Në ajetin 29 të sures “Sad”, Allahu i Madhëruar thotë:
}كِتَٰبٌ أَنزَلۡنَٰهُ إِلَيۡكَ مُبَٰرَكٞ لِّيَدَّبَّرُوٓاْ ءَايَٰتِهِۦ وَلِيَتَذَكَّرَ أُوْلُواْ ٱلۡأَلۡبَٰبِ {
“Ky (Kur’an) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (o i Dërguar), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.”
Ky ajet na fton të lexojmë Kur’anin me mendje dhe zemër të hapur, të përpiqemi ta kuptojmë thellësisht dhe ta zbatojmë në jetë. Nuk mjafton leximi formal, por kërkohet reflektim dhe veprim sipas mësimeve të tij. Kur’ani është burim i mirësisë, udhëzimit dhe mëshirës. Ai nuk është thjesht libër për t’u lexuar si tekst, por ka vlerë të shenjtë dhe ndikim të thellë shpirtëror. Ajeti thekson rëndësinë e të menduarit thellë mbi kuptimin e ajeteve, jo thjesht leximin e tyre. Kjo na mëson të mos jemi sipërfaqësorë, por të reflektojmë dhe të pyesim veten tonë: çfarë po më këshillon ky ajet sot? Këshillat dhe mësimet e Kur’anit kanë ndikim tek ata që mendojnë, analizojnë dhe reflektojnë. Besimi në Islam nuk bazohet në verbëri, por në kuptim, arsyetim dhe dije.
Për sot do të flasim rreth treguesve dhe mësimeve të sures “Inshirah”
Surja “Inshirah” ndodhet në xhuzin e tridhjetë dhe është surja e 94 e Kur’anit. Ka zbritur në Mekë dhe ka tetë (8) ajete. Në këtë sure Allahu i Madhëruar thotë:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
أَلَمۡ نَشۡرَحۡ لَكَ صَدۡرَكَ (1) وَوَضَعۡنَا عَنكَ وِزۡرَكَ (2) ٱلَّذِيٓ أَنقَضَ ظَهۡرَكَ (3) وَرَفَعۡنَا لَكَ ذِكۡرَكَ (4) فَإِنَّ مَعَ ٱلۡعُسۡرِ يُسۡرًا (5) إِنَّ مَعَ ٱلۡعُسۡرِ يُسۡرٗا (6) فَإِذَا فَرَغۡتَ فَٱنصَبۡ (7) وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَٱرۡغَب (8)
“A nuk ta kemi zgjeruar ty kraharorin?”
“Dhe kemi hequr nga ti barrën tënde,”
“që rëndonte mbi shpinën tënde?”
“Dhe ta kemi lartësuar përmendjen tënde.”
“E, me vështirësinë vjen lehtësimi.”
“Me të vërtetë, me vështirësinë vjen lehtësimi.”
“E kur të çlirohesh (nga një punë), atëherë përkushtohu (tjetrit)!”
“Dhe vetëm te Zoti yt drejtohu me gjithë përkushtim.”
Mirësitë e leximit të sures“El Inshirâh”
Për mirësitë e leximit të kësaj sureje, imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush e lexon suren ‘El Inshirah’ (A nuk ta hapëm kraharorin tënd?) në faljet e tij të detyrueshme dhe vullnetare, nuk do të pësojë asnjë vështirësi trupore kurrë, do të jetë i mbrojtur nga fatkeqësitë, dhe rizku (furnizimi) do t’i vijë lehtësisht.” (“Thauâbul A‘mâl” i Shejh Sadukut)
TREGUES TË SURES “INSHIRAH”
Zgjerimi i kraharorit do të thotë: shtim i durimit dhe ngritje në nivelin e durueshmërisë, aq sa njeriu të jetë në gjendje të përballojë sprovat dhe vështirësitë.
Kur Allahu i Lartësuar e zgjodhi Musain (Paqja qoftë mbi të!) për profet, gjëja e parë që ai kërkoi nga Zoti ishte: “Zgjeroje kraharorin tim!” (Taha: 25). Ndërsa Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e kishte këtë mirësi, si mëshirë dhe mirësi nga Allahu, pa e kërkuar,.
Barra i rëndë që u hoq prej Profetit Muhamed ishte pesha e rëndë shpirtërore, përgjegjësia e thirrjes në teuhid (njësimin e Zotit), dhe përballja me idhujtarinë, korrupsionin dhe devijimin. Fraza “shehru sadr”, që ka kuptimin: zgjerim i kraharorit, është e kundërta frazës “daiku es sadr”, ngushtim i kraharorit, sikurse e lexojmë edhe në ajetin 97 të sures “Hixhr”: “Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet kraharori (zemra) nga fjalët e tyre.”
Njeriu duhet të rrisë nivelin e qëndrueshmërisë dhe të durimit ndaj sprovave dhe sfidave. Zgjerimi i kraharorit është tregues i mirësisë së Allahut: “Pra, ai që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron kraharorin me Islam.” (Sure “El En’am”, ajeti 125)
Nga aspekti psikologjik: Kur përballesh me vështirësi, nuk duhet që gjithë vëmendjen ta përqendrosh vetëm te vështirëzitë. Përkundrazi, duhet të mendosh, gjithashtu, për zgjidhjet që vijnë pas tyre.
Vështirësia sjell lehtësim, fjala “ma’a” (me) do të thotë se çdo vështirësi sjell me vete mundësi dhe lehtësira për ta përballuar atë.
Mungesa e shkronjës lidhëse “fa” në ajetin e dytë “Me vështirësinë vjen lehtësimi” tregon se kjo nuk është diçka e përkohshme apo e kufizuar, por një rregull i përhershëm dhe i përgjithshëm dhe do të vazhdojë deri në fundin e kësaj jete.
Udhëheqësit që ndjekin të vërtetën përballen me kundërshtime, vuajtje, kërcënime, akuzime, komplotime dhe luftëra. Prandaj, ata kanë nevojë për një zemër dhe kraharor të gjerë më shumë se kushdo tjetër. Për këtë arsye Allahu thotë: “A nuk ta kemi zgjeruar kraharorin?”
Zgjerimi i kraharorit, që Allahu i dha Profetit Islam, ishte për ta bërë të duronte të gjitha llojet e vuajtjeve dhe lëndimeve që i shkaktonin atij. Ai lutej duke thënë: “O Allah, më forco, sepse ata nuk e dinë të vërtetën!”
Për shkak se Islami ishte në zhvillim të vazhdueshëm, në shumicën e kohëve, Profeti e mbante mbi vete pjesën më të madhe të kësaj barre. E kjo tregonte për përsosmërinë e Profetit fisnik. Ai mori pjesë në betejën e Bedrit si një nga luftëtarët më të guximshëm dhe me përvojë në fushëbetejë. Në disa raste, heqja e kësaj barre dhe përgjegjësie të rëndë nga Profeti bëhej përmes përforcimeve hyjnore, zbritjes së engjëjve, ose përmes mbjelljes së frikës në zemrat e armiqve.
Allahu i Lartësuar e ka përmendur emrin e Profetit në Kur’an dhe ka urdhëruar të kujtohet gjithmonë. Ai e përmend në Kur’an në formën: “O ti Profet!”, “o I Dërguar” e ka caktuar përmendjen e Profetit në ezan dhe në dëshminë e besimit (shehadetin), e cila thuhet: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Allahu ka urdhëruar që Profeti të kujtohet duke dërguar salavat për atë dhe familjen e tij, siççthotë ajeti 56 në suren “Ahzab”: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O ju që keni besuar, dërgoni për atë salivate dhe përshëndeteni me “selam!”. Në një hadith të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), për komentim të këtij ajeti, lexojmë: “Xhibrili më tha mua: Allahu i Lartësuar thotë: ‘Kur të përmendet Emri Im, do të përmendet edhe emri yt, së bashku me Emrin Tim. Kjo gjë është e mjaftushme për madhështinë e postit tend.’”
Mësime nga surja “Inshirah”
Mësimi i parë: Gjerësia e kraharorit (durimi dhe përmbajtja) është faktor kyç për përballimin e barrës së rëndë të mesazhit të Allahut. Po ashtu durimi dhe vetpërmbajtja janë prej virtyteve të larta të njeriut. Pa këto të dyja, njeriu nuk mund të triumfojë përballë vështirësive, problemeve dhe sfidave. Prandaj duhet të jemi zemërgjerë, të duruar dhe të vetpërmbajtur, siç ishte Profeti ynë i dashur për të cilin Allahu thotë: “A nuk ta kemi zgjeruar kraharorin?”
Mësimi i dytë: Profeti Muhamed është në gradën më të lartë, sepse Allahu e ka ngritur dhe ai do të përmendet deri në fundin e kësaj jete: “Dhe ta kemi ngritur përmendjen tënde.” Sado që të përpiqen armiqtë e tij gojëpisët, apo lapsat e paguar, për ta ulur Profetin Muhamed, ata kurrë nuk do t’ia arrijnë, sepse Allahu i Plotfuqishëm e ka ngritur atë. Dhe atë që e ngre dhe e lartëson Allahu ska forcë mbi tokë që ta ulë.
Mësimi i tretë: Lufta e bestytnive, zakoneve dhe traditave të kohës së injorancës është një çështje shumë e vështirë. Por, Allahu ia lehtësoi të Dërguarit të Tij, Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutq qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) këtë vështirë: “Dhe kemi hequr nga ti barrën tënde,”
Mësimi i katërt: Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutq qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) vepronte në mënyrë të vendosur për pastrimin shpirtëror dhe moral të njerëzve. Për ëtë ai ndjente se kishte një barrë të rëndë mbi vete, siç thotë ajeti 3 i kësaj sureje : “Që rëndonte mbi shpinën tënde.” Në ajetin 128 të sures “Teube”, Allahu i Madhëruar thotë: “…Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”
Mësimi i pestë: Reputacioni i mirë dhe pozita e lartë janë nga kushtet kryesore për sukses në udhëheqjen e shoqërisë. Ajeti: “Dhe ta kemi ngritur përmendjen tënde.” Para ardhjes së kurorës së Profetësisë, Profeti ynë i dashur nihej si njeri i vërtetë, i sinqertë dhe besnik. Pra, ishte njeri me pozitë të lartë në mesin e shoqërisë ku ai jetonte.
Mësimi i gjashtë: Programi hyjnor bazohet në parimin që pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Në ajetin 185 të sures “Bekare” thuhet: “Allahu don për ju lehtësimin dhe nuk don për vështirësisnë.” Kështu, problemet dhe vështirësitë janë të përkohshme dhe pasohen nga lehtësimi dhe mirësia. Durimi dhe shpresa janë çelësat për zgjidhjen, lehtësimin dhe ndriçimin e situatës. Në një hadith të Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Dije se pas vështirësisë vjen lehtësimi, me durimin vjen fitorja dhe me trishtimin vjen gëzimi dhe lumturia.”( Tefsiri “Nuruth Thekalejn”, vëll. 5, Hadithi 11, 13, f. 604.).
Mësimi i shtatë: Njeriu nuk duhet të ndalet pasi përfundon një detyrë ose përgjegjësi. Ai duhet të përgatitet menjëherë për një tjetër: “E, kur të çlirohesh, përkushtohu (diçkaje tjetër)!”Duhet të kemi kujdes nga vetkënaqësia. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush vetëpëlqehet me veprën e tij, dëmtohet në mendjen e tij.” (Gurerul Hikem, hadithi nr. 8380)
Mësimi i tetë: Përpjekja duhet të jetë për hir të Allahut, me qëllim të sinqertë dhe të jenë të motivuara nga dëshira e pastër për Allahun: “Dhe vetëm te Zoti yt drejtohu me gjithë përkushtim.”
Mësimi i nëntë: Njeriu duhet të japë maksimumin e përpjekjes, me trupin dhe pasurinë e tij, për të mesazhin e Allahut duke përdorur metoda të ndryshme. Duhet që muslimanët ta shfrytëzojnë në maksimun hapsirën mejatike dhe rrjetet sociale për të përhapur Fjalën e Allahut dhe sunetin e patër të Profetit dhe të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
Mësimi i dhjetë: Ndjekja e rrugës së Allahut duhet të bëhet me dashuri dhe dëshirë të thellë, siç thuhet në ajet: “Dhe vetëm te Zoti yt drejtohu me gjithë përkushtim.”.
Mësimi i njëmbëdhjetë: Vetëm Allahu është Ai që meriton më shumë të duhet, të falënderohet dhe të adhurohet me sinqeritet dhe çiltërsi. “Dhe vetëm te Zoti yt drejtohu me gjithë përkushtim.”
Këto ishin treguesit dhe mësimet nga surja “Inshirah”.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Libri i Allahut, Kur’ani i shenjtë, është libër i njohjes, i moralit, i udhëzimit, i lumturisë dhe i përsosmërisë. Ai është i pandryshuar dhe i tillë do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete.
Islami dhe Kur’ani kanë ardhur për të ndërtuar njeriun e vërtetë dhe për edukimin e drejtë të tij.
Vërtet, qëllimi i zbritjes së këtij libri të shenjtë është që prej tij të përfitojnë të gjithë njerëzit sipas mundësive të tyre. Por është për të ardhur keq se as ne, as njerëzimi dhe as dijetarët myslimanë nuk kanë përfituar ashtu siç duhet nga ky Libër i Shenjtë.
E lus All’llahun që të na i pastrojë zemrat tonë nga egoja dhe nga dashuria për egon! E lus Allahun që dashuria për Të të mbulshë zemrat tona! O All’llah! Ti na ke premtuar Vetë se pas çdo vështirësie, vjen lehtësimi, bëj që myslimanët e ditëve të sotme të lehtësohen nga problemet që u vijnë nga armiqtë e Islamit! O All’llah! Mirësitë dhe dhuratat e Tua shtoi për ne dhe na bëj prej falënderuesve! Amin! Ja Rabil Alemin!
Dhe falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve.

