Në ajetin 35 të sures “Teube” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِندَ اللّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا فِي كِتَابِ اللّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَاوَات وَالأَرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ فَلاَ تَظْلِمُواْ فِيهِنَّ أَنفُسَكُمْ …﴾
“Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Prandaj, mos u bëni padrejtësi vetave tuaja në to (katër muaj duke bërë gjynahe).”
Katër muajt e shenjtë për të cilët flet ajeti janë: muaji Dhul Kaide, muaji Dhul Hixhxheh, muaji Muharrem dhe muaji Rexheb. Janë quajtur të shenjtë sepse lufta në to ishte e ndaluar që nga koha e Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!). Ky ndalim ishte në fuqi deri në kohën para Islamit. Kur erdhi Islami, ai e pohoi shenjtërinë e tyre. Kur’ani i Shenjtë tregon se është e ndaluar të fillohet lufta kundër armiqve gjatë këtyre muajve. Gjithashtu, Kur’ani flet për domosdoshmërinë e luftimit të armiqve nëse ata shkelin shenjtërinë e këtyre muajve dhe fillojnë të luftojnë.
Muaji i shenjtë i Rexhebit është një shkollë trajnimi nga ana shpirtërore, në të cilën duhet marrë pjesë për t’u përgatitur për muajin e Madhnueshëm të Ramazanit.
Muaji Rexheb është i mbushur përplot me mirësi. Ai nderohej dhe madhërohej edhe në kohët paraislame. Ai ka një pozitë të lartë në Islam. Muaji Rexheb është një prej muajve, ku gjynahet në të janë të rënda, por edhe veprat e mira shpërblehen më shumë.
Është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), kur e shihte hënën e re të muajit Rexheb, thoshte: “O Allah! Na e beko muajin Rexheb dhe Sha’ban, na mundëso ta arrijmë muajin e Ramazanit! Na ndihmo në agjërim dhe në adhurim gjatë natës, në ruajtjen e gjuhës dhe në uljen e shikimit, dhe mos bëj që pjesa jonë prej tij (agjërimit) të jetë vetëm uria dhe etja!” (“Ikbalul A‘mal” (Ikbal bil A‘malil Haseneh), vëll. 3, f. 173, i autorit Sejjid Radhij Ed Dijn Ibn Tavus (589–664 hixhri.).
Gjthashtu, është transmetuar nga Abdullah ibn Abasi se ka thënë: Kur vinte muaji Rexheb, i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i mblidhte myslimanët rreth tij dhe u mbante një fjalim. Falënderonte Allahun, përmendte profetët para tij dhe u dërgonte atyre bekime. Pastaj thoshte: “O myslimanë! Një muaj i madh ju ka mbuluar e hijezuar. Ai është i bekuar dhe është muaji i derdhjes, në të cilin Allahu derdh mëshirën e Tij mbi ata që e adhurojnë. Me përjashtim të një robi idhujtar, ose atij që shpik risi (bidat) në Islam. Vërtet, në muajin Rexheb ka një natë (Nata e xhumasë së parë të këtij muaji që quhet Nata Regaib) dhe kushdo që ia ndalon gjumin vetes dhe ngrihet gjatë saj, Allahu ia ndalon zjarrin trupit të tij, shtatëdhjetë mijë engjëj ia shtrëngojnë atij dorën dhe kërkojnë falje për të deri në një ditë të tillë (në Rexhebin e ardhshëm). Nëse ai do të kthehet (do të adhurojë), do të kthehen edhe engjëjt. Pastaj tha: Kushdo që agjëron një ditë të Rexhebit do të jetë i sigurt nga tmerri më i madh dhe do të shpëtohet nga zjarri.” (Burimi: “Mustedrekul Uesail”, vëll. 21, f. 531, kreu: Pëlqyeshmëria e agjërimit të plotë të muajit Rexheb ose e një pjese të tij.)
Prej veçorive të muajit Rexheb janë:
– Muaji Rexheb është quajtur muaji i shurdhër, sepse në të nuk dëgjohen zhurmat e luftës, sepse lufta është e ndaluar në të.
– Muaji Rexheb quhet muaji i derdhjes, sepse në të Allahu derdh mëshirë për robtë e Tij.
– Muaji Rexheb ka një rëndësi të madhe, sepse përfshin: Përmendjen e dërgimit të Profetit të Mëshirës, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që ka ndodhur me 27 Rexheb. Dhe, gjithashtu, përfshin lindjen e të dashurit të Allahut, Prijësi i besimtarëve, imam Aliu i biri i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka lindur me 13 Rexheb. Gjithashtu, në të ka edhe ndodhi të ndryshme si ditëlindja e imam El Bakir, ditëlindja e imam El Hadi, martirizimi i imam El Hadi, lindja e imam Xhevadit, etj.
– Muaji Rexheb është muaji i pastrimit të zemrës dhe shpirtit. Është muaji i lutjes, i përuljes, i përkujtimit, i pendimit, i pastrimit nga gjynahet dhe nga veprat e këqija.
– Muaji Rexheb është pranvera e adhurimit, i përgjërimit dhe i lutjes drejtuar Allahut. Muaji Rexheb është një muaj i përkujtimit, i kthimit te Allahu, i kërkimit të ndihmës dhe i forcimit të marrëdhënieve me Allahun e Madhëruar.
– Muaji Rexheb është muaji i kërkimit të faljes. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Rexhebi është muaji i kërkimit të faljes për ummetin tim, prandaj shtojeni kërkimin e faljes në të, sepse Ai (Allahu) është Falës dhe Mëshirues.” (Burimi: “Zadul Me’adi”, f. 5.)
Muaji Rexheb është muaji në të cilin shumëfishohen të mirat. Për këtë, imam Musa ibn Xha’ferr El Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Rexhebi është muaj madhështor në të cilin Allahu i shumëfishon të mirat dhe i fshin të këqijat. Kush agjëron një ditë në muajin Rexheb, Xhehenemi do të jetë larg tij sa distanca e ecjes një vit dhe kushdo që agjëron tri ditë, atij i obligohet Xhenneti.” (Burimi: “Men la jehdheruhu el fakijh”, i autorit Shejkh Sadukut, vëll. 2, f. 92.)
Muaji Rexheb është muaji i dhënies së sadekasë. Transmetohet nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush jep sadeka në Rexheb duke kërkuar afrimin tek Allahu, Allahu do ta nderojë atë në Ditën e Kijametit në Xhennet me një shpërblim që asnjë sy nuk e ka parë, asnjë vesh nuk e ka dëgjuar dhe asnjë njeri nuk e ka menduar.” (Burimi: “Amalij”, i Shejkh Es Saduk, f. 323.)
– Rexhebi është një lumë në Xhennet. Imam Musa ibn Xha’ferr El Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Rexhebi është një lumë në Xhennet, më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Kush agjëron një ditë në Rexheb, Zoti do t’i japë të pijë nga ai lumë.” (Burimi: “Men la jehdheruhu el fakijh”, i autorit Shejkh Sadukut, vëll. 2, f. 92.)
– Muaji Rexheb dhe muaji Sha’ban, e përgatisin zemrën e besimtarit për të hyrë në muajin e Ramazanit. I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kur shikonte hënën e re të muajit Rexheb, bënte këtë lutje: “O Allah! Na beko gjatë Rexhepit dhe Shabanit dhe na mundëso të arrijmë Ramazanin!”
اللَّهُمَّ بارِكْ لنا في رَجَبٍ وشَعْبانَ، وبَلِّغْنا رَمَضانَ.
Mirësia e muajit Rexheb në Jetën Tjetër
Është transmetuar nga Ebu Ramah El Hadramij, i cili ka thënë: Kam dëgjuar Xha’ferr ibn Muhamed ibn Ali (Zejnul Abidijn) (Paqja qoftë mbi të!) duke thënë: “Kur të vijë Dita e Kijametit, një thirrës do të thërrasë: Ku janë ata që e nderuan muajin Rexheb (rexhebijunët)? Atëherë do të ngrihet një grup njerëzish fytyrat e tyre do të ndriçojnë të gjithë njerëzit e tubuar dhe në kokat e tyre do të kenë kurora mbretërore me perla dhe rubin. Me secilin prej tyre janë një mijë engjëj, në të djathtën e tij dhe një mijë engjëj në të majtë, duke thënë: Urime! Allahu i Madhëruar e i Lartësuar të nderoi ty o rob i Alahut! Pastaj vjen thirrja nga Allahu i Madhëruar, i Cili thotë: O robtë e Mi oj robinat e Mia! Betohem në fuqinë dhe madhështinë Time se do t’ju dhuroj prehjen më të nderuar, do t’ua shpërblej dhëniet tuaja, dhe do t’ju vendos në dhoma në Xhennet, në të cilat rrjedhin lumenj, sa shpërblim i mrekullueshëm është për punëmirët. Ju agjëruat vullnetarisht për Mua në një muaj të cilin Unë e kam lartësuar shenjtërinë e tij dhe e kam obliguar të drejtën e tij. O engjëjt e Mi, futini robtë e Mi dhe robinat e Mia në Xhennet. Pastaj Xha’ferr ibn Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Kjo është për atë që agjëron ndonjë pjesë të Rexhebit, qoftë edhe një ditë, në fillim, në mes ose në fund të tij” (Burimi: “Fadlu Eshkuri Thelathe”, f. 31)
Muaji Rexheb na mëson të ndalemi, të reflektojmë dhe të kthehemi te Allahu, duke e përgatitur veten shpirtërisht për muajt e mëdhenj që pasojnë: Shabanin dhe Ramazanin.
Allahu na i pranoftë veprat, lutjet dhe adhurimet në këtë muaj të shenjtë të Rexhebit! Na kujtoni në lutjet tuaja!

