Edukata në thëniet e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit

Në suren “Shems”, ajeti 9 dhe ajeti 10, Allahu i Madhëruar thotë:

 قَدۡ أَفۡلَحَ مَن زَكَّىٰهَا (9) وَقَدۡ خَابَ مَن دَسَّىٰهَا}

“Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.”

Kushdo që lexon Kur’anin dhe Sunnetin e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit do të shohë se edukata zë një vend qendror në Islam, sepse ajo përfaqëson pasqyrën e vërtetë të karakterit dhe të besimit të njeriut. Islami nuk ka ardhur vetëm për të rregulluar adhurimet, Namazi, agjërimi, haxhi, etj., por ka ardhur edhe për të formuar karakterin dhe për të edukuar njeriun me moralin e lartë.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejti i tij i pastër janë shembulli më i përsosur i edukatës islame. Me fjalët dhe veprat e tyre na mësojnë si të jetojmë me dinjitet, respekt dhe mëshirë. Ata na mësojnë rëndësinë e faljes së tjetrit, respektin ndaj prindërve, si dhe zbatimin e parimeve të dialogut, mëshirës dhe të drejtësisë. Ne e marrim Profetin Muhamed shembull në edukim dhe edukatë sepse ai ka thënë: “Zoti im më edukoi dhe më përmirësoi edukatën time në mënyrën më të bukur.” (“Nuru Eth Thekalejn”, vëll. 5, f. 392, hadithi nr. 29

Edukata në Kur’anin e Shenjtë dhe në sunnetin e Profetit e të Ehli Bejtit është një metodologji gjithëpërfshirëse dhe e plotë. Ajo synon pastrimin e shpirtit, korrigjimin e sjelljes, ndërtimin e individit të mirë, të familjes së bekuar dhe të shoqërisë së fortë, përmes rrënjosjes së vlerave etiko-morale, adhurimeve dhe meditimit në ajetet e Kur’anit.

Prej qëllimeve të i misionit profetik është edukimi. Profeti Muhamed Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Jam dërguar për të përsosur virtytet e moralit.”

Kjo thënie tregon qartë se një nga qëllimet kryesore të misionit profetik është edukimi moral i njeriut. Edukata islame nuk kufizohet vetëm në sjelljen e jashtme, por përfshin pastrimin e zemrës, sinqeritetin në qëllime dhe drejtësinë në veprime.

Edukata e mirë si shenjë e besimit. I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Besimtari më i plotë në besim është ai që ka edukatën më të mirë.”

Sipas kësaj thënieje, besimi dhe edukata janë të pandashme. Nuk mjafton vetëm adhurimi formal, nëse ai nuk reflektohet në sjellje të mirë, në fjalë të buta dhe në respektin ndaj të tjerëve.

Edukata e mirë është zbukurim. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Edukata e bukur është zbukurimi i arsyes.” (“Biharul Envar”, vëll. 77, f. 131, hadithi 14.)

Imam Hasani (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “S’ka edukatë për atë që nuk ka arsye.” (“Biharul Enuar”, vëll. 78, f. 111, hadithi nr. 6)

Ky hadith i imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se edukata e vërtetë buron nga arsyeja dhe mendja e shëndoshë. Njeriu që nuk përdor arsyen, ai nuk reflekton dhe nuk e dallon të drejtën nga e gabuara; ky nuk mund të ketë edukatë të qëndrueshme. Arsyeja e udhëheq sjelljen, ndërsa edukata është fryti i saj; pa arsye, edukata mbetet e mangët ose e rreme.

Edukata është cilësia më e bukur e njeriut. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Edukata është cilësia më e bukur.” (“Guraru Hikam”, hadithi 967)

Edukata është përsosmëria e njeriut. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Edukata është përsosmëria e njeriut.” (“Gurarul Hikam”, hadithi 998).

Kjo thënie e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se vlera dhe madhështia e vërtetë e njeriut nuk maten me pasurinë, pozitën apo forcën, por me edukatën dhe moralin e tij. Edukata e mirë e plotëson personalitetin e njeriut, e zbukuron sjelljen e tij dhe e ngre në sytë e Allahut dhe të njerëzve. Një njeri pa edukatë është i mangët, ndërsa ai që ka edukatë të mirë është i plotësuar dhe i nderuar.

Edukata është pasuria më e çmuar. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O besimtar! Vërtet, dija dhe edukata janë çmimi i vetes sate, prandaj përpiqu t’i mësosh ato, sepse çdo shtim në dije dhe edukatë e rrit vlerën dhe pozitën tënde.” (“Mishkatul Enuar”, f. 135)

Me këtë thënie imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se dija dhe edukata janë pasuria më e çmuar e njeriut dhe çmimi i personalitetit të tij. Sa më shumë që njeriu përparon në dije dhe edukatë, aq më e lartë bëhet vlera, dinjiteti dhe pozita e tij si te Allahu ashtu edhe në shoqëri.

Edukata e mirë është trashëgimia më e çmuar që prindërit u lënë fëmijëve të tyre. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Trashëgimia më e mirë që lënë prindërit për fëmijët e tyre është edukata, e jo pasuria, sepse pasuria humbet, kurse edukata mbetet.” (“El Kafi”, vëll. 8, f. 150, hadithi nr. 132.).

Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na mësojnë se edukata fillon në famlje. Prandaj duhet që familja të udhëhiqet nga edukata e mirë. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që është më i miri me familjen e tij.”

Kjo thënie e Profetit tonë të dashur (s.a.a.s) tregon se edukata e vërtetë manifestohet fillimisht në familje: në respektin ndaj prindërve, në dashurinë ndaj fëmijëve dhe në mirësjelljen ndaj bashkëshortit dhe bashkëshortes.

Me këtë thënie Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  na mëson se vlera e vërtetë e njeriut matet me sjelljen e tij në familje, sepse aty shfaqet karakteri i sinqertë, larg syve të njerëzve. Profeti na mëson se mirësjellja, mëshira dhe drejtësia ndaj familjes janë shenjë e besimit të fortë dhe e edukatës së lartë islame. Profeti na mëson se familja është shkolla e parë e moralit dhe e edukimit, prandaj ai që është i mirë me familjen e tij tregon se është i aftë të jetë i mirë edhe me shoqërinë. Profeti na mëson se Islami e vendos përgjegjësinë familjare në qendër të virtyteve. Na mëson se adhurimi i vërtetë duhet të reflektohet në dashuri, në durim dhe në respekt ndaj bashkëshortit, bashkëshortes, fëmijëve dhe prindërve. Hadithi na fton të fillojmë përmirësimin e vetes nga brenda familjes, sepse aty vërtetohet të qënit e njeriut i mirë.

Edukata e mirë ndikon në marrëdhëniet shoqërore. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Buzëqeshja jote ndaj vëllait tënd është sadaka.”

Kjo thënie tregon se edhe veprimet më të vogla, kur shoqërohen me edukatë dhe dashamirësi, kanë vlerë të madhe tek Allahu. Edukata në shoqëri përfshin respektin, durimin, faljen dhe shmangien e fyerjes dhe ofendimit.

Cila është edukata më e mirë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep Prijësi i besimatërve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), i cli ka thënë: “Edukata më e mirë është ajo që e ndalon njeriun nga veprat e shëmtuara.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më e mira edukatë është ajo që ia nis me vetveten.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 3115).

Edukata e mirë lehëson vështirësitë. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që ka edukatë të mirë, i lehtësohen punët e jetës.”

Me këtë thënie imam Sadiku na mëson se edukata e mirë është çelës i lehtësimit të jetës. Sjellja e bukur, durimi dhe respekti ndaj të tjerëve krijojnë marrëdhënie të shëndosha, largojnë konfliktet dhe sjellin qetësi në jetën e njeriut. Prandaj, edukata e mirë nuk është vetëm virtyt moral, por edhe mjet praktik për sukses dhe harmoni në jetën e përditshme.

Edukata arrihet me përpjekje. Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Arsyeja është dhuratë nga Allahu, ndërsa edukata kërkon përpjekje. Kush përpiqet për edukatë, mund ta arrijë atë, …” (“Biharul Enuar”, vëll. 78, f. 342, hadithi nr. 43).

Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti na porosisin për edukimin e fëmijve. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nderojini fëmijët tuaj dhe edukojini mirë, kështu do t’ju falet (mëkati).” (“Biharul Enuar”, vëll. 104, f. 95, hadithi nr. 44).

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush ka vajzë dhe e edukon mirë, i mëson asaj dituri dhe i jep prej të mirave që Allahu ia ka dhënë, ajo vajzë do të jetë mburojë dhe mbulim për të nga Zjarri i Xhehenemit.” (Kenzul Ummal”, hadithi nr. 45391.)

Lukmani i urtë (Paqja qoftë mbi të!) i ka thënë të birit të tij: “O biri im! Nëse edukohesh kur je i vogël, do të përfitosh prej saj kur të bëhesh i madh.” “Biharul Enuar”, vëll. 13, f. 411, hadithi nr. 2)

Shpërfillja e edukimit ndaj të rinjve dhe pasojat. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:“Çdo iri që rritet në mesin e një populli dhe nuk edukohet kur bën mëkat, Allahu i Lartësuar, në fillim, do t’i ndëshkojë ata me pakësimin e riskut të tyre.” (“Biharul Enuar”, vëll. 100, f. 78, hadithi nr. 32.)

Të dashur vëllezër dhe motra!

Sipas Profetit dhe Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), edukata është mbrojtje për njeriun, është dritë për mendjen dhe mjet për afrimin tek Allahu dhe tek njerëzit.

Njeriu i edukuar nuk nxiton në zemërim, nuk hakmerret padrejtësisht dhe ruan qetësinë edhe në situata të vështira.

Edukata në thëniet e Profetit Muhamed dhe Ehli Bejtit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) nuk është vetëm një cilësi e bukur, por një detyrë fetare dhe shoqërore. Ajo është tregues i besimit, shkak i afrimit tek Allahu dhe çelës i harmonisë në shoqëri. Duke ndjekur shembullin e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit, njeriu arrin jo vetëm sukses në këtë botë, por edhe shpëtim në Botën Tjetër.

Imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O Allah! Na bëj prej atyre që janë kapur fort pas lidhjes së dijes dhe e kanë edukuar veten me kuptim!” (“Biharul Enuar”, vëll. 94, f. 127, hadithi nr. 19.)

Kjo lutje e imam Zjnul Abidinit (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se dija dhe edukata duhet të ecin së bashku. Nuk mjafton vetëm të fitohet dije, por ajo duhet të shoqërohet me kuptim, me vetëedukim dhe me përmirësim të brendshëm. Imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!) na fton t’i lutemi Allahut që dija jonë të na lidhë me të vërtetën dhe të na formojë karakterin, në mënyrë që të bëhemi njerëz të dobishëm dhe të devotshëm për familjen dhe për shoqërinë.

Falënderimi i takon Zotitt ë botëve