Në ajetet 19-20 të sures “Me’arixh Allahu i Madhëruar thotë:
{إِنَّ ٱلۡإِنسَٰنَ خُلِقَ هَلُوعًا (19) إِذَا مَسَّهُ ٱلشَّرُّ جَزُوعٗا }
“Vërtet që njeriu është krijuar i frikësuar. Kur atë e godet e keqja, ai demoralizohet.”
Sipas këtyre dy ajeteve të gjithë njerëzit e kanë ndjenjën e frikës. Frika është e kundërta e sigurisë. Besimtarët e vërtetë i frikësohen vetëm Allahut të Madhëruar, kurse jobesimtarët i frikësohen çdo gjëje që është e fortë dhe e fuqishme mbi këtë Tokë.
Duhet që besimtari ta edukojë veten me frikën nga Allahu i Madhëruar, në mënyrë që ajo të jetë shtysë për bindje dhe adhurim, si dhe pengesë ndaj mëkatit dhe shkeljes së kufijve të vendosur nga Allahu i Gjithëditur.
Në porosinë drejtuar të birit të tij, imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!), imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Të porosis që ta kesh frikë Allahun si në fshehtësinë e çështjeve të tua ashtu edhe në dukje të tyre.” (“Biharul Enuar”, vëll. 42, f. 203.)
Ky hadith na mëson se besimtari i vërtetë ka të njëjtën sjellje dhe vetëdije ndaj Allahut si në fshehtësi ashtu edhe në dukje. Frika nga Allahu nuk duhet të jetë e përkohshme apo vetëm për sy e faqe, por një gjendje e qëndrueshme e zemrës që udhëheq veprimet, fjalët dhe qëllimet në çdo rrethanë.
Hadithi na mëson se sinqeriteti dhe morali i njeriut provohen kur ai është vetëm, sepse Allahu e sheh gjithmonë. Prandaj, ai që e ruan veten nga mëkati në fshehtësi, e ka ndërtuar besimin e tij mbi ndërgjegje të gjallë dhe lidhje të fortë me Allahun. Hadithi na kujton se vlera e njeriut matet nga qëndrimi i tij kur është vetëm, dhe se frika nga Allahu është busulla që e udhëzon besimtarin në çdo rrethanë, haptazi dhe fshehurazi.
Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari duhet ta ketë frikë Allahun me një frikë sikur të ishte në prag të Zjarrit.” (Tefsir “Nuru Eth Thekalejn”, El Huvejzij, vëll. 4, verifikuar nga Sejjid El Mahal’latij, botimi i 4-të, Kum, Institucioni Ismailijan, 1412 h., 1370 sh., f. 545.)
Megjithatë, kjo frikë duhet të shoqërohet me masë dhe ekuilibër, pa teprim e pa neglizhencë; sepse teprimi e dëmton shpirtin dhe e çon njeriun në gjendje dëshpërimi nga mëshira e Allahut të Madhëruar, ndërsa shpërfillja bëhet shkak për pakujdesi, mangësi dhe rebelim ndaj bindjes ndaj Allahut të Madhëruar.
Frika është në përpjesëtim me njohjen e Allahut të Madhëruar
Sa më shumë që njeriu shton dijen e tij mbi sekretet e jetës, ligjet e gjithësisë dhe madhështinë e Krijuesit, aq më shumë shtohet përulësia dhe frika e tij, përshkak të kësaj njohjeje. I Dërguari i Allahut (paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që e njeh më shumë Allahun, ka më shumë frikë prej Tij.” (Biharul Enuar, vëll. 67, f. 393. (verifikim i El Mijanxhij El Behbudij).
Po ashtu, është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Njerëzit me pozitën më të lartë tek Allahu janë ata që kanë më shumë frikë prej Tij.” (“Biharul Enuar” vëll. 74, f. 180. (verifikim i El Mijanxhij El Behbudij).
Besimtari ndërmjet dy frikërave
Besimtari në këtë botë duhet të ruajë ekuilibrin ndërmjet dy llojeve të frikës: frikës për atë që ka kaluar nga jeta e tij, sepse nuk e di nëse ajo ka kaluar në mirësi apo jo; dhe, frikës për atë që do të vijë, sepse nuk e di se çfarë i kanë rezervuar ditët e ardhshme.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ka thënë: “Vërtet, besimtari vepron ndërmjet dy frikërave: ndërmjet një afati që ka kaluar, për të cilin nuk e di se çfarë ka vendosur Allahu për të, dhe një afati që ka mbetur, për të cilin nuk e di se çfarë do të gjykojë Allahu në lidhje me të. Prandaj, le të marrë robi besimtar nga vetja e tij për veten e tij, nga kjo botë për Botën Tjetër, nga rinia para pleqërisë dhe nga jeta para vdekjes. Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, pas kësaj bote nuk ka më mundësi për pendim dhe nuk ka pas saj vendbanim tjetër veç Xhennetit ose Zjarrit.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 70.)
Është transmetuar nga imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Besimtari është ndërmjet dy frikërave: frika për një mëkat që ka kaluar, për të cilin nuk e di se çfarë ka bërë Allahu me të, dhe frika për jetën që i ka mbetur, për të cilën nuk e di çfarë do të fitojë në të prej shkatërrimeve. Prandaj ai nuk gdhihet veçse i frikësuar dhe asgjë nuk e përmirëson atë përveç frikës.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 70.)
Shenjat e atij që ka frikë nga Allahu
Frika nga Allahu ka shenja, ndër to janë: përulja dhe thyerja e zemrave, frikësimi i tyre i vazhdueshëm ndaj Allahut, akuzimi i vazhdueshëm i vetes për mangësi, pakësia e fjalëve, mosfrika nga njerëzit, nxitimi dhe gara drejt veprave më të mira, si dhe moskënaqësia me vepra të zakonshme.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Për Allahun ka rob të cilëve frika nga Allahu ua ka thyer zemrat, prandaj, ata janë përmbajtur nga fjalët, megjithëse janë elokuentë, të mençur, të zgjuar e fisnikë. Ata i afrohen Atij (Allahut) me vepra të pastra; nuk e konsiderojnë të shumtë atë që është shumë për Të (për Allahun) dhe nuk kënaqen me të paktën për Të. Ata e shohin veten si të këqij, ndërsa në të vërtetë janë të zgjuar dhe të drejtë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 66, f. 286–287 (verifikim i El Mijanxhij El Behbudij).
Po ashtu, është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Lum për atë që frika nga Allahu e ka angazhuar aq shumë sa ta largojë nga frika ndaj njerëzve.” (“Biharul Enuar”, vëll. 74, f. 126. (verifikim i El Gaffarij).
Ndikimet e frikës nga Allahut të Madhëruar
Frika nga Allahu i Madhëruar ka shumë ndikime në sjelljen e njeriut, ndër to janë:
1- Rregullon ndjenjat dhe emocionet ndaj Krijuesit të Madhëruar.
2- E mëson shpirtin me përulësi dhe vetëvogëlim përpara Allahut të Madhëruar.
3- Ia bën të ndiejë shpirtit mangësinë e tij të vazhdueshme, prandaj nuk kënaqet me pak vepra.
4- E mëson shpirtin të kërkojë veprat që e afrojnë tek Allahu i Madhëruar.
5- E bën që njeriu ta llogarisë veten vazhdimisht.
6- Sjell sigurinë në Botën Tjetër.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi mbi familjen e tij!), ka thënë: “Allahu i Bekuar dhe i Lartësuar ka thënë: ‘Pasha fuqinë dhe madhështinë Time, nuk i bashkoj për robin Tim dy frikëra dhe as dy siguri. Nëse ai ndihet i sigurt prej Meje në këtë botë, do ta frikësoj atë Ditën e Kiametit; e nëse ai ka frikë prej Meje në këtë botë, do ta siguroj atë Ditën e Kiametit.’” (“Biharul Enuar”, vëll. 67, f. 379. (verifikim: El Mijanxhij El Behbudij).
Ky hadith na mëson se njeriu nuk do të ketë frikë në të dy botët, as siguri në të dy botët. Kjo tregon drejtësinë absolute të Allahut: çdo gjendje në këtë botë ka pasojën e saj në Botën Tjetër.
Thënia e Allahut: “Nëse ai ndihet i sigurt prej Meje në këtë botë, do ta frikësoj atë Ditën e Kiametit”, i referohet atij që ndihet i paprekshëm nga ndëshkimi i Allahut, që neglizhon mëkatet dhe detyrimet dhe që mbështetet te mëshira e Allahut pa përgjegjësi. Vetëkënaqësia dhe mungesa e frikës nga Allahu janë shenja rreziku shpirtëror.
Thënia e Allahut: “Nëse ai ka frikë prej Meje në këtë botë, do ta siguroj atë Ditën e Kiametit.”, ënkupton se frika nga Allahu nuk është panik apo dëshpërim, por frikë e ndërgjegjshme që lind nga njohja e Allahut dhe e shtyn njeriun drejt pendimit, veprave të mira dhe përulësisë. Frika nga Allahu është rrugë drejt paqes së përjetshme.
Hadithi nuk thërret as në dëshpërim nga mëshira e Allahut e as në siguri të rreme, por thërret për ekuilibër mes frikës dhe shpresës.Allahu kërkon frikë që ruan dhe edukon,kërkonshpresë që ngushëllon dhe motivon.
Frika e sinqertë në këtë botë sjell siguri në Botën Tjetër. Siguria e rreme në këtë botë sjell frikë në Botën Tjetër
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ki frikë (nga Allahu) që të jesh i sigurt, dhe mos u ndiej i sigurt që të mos kesh frikë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 67, f. 379. (verifikim: El Mijanxhij El Behbudij).
Thënia e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!): “Ki frikë (nga Allahu) që të jesh i sigurt”na mëson se frika e sinqertë nga Allahu, që lind nga njohja dhe vetëdija për madhështinë e Tij, e mbron njeriun nga mëkati, pakujdesia dhe devijimi, dhe bëhet shkak që ai të jetë i sigurt në Botën Tjetër, nga dënimi dhe zemërimi i Allahut. Pra, frika në këtë botë është siguri në Botën Tjetër.
Kurse thënia e tij: “Mos u ndiej i sigurt që të mos kesh frikë” paralajmëron ndjenjën e rreme të sigurisë nga ndëshkimi i Allahut dhe vetëkënaqësinë shpirtërore, mendjemadhësinë dhe neglizhencën në adhurim.
Kur njeriu ndihet “i sigurt” nga llogaria dhe ndëshkimi: ai pushon së penduari, neglizhon detyrimet, dhe kjo gjendje e çon drejt frikës reale në Botën Tjetër. Pra, siguria e rreme në këtë botë prodhon frikë në Botën Tjetër.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Frika e matur nga Allahu është shenjë e besimit të gjallë. Ajo nuk çon në dëshpërim, por në përmirësim, përulësi dhe vigjilencë shpirtërore. Prandaj, të mos biem as në teprim të frikës, as në shpërfillje dhe vetëqetësi të rreme.
Kush i frikësohet Allahut sot, do të jetë i sigurt nesër; dhe kush ndihet i sigurt sot nga Allahu, do të ketë frikë nesër.
Frika nga Allahu është një pemë e begatë, e cila nëse forcohet në zemër, degët e saj do të përhapen në të gjitha gjymtyrët dhe për çdo kohë do ta japë frutën e saj, me lejen e Zotit të saj dhe kjo frutë është vepra e mirë, fjala e mirë dhe sjellja e mirë.
Frika nga Allahu nuk të lë të bësh gjynahe dhe gabime. Ajo të zgjon ndërgjegjen, të zbut zemrën dhe të mbron nga egoja.
Frika nga Allahut është ajo që i nxit njerëzit për çiltërsi në veprat e tyre. Janë vepra që nuk kërkojnë asnjë shpërblim nga njerëzit por vetëm nga Allahu. Për këtë në Kur’an thuhet: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” (Sure “Insan”, ajetet 9-10.) këto ajete kanë zbritur për Ehli Bejtin e Profetit Muhamed me dëshminë e komentuesve të Kur’anit, sunitë dhe shiitë.
Frika nga Allahu është dashuri për Allahun. Frika nga Allahu është njohje e Allahut. Sa më shumë të shtohet njohja e Allahut te njeriu, aq më shumë afrohet ai tek Allahu dhe aq më shumë njihet ai me atributet e Allahut.
Qofshim prej atyre për të cilët Kur’ani i Shenjtë thotë:
}وَلِمَنْ خَافَ مَقَامَ رَبِّهِ جَنَّتَانِ{
“Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy Xhennete (kopshte).”

