Njeriu, që nga çasti kur fillon të mendojë për ekzistencën e tij, përballet me disa pyetje të mëdha: Nga kam ardhur? Përse jetoj? Çfarë do të ndodhë me mua pas vdekjes? A përfundon gjithçka kur trupi vendoset në varr?
Kur’ani e udhëzon njeriun të mendojë për fillimin e jetës së tij, që të kuptojë edhe kthimin e tij tek Allahu. Ai e lidh krijimin e parë me rikrijimin, lindjen me ringjalljen dhe jetën e kësaj bote me përgjegjësinë e botës tjetër.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿اللَّهُ يَبْدَأُ الْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ﴾
“Allahu e nis krijimin, pastaj e përsërit atë; më pas tek Ai do të ktheheni.” (Sure “Er-Rum”, ajeti 11)
Ky ajet na paraqet udhëtimin tonë: Allahu na krijon, na rikthen në jetë pas vdekjes dhe na mbledh para Tij. Mes krijimit dhe rikrijimit ndodhet koha që na është dhënë për të besuar, për të zgjedhur dhe për të vepruar.
1. Krijimi ynë është një shenjë që e mbartim brenda vetes
Të dashur vëllezër dhe motra !
Ndonjëherë njeriu kërkon shenja larg vetes dhe harron se vetë ekzistenca e tij është një shenjë e madhe.
Allahu thotë:
﴿وَفِي أَنفُسِكُمْ ۚ أَفَلَا تُبْصِرُونَ﴾
“Edhe në vetet tuaja ka shenja. A nuk i shihni?” (Sure “Edh-Dharijat”, ajeti 21.)
Mendo për fillimin tënd. Sot flet, mendon, kujton, dëshiron dhe bën plane. Por dikur nuk dije asgjë, nuk zotëroje asgjë dhe nuk kishe mundësi të kujdeseshe për veten.
Allahu e kujton njeriun për këtë fillim:
﴿هَلْ أَتَىٰ عَلَى الْإِنسَانِ حِينٌ مِّنَ الدَّهْرِ لَمْ يَكُن شَيْئًا مَّذْكُورًا إِنَّا خَلَقْنَا الْإِنسَانَ مِن نُّطْفَةٍ أَمْشَاجٍ نَّبْتَلِيهِ فَجَعَلْنَاهُ سَمِيعًا بَصِيرًا﴾
“A nuk ka kaluar mbi njeriun një periudhë kohe kur ai nuk ishte diçka që përmendej? Ne e krijuam njeriun nga një pikë e përzier, për ta vënë në provë, dhe e bëmë të dëgjojë e të shohë.” (Sure “El-Insan”, ajetet 1–2.)
Këto ajete na mësojnë përulësinë. Njeriu që kujton fillimin e vet e kupton se sa pak vend ka për mendjemadhësi.
Si mund të mburremi me fuqinë tonë, kur fillimi ynë ishte dobësi? Si mund të sillemi sikur nuk kemi nevojë për askënd, kur vetë jeta jonë është dhuratë?
Por ajeti na mëson edhe diçka tjetër: “Për ta vënë në provë.”
Dëgjimi dhe shikimi që kemi marrë lidhen me përgjegjësinë. Çfarë dëgjojmë? Ku e drejtojmë shikimin? Si e përdorim mendjen? Çfarë bëjmë me mundësitë që na janë dhënë?
Krijimi ynë na fton njëkohësisht në mirënjohje dhe në vetëllogaritje.
2. Ai që na krijoi për herë të parë, na ringjall
Një nga kundërshtimet që Kur’ani përmend ndaj ringjalljes është habia e njeriut për trupin që shpërbëhet. Si mund të rikthehet në jetë ai që është bërë dhe? Si mund të gjallërohen eshtrat e kalbura?
Kur’ani e paraqet këtë kundërshtim dhe përgjigjen ndaj tij:
﴿وَضَرَبَ لَنَا مَثَلًا وَنَسِيَ خَلْقَهُ ۖ قَالَ مَن يُحْيِي الْعِظَامَ وَهِيَ رَمِيمٌ قُلْ يُحْيِيهَا الَّذِي أَنشَأَهَا أَوَّلَ مَرَّةٍ ۖ وَهُوَ بِكُلِّ خَلْقٍ عَلِيمٌ﴾
“Ai na solli një shembull dhe e harroi krijimin e vet. Tha: ‘Kush do t’i ngjallë eshtrat, kur të jenë kalbur?’ Thuaj: ‘Do t’i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë. Ai ka dijeni për çdo krijim.’” (Sure “Ja Sin”, ajetet 78–79.)
Vëreni shprehjen: “E harroi krijimin e vet.” Njeriu çuditet për rikthimin e jetës, ndërkohë që tashmë e ka marrë jetën një herë. Pyet se si do të ringjallet, por nuk ndalet të mendojë se si u krijua.
Përgjigjja kur’anore e drejton te një fakt i afërt: Ti ekziston. Ai që të solli në ekzistencë është i Fuqishëm të të ringjallë.
Në një ajet tjetër, Allahu thotë:
﴿أَيَحْسَبُ الْإِنسَانُ أَلَّن نَّجْمَعَ عِظَامَهُ بَلَىٰ قَادِرِينَ عَلَىٰ أَن نُّسَوِّيَ بَنَانَهُ﴾
“A mendon njeriu se nuk do t’ia mbledhim eshtrat? Po, Ne jemi të Fuqishëm t’ia rindërtojmë edhe majat e gishtave.” (Sure “El-Kijame”, ajetet 3–4.)
Rikrijimi nuk i shpëton dijes dhe fuqisë së Allahut në asnjë hollësi. Shpërbërja e trupit nuk është humbje për dijen e Tij.
Ne mund të harrojmë fytyra, emra dhe ngjarje. Allahu nuk harron. Ajo që zhduket nga shikimi ynë mbetet e njohur për Të.
Kjo i jep besimtarit siguri: kthimi ynë tek Allahu është një premtim që mbështetet në dijen dhe fuqinë e Tij.
3. Toka që gjallërohet na kujton ringjalljen
Kur’ani na fton të shohim edhe botën përreth.
Një tokë thahet. Ngjyrat e saj zbehen. Bimët vyshken dhe sipërfaqja e saj duket pa jetë. Pastaj bie shiu. Toka ndryshon, gjelbërohet dhe nxjerr bimësi.
Allahu thotë:
﴿وَمِنْ آيَاتِهِ أَنَّكَ تَرَى الْأَرْضَ خَاشِعَةً فَإِذَا أَنزَلْنَا عَلَيْهَا الْمَاءَ اهْتَزَّتْ وَرَبَتْ ۚ إِنَّ الَّذِي أَحْيَاهَا لَمُحْيِي الْمَوْتَىٰ ۚ إِنَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ﴾
“Ndër shenjat e Tij është se ti e sheh tokën të tharë e të përulur; por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo gjallërohet dhe gufon. Me të vërtetë, Ai që e ngjalli atë do t’i ngjallë edhe të vdekurit. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Sure “Fussilet”, ajeti 39.)
Për besimtarin, pamja e tokës që gjallërohet bëhet një kujtesë për botën tjetër. Kur shohim shiun, mund të kujtojmë mëshirën e Allahut. Kur shohim gjelbërimin pas thatësirës, mund të kujtojmë fuqinë e Tij për të sjellë jetën. Ne shpesh mësohemi aq shumë me këto pamje, sa nuk mendojmë më për to. Por përsëritja e një shenje nuk ia pakëson madhështinë. Fakti që e kemi parë pranverën shumë herë nuk e bën më pak të denjë për meditim. Kur’ani na edukon që të shohim me vëmendje. Bota përreth na jep raste të përditshme për ta kujtuar Krijuesin dhe kthimin tek Ai.
4. Krijimi ka qëllim dhe kthimi ka llogari
Të dashur besimtarë!
Pasi njeriu pranon se Allahu e ka krijuar dhe mund ta ringjallë, lind një pyetje tjetër: Përse do të ringjallemi?
Kur’ani e lidh kthimin tek Allahu me qëllimin e krijimit:
﴿أَفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثًا وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لَا تُرْجَعُونَ﴾
“A menduat se Ne ju krijuam më kot dhe se nuk do të ktheheshit tek Ne?” (Sure “El-Mu’minun”, ajeti 115.)
Jeta jonë ka kuptim. Zgjedhjet tona kanë peshë. E mira dhe e keqja nuk humbasin vlerën e tyre kur kalon koha.
Në këtë botë, drejtësia shpesh mbetet e papërmbushur. Ka njerëz që vuajnë padrejtësi dhe nuk arrijnë të marrin të drejtën e tyre. Ka njerëz që bëjnë mirë në heshtje, pa u njohur e pa u falënderuar. Ka të tjerë që i shpëtojnë gjykimit njerëzor.
Kur’ani na mëson se përpara Allahut do të ketë llogari të drejtë:
﴿وَنَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلَا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئًا ۖ وَإِن كَانَ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ أَتَيْنَا بِهَا ۗ وَكَفَىٰ بِنَا حَاسِبِينَ﴾
“Ditën e Kiametit do të vendosim peshoret e drejtësisë dhe askujt nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi. Edhe nëse është sa pesha e një kokrre sinapi, Ne do ta sjellim atë. Ne mjaftojmë për të bërë llogarinë.” (Sure “El-Enbija”, ajeti 47.)
Sa shpresë për atë që është lënduar! Sa përgjegjësi për atë që ka lënduar të tjerët! Lotët e të shtypurit nuk janë të harruar. Sakrifica e njeriut të ndershëm nuk është e humbur. Pasuria e marrë padrejtësisht nuk bëhet e ligjshme vetëm sepse askush nuk e zbuloi. Besimi në ringjallje na mëson ta marrim seriozisht të drejtën e tjetrit. Na fton të kërkojmë falje, të kthejmë amanetin dhe të ndreqim padrejtësinë sa kemi ende mundësi.
5. Jeta është provë për cilësinë e veprave tona
Allahu thotë:
﴿الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ﴾
“Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më i mirë në vepra. Ai është i Plotfuqishmi, Falësi.” (Sure “El-Mulk”, ajeti 2.)
Ajeti na drejton te cilësia e veprës: “Më i mirë në vepra.”
Njeriu mund të lërë pas shumë gjëra, por përgatitja për takimin me Allahun ndërtohet me besim dhe me vepra të mira. Një fjalë që pajton dy njerëz, një borxh i kthyer, një ndihmë e dhënë me sinqeritet, një gabim i pranuar dhe një zemër e ruajtur nga lëndimi: të gjitha këto i përkasin përgjegjësisë së jetës.
Kur e kujtojmë rikrijimin, fillojmë ta shohim kohën me më shumë kujdes. Dita e sotme është një mundësi që na është besuar. Mund ta përdorim për t’u afruar tek Allahu dhe për t’u bërë më të dobishëm për njerëzit.
6. Besimi në rikrijim na jep shpresë dhe na zgjon ndërgjegjen
Besimi në ringjallje ndikon në mënyrën si jetojmë sot. Ai na jep forcë përballë humbjes. Dhimbja për një njeri të dashur është e vërtetë dhe lotët janë njerëzorë. Por besimtari e përballon ndarjen duke e ditur se të gjithë do të kthehemi tek Allahu dhe duke shpresuar në mëshirën e Tij.
Ai na jep kurajë për të bërë mirë. Ndoshta askush nuk e sheh sakrificën tënde. Ndoshta mirësia jote nuk merr falënderim. Por Allahu e di dhe shpërblimi i Tij nuk humbet. Ai na ndalon përpara padrejtësisë. Kur njeriu mund të mashtrojë pa u zbuluar, kujtimi i llogarisë i thotë: Allahu e sheh. Kur zemërimi e shtyn të shkelë të drejtën e dikujt, kujtimi i kthimit tek Allahu e fton të ndalet.
Kur’ani thotë:
﴿فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ وَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ﴾
“Kush ka bërë një të mirë sa pesha e një grimce, do ta shohë atë. Dhe kush ka bërë një të keqe sa pesha e një grimce, do ta shohë atë.” (Sure “Ez-Zelzele”, ajetet 7–8.)
Mos e nënvlerëso një të mirë të vogël. Ajo mund të ketë vlerë të madhe tek Allahu. Dhe mos e shpërfill një padrejtësi të vogël. Edhe ajo prek jetën dhe dinjitetin e dikujt.
Kujtimi i ringjalljes na ndihmon të jetojmë me ndërgjegje edhe në çastet kur askush nuk na vëzhgon.
Krijimi na mëson se jetën e kemi marrë nga Allahu. Rikrijimi na mëson se tek Ai do të kthehemi. Mes këtyre dy të vërtetave qëndron përgjegjësia jonë.
Le ta shohim veten me përulësi, botën me meditim dhe jetën me mirënjohje. Le ta kujtojmë kthimin tek Allahu kur flasim, kur punojmë, kur zgjedhim dhe kur sillemi me njerëzit.
Allahu thotë:
﴿كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ ۖ ثُمَّ إِلَيْنَا تُرْجَعُونَ﴾
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Pastaj tek Ne do të ktheheni.” (Sure “El-Ankebut”, ajeti 57.)
Le të përgatitemi për këtë kthim me pendim të sinqertë, me adhurim, me drejtësi dhe me mirësi. Sa kemi frymë, kemi mundësi të ndreqim diçka: të kërkojmë falje, të përmbushim një detyrim, të ndihmojmë një nevojtar dhe ta afrojmë zemrën me Allahun.
Mesazhi që duhet të mbajmë me vete është ky: “Ai që na krijoi për herë të parë do të na ringjallë; prandaj le ta jetojmë dhuratën e jetës duke u përgatitur për takimin me Të.”

