Në ajetin 185 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:

{…فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ…}

“…kushdo nga ju e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë…”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Falënderojmë Allahun e Madhëruar që edhe një here na e dha mundësinë të arrijmë muajin e mëshirës, faljes dhe shpëtimit, Muajin e Ramazanit. Ky muaj është një dhuratë nga Allahu, një stinë shpirtërore ku zemrat zbuten, mëkatet falen dhe shpirtrat afrohen më shumë me Krijuesin.

Qëllimi i muajit Ramazanit është ndërgjegjësimi i vazhdueshëm dhe devotshmwria. Agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi dhe pija, por është disiplinë e syrit, e gjuhës, e zemrës dhe e mendjes.

I Dërguari i Allahut, Profeti Muhammad (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet e mëparshme.”

Sa lajm i madh! Ramazani është një fillim i ri. Është mundësia për të hapur një faqe të bardhë në jetën tonë.

Në një hadith tjetër Profeti ka thënë: “Çdo gjë ka zekatin e vet, ndërsa zekati i trupave është agjërimi.”

Pra, ashtu si pasuria pastrohet me zekat, edhe trupi e shpirti pastrohen me agjërim. Ramazani është pastrim i brendshëm, është rikthim tek natyra e pastër (fitra).

Në ajetin 185 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe argumente të qarta për udhëzim dhe dallim (të së vërtetës nga e kota).”

Sipas këtij ajeti të begatë muaji i Ramazanit është muaji i Kur’anit. Në këtë muaj, le ta bëjmë Kur’anin shokun tonë të përditshëm: ta lexojmë, ta meditojmë dhe ta zbatojmë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Imam Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa agjërues ka që nga agjërimi i tyre nuk përfitojnë veçse uri dhe etje.”

Kjo na mëson se thelbi i agjërimit është përmirësimi moral. Nëse gjuha jonë vazhdon me përgojim, zemra me zili, e dora me padrejtësi, atëherë kemi humbur frytin e Ramazanit.

Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur të agjërosh, le të agjërojë edhe dëgjimi yt, shikimi yt dhe gjuha jote nga mëkatet.”

Pra, Ramazani është një shkollë e vetëkontrollit dhe e edukimit shpirtëror.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ky muaj është edhe muaj i mëshirës. Është muaji në të cilin jemi të ftuar në gostinë e Allahut, siç ka thënë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) në hytben e tij në pritje të muajit të Ramazanit: “Ai është muaji në të cilin jeni ftuar në gostinë e Allahut.”

Sa nder i madh të jesh mysafir i Allahut! Ramazani nuk është mysafir i zakonshëm. Ai është mysafir i shpirtit.

Nëse duam: Falje, afërsi me Allahun dhe ndryshim të vërtetë duhet të hyjmë në muajin e Ramazani me zemër të pastër me gjynahe të lëna, me manete të kthyera dhe me endim të sinqertë.

Në këtë muaj, dyert e qiellit hapen dhe dyert e Xhehenemit mbyllen. Prandaj, le të jetë ky Ramazan muaj i pendimit të sinqertë; Muaj i faljes së njëri-tjetrit; Muaj i ndihmës për të varfrit; Muaj i forcimit të lidhjeve familjare; Muaj i lutjes së thellë dhe të sinqertë

Allahu thotë: “Më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj juve.” (Sure “El Bekare”, ajeti 152)

Sa bukur do të ishte që ky Ramazan të na bëjë nga ata që Allahu i përmend me mëshirë!

Në këtë muaj është edhe Nata e Kadrit, për të cilën Allahu thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (Sure “El Kadr”, ajeti 3)

Kjo Natë e Madhe është një natë që mund të ndryshojë fatin e jetës sonë. Le të mos e humbasim me pakujdesi.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Le të mos jetë ky Ramazan si të tjerët. Le të jetë Ramazani i kthesës.

Uroj që ky Ramazan të jetë dritë për zemrat tona; Qetësi për shpirtrat tanw; Falje për mëkatet tona; Forcë për besimin tonw dhe shkak për afrimin tonw me Allahun e Madhwruar.

Allahu na bëftë prej atyre që e agjërojnë me sinqeritet, që e kalojnë këtë muaj të begatë me ibadet, dhe që dalin prej tij të falur e të pastruar!

Allahu e pranoftë agjërimin, namazin, lutjet dhe çdo vepër të mirë nga ju dhe familjet tuaja!

Ramazan të begatë dhe të pranuar!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed