Të qëndrojmë të drejtë edhe kur padrejtësia duket më fitimprurëse.
Megjithatë, ky premtim nuk nënkupton se besimtari do të jetojë pa sprova. Edhe ai që e kujton Allahun mund të përjetojë humbje, lodhje dhe pikëllim. Përmendja e Allahut i jep një mbështetje që e ndihmon t’i përballojë këto gjendje pa e humbur drejtimin dhe shpresën.
Kur nuk e kupton atë që po ndodh, ai vazhdon t’i drejtohet Zotit. Kur rrëzohet, kërkon ndihmë për t’u ngritur. Kur gabon, kthehet me pendim. Kjo lidhje e gjallë është një pasuri e madhe.
Në ajetin 28 të sures “Err-Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُمْ بِذِكْرِ اللَّهِ ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut. Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat!”
Zemra shqetësohet për të ardhmen, për familjen, për furnizimin dhe për shumë gjëra që nuk i ka në dorë. Përmendja e Allahut e ndihmon njeriun të dallojë përgjegjësinë e vet nga ajo që është jashtë fuqisë së tij. Ai punon, merr masa, kërkon zgjidhje dhe mbështetet tek Allahu. E pranon se nuk mund ta kontrollojë çdo ngjarje, por mund të zgjedhë si të sillet përballë saj.
Kjo qetësi mund të bashkëjetojë me lotin. Njeriu mund të jetë i pikëlluar dhe, njëkohësisht, të ketë shpresë. Mund të jetë në vështirësi dhe të vazhdojë të besojë se lutja e tij dëgjohet.
Prandaj, kur zemra rëndohet, le t’i japim kohë takimit me Allahun. Le të largohemi për pak nga zhurma, ta mbyllim telefonin dhe të themi me vëmendje: “O Allah, kam nevojë për mëshirën Tënde. Më udhëzo drejt asaj që të kënaq Ty!”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Një nga mundësitë më të mëdha për ta ripërtërirë këtë lidhje është namazi. Allahu i tha Musait (Paqja qoftë mbi të!):
﴿إِنَّنِي أَنَا اللَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدْنِي وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي﴾
“Vërtet, Unë jam Allahu! Nuk ka zot tjetër përveç Meje, prandaj më adhuro Mua dhe fale namazin për të më kujtuar!” (Sure “Ta Ha”, ajeti 14.”
Namazi na thërret disa herë gjatë ditës që të ndalemi dhe ta kujtojmë qëllimin tonë. Ai na shkëput për pak çaste nga shqetësimet, që t’u kthehemi përgjegjësive me zemër më të vetëdijshme. Por duhet të përpiqemi të jemi të pranishëm në të.
Para tekbirit, le të ndalemi për disa çaste: para kujt po qëndroj? Kujt po i them: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”?
Kur themi “Allahu ekber”, le ta lejojmë këtë fjalë të na kujtojë madhështinë e Tij. Kur bëjmë sexhde, le ta shprehim nevojën tonë me sinqeritet.
Nëse mendja shpërqendrohet, le ta kthejmë me durim. Edukimi i zemrës kërkon përpjekje të vazhdueshme. Çdo kthim i saj drejt Allahut ka rëndësi.
Përmendja e Allahut duhet të na shoqërojë edhe pas namazit: në punë, në treg, në rrugë dhe në familje. Mund të punosh me përkushtim dhe ta kujtosh Allahun duke qenë i drejtë. Mund të kujdesesh për fëmijën dhe ta kthesh këtë kujdes në adhurim me nijet të pastër. Mund ta dëgjosh me durim një prind të moshuar dhe, në atë durim, të kërkosh kënaqësinë e Zotit.
Kështu, jeta e përditshme bëhet një fushë e gjerë përmendjeje.
Më pas ajeti në fjalë thotë:
﴿وَاشْكُرُوا لِي وَلَا تَكْفُرُونِ﴾
“Më falënderoni dhe mos u bëni mosmirënjohës ndaj Meje!”
Përmendja dhe falënderimi janë të lidhura ngushtë. Kur e kujtojmë Allahun, fillojmë t’i shohim më qartë mirësitë e Tij.
Shpesh e vëmë re menjëherë atë që na mungon, ndërsa kalojmë pa vëmendje pranë asaj që kemi. Shqetësohemi për një pengesë dhe harrojmë sa mundësi na janë dhënë.
Mirënjohja na ndihmon ta shohim jetën me drejtësi.
Të thuash “Elhamdulilah”, falënderoj Allahun, për pasurinë, duhet të të nxisë ta përdorësh me përgjegjësi. Të falënderosh për dijen duhet të të shtyjë ta ndash atë. Të falënderosh për fuqinë duhet të të mësojë të ndihmosh. Po kështu, të falënderosh për familjen do të thotë t’i kushtosh kohë, mirësi dhe kujdes.
Le të pyesim veten: Cilën mirësi po e përdor sot në një mënyrë që e kënaq Dhuruesin e saj?
Të dashur dashur vëllezër dhe motra!
Lind pyetja: Si ta mbajmë të gjallë lidhjen me Allahun?
Në ajetet 41-42 të sures “El-Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا ۝ وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلًا﴾
“O ju që keni besuar! Përmendeni Allahun shumë dhe madhërojeni Atë në mëngjes e në mbrëmje!”
Mund të fillojmë me hapa të thjeshtë, por të qëndrueshëm.
Ta nisim mëngjesin me falënderim dhe me një qëllim. Të lutemi e të themi: “O Allah, më ndihmo që sot të veproj drejt!”
T’i kushtojmë çdo ditë pak kohë Kur’anit, duke menduar çfarë kërkon prej nesh ajeti që lexojmë.
Para një fjale që mund të lëndojë, të ndalemi. Para një vendimi të dyshimtë, ta kujtojmë Allahun. Pas një mirësie, ta falënderojmë.
Në mbrëmje, ta shqyrtojmë ditën. Të ulemi e të mendojmë: Kë kam gëzuar? Kë kam lënduar? Çfarë duhet të ndreq nesër? Për çfarë duhet të kërkoj falje?
Këto çaste të sinqerta, kur përsëriten, e edukojnë zemrën. Me kalimin e kohës, përmendja bëhet një shoqëruese e jetës sonë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Le ta mbajmë me vete këtë thirrje: “Më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj ju.”
Ta kujtojmë Allahun në mirëqenie me falënderim, në vështirësi me lutje, përballë tundimit me përmbajtje dhe pas gabimit me pendim.
Ta kujtojmë kur flasim me familjen, kur përballemi me kundërshtarin dhe kur kemi në dorë të drejtën e dikujt tjetër.
Le të jetë dhikri ynë një fjalë që zgjon zemrën dhe një vetëdije që drejton veprën.
Le t’i drejtohemi Allahut në çdo kohë e të themi: O Allah, na bëj prej atyre që të përmendin me sinqeritet dhe të falënderojnë për mirësitë e Tua! Na dhuro zemra të vëmendshme, gjuhë të pastra dhe vepra që Ti i pranon! Kur të shpërqendrohemi, na ndihmo të kthehemi tek Ti. Kur të gabojmë, na jep pendim të sinqertë. Kur të sprovohemi, na dhuro durim dhe shpresë! Na bëj ta ndiejmë ëmbëlsinë e namazit, afërsinë me Kur’anin dhe gëzimin e bindjes ndaj Teje!
وَالْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ، وَصَلَّى اللَّهُ عَلَى مُحَمَّدٍ وَآلِهِ الطَّاهِرِينَ.