Muaji i bekuar i Ramazanit nuk është thjesht një periudhë kalendarike që kalon mes muajve të tjerë; ai është një stinë drite që zbret mbi zemrat e besimtarëve, një kohë në të cilën qielli i mëshirës hapet dhe shpirti ftohet drejt pastrimit dhe afrimit me Krijuesin.

Është muaji në të cilin agjërimi bëhet mburojë, lutja bëhet frymëmarrje e shpirtit dhe çdo vepër e mirë shumëfishohet me një bujari hyjnore që tejkalon imagjinatën njerëzore. Ramazani vjen si një ftesë për reflektim, për pendim të sinqertë dhe për ringjallje të ndërgjegjes.

Prej cilësive dhe veçorive të këtij muaji madhështor është fakti se ai është muaji i zbritjes së Kur’anit, muaji i faljes së mëkateve dhe i çlirimit nga zjarri, muaji në të cilin zemrat zbuten dhe shpirtrat pastrohen.

Ai është një shkollë shpirtërore ku besimtari mëson durimin, sinqeritetin dhe përkushtimin; një periudhë ku njeriu mëson të kontrollojë dëshirat dhe të forcojë lidhjen me Allahun.

—————————————————-

Ramazani është një udhëtim nga errësira e neglizhencës drejt dritës së devotshmërisë, nga shpërqendrimi drejt përqendrimit, nga rutina drejt vetëdijes së thellë shpirtërore.

Cilësia e parë: Muaji i Ramazanit është Muaji i Allahut

Atributimi i disa gjërave Allahut të Madhëruar nuk është vetëm një atribuim nderimi, por ka edhe dimensione të tjera. Kur thuhet: “Shtëpia e Allahut” apo “Muaji i Allahut”, synohet që ky vend dhe kjo kohë kanë veçori të posaçme, si nga aspekti sasior ashtu edhe cilësor, që i bëjnë më afër zbitjes së mirësive dhe mëshirave të Allahut të Madhëruar

Pra, Muaji i Allahut është një muaj i veçantë në aspektin kohor, në të cilin robtë e Allahut janë më afër për të arritur begatitë dhe mirësitë hyjnore, të cilat në këtë muaj janë më të mëdha dhe më të plota se në çdo kohë tjetër. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: “Ju jeni ftuar në të (në këtë muaj) në gostinë e Allahut.”

Shtimi i fjalës “muaj” te përemri që i referohet Atij (Allahut), ose bëhet për ta madhëruar atë, ose për të treguar se agjërimi i përket në mënyrë të veçantë Allahut. Ky kuptim kuptohet edhe nga Hadithi Kudsij, ku transmetohet nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) se ka thënë: “Allahu i Lartësuar i ka bërë veprat e mira të bijve të Ademit me dhjetëfish shpërblim, përveç agjërimit; sepse Ai ka thënë: ‘Agjërimi është për Mua dhe Unë Vetë shpërblej për të.’”

Cilësia e dytë: Muaji i Ramazanit

Sa i përket prejardhjes (etimologjisë) së fjalës “Ramazan”, ekzistojnë disa mendime, ndër të cilat më të rëndësishmet janë:

I pari: Fjala Ramazan vjen nga fjala “ramadun”, që do të thotë nxehtësia e gurëve nga intensiteti i vapës së diellit. Ky muaj u quajt Ramazan sepse detyrimi i agjërimit të tij përkoi me një periudhë vape të madhe.

I dyti: Mendohet se rrjedh nga fjala ramid (ose ramidha), që nënkupton retë dhe shiun në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës. U quajt kështu sepse ai shi largon dhe zbut nxehtësinë e diellit. Po kështu, ky muaj u quajt Ramazan sepse lan dhe pastron trupat (shpirtrat) nga gjynahet dhe mëkatet.

Është transmetuar nga Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) se ka thënë: “Është quajtur Ramazan, sepse në të digjen (përvëlohen) gjynahet.” (domethënë ato digjen dhe shuhen).

Cilësia e tretë: Muaji i Agjërimit

Shprehja “Muaji i Agjërimit” ose është zëvendësim për “Muajin e Ramazanit”, ose është një sqarim lavdërues në formë madhërimi, ashtu siç është thënë në Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu e bëri Qaben – Shtëpinë e Shenjtë…”

Ndoshta përmendja e kësaj cilësie bëhet për të tërhequr vëmendjen se detyra më e rëndësishme dhe më madhështore në këtë muaj është agjërimi.

Cilësia e katërt: Muaji i Islamit

“Muaji i Islamit”, domethënë muaji i nënshtrimit dhe i bindjes, që është shkalla më e lartë e besimit. Ky është kuptimi i Fjalës së Allahut, duke treguar për mikun e Tij (Ibrahimin): “…i përkushtuar (hanif), musliman (i nënshtruar Allahut…”

Lejohet, gjithashtu, që të synohet kuptimi i tij i përgjithshëm, sepse ky muaj është prej shenjave dalluese të muslimanëve. Ata njihen dhe dallohen përmes tij nga ndjekësit e feve dhe besimeve të tjera.

Pra, Muaji i Ramazanit është Muaji i Islamit për disa arsye, prej të cilave përmendim:

Së pari: Islami, në kuptimin gjuhësor, do të thotë dorëzim dhe nënshtrim. Ky muaj është muaji i dorëzimit, bindjes dhe përkushtimit ndaj urdhrave dhe ndalesave të Allahut.

Së dyti: Në kuptimin e veçorisë së ummetit islam, sepse agjërimi në formën e tij të plotë dhe përfundimtare është një nga veçoritë e umetit islam.

Së treti: Është muaji i shfaqjes së moralit të Islamit, si: mbajtja e lidhjeve farefisnore, adhurimi në xhami, ndihma ndaj të varfërve, leximi i Kur’anit, dhe vepra të tjera të mira.

Cilësia e pestë: Muaji i Pastrimit

Muaji i Ramazanit Pastron njerëzit nga ndyrësia e mëkateve.

Pra, agjërimi, leximi i Kur’anit, sadekatë, bamirësitë dhe veprat e tjera të mira, të gjitha janë për ta pastruar njeriun nga ndyrësia e mëkateve dhe mosbindjes.

Cilësia e gjashtë: Muaji i qëndrimit (Shehrul Kijam)

Sepse në muajin e Ramazanit njeriu duhet të ngrihet natën për adhurim, apo të qëndrojë në falje dhe përkushtim.

Allahu i Lartësuar thotë: “O ti i mbuluar (me rroba)! Çohu natën, përveç një pjese të vogël të saj; gjysmën e saj, ose pakësoje pak, ose shtoje mbi të dhe lexoje Kur’anin me lexim të qartë e të rregullt.”

Cilësia e shtatë Muaji i zbritjes së Kur’anit

Allahu i Lartësuar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin është zbritur Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe argumente të qarta nga udhëzimi dhe Dalluesi (mes së vërtetës dhe së pavërtetës).”

Është transmetuar nga imam Xhaʿferr ibn Muhamed Es Sadik (Paqja qoftë mbi të!) se Kur’ani ka zbritur në Ramazan njëherësh (në tërësi) në qiellin e dynjasë, pastaj ka zbritur pjesë-pjesë në tokë.

Është thënë gjithashtu: “Allahu i Madhëruar e zbriti të gjithë Kur’anin në Natën e Kadrit në qiellin e dynjasë, pastaj ia zbriti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) pjesë-pjesë gjatë njëzet viteve.”

E kanë pyetur imam Sadikun (Paqja qoftë mbi të!) për thënien e ajetit: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin është zbritur Kur’ani” se si është zbritur në të Kur’ani, kur ai është zbritur gjatë njëzet viteve nga fillimi deri në fund?

Ai (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Kur’ani zbriti njëherësh në muajin e Ramazanit në Bejtul Ma‘mur, pastaj prej Bejtul Ma‘murit zbriti gjatë njëzet viteve.”

Cilësia e tetë: Muaji i Ramazanit është muaji i zbritjes së librave qiellorë

Është transmetuar se Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Fletët e Ibrahimit zbritën në natën e parë të muajit Ramazan;

Teurati zbriti pas gjashtë netëve të Ramazanit;

Inxhili zbriti pas trembëdhjetë netëve të Ramazanit;

Zeburi zbriti pas tetëmbëdhjetë netëve të Ramazanit;

ndërsa Kur’ani zbriti pas njëzet e katër netëve të Ramazanit.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Këto ishin dhe tetë cilësitë më kryesore të këtij muaji të begatë. Në përmbyllje, muaji i bekuar i Ramazanit mbetet një dhuratë hyjnore që i jep besimtarit mundësinë të rilindë shpirtërisht, të pastrojë zemrën dhe të forcojë lidhjen me Allahun. Ai është një periudhë e artë ku mëshira, falja dhe mirësia derdhen me bollëk, dhe i lumtur është ai që e shfrytëzon këtë muaj për t’u afruar më shumë me Zotin dhe për të dalë prej tij më i pastër, më i fortë dhe më i ndërgjegjshëm në besim.

Lus Allahun që të na bëjë prej atyre që e kalojnë muajin e Ramazanit me adhurim e me vepra të mira!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed