Në ajetin 81 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿بَلَىٰ مَن كَسَبَ سَيِّئَةً وَأَحَاطَتْ بِهِ خَطِيئَتُهُ فَأُولَٰئِكَ أَصْحَابُ النَّارِ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ﴾
“Po, kushdo që bën një të keqe dhe mëkati i tij e ka përfshirë tërësisht, të tillët janë banorët e Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”
Ky ajet na paralajmëron për rrezikun e mëkatit. Kur njeriu këmbëngul në të pa u penduar, mund t’ia pushtojë zemrën dhe shpirtin, duke e larguar nga e vërteta dhe mëshira e Allahut. Ajeti na mëson se nuk është vetëm kryerja e një gabimi ajo që e shkatërron njeriun, por edhe vazhdimësia në të, pa pendim dhe pa përpjekje për t’u përmirësuar.
Gjithashtu, ajeti na thotë: Mos lejo që mëkati të bëhet sundues i zemrës sate. Pendohu, kërko faljen e Allahut dhe kthehu drejt së mirës, sepse shpëtimi qëndron te besimi i sinqertë, pendimi dhe veprat e drejta. Allahu është i Drejtë në gjykimin e Tij dhe i Gjithëmëshirshëm ndaj atyre që kthehen sinqerisht tek Ai.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Njeriu në këtë jetë kujdeset për trupin e tij. Kur sëmuret, kërkon shërim; kur plagoset, përpiqet ta mjekojë plagën; kur ndien dhimbje, kërkon shkakun e saj; kur ndjen uri, përpiqet të gjejë ushqim. Pra, ai nuk i lë gjë mangut trupit të tij. Mirëpo, sa kujdeset njeriu për zemrën dhe shpirtin e tij? A e ndjen kur zemra humbet butësinë, kur ndërgjegjja dobësohet dhe kur largësia nga Allahu fillon të duket e zakonshme?
Një nga rreziqet më të mëdha të mëkatit është se dëmi i tij mund të mos duket menjëherë. Njeriu vazhdon jetën, punon, flet dhe qesh, ndërsa brenda tij mund të dobësohet ndjeshmëria ndaj së vërtetës dhe përgjegjësisë.
Kur themi se mëkati e shkatërron shpirtin, kemi parasysh rrënimin e brendshëm, humbjen e pastërtisë, dobësimin e vullnetit, ngurtësimin e zemrës dhe largimin nga qëllimi për të cilin jemi krijuar.
Në ajetet 9-10 të sures “Esh-Shems” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿قَدْ أَفْلَحَ مَنْ زَكَّاهَا وَقَدْ خَابَ مَنْ دَسَّاهَا﴾
“Vërtet ka shpëtuar ai që e pastron shpirtin dhe ka dështuar ai që e ndot atë.”
Këto dy ajete fisnike na vendosin përpara një mësimi të madh: Shpirtin mund ta pastrojmë, por edhe mund ta mbulojmë me papastërtinë e veprave tona. Zgjedhjet tona lënë gjurmë brenda nesh.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Mëkati ia zbeh zemrës dritën
Në ajetin 14 të sures El-Mutaffifin Allahu thotë:
﴿كَلَّا بَلْ رَانَ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ مَا كَانُوا يَكْسِبُونَ﴾
“Jo! Por veprat që bënin ua kanë mbuluar zemrat.”
Ajeti na mëson se veprat kanë pasoja në zemër. Një gënjeshtër nuk përfundon vetëm kur mbaron fjalia. Një padrejtësi nuk përfundon vetëm kur largohet i dëmtuari. Një shikim i ndaluar nuk përfundon vetëm kur mbyllen sytë. Secila prej tyre mund të lërë një gjurmë në brendësinë tonë.
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kur njeriu kryen një mëkat, në zemrën e tij shfaqet një pikë e zezë; nëse pendohet, ajo fshihet.” (“El-Kafij”, vëll. 2, libri i besimit dhe i mosbesimit, kapitulli “Mëkatet”, hadithi 13.)
Po të përqëndrohemi te ky hadith do të shohim se në të bashkohen paralajmërimi dhe shpresa. Vërtet, mëkati lë gjurmë, por pendimi e fshin atë gjurmë dhe e pastron zemrën.
Mund ta përfytyrojmë zemrën si një pasqyrë. Kur mbi zemër grumbullohet pluhur, pamja bëhet gjithnjë e më e paqartë. Edhe njeriu që vazhdon në mëkat mund ta ketë gjithnjë e më të vështirë të shohë gabimin e vet. Ai dëgjon një këshillë dhe mendon menjëherë për të metat e dikujt tjetër. Dëgjon një ajet Kur’ani për padrejtësinë dhe kujton padrejtësitë që i kanë bërë atij, ndërsa harron padrejtësitë që ka bërë vetë.
Prandaj duhet të pyesim: Kur dëgjojmë fjalën e Allahut, a ia hapim zemrën për të na korrigjuar, për të na pastruar, për të na shëruar dhe për të na udhëzuar?
Kur mëkati përsëritet derisa njeriu mësohet me të
Në fillim, njeriu mund të turpërohet nga një gabim. Ndien keqardhje, shqetësohet dhe dëshiron ta ndreqë. Kjo ndjeshmëri duhet ruajtur, sepse e ndihmon njeriun të kthehet kur gabon apo kur mëkaton.
Por nëse njeriu e përsërit mëkatin dhe e justifikon vazhdimisht, rezistenca e brendshme dobësohet. Në fillim thotë: ‘Bëra gabim.’ Më pas thotë: ‘Nuk ishte aq e rëndë.’ Më vonë thotë: ‘Të gjithë e bëjnë.’ Në fund mund të zemërohet me atë që e këshillon.
Kështu, një gabim që dikur e shqetësonte, fillon t’i duket i zakonshëm. Madje përpiqet të kërkojë arsye e justifikime për ta paraqitur atë gabim si diçka të drejtë.
Kjo mund të ndodhë me përgojimin. Në fillim njeriu e di se po cenon nderin e tjetrit. Pastaj thotë: ‘Po them vetëm të vërtetën.’ Mirëpo fakti që një e metë është e vërtetë nuk na jep të drejtën ta përhapim.
Mund të ndodhë edhe me mashtrimin. Në fillim e quan mashtrim, pastaj ‘zgjuarsi’, më vonë e justifikon si ‘mënyra si funksionon jeta’.
Një shenjë e rrezikshme është kur njeriu fillon ta mbrojë mëkatin në vend që të kërkojë shpëtim prej tij.
Mëkati e robëron vullnetin e njeriut
Njeriu mund të mendojë se është i lirë sepse bën çfarë dëshiron. Mirëpo duhet të pyesë veten: A jam i aftë ta ndaloj veten kur dëshira më çon drejt së ndaluarës?
Ka njerëz që thonë: ‘Mund ta lë kur të dua këtë’, por vazhdimisht e shtyn largimin prej mëkatit. Ky njeri vetëm se mashtron veten e tij dhe asnjëherë nuk largohet nga mëkati sepse është bërë rob i tij. Sa e sa alkoolista dhe bixhozxhinj ka që thonë e lë kur të dua alkoolin apo bixhozin, por nuk arrijnë ta bëjnë se janë bërë vartës ndaj tij dhe robër të alkoolit e të bixhozit.
Gënjeshtra mund ta lidhë njeriun me gënjeshtra të tjera. Për ta mbrojtur të parën, shpik të dytën. Për ta mbuluar të dytën, shpik të tretën. Pastaj jeton duke ruajtur atë që ka thënë dhe duke u frikësuar nga zbulimi.
Lakmia mund ta bëjë të pakënaqur me gjithçka që zotëron. Zemërimi mund ta çojë të lëndojë njerëzit më të afërt. Kërkimi i vazhdueshëm i miratimit mund ta shtyjë të shkelë bindjet e veta për t’u pëlqyer të tjerëve. Kështu, mëkati e dobëson aftësinë për të zgjedhur të mirën kur ajo kërkon përpjekje.
Vullneti i fortë është kur njeriu arrin t’i thotë vetes: ‘E dëshiroj këtë, por nuk do ta bëj, sepse Allahu nuk e pëlqen dhe sepse më dëmton mua ose të tjerët.’
Çdo herë që e ndalojmë veten nga një e keqe, ushtrojmë vullnetin. Çdo herë që kthehemi pas një gabimi, e forcojmë mundësinë për të zgjedhur më mirë nesër.
Mëkati e largon njeriun nga njohja e vetvetes
Në ajetin 19 të sures “El-Hashr Allahu na paralajmëron e na thotë:
﴿وَلَا تَكُونُوا كَالَّذِينَ نَسُوا اللَّهَ فَأَنْسَاهُمْ أَنْفُسَهُمْ أُولَٰئِكَ هُمُ الْفَاسِقُونَ﴾
“Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Ai i bëri të harrojnë vetveten. Ata janë të pabindurit.”
Sa paralajmërim i thellë! Njeriu mund të harrojë vetveten!
Ai e di çfarë dëshiron të blejë, çfarë pune dëshiron të arrijë dhe çfarë mendojnë njerëzit për të. Por mund të mos ndalet të pyesë: ‘Çfarë njeriu po bëhem? Çfarë po ushqej në shpirtin tim? Me çfarë do të paraqitem para Allahut?’
Kur mëkati bëhet pjesë e pandërprerë e jetës, njeriu rrezikon ta masë gjithçka me përfitimin e çastit dhe gjithmonë e pyet veten: ‘Çfarë fitoj? Çfarë më pëlqen? Si të dal unë mirë?’ Ndërsa besimi e mëson të pyesë edhe: ‘A është e drejtë? A po cenoj dikë? A do të jem i kënaqur me këtë vepër kur të jap llogari?’
Të kujtosh Allahun do të thotë të kujtosh se ke një përgjegjësi, një dinjitet dhe një qëllim më të lartë se plotësimi i çdo dëshire.
Mëkati dëmton marrëdhëniet dhe e ashpërson zemrën
Disa mëkate e plagosin drejtpërdrejt tjetrin. Shpifja cenon nderin, mashtrimi shkatërron besimin, padrejtësia shkel të drejtat, ndërsa fjala poshtëruese mund të mbetet gjatë në kujtesën e një njeriu. Këto vepra e ndryshojnë edhe atë që i kryen. Përshembull: Ai që e stërvit gjuhën me fyerje e ka të vështirë të flasë me butësi. Ai që mësohet të përfitojë nga dobësia e të tjerëve mund të bëhet më pak i ndjeshëm ndaj vuajtjes së tyre. Ai që kërkon vazhdimisht të metat e njerëzve mund ta ketë të vështirë të shohë mirësitë e tyre.
Prandaj, le të shohim sjelljen tonë në shtëpi. A jemi të sjellshëm me të panjohurit, ndërsa të ashpër me familjarët? A kërkojmë respekt, ndërsa vetë flasim me përçmim? A zemërohemi kur na preket nderi, ndërsa e cenojmë lehtë nderin e tjetrit?
Pastërtia shpirtërore shfaqet në mënyrën si sillemi kur kemi pushtet, kur jemi të zemëruar dhe kur mendojmë se askush nuk na sheh.
Si mund ta shërojmë shpirtin?
Të dashur vëllezër dhe motra!
Qëllimi i paralajmërimeve të Kur’anit dhe i haditheve të Profetit dhe Ehli Bejtit në lidhje me mëkatet, është të na zgjojnë dhe të na drejtojnë nga kthimi tek Allahu. Askush nuk duhet të dëgjojë për dëmin e mëkatit dhe të përfundojë duke menduar se për të nuk ka më shpresë. Në ajetin 53 të sures “Ez-Zumer” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ﴾
“Thuaj: ‘O robtë e Mi, që e keni ngarkuar veten me mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.’”
Edhe atyre që e kanë rënduar veten me mëkate, Allahu u drejtohet me fjalët: “O robtë e Mi!” Sa shpresëdhënëse është kjo thënie për zemrën e lodhur! Sa mundësi e madhe është për njeriun që dëshiron të kthehet! Por kthimi kërkon hapa të vërtetë që janë:
Së pari, ta pranojmë mëkatin pa e zbukuruar. Le të jemi të ndershëm para Allahut. Të themi me sinqeritet: “O Zot, gabova. Nuk dua ta mbroj gabimin tim. Dua të largohem prej tij.”
Së dyti, ta ndërpresim veprën e keqe dhe të vendosim sinqerisht të mos kthehemi tek ajo. Nëse rrëzohemi sërish, të ngrihemi përsëri me pendim dhe me përpjekje më të menduar. Të mos e kthejmë dobësinë në justifikim për dorëzim.
Së treti, t’i ndreqim të drejtat e shkelura. Nëse kemi marrë pasurinë e dikujt, duhet ta kthejmë. Nëse kemi mashtruar, duhet ta korrigjojmë mashtrimin. Nëse kemi përhapur një shpifje, duhet të përpiqemi ta përgënjeshtrojmë dhe ta ndreqim dëmin me urtësi.
Së katërti, t’i ndryshojmë rrethanat që na shtyjnë drejt mëkatit. Ndonjëherë kërkojmë ndryshim, por vazhdojmë të ushqejmë të njëjtin zakon, të njëjtën shoqëri ose të njëjtën mënyrë përdorimi të telefonit që na çon vazhdimisht te gabimi. Vendimi i sinqertë duhet të shoqërohet me masa konkrete.
Së pesti, ta ushqejmë shpirtin me vepra të mira: Ta ushqejmë me namaz, lexim Kur’ani, lutje, sadaka, shërbim ndaj njerëzve dhe me shoqëri të mirë. Zemra ka nevojë për ushqim të përditshëm, prandaj ato ushqime që përmendëm të mos ia ndrërpresim për asnjë moment zemrës.
Në ajetin 70 të sures “El-Furkan” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِلَّا مَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ عَمَلًا صَالِحًا فَأُولَٰئِكَ يُبَدِّلُ اللَّهُ سَيِّئَاتِهِمْ حَسَنَاتٍ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا﴾
“Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe bëjnë vepra të mira; këtyre Allahu ua shndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”
Këtu përmenden së bashku pendimi, besimi dhe vepra e mirë. Kthimi tek Allahu fillon në zemër dhe merr formë në jetë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Nëse duam të jemi të qetë e të shpëtuar le të largohemi nga mëkatet: të largohemi nga përgojimi, gënjeshtra, alkooli, bixhozi, cenimi i të drejtave të dikujt, shikimi i ndaluar, fjala e rëndë ndaj prindërve ose padrejtësia ndaj bashkëshortit, bashkëshortes apo fëmijëve. Le të themi: ‘Sot do të bëj një hap të vërtetë drejt kthimit kah Allahu.’
Sonte, para gjumit, le t’i kushtojmë pak kohë llogarisë së vetvetes: Kë lëndova? Çfarë duhet të ndreq? Për çfarë duhet të kërkoj falje? Çfarë do të ndryshoj nesër?
Të mos presim që zemra të ngurtësohet më shumë. Ta ruajmë ndjeshmërinë e saj dhe të përgjigjemi kur ndërgjegjja na thërret drejt së mirës. Mëkati e errëson zemrën, ndërsa pendimi i sinqertë i hap rrugë pastrimit të saj. Çdo ditë na jep një mundësi për t’u kthyer.
Le të jemi zbatues të ajetit 31 në suren “En-Nisa” në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِن تَجْتَنِبُواْ كَبَآئِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلاً كَرِيمًا﴾
“Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha, nga të cilat jeni ndaluar, Ne do t’jua shlyejmë mëkatet tuaja të vogla dhe do t’ju fusim në një vend të nderuar.”
Ky ajet na mëson se mëshira dhe falja e Allahut janë të mëdha për ata që përpiqen të ruhen nga mëkatet e rënda. Allahu i Madhëruar na fton drejt pendimit, devotshmërisë dhe pastërtisë shpirtërore, duke na premtuar faljen e gabimeve të vogla dhe shpërblimin me Xhenet. Ruajtja nga mëkatet e mëdha, pendimi i sinqertë dhe përkushtimi ndaj Allahut janë rrugë drejt faljes hyjnore dhe përfundimit të nderuar në Botën Tjetër.
Le t’i drejtohemi Allahut me zemër të pastër dhe me gjuhë të sinqertë e të themi: O Allah, na i bëj të dukshme të metat tona dhe na jep forcë t’i ndreqim! Na ruaj nga zemra që e pranon padrejtësinë dhe nga gjuha që e lëndon tjetrin! Na dhuro pendim të sinqertë, vullnet të qëndrueshëm dhe vepra që na afrojnë tek Ti! O Allah, na ndihmo t’ua kthejmë njerëzve të drejtat dhe ta pastrojmë shpirtin përpara takimit me Ty! Na fal e mëshiro o Zoti i botëve!
وَالْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ، وَصَلَّى اللَّهُ عَلَىٰ مُحَمَّدٍ وَآلِهِ الطَّاهِرِينَ.
Falënderimi i takon Allahut. Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed dhe mbi familjen e tij të pastër e të dëlirë!

