قال أمير المؤمنين علي عليه السلام: “النَّاسُ ثَلَاثَةٌ: عَالِمٌ رَبَّانِيٌّ، وَ مُتَعَلِّمٌ عَلَى سَبِيلِ نَجَاةٍ، وَ هَمَجٌ رَعَاعٌ أَتْبَاعُ كُلِّ نَاعِقٍ، لَمْ يَسْتَضِيئُوا بِنُورِ الْعِلْمِ وَ لَمْ يَلْجَئُوا إِلَى رُكْنٍ وَثِيقٍ”
Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njerëzit janë tre llojesh: Një dijetar hyjnor; Një kërkues diturie në rrugën e shpëtimit, dhe një turmë e paditur (hamxhun re’au’), pasues të çdo thirrësi; nuk ndriçohen me dritën e dijes dhe nuk mbështeten në ndonjë shtyllë të fortë.” (Burimi: Ujunul Hikemi uel Maeua‘idhi, f. 64.)
Sa e mrekullueshme kjo thënie e imam Aliut dhe sa e vërtetë!
Le të flasim shkurtimisht për secilin lloj:
Lloji i parë: Dijetari hyjnor
Kush është dijetari hyjnor?
Kanë thënë se fjala “rabbanī” është i lidhur me fjalën ‘Rabbun’ (Zoti). Hafiz Shirazi ka thënë: Rabbanī është ai që merr parasysh urdhrat e Zotit si në dije ashtu edhe në vepra. Disa kanë thënë se ‘Rabbanī’ rrjedh nga fjala ‘terbijeh’ (edukim), dhe është ai që i edukon nxënësit e tij si në aspektin shkencor ashtu edhe në atë shpirtëror. Ibn A’rabi ka thënë: Një dijetar quhet ‘rabbanī’ kur është edhe mësues edhe veprues.
Pra, dijetari “rabbani”, është i përkushtuari ndaj Allahut, i përsosur në dije dhe në vepra. Është ai njeri, i cili jo vetëm që ka shumë informacione, por ai i shndërron dijet në udhëzim dhe drejtësi. Është dijetari që vepron sipas dijes së tij. Është mësuesi i përkushtuar ndaj fesë së Allahut dhe bindjes ndaj Tij, i mençur në udhëheqjen e njerëzve. Të tillët janë Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), imamët e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe dijetarët që ndjekin rrugën e tyre me përkushtim dhe me sinqeritet.
Është ai, për të cilët Allahu na thotë në ajetin 28 të sures “Fatir”:
{…إِنَّمَا يَخۡشَى ٱللَّهَ مِنۡ عِبَادِهِ ٱلۡعُلَمَـٰٓؤُ…}
“…Në të vërtetë, nga robtë e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…”
Është ai, për të cilët Allahu i Madhëruar thotë në ajetin 11 të sures “Muxhadele:
{…یَرْفَعِ اللّهُ الَّذِینَ آمَنُوا مِنْکُمْ وَ الَّذِینَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجات…}
“…Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija…”
Është ai, për të cilët Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e Profetëve.” (Sunen ibn Maxhah, vëll. 1. kap. 18, hadithi /223.).
Është ai, për të cilët në një hadith tjetër Profeti Muhamed ka thënë për dijetarët: “Dijetarët në Tokë janë të njëjtë me yjet në qiell që tregojnë rrugën në errësirat e Tokës e të detit. Po të shuhen udhëzuesit (yjet), mund të humbasim.” (Kenzul Ummal, hadithi /28769.)
Është ai, për të cilët Profeti Muhamed ka thënë: “Shikimi në fytyrën e dijetarit është ibadet (adhurim).” (Biharul Anuar, vëll. 1, kapituli i dijes.).
Roli i dijetarit hyjnor në këtë jetë
1-Udhëzon shoqërinë në rrugën e drejtë
2- Ruan fenë nga shtrembërimet dhe devijimiet, siççveproi imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), i cili sakrifikoi gjithçka në mbrojtje të fesë së pastër islame që solli gjyshi tij Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
3- Ndriçon zemrat me dritën e dijes e të udhëzimit.
Shoqëria nuk mund të mbijetojë pa këta njerëz. Pa dijetarët e devotshëm, njerëzit bien në humnerën e mëkateve dhe devijojnë nga rruga e drejtë.
Lloji i dytë I njerëzve: Kërkuesi i diturisë
Kush është kërkuesi i diturisë?
Është ai që mëson për të shpëtuar veten nga padituria. Nuk mëson për famë apo interes personal.
Është ai për të cilin Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Melekët u shtrojnë krahët e tyre kërkuesve të diturisë nga kënaqësia për atë që ai kërkon (dijen).” (Kenzul Ummal, hadithi/ 28720.).
Është ai për të cilin Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mes atij që kërkon (studion) një kapitull të diturisë dhe ka qëllim që me anë të saj të ringjallë islamin mes tij dhe të dërguarve do të ketë një shkallë.” (Kenzul Ummal, hadithi/ 28833.)
Është ai për të cilin Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kushdo që përshkon një rrugë për të kërkuar dije, All-llahu do ta udhëzojë atë në një prej rrugëve të Xhennetit.” (Kenzul Ummal, hadithi 28720)
Nëse nuk bëhemi dijetarë, të paktën të jemi nxënës që kërkojnë dijen dhe udhëzimin e drejtë.
Çdo besimtar duhet të jetë në njërën nga këto dy kategori: ose udhëzues, ose i udhëzuar.
Profeti Muhammed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo myslimani.” (Sunen ibn Maxhah, vëll. 1, kreu 18 hadithi /224.).
Lloji i tretë: Turma e paditur (hamexhu rru’au’)
Cila është turma e paditur (hamexhu rru’au’)?
Ajo është siç e përshkruan imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!): “Pasues të çdo thirrësi, nuk ndriçohen me dritën e dijes dhe nuk mbështeten në ndonjë shtyllë të fortë.”
Kush janë këta sot?
Janë njerëzit pa dije e pa mendim, që ndjekin çdo trend, çdo ideologji, çdo personazh publik. Sot i gjejmë në rrjete sociale, pas propagandave të rreme. Këta lloj njerëzish shkojnë pas zërit të trumpetave e të dualleve. Janë të përgjumur edhe pse lëvizin. Hiqen si të ditur e njohës, por nuk janë të tillë.
Pasojat që sjell ky grup njerëzish:
Ata janë rrezik për shoqërinë, sepse përhapen si turma pa udhëzim.
Kur’ani na thotë për këtë grup njerëzish: “Dhe shumica e tyre ndjekin vetëm hamendjen…” (Sure “Jusuf”, ajeti 40).
Në këtë hadith imam Aliu na thotë se nuk ka vend për neutralitet. Ose ji dritë që udhëzon, ose ji i udhëzuar, përndryshe do përfundosh në errësirë, duke ndjekur turmat që vrapojnë pas zërit të trumpetave.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Duhet të kërkojmë diturinë e vërtetë, të jemi me të mençurit, të diturit dhe të vërtetët dhe të mos jemi viktimë e paditurisë. Të gjithëve na takon të mësojmë, të kuptojmë fenë tonë dhe të mos jemi turmë pa drejtim.
Të lutemi siç lutej Profeti ynë i dashur (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “O Allah, më shto diturinë.”
Në ajetin 119 të sures “Teube”, Allahu i Madhëruar thotë:
{يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ}
“O që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe jinni me të vërtetët.”

