Në ajetet 27-29 të sures “Furkan” Allahu I Madhëruar thotë:
{وَيَوۡمَ يَعَضُّ ٱلظَّالِمُ عَلَىٰ يَدَيۡهِ يَقُولُ يَٰلَيۡتَنِي ٱتَّخَذۡتُ مَعَ ٱلرَّسُولِ سَبِيلٗا (27) يَٰوَيۡلَتَىٰ لَيۡتَنِي لَمۡ أَتَّخِذۡ فُلَانًا خَلِيلٗا (28) لَّقَدۡ أَضَلَّنِي عَنِ ٱلذِّكۡرِ بَعۡدَ إِذۡ جَآءَنِيۗ وَكَانَ ٱلشَّيۡطَٰنُ لِلۡإِنسَٰنِ خَذُولٗا (29)}
“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.”
Ajetet tregojnë se njeriu, i cili kishte mundësi të ndiqte të Dërguarin, u devijua vetëm sepse mori njeriun e gabuar për shok. Shoqërimi ka fuqi të madhe. Ai mund të të çojë drejt dritës, ose drejt errësirës.
Prandaj edhe dijetarët thonë: ‘Shoqëria e keqe prish zemrën edhe pas këshillës më të mirë.’
Ajetet na paralajmërojnë që të shmangim shoqërinë që të tërheq në mëkat, dyshim apo çon në shkëputje me Allahun. Të zgjedhim shokë që nxisin për moral të mirë, devotshmëri, dije dhe mirësi. Të mbajmë shoqëri që të forcon karakterin.
Këto ajete, gjithashtu, na mësojnë se: Shoku i keq është një nga shkaqet më të mëdha të devijimit. Pendesa për shoqërinë e gabuara nuk ka vlerë në Botën Tjetër. Udhëzimi nuk mjafton pa shoqërinë e drejtë. Duhet të zgjedhim shokë që na çojnë drejt së mirës, jo atyre që na largojnë nga e vërteta.
Islami i kushton një rëndësi shumë të madhe shoqërisë dhe zgjedhjes së shokut. Shoku, sipas mësimeve islame, nuk është vetëm një shoqëri e çastit, por një faktor që ndikon drejtpërdrejt në moralin, sjelljen dhe fatin shpirtëror të njeriut.
Islami rekomandon largimin nga shoqëria që të shtyn drejt mëkateve, kotësive ose padrejtësive. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është si ai i shitësit të parfumit dhe farkëtarit. Shitësi i parfumit ose të dhuron pak parfum, ose të shet, ose të paktën shijon erë të mirë; ndërsa farkëtari ose të djeg rrobat, ose të paktën merr erë të keqe.”
Kur’ani e sheh çështjen e shokut jo si diçka të thjeshtë sociale, por si vendim që ndikon edhe në Jetën e Përtejme. Shoku i gabuar mund të jetë shkaku i dënimit, ndërsa shoku i mirë mund të jetë shkak i shpëtimit.
Cilët janë shokët e këqinj?
1- Budallai gënjeshtar
Në një hadith të transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Ruhu nga shoqërimi me budallain gënjeshtar, sepse ai dëshiron të të bëjë dobi por të dëmton; të afron të largëtin dhe të largon të afërmin; nëse ia beson diçka, ai të tradhton; nëse ti i beson diçka, ai të poshtëron; nëse ai të flet, të gënjen; dhe nëse ti i flet, ai nuk të beson. Ti je për të si një mirazh që i eturi e mendon për ujë, por kur shkon tek ai, nuk gjen asgjë.” (“Mijzanul Hikmeti”, hadithi 1028)
Këto rreziqe etike dhe pasojat e këqija që përmenden në hadith, si dëmtimi, tradhtia, poshtërimi dhe gënjeshtra, janë të mjaftueshme për të na larguar nga shoqërimi me një të tillë person dhe për të kuptuar se përfundimi i një marrëdhënieje me të do të jetë dështimi. Sepse, ajo është një lidhje shkatërruese, jo ndërtuese, dhe çon në rënie e jo në ngritje, përmes pasojave të dukshme që vijnë nga ky lloj njerëzish të rrezikshëm, madje vdekjeprurës jo vetëm në aspektin shpirtëror por edhe material.
2- Ai që i ruan të metat dhe i harron të mirat
Është transmetuar se imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Mos shoqëro atë që i ruan të metat e tua dhe i harron të mirat e tua.” (“Ujunul Hikem uel Meua’idh” i autorit Lejth El Uasitij”, f. 519.)
3- Të dhënët pas dynjasë
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos u shoqëro me bijtë e dynjasë, sepse nëse jep pak, të rëndojnë; dhe nëse jep shumë, të kanë zili.” (“Tasnif Gurarul Hikem ue Durar El Kelim”, i autorit Temimi El Amedi, f. 434.)
Imam Bakri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos u bëj shok dhe mos u bëj vëlla me katër lloje njerëzish: me mendjelehtin, koprracin, frikacakun dhe gënjeshtarin. Sa për mendjelehtin, ai dëshiron të të bëjë dobi, por të dëmton; sa për koprracin, ai merr prej teje, por nuk të jep; sa për frikacakun, ai ikën prej teje dhe madje edhe prej prindërve të vet; e sa për gënjeshtarin, ai thotë të vërtetën, por nuk besohet.” (“Musadakatul Ikhëan” i Sadukut, Muhamed ibn Ali ibn Babeuejh, verifikuar dhe korrigjuar nga Sejjid Ali El Khurasani El Kadhimi, Kadhimije, Biblioteka e imam Sahibu Ez Zeman, 1402 h., botimi 1, f. 80.)
4- Mëkatari i shfrenuar:
Imam Zejnul Abidin (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhu nga shoqërimi me mëkatarin e shfrenuar, sepse ai të tradhton për një kafshatë ushqim, madje edhe për më pak se kaq.” (“El Kafij” i Shejkh El Kulejnij , vëll. 2, f. 641.)
5- I mbrapështi:
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos u shoqëro me njeriun e mbrapshtë, sepse do të mësosh nga ai mbrapshtinë e tij.” (“El Khisas” i Sadukut, Muhamed ibn Ali ibn Babeuejh, verifikuar nga Ali Ekber Gafari, Kum, Iran, botimet e Shoqatës së Mësuesve, 1403 h., botimi 1, vëll. 1, f. 161.)
6- I ligu:
Imam El Xheuad (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhu nga shoqërimi me të ligun, sepse ai është si shpata e tërhequr: pamja i duket e bukur, por pasoja e saj është e keqe.” (“Biharul Enuar” i eruditit El Mexhlisij, vëll. 71, f. 198.)
7- Jobesimtari:
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të mos e marrë jobesimtarin si vëlla.” (“Sifatu Shi’ah, i Sadukut, Muhamed ibn Ali ibn Babeuejh, Teheran, El A’lami, 1403 h., botimi 1, f. 6.)
8- Tradhtari dhe përgojuesi:
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhu nga tre lloje njerëzish: nga tradhtari, nga zullumqari dhe nga përgojuesi, sepse ai që tradhton për ty, do të të tradhtojë ty; ai që bën padrejtësi për ty, do të bëjë padrejtësi edhe ndaj teje; dhe ai që përgojon për ty, do të të përgojojë edhe ty.” (“Tuhaful Ukuli an ali Resuli”, i Ibn Shu’betu El Harranij, f. 316.)
9- Ai që kërkon të metat e të tjerëve:
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhu nga shoqërimi me ata që kërkojnë të metat e njerëzve, sepse askush që shoqërohet me ta nuk shpëton prej tyre.” (“Tasnif Gurarul Hikem ue Durar El Kelim”, i autorit Temimi El Amedij, f. 434.)
10- Ai që ndryshon shpejt (i paqëndrueshmi):
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i keqi i shokëve është ai që ndryshon shpejt.” (“Ujunul Hikem uel Meua’idh” i autorit Lejth El Uasitij”, f. 293.)
11- Ziliqari
Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Mos u shoqëro me ziliqarin, sepse ai ta zbukuron veprën e tij (të keqe) dhe dëshiron që të jesh si ai.” (“Biharl Anuar”, vëll. 71, f. 199.)
12- Kopraci
Profeti dhe Ehli Bejti paralajmëojnë për shoqërimin me kopracin. Ndoshta kjo është sepse njeriu merr nga morali dhe sjellja e shokëve të tij dhe ndikohet prej tyre. Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj secili prej jush le të shohë me kë shoqërohet.” (“Biharul Anuar”, vëll. 71, f. 192, hadithi 12)
Është transmetuar se imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ruhu nga shoqërimi me kopracin, sepse ai do të të braktisë për shkak të pasurisë së tij pikërisht atëherë kur të kesh më së shumti nevojë për të.” (“Biharul Anuar”, vëll. 71, f. 196, hadithi 29)
13- Zbukuruesi i mëkatit
Është pyetur imam Aliu (Paqja qoftë mbi të): Cili është shoku më i keq? Ai u përgjigj: “Është ai që ta zbukuron mëkatin ndaj Allahut.” (“El Emali”, i Sadukut, f. 472)
14- Fyerësi (sharësi)
Në hadith thuhet: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të mos ulet në një vend ku fyhet një imam apo ku kritikohen besimtarët.” (“Biharul Anuar”, vëll. 71, f. 213)
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush ulet pranë një sharësi të të dashurve të Allahut, ai e ka kundërshtuar Allahun.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 379)
Pra, nëse të qëndruarit pranë tij është mëkat, atëherë si do të ishte gjendja kur shoqërohesh apo afrohesh me të?!
15- Bidatçiu (përhapësi i risive në fe)
Është transmetuar nga imami Sadik (Paqja qoftë mbi të) se ka thënë: “Mos u shoqëroni me ithtarët e bidatit (risive në fe) dhe mos u ulni me ta, sepse do të konsideroheni nga njerëzit si një prej tyre. Profeti i Allahut (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Njeriu është në fenë e shokut dhe shoqëruesit të tij.’” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 375)
16- Argëtuesi i shfrenuar
Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Ruhu nga shoqërimi me atë që të shpërqendron dhe të josh (në të kota), sepse ai do të të braktisë dhe do të të shkatërrojë.” (“Mijzanul Hikmeh”, hadithi nr. 10276)
17- Ai që ndërpret lidhjet familjare
Është transmetuar nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) se kanë thënë: “Ruhu nga shoqërimi me atë që ndërpret lidhjet me të afërmit e tij, sepse unë e gjeta të mallkuar në Librin e Allahut të Lartësuar në tri vende. Allahu i Madhëruar thotë në suren “Muhamed”, ajeti 22: “A mos vallë, nëse merrni pushtetin, do të bëni prishje në tokë dhe do t’i këputni lidhjet farefisnore?” Në ajetin 25 të sures “Rra’d” thotë: “E ata që e prishin besën ndaj Allahut pas lidhjes së saj, dhe këpusin atë që Allahu ka urdhëruar të mbahet e lidhur, dhe bëjnë prishje në tokë, për ta është mallkimi dhe për ta është përfundimi i keq.”…(deri në fundin e hadithit)

