مهلًا مهلًا يا رمضان: ما أسرعَ خُطاك،
تأتي على شوقٍ وتَمضي على عجل،
فسبحان من وصفك ب: أيام معدودات.
Ngadalë ngadalë o Ramazan!
Sa të shpejtë janë hapat e tu!
Na vjen me përmallim dhe na ikën me nxitim.
I Lartësuar është Ai që të ka përshkruan me Ditë të Numëruara.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ditët e këtij muaji të begatë kaluan njëra pas tjetrës dhe së shpejti perdja e muajit të Ramazanit për këtë vit do të ulet. Yjet e këtij muaji për këtë vit u shuan. Netët e tij u errësuan pasi ndriçonin me një dritë të veçantë, e cila ishte drita e Krijuesit të gjithësisë. Qetësia fillon të pushtojë universin pas ndalimit të zërave të lutjeve, të lartësimeve, të falënderimeve dhe të këndimit të Kur’anit në ditët, netët, orët e minutat e këtij muaji të begatë. Nuk e di se çfarë të bëj: A t’ju uroj ardhjen e Bajramit apo t’ju ngushëlloj për largimin e muajit të mëshirës, faljes, bereqetit dhe të shpëtimit nga zjarri?
Vërtet, zemra hidhërohet, sytë lotojnë në këtë prag ndarjeje, o muaji i begatë i Ramazanit, o mbartës i durimit dhe i shpëtimit. Mirëpo, ato zemra që të pritën me mall e dashuri dhe u pastruan në ditët dhe netët e tua, ato zemra janë të gëzuara, sepse ia arritën qëllimit dhe fituan mirësi e begati të shumta. Ato zemra që të njohin mirë ty, o muaj i begatë, qëndrojnë të palëkundura edhe në ditët dhe netët pas teje. Sepse ato e kanë ndjerë ëmbëlsinë tënde dhe e kanë ngulitur në thellësi të tyre për të të kujtuar në çdo orë dhe për të të ndjerë në çdo kohë. Edhe pse u largove, përsëri ndodhesh në thellësinë e zemrave besimtare, e të devotshme.
Lamtumirë, o Ramazan! O muaji i durimit dhe i faljes! Lamtumirë, o muaji i Kur’anit! Lamtumirë, o muaji agjërimit dhe i adhurimit! Lamtumirë, o muaji i mëshirës dhe i bereqeteve! Lamtumirë, o muaji i bujarisë dhe i veprave të mira! Lamtumirë, o muaji i pendimit dhe i shpëtimit nga zjarri! Lamtumirë, o muaji i triumfit të intelektit ndaj egos! Lamtumirë, o mik fisnik e bujar!
O i dashur që po largohesh! Ne jetuam në ditët dhe netët e tua minutat dhe orët më të bukuar. Jetuam në ditët dhe netët e tua një ndjesi të mrekullueshme e të veçantë. Ne ndjenim sikur jetonim në botën e vërtetë. Ndjenim mëshirën që zbriste mbi ne. Ndjenim qetësinë që na mbulonte. Ndjenim mbrojtjen që kujdesej për ne. Ndjenim sikur melekët na përshëndesnin kudo që shkonim. Në ditët dhe netët e tua zemrat ishin ndryshe, frymëmarrjet ishin ndryshe dhe moralet ishin ndryshe.
Në këtë muaj kishim dy grupe njerëzish: zbatuesit e urdhrave të Allahut dhe moszbatuesit e urdhrave të Allahut. Ata që e shijuan ëmbëlsinë e agjërimt dhe ata që i privuan vetat e tyre nga kjo ëmbëlsi. Në Kur’anin e shenjtë lexojmë: “Dallimi midis këtyre dy grupeve shëmbëllen me dallimin midis një të verbri të shurdhër dhe një njeriu që sheh e dëgjon. A janë të njëjtë këta (kur të krahasohen)? A nuk po merrni këshillë?!” (Sure “Hud”, ajeti 24)
O i dashur që po largohesh! Sikur të jemi të sigurtë se do të takohemi përsëri me ty, do të na ftohej malli i ndarjes prej teje dhe do t’i qetësonim shpirtrat tanë me ëmbëlsinë e pritjes tënde. Mirëpo, ne kemi frikë se kjo ndarje me ty mund të jetë ndarje pa takim. Sa e sa të dashuruar me ty dhe të përmalluar për t’u takuar me ty kemi pare, por që vdekja i ndau ata nga ti dhe ua ndaloi takimin me ty?! Vërtet, vdekja nuk i mëshiron të dashurit e tu. Ajo i merr ata para se të takohen me ty. Madje mund t’i marrë ata edhe në prehrin tënd dhe nga tryeza jote e begatë.
Të dashur vëllezë dhe motra! Ta bëjmë muajin e Ramazanit pikënisjen tonë për të qenë afër Krijuesit në muajt e tjerë! Ta bëjmë muajin e Ramazanit pikënisjen tonë për të braktisur gjynahet, që Allahu të na falë dhe të na mëshirojë! Ato punë dhe vepra që bënim gjatë muajit të Ramazanit ti bëjmë edhe pas tij, pa i ndërprerë ato!
O ti që gjuha jote agjëroi nga përgojimi, thashethemi, gënjeshtra në muajin e Ramazanit! Këtë vazhdoje edhe pas Ramazanit!
O ti që sytë e tu agjëruan në Ramazan nga të shikuarit haram, vazhdoje këtë edhe pas Ramazanit, sepse Allahu do të të mirësojë me ëmbëlsinë e besimit në zemrën tënde!
O ti që veshët e tu agjëruan në Ramazan nga dëgjimi i haramit, këtë vazhdoje edhe pas Ramazanit! Kije frikë Allahun!
O ti që barku yt agjëroi nga ushqimi haram në Ramazan, vazhdoje këtë edhe pas Ramazanit! Kujtoje urinë e vëllezërve të tu që nuk gjejnë kafshatën e gojës! Bëhu ndihmës i tyre, nëse ke mundësi.
O agjërues! Allahu jua lehtësoftë ndarjen nga miku juaj! Ishte kohë e caktuar dhe ditë të numëruara. Lartësojeni Allahun për atë që ju udhëzoi dhe falënderojeni Atë për ato që ju dha dhe ju bëri prej të dashurve të Tij!
O ju besimtarë të palëkundur! Myzhde për ju! I dashuri jua, muaji i Ramazanit, u largua dhe ai është i kënaqur me ju. Ai është dëshmitari juaj dhe ndërmjetësi juaj. Ai krenohet me ju.
Të bëjmë sa më shumë punë të mira. Të grumbullojmë sa më shumë thesare të vlefshme. Të largohemi nga të këqijat dhe të ruhemi prej tyre. Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e pyetën se cila është vepra më mirë në këtë muaj? Ai u përgjigj: “Puna më e mirë është ruajtja nga gjërat që i ka ndaluar Allahu.” Pra, njeriu të mos e bëjë atë që e ka ndaluar Allahu i Madhëruar.
Të përpiqemi që të jemi gjithmonë prej të dashurve të Allahut. T’i lajmë zemrat tona me ujin e pendimit me qëllim që të shkojmë te Krijuesi ynë me zemra të pastra. Të mos jemi siç thotë ajeti i bekuar i Kur’anit: “…Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: ‘Ah, sikur të isha pluhur!’…” (Sure “Nebe”, ajeti 40).
Kurrë të mos harrojmë se Allahu është Pranues i pendimit dhe Falës i madh. Në suren “Ta Ha” thuhet: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Sure “Ta Ha”, ajeti 82).
“O Zot! Na e prano agjërimin dhe na shpëto neve dhe prindërit tanë nga Zjarri i Xhehenemit! O Zoti i botëve!
O Zoti ynë! Na dhuro ndërmjetësimin e Kur’anit dhe të Ramazanit! https://fb.watch/vMH44hlBlm/
