Profeti Muhammed (s.a.s) ka thënë: “ Ai person që ka mall për Allahun, le t’i dëgjojë fjalët e Tij”. (Kenzul Amal. H. 2472).
Shumë here, ne harrojmë ose na bën djalli që të harrojmë Zotin tonë, fenë tonë, përgjegjësitë tona, qëllimin e krijimit tonë, mësimin e kushtetutës sonë. Ajetet e Kur’anit janë kujtuese për ato që ne harojmë, siç thotë ajeti 54 i sures “Gafir”:
هُدًى وَذِكْرَىٰ لِأُولِي الْأَلْبَابِ
“Si udhërrëfyes dhe përmendës për ata që mendojnë.” (Sure, ajeti 54)
Sot do të përmendim mësime nga surja Mesed.
Surja Mesed është surja e 111-të e Kur’anit dhe ka 5 ajete.
Allahu i Madhëruar në këtë sure thotë:
بسم الله الرحمن الرحيم
تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ مَا أَغْنَى عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَ سَيَصْلَى نَارًا ذَاتَ لَهَبٍ وَامْرَأَتُهُ حَمَّالَةَ الْحَطَبِ فِي جِيدِهَا حَبْلٌ مِّن مَّسَدٍ
Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm
1. Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka!
2. Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.
3. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara,
4. po ashtu edhe gruaja e tij, mbartëse e druve,
5. në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.
MIRËSIA E LEXIMIT TË SURES MESED
Në hadithin e Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Ai që e lexon këtë sure, unë shpresoj që Zoti të mos e bashkojë në një vend me Ebu Lehebin.”
NGA KJO SURE MËSOJMË
1- Kundërshtimi i atyre që bëjnë shkatërrim në tokë është pjesë e fesë dhe nuk lejohet përkrahja e tyre.
2- Shpjegimi i vendimit të Allahut për shkatërrimin e Ebu Lehebit dhe prishja e komplotit që ai po kurdiste kundër të Dërguarit të Allahut, Profetit Muhamed, (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ky vendim i Allahut nuk është vetëm për atë kohë, por ai vazhdon dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete sepse në çdo kohë ka Ebu Leheba ashtu siç ka faraona, fundi i të cilëve do të jetë shkatërrimi.
3- Ata që ofendojnë shenjtëritë e vërteta do të kenë mallkim të përjetshëm.
4- Duhet të luftohet fenomeni i kufrit (mosbesimit) dhe të bëhet lutje për zhdukjen e tij, sepse mosbesimi sjell shkatërrim për njerëzimin. Profeti Nuh (as) iu drejtua Allahut duke i thënë: Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, nëse Ti i lë, ata do t’i çojnë në humbje robtë e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë! (Sure Nuh, ajetet 26-27)
5- Një prej mjeteve të kundërshtarëve të profetëve ishte pasuria dhe paraja. Mirëpo, jo vetëm Ebu Lehebi, po asnjë jobesimtari dhe punëligu, nuk do t’i bëjë dobi as pasuria e as pushteti. Ata nuk do mund t’i shpëtojnë dënimit Hyjnor, e as pasuria e pushteti nuk mund t’i mbrojë nga dënimi i Allahut, ashtu sikurse thuhet edhe në ajetet 88-89 të sures “Esh Shuara”: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek All’llahu!”.
6- Më e keqe se e keqja është përsëritja e veprimit të saj (e të keqes) siç vepronte bashkëshortja e Ebu Lehebit. Hammaletul hatab. Mbarte dru. Disa komentues thonë se ajo mbarte idhuj dhe i hidhte para Profetit Muhamed.
7- Dëniumi i Allahut nuk është larg zullumqarëve dhe se ata do të marrin ndëshkimin që meritojnë.
8- Mendjemadhësia në këtë dynja do të jetë poshtërim në Jetën Tjetër.
9- Është absolutisht e ndaluar lëndimi i besimtarëve. Në ajetin 58 të sures Ahzab thuhet:
وَالَّذِينَ يُؤْذُونَ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ بِغَيْرِ مَا اكْتَسَبُوا فَقَدِ احْتَمَلُوا بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُّبِينًا
“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.”
10- Në ditën e Gjykimit nuk bën dobi lidhja farefisnore dhe as nuk largon asgjë nga dënimi. Ebu Lehebi ishte xhaxhai i Profetit (s), mirëpo ai do të jetë prej banorëve të Xhehenemit.
11- Humbja më e madhe për njeriun në këtë jetë është kur ai merret me luftimin e fesë së Allahut me argumenta të kota e të pavlera. Mirëpo, duke vepruar kështu ai i shpall luftë Zotit, të Madhëruar e të Lartësuar dhe kjo luftë është humbëse për atë person, sepse ai, me gjithë luftën e tij, e sheh fenë e Zotit të Plotfuqishëm të përhapet dhe ai bëhet akoma më ia pafuqishëm përballë përhapjes së saj sepse e vërteta është gjithmonë më e fuqishme se e pavërteta. Sa e sa njerëz apo regjime u përballën me fenë. Ato u zhdukën dhe feja akoma qëndron. Feja është e Zotit dhe Zoti është Ai që garanton mbështetjen, mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e saj. Ajo që u thuhet islamofobëve është thënia e Allahut në Kur’an: Mutuu fi gajdhikum (Vdisni në atë mllefin tuaj!).
12- Një mësim tjetër është se të qënit më i nderuar te Allahu i Madhëruar nuk varet te prejardhja, por të qënit më i devotshëm, siç thihet në Kur’an: inne ekrmekum indallahi etkakum” “më i miri prej jush te Allahu është më i devotshmi prej jush.”
Islami nuk favorizon askënd për shkak të prestigjit, autoritetit apo familjes dhe fisit të tij, por e trajton atë sipas punës dhe veprave të tij.
Profeti Muhamed i ka thënë vajzës së tij: “O Fatime bija e Muhamedit, puno, se unë nuk të bëj dobi para Zotit.”
Ky është Ebu Lehebi, xhaxhai i të Dërguarit të Allahut dhe një nga prijësit e Kurejshëve, mbajtës i pozitës dhe autoritetit dhe nga shtëpia e profecisë, Zoti e turpëroftë dhe mallkoftë , mirëpo farefisnia e tij me Pejgamberin s.a.v.s. nuk i solli dobi.
13 – Një mësim tjetër është madhështia e së drejtës së Profetit (s). Dëshmia e kësaj është se Zoti i Madhëruar ishte Mbrojtësi i Profetit nga kurthet dhe intrigat e jobesimtarëve prej të cilëve ishte edhe xhaxhai i tij Ebu Lehebi.
O All’llah! Pastroje zemrën tonë nga çdo lloj kokëfortësi!
O All’llah! Ne jemi të frikësuar nga fundi i veprave tona, Na fal siguri dhe qetësi, bëje të mirë të ardhmen tonë!
O All’llah! Në atë ditë ku nuk do të bëjë dobi as pasuria, as familja e as shoqëria, është vetëm mirësia Jote, që do të na shpëtojë o Zot. https://fb.watch/vMGvJF4FEH/

