llahu i Madhërur në ajetin 185 të sures Bekare thotë:
فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!”
Mes ditëve dhe netëve të jetës, një melodi e këndshme lajmëron për ardhjen e një muaji të madh dhe përplot begati. Ajo melodi thotë: Erdhi muaji i bekuar i Ramazanit! Muaji i Ramazanit është si shiu i butë i pranverës, i cili bie mbi shkretëtirën e thatë dhe të rreshkur dhe e gjallëron atë. Të përpiqemi që shkretëtirën e shpirtit tonë ta vadisim me këtë shi jetëdhënës.
Muaji i begatë i Ramazanit është përplot me çaste të bukura, të cilat nuk mund të shpjegohen me fjalë, por që duhen shijuar dhe duhen pwrjetuar. Muaji i begatë i Ramazanit është qetësues i zemrave të njerëzve, të cilët duhet që me fletët e pendimit dhe të kërkimit të faljes të fluturojnë drejt qiellit të mëshirës e të faljes së Allahut.
Është mirë që në fillim të muajit të Ramazanit duhet që:
Së pari: Të përgatisim një program për veten tonë, pa i lënë të tjerët të na çojnë në një program që na largon nga atmosfera shpirtërore dhe edukative e këtij muaji. Kjo nuk do të thotë që të mos pushojmë apo të mos gëzohemi brenda kufijve që nuk cënojnë kuptimet dhe shenjtërinë e Muajit të begatë të Ramzanit.
Së dyti: Të njihemi me dispozitat që kanë të bëjnë me muajin e agjërimit. Të dimë se çfarë është e detyrueshme për ne dhe çfarë i bën të pavlefshme ibadetet tona. Të njihemi me të pëlqyerat e këtij muaji dhe të përpiqemi t’i bëjmë ato. Të dimë se çfarë është e papëlqyeshme për t’i shmangur ato.
Së treti: Të mos e shohim muajin e Ramazanit si muaj e mbushur me ushqime dhe pije me pretekstin se nuk i konsumuam ato gjatë ditës. Por ky muaj duhet të jetë muaj i pakësimit të ushqimit dhe muaji i ekuilibrit në të ngrënë e në të pirë. Të jemi zbatues të thënies së Allahut në suren A’raf ajeti 31: {Dhe hani e pini dhe mos u teproni, me të vërtetë Ai nuk i do tepruesit.}.
{وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلَا تُسْرِفُوا إِنَّهُ لَا يُحِبُّ الْمُسْرِفِينَ}.
“…Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.”
Së katërti: Të përfitojmë nga atmosfera familjare dhe shoqërore që na ofron muaji i Ramazanit në të cilin mblidhen familjet dhe takohen anëtarët e familjes, gjë që nuk ndodh shpesh në muajt e tjerë, kjo të bëhet me qëllim për të forcuar marrëdhëniet dhe për të larguar mospajtimet midis prindërve dhe fëmijëve dhe midis fëmijëve me njëri-tjetrin.
Së pesti: Në fillim të këtij muaji të begatë t’i lutemi Allahut e të themi ashtu siç lutej Prijësi i besimtarëve, imam Zejnul Abidijn (Paqja qoftë mbi të!) kur hynte muaji i begatë i Ramazanit: “O Zoti im, mbushe këtë muaj me adhurimin tonë vetëm për Ty! Zbukuroi kohët e këtij muaji me bindjen tonë ndaj Teje! Në ditët e këtij muaji na ndihmo të agjërojmë, në netët e këtij muaji na ndihmo të falim namaz të nënshtruar ndaj Teje, të përkushtuar vetëm për Ty e të poshtëruar para Teje, derisa dita e këtij muaji të mos dëshmojë kundër nesh për shkujdesje e as nata e këtij muaji për mangësi!
Të dashur vëllezër dhe motra!
Të kujtojmë gjithmonë se muaji i Ramazanit është muaji i kufizimit të ushqimit dhe pijeve dhe jo e kundërta, është muaji i pëfitimit nga koha dhe jo muaji i humbjes së kohës, është muaji i qetësisë dhe jo i intolerancës dhe irritimit. Është muaji i hapjes dhe i bashkëpunimit dhe jo muaji i mbylljes dhe i izolimit.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Urime të gjithë agjëruesve që largohen nga ushqimi dhe pijet, e bashkë me ta edhe nga çdo gjë e ndaluar!
Urime për ata që muajin e Ramazanit e bëjnë mejdanin e tyre për të arritur shkallët më të larta të kënaqësisë së Allahut!
Urime atyre që nga dita e parë mendojnë se si do të dalin nga muaji i Ramazanit!
Urime atyre që sigurojnë për veten e tyre në muajin e Ramazanit furnizim të bollshëm për këtë jetë dhe për Jetën Tjetër!
Allahu ju bekoftë me bekimet e muajit të Shenjtë të Ramazanit! Allahu na e pranoftë agjërimin dhe të gjitha veprat tona dhe veprat tuaja!
Paqja qoftë mbi ty, o Muaj i mëshirës së Allahut! Paqja qoftë mbi ty, o sofra e shtruar e Allahut! Paqja qoftë mbi ty, o Muaj që duam të të kemi pranë gjithmonë! Allahu zemrat na i qetësoftë dhe adhurimet na i pranoftë! https://youtu.be/GZZjxuQt4Uk
