Në ajetin 170 të sures “A’raf” Allahu i Madhurar e i Lartësuar thotë:
{وَالذِينَ يُمَسِّكُونَ بِالكِتَابِ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ إنَّا لَا نُضِيعُ أجْرَ المُصْلِحِين}
“Ata që u përmbahen thënieve të Librit dhe që e kryejnë namazin, ta dinë se Ne, pa dyshim, nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.”
Ajeti thekson se lidhja e sinqertë me Librin e Allahut dhe përkushtimi në adhurim, veçanërisht Namazi, janë dy shtylla që e ruajnë njeriun në rrugën e drejtë dhe i garantojnë shpërblim të sigurt tek Allahu Fuqiplot.
T’u përmbahesh thënieve të Kur’anit, do të thotë mbështetje, besim dhe zbatim i urdhërave të Allahut. T’u përmbahesh thënieve të Kur’anit nuk do të thotë vetëm lexim të tij, por përputhje e jetës me udhëzimet e Allahut. Kryerja e rregullt e namazit është simbol i lidhjes së vazhdueshme me Krijuesin dhe i disiplinës shpirtërore. Namazi është përforcim i besimit dhe mbrojtje nga gabimet. Allahu ka premtuar se Ainuk e humb shpërblimin e punëmirëve. Çdo vepër e mirë, qoftë edhe e vogël, ruhet dhe shpërblehet me drejtësi të plotë.
Ky ajet i jep besim e qetësi besimtarit se asgjë nga përpjekjet e tij për të qenë i ndershëm, i drejtë dhe i devotshëm nuk shkon dëm. Në thelb, ajeti na mëson se sinqeriteti ndaj Librit, përkushtimi në adhurim dhe veprat e mira janë kapital i sigurt tek Allahu, i cili shpërblen pa masë çdo punë të bërë për Të.
Dikush mund të pyesë: Kur’ani ka zbritur para më shumë se 1400 vjetëve. Çfarë frytesh na sjell në këtë kohë mbajtja pas Kur’anit dhe zbatimi i tij në jetën tonë?
Për këtë themi: S’ka dyshim se kapja fort pas Kur’anit sjell fryte në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Ndër ato fryte përmendim:
Fryti i parë: Udhëzim nga çdo humbje
Kur’ani është udhëzues dhe shpëtues nga devijimi. Në ajetin 9 të sures “Isra” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّ هَٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ وَيُبَشِّرُ الْمُؤْمِنِينَ الَّذِينَ يَعْمَلُونَ الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًا كَبِيرًا﴾
“Vërtet, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e drejta dhe u jep lajme të mira besimtarëve që punojnë vepra të mira se për ta ka shpërblim të madh.”
Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme. Nëse kapeni pas tyre, kurrë nuk do të humbni, Librin e Allahut dhe Ehli Bejtin tim. Ata të dy nuk do të ndahen kurrë derisa të më vijnë pranë Haudhit (Burimit).” (“Uesailu Esh Shiati”, vëll. 27, f. 33).
Udhëzimi mi Kur’anit nuk është i kufizuar në kohë. Udhëzimi I tij do të vazhdojë deri në fund të kësaj jetë.
Fryti i dytë: Ngritja në shkallët e Xhennetit
Çdo ajet i Kur’anit është një shkallë e Xhennetit. Sa më shumë ajete të përvetësojë njeriu, aq më lart ngrihet në shkallët e Xhennetit.
I Dërguari (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Numri i shkallëve të Xhenetit është sa numri i ajeteve të Kur’anit. Kur mbajtësi i Kur’anit të hyjë në Xhennet, i thuhet: ‘Lexo dhe ngjitu! Për çdo ajet, një shkallë.’ Dhe mbi mbajtësin e Kur’anit nuk ka gradë më të lartë.” (“Mustedrekul Uesail”, vëll. 4, f. 231.)
Fryti i tretë: Shërimi
Kur’ani është shëruesi i vërtetë i sëmundjeve të shpirtit dhe ilaçi i zemrave. Ai është sekreti i lumturisë në të dy botët.
Në ajetin 82 të sures “Isra” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ ۙ وَلَا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلَّا خَسَارًا}
“Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dijeni se pas Kur’anit nuk ka varfëri për askënd, dhe para Kur’anit nuk ka pasuri për askënd. Shërohuni me të prej sëmundjeve tuaja dhe kërkoni ndihmë me të në vështirësitë tuaja. Në të ka shërim nga sëmundja më e madhe: kufri (mohimi), nifaku (hipokrizia), devijimi dhe humbja.” (“Nehxhul Belaga”, Hytbja 252).
Gjithashtu, imam Aliu ka thënë ka thënë: “Mësojeni Kur’anin, sepse ai është pranvera e zemrave. Shërohuni me dritën e tij, sepse ai është shërimi i kraharorëve.” (“Uesailu Esh Shiati”, vëll. 6, f. 167).
Fryti i katërt: Mbartësit e Kur’anit ringjallen me profetët
Nga nderimi që Allahu i bën mbartësit (hafizit) të Kur’anit është se u jep shpërblim si shpërblimi i profetëve dhe i ringjall me ta.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më të nderuarit e robëve te Allahu, pas profetëve, janë dijetarët, pastaj mbartësit e Kur’anit. Ata dalin nga dynjaja siç dalin profetët, ringjallen me profetët dhe kalojnë Siratin me profetët, dhe marrin shpërblimin e profetëve. Lum ata që kërkojnë dituri dhe mbajnë Kur’anin, për nderin dhe madhështinë që kanë te Allahu.” (“Mustedrekul Uesail”, vëll. 4, f. 244.)
Fryti i pestë: Shpëtimi nga dënimi
Allahu nuk e dënon zemrën që është mbushur me Kur’an, sepse Kur’ani e përmirëson njeriun në sjellje e moral.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Lexojeni Kur’anin dhe mësojeni atë përmendësh, sepse Allahu nuk e dënon një zemër që e ka kuptuar Kur’anin.” (“Mustedrekul Uesail”, vëll. 4, f. 245.)
Fryti i gjashtë: Dalja nga errësira në dritë
Kur’ani është libri i Allahut që udhëzon drejt të mirës dhe paqes. Ai është drita e Allahut që lidh qiellin me tokën dhe rruga e drejtë e shpëtimit. Në ajeti 15 dhe 16 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ قَدْ جَاءَكُمْ مِنَ اللَّهِ نُورٌ وَكِتَابٌ مُبِينٌ يَهْدِي بِهِ اللَّهُ مَنِ اتَّبَعَ رِضْوَانَهُ سُبُلَ السَّلَامِ وَيُخْرِجُهُم مِّنَ الظُّلُمَاتِ إِلَى النُّورِ بِإِذْنِهِ وَيَهْدِيهِمْ إِلَىٰ صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ﴾
“Ju ka ardhur nga Allahu një dritë dhe një Libër i qartë me të cilin Allahu udhëzon ata që ndjekin kënaqësinë e Tij në rrugët e paqes dhe i nxjerr ata nga errësirat në dritë me lejen e Tij dhe i udhëzon në rrugën e drejtë.”
Ndërsa në ajetin 1 të sures “Ibrahim” Allahu I Lartëruar thotë:
{الٓرۚ كِتَٰبٌ أَنزَلۡنَٰهُ إِلَيۡكَ لِتُخۡرِجَ ٱلنَّاسَ مِنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ بِإِذۡنِ رَبِّهِمۡ إِلَىٰ صِرَٰطِ ٱلۡعَزِيزِ ٱلۡحَمِيدِ}
“Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësirat në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.”
Fryti i shtatë: Ndërmjetësimi (shefaati)
Nga mirësitë e Allahut ndaj atij që mbahet fort pas Kur’anit është se i jep ndërmjetësimin (shefaatin), një prej veçantive më madhështore të profetëve, evlijave dhe dëshmorëve.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e mëson Kur’anin përmendësh, e zbaton hallallin e tij dhe ndalon haramin, Allahu e fut në Xhennet dhe i jep të drejtën të ndërmjetësojë për dhjetë njerëz nga familja e tij, për të cilët ishte bërë i pashmangshëm zjarri.” (“Mustedrekul Uesail”, vëll. 4, f. 245.)
Fryti i tetë: Forcimi i imanit
Një nga rezultatet më të rëndësishme të kapjes pas Kur’anit është rrënjosja dhe përsosja e besimit. Në ajetin 2 të sures “Enfal” Allahu i Madhëruar thotë:
}إِنَّمَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ ٱلَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ ٱللَّهُ وَجِلَتۡ قُلُوبُهُمۡ وَإِذَا تُلِيَتۡ عَلَيۡهِمۡ ءَايَٰتُهُۥ زَادَتۡهُمۡ إِيمَٰنٗا وَعَلَىٰ رَبِّهِمۡ يَتَوَكَّلُونَ{
“Besimtarë janë vetëm ata që kur përmendet Allahu, zemrat e tyre tronditen dhe kur lexohen ajetet e Tij, u shtohet imani, dhe ata mbështeten te Zoti i tyre.”
Fryti i nëntë: Përulësia (El khushuu’)
Ndër dhuratat e larta që Allahu i Madhëruar ia jep atij që mbahet fort pas Kur’anit dhe i zbaton ajetet e tij, është përulësia dhe zbutja e zemrës. Në ajetin 21 të sures “Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿لَوْ أَنزَلْنَا هَذَا الْقُرْآنَ عَلَى جَبَلٍ لَّرَأَيْتَهُ خَاشِعًا مُّتَصَدِّعًا مِّنْ خَشْيَةِ اللَّهِ﴾
“Sikur këtë Kur’an t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (malin) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut…”
Në ajtetin 23 të sures “Zumer” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿اللَّهُ نَزَّلَ أَحْسَنَ الْحَدِيثِ كِتَابًا مُّتَشَابِهًا مَّثَانِيَ تَقْشَعِرُّ مِنْهُ جُلُودُ الَّذِينَ يَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ ثُمَّ تَلِينُ جُلُودُهُمْ وَقُلُوبُهُمْ إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ﴾
“Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kur’anin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu.”
Fryti i dhjetë: Mbrjtja nga trazirat
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kur t’ju mbulojnë trazirat si pjesë e natës së errët, atëherë kapuni fort pas Kur’anit. Ai është ndërmjetësues i pranuar, argument i vërtetë. Kush e vendos atë (Kur’anin) para vetes, ai e udhëheq drejt Xhenetit. Kush e lë pas vetes, e shtyn drejt Zjarrit. Ai (Kur’ani) është udhërrëfyesi më i mirë. Është Libër me sqarim, shpjegim dhe përmbledhje. Është gjykim i prerë dhe jo lojë. Ka të jashtmen dhe të brendshmen: jashtja e tij është urdhër e gjykim, brendësia është dije. Jashtë është i bukur, brenda është i thellë. Ka nivele kuptimi, dhe mbi ato nivele ka të tjera. Mrekullitë e tij nuk numërohen dhe të fshehtat e tij nuk shterojnë. Është dritë udhëzimi dhe fanar i urtësisë, udhërrëfyes për njohjen për atë që kërkon pastërtinë. Le ta vështrojë me sy të hapur kërkuesi, dhe le të arrijë pastërtinë e zemrës me shikimin e tij; kështu shpëton nga rrënimi dhe çlirohet nga pengesat. Mendimi i thellë është jeta e zemrës së ndriçuar, është si njeriu që ecën në errësirë me dritë. Prandaj kapuni pas shpëtimit dhe mos u vononi.”
Qofshim prej mbajtëse fort pas Kur’anit të Shenjtë dhe prej zbatuesve të tij! Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!

