Muaji i Ramazanit është një kohë kur shoqëria merr një frymë tjetër – më të qetë, më të ndjeshme dhe më të bashkuar. Ai nuk ndikon vetëm në marrëdhënien e njeriut me Zotin, por edhe në mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin. Gjatë këtij muaji, rrugët, shtëpitë dhe xhamitë mbushen me një ndjenjë përkatësie dhe bashkësie, ku secili ndien se është pjesë e një trupi të vetëm shoqëror.
Ramazani e zgjon ndjenjën e solidaritetit dhe e vendos në qendër të jetës shoqërore kujdesin për tjetrin. Agjërimi i përbashkët krijon empati reale, sepse privimi i përkohshëm e bën njeriun më të vetëdijshëm për hallet e atyre që jetojnë çdo ditë me mungesë. Në këtë klimë, bamirësia nuk shihet si detyrim formal, por si nevojë morale; ndihma, vizitat, iftaret e përbashkëta dhe aktet e mirësisë bëhen ura që forcojnë lidhjet ndërmjet familjeve dhe komunitetit.
Kështu, Muaji i Ramazanit shndërrohet në një moment rigjenerimi shoqëror. Ai ul tensionet, zbut zemrat dhe nxit kulturën e faljes e mirëkuptimit. Nëse këto vlera mbahen gjallë edhe pas mbarimit të tij, atëherë ndikimi i Ramazanit nuk kufizohet në tridhjetë ditë, por bëhet themel i një shoqërie më të drejtë, më të kujdesshme dhe më të bashkuar.
————————————————-
Muaji Ramazan, përveçse është një rast fetar, ka edhe një dimension të theksuar shoqëror, i cili e bën atë një mundësi për realizimin e shumë qëllimeve sociale, prerj të cilave janë
1- Ndjeshmëria ndaj të varfërve
El Fadl ibn Shadhan ka transmetuar nga imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Vërtet, ata janë urdhëruar me agjërim që të ndiejnë dhimbjen e urisë dhe të etjes, në mënyrë që të kuptojnë varfërinë e Ahiretit; që agjëruesi të jetë i përulur, i nënshtruar, i thjeshtë, i shpërblyer dhe i vetëdijshëm, i durueshëm ndaj asaj që e godet nga uria dhe etja; që kështu të meritojë shpërblimin, krahas asaj që përmban agjërimi nga përmbajtja prej epsheve; që kjo të jetë këshillë për ta në këtë botë dhe stërvitje për ta në përmbushjen e detyrimeve që u janë ngarkuar; dhe udhëzim për ta në botën tjetër; dhe që të njohin sa e rëndë është kjo gjendje për njerëzit e varfër dhe nevojtarë në këtë botë, në mënyrë që t’u japin atyre atë që Allahu ua ka bërë detyrim në pasuritë e tyre.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 4.).
Ky hadith tregon se muaji i Ramazanit zgjon ndjeshmërinë sociale ndaj të varfërve; Forcon solidaritetin dhe mëshirën në shoqëri; E mëson njeriun të mos jetë egoist, por të ndjejë dhimbjen e tjetrit; E nxit të përmbushë detyrimet financiare si zekati, sadakaja dhe ndihma ndaj nevojtarëve.
Kështu që muaji i Ramazanit nuk është vetëm adhurim individual, por edhe ndërtim i një shoqërie të drejtë, të mëshirshme dhe solidare.
2- Barazia mes të pasurit dhe të varfrit
Agjërimi është një nga mjetet më të rëndësishme shoqërore që e vendos të pasurin dhe të varfrin në të njëjtin nivel. Të dy ndalohen nga ushqimi, pija dhe gjërat e tjera; rregullat fetare janë të njëjta për të dy.
Është transmetuar nga Hisham ibn El Hakem se e imam Xha’ferr Sadikun (Paqja qoftë mbi të!) rreth agjërimit, dhe ai tha: “Allahu e bëri detyrë agjërimin që përmes tij të barazohet i pasuri me të varfrin. Sepse i pasuri nuk e ndiente urinë që të mëshironte të varfrin; ngase sa herë që donte diçka, kishte mundësi ta arrinte. Prandaj Allahu i Lartësuar deshi t’i barazojë krijesat e Tij dhe t’ia bëjë të shijojë të pasurit dhimbjen e urisë dhe të vuajtjes, që t’i zbutet zemra ndaj të dobëtit dhe ta mëshirojë të uriturin.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 3).
Muaji i Ramazanit shkatërron muret e arrogancës dhe e zgjon ndjenjën e dhembshurisë në zemrën e të pasurit.
3- Pastrimi shpirtëror dhe pajtimi mes besimtarëve
Një tjetër vlerë shoqërore është pastrimi i zemrave, falja e ndërsjellë dhe kërkimi i hallallit.
Është transmetuar nga Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut më tha: A të të tregoj për moralin më fisnik të kësaj bote dhe të botës tjetër? Të mbash lidhje me atë që të ka ndërprerë, t’i japësh atij që të ka privuar dhe ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi.” (Et Tabaranij, “El Mu’xhemul Eusat”, Seksioni i vërtetimit nga Darul Haramajn, 1415 hixhri/1995, vëll. 5, f. 364.).
Muaji i Ramazanit është muaji i faljes, i pajtimit dhe i pastrimit të zemrave nga urrejtja, xhelozia dhe armiqësia. Një shoqëri që fal dhe pajtohet është një shoqëri e fortë dhe e bekuar.
4- Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Muaji i Ramazanit është muaj pajtimi dhe shuarjeje të konflikteve mes njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Dhe mos u grindni mes jush, se do të dobësoheni dhe do t’ju humbasë forca.” (Sure “El Enfal”, ajeti 46.).
Grindjet dhe përçarjet e dobësojnë shoqërinë dhe e largojnë bekimin. Muaji i Ramazanit është mundësi për të shuar hasmëritë, për të ndërmjetësuar mes njerëzve dhe për të forcuar unitetin.
5- Mbajtja e lidhjeve
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është një nga konceptet themelore islame në marrëdhëniet shoqërore, veçanërisht në muajin e Ramazanit.
I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mb familjen e tij!) ka thënë: “Mbani lidhjet farefisnore.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 227.)
Po ashtu ka thënë: “Kush në këtë muaj mban lidhjet farefisnore, Allahu do ta lidhë atë me mëshirën e Tij në Ditën kur do ta takojë.”
Muaji i Ramazanit është kohë për vizita, pajtim mes të afërmve, përforcim të dashurisë familjare dhe largim të ftohtësisë mes zemrave.
6- Komunikimi me shokët dhe me miqtë
Zemrat në muajin Ramazan zakonisht janë më të qeta dhe më të buta. Takimi mes besimtarëve bëhet me më shumë dashuri, respekt dhe përzemërsi. Vizitat dhe komunikimi për hir të Allahut forcojnë vëllazërinë dhe ndërtojnë një shoqëri të bashkuar e të mëshirshme.
Transmetohet nga Bekr ibn Muhamed El Ezdij se ka dëgjuar Ebu Abdullahun, imam Sadikun (Paqja qoftë mbi të!), duke thënë: “Kur e viziton një musliman vëllanë e tij për hir të Allahut, Allahu i Madhëruar e thërret: O vizitor, je i mirëpritur dhe Xhenneti është bërë i këndshëm për ty.” (Es Saduk, “Musadekatul Ikhuan”, nën mbikëqyrjen e Ali El Khorasanij El Kadhimij, Biblioteka e imam Sahib Ez Zeman, pa datë botimi, f. 56.).
7- Kujdesi për nevojtarët
Duhet të kujdesemi për të dobëtit, të varfrit dhe nevojtarët e shoqërisë, për ata që janë më së shumti në nevojë për ndihmë dhe ngushëllim. Muaji i Ramazanit është muaj i solidaritetit dhe i ndarjes së mirësive me ata që kanë më pak.
I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Jepni sadaka të varfërve dhe nevojtarëve tuaj.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 227.)
8- Sjellja e mirë me të mëdhenjtë dhe të vegjlit
Shoqëria islame bazohet mbi respektin ndaj të moshuarve dhe dhembshurinë ndaj fëmijëve. I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nderoni të mëdhenjtë tuaj dhe mëshironi të vegjlit tuaj.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 227.).
9- Nderimi i jetimëve
Kujdesi për jetimët është nga veprat më të dashura tek Allahu dhe një tregues i butësisë së zemrës. I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e nderon një jetim në këtë muaj, Allahu do ta nderojë atë në Ditën kur do ta takojë.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 227.).
10- Dhënia e iftarit agjëruesit
I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush prej jush i jep iftar një besimtari agjërues në këtë muaj, do të ketë tek Allahu shpërblimin e lirimit të një robi dhe faljen e mëkateve të kaluara.” (El Hurr El Amilij, “Uesailu Esh Shiati”, burimi i mëparshëm, vëll. 7, f. 99.)
Edhe një hurmë, një gotë ujë apo një vakt i thjeshtë, nëse jepet me sinqeritet, ka shpërblim të madh.
Marrë nga libri: Zadul Huda fi Shahrilah – Seria Zadul Mubal’lig – Botuar nga Darul Ma’arif El Islamijjeh Eth Thekafijjeh.
