Njeriu në Kur’an paraqitet si krijesa më e nderuar në tokë, bartës i një misioni të lartë dhe i një përgjegjësie të shenjtë. Që në momentin e krijimit të tij, Allahu e veçon atë me një nderim të jashtëzakonshëm, duke e formësuar me “duart” e fuqisë së Tij dhe duke i fryrë nga shpirti i Tij.

Kjo nuk është thjesht një përshkrim i origjinës biologjike të njeriut, por një shpallje e vlerës së tij ontologjike se ai është qenie që bashkon trupin prej dheu me shpirtin hyjnor, materien me përjetësinë. Në këtë ndërthurje qëndron madhështia e tij, aftësia për t’u ngritur mbi instinktin dhe për të synuar përsosmërinë morale e shpirtërore.

Kur’ani e paraqet njeriun si halife (mëkëmbës) në tokë, një titull që ngërthen përgjegjësi, dije dhe drejtësi. Ai nuk është krijuar kot, as nuk është lënë pa udhëzim, përkundrazi, atij i është dhënë arsyeja për të dalluar të vërtetën nga e kota, zemra për të ndier dritën e besimit dhe vullneti për të zgjedhur mes rrugës së drejtë dhe asaj të devijimit.

Madhështia e njeriut nuk qëndron vetëm në pozitën që i është dhënë, por në potencialin për t’u bërë pasqyrë e emrave dhe cilësive hyjnore përmes drejtësisë, mëshirës, faljes dhe dijes.

——————————————————–

Allahu e ka nderuar njeriun sepse ai është krijuar me një qëllim të lartë dhe me një përbërje unike që e dallon nga çdo krijesë tjetër. Në Kur’an thuhet se Allahu “e krijoi njeriun në formën më të bukur”, duke i dhënë atij harmoni trupore, por mbi të gjitha duke i fryrë nga shpirti i Tij.

Ky frymim shpirtëror është burimi i dinjitetit të njeriut dhe se ai nuk është vetëm trup prej dheu, por bartës i një dimensioni hyjnor që e bën të aftë për njohje, adhurim dhe afrimitet me Krijuesin.

1 – E ka dalluar mbi krijesat e tjera

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ne, me të vërtetë, i kemi nderuar bijtë e Ademit, i kemi bartur në tokë dhe në det, i kemi furnizuar me gjëra të mira dhe i kemi dalluar mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (Sure “El Isra”, ajeti 70.)

Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

“Allahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën dhe derdhi nga qielli ujë, me të cilin nxori fruta për furnizimin tuaj; ka vënë në shërbim tuaj anijet që të lëvizin në det me urdhërin e Tij, lumenjtë, diellin dhe hënën që punojnë vazhdimisht, natën dhe ditën; ju ka dhuruar nga çdo gjë që kërkuat. Nëse do të numëronit bekimet e Allahut, nuk do t’i përmendnit të gjitha. Me të vërtetë, njeriu është zullumqar dhe mohuese.” (Sure “Ibrahim”, ajetet 32–34)

Ky dallim që Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut mbi krijesat e tjera nuk është vetëm një epërsi fizike apo materiale, por një ngritje në rang dhe përgjegjësi. Ajeti i sures El-Isra e thekson qartë nderimin e bijve të Ademit: ata janë bartur në tokë e në det, janë furnizuar me të mira dhe janë veçuar mbi shumë krijesa.

Ky veçim përfshin arsyen, të folurin, ndërgjegjen morale dhe aftësinë për të njohur Krijuesin. Ndërsa shumë krijesa ndjekin ligjin e instinktit, njeriu është pajisur me vetëdije dhe zgjedhje, duke u bërë kështu qenie që mund të ngrihet në shkallët më të larta të afërsisë me Allahun përmes besimit dhe veprave të mira.

Po ashtu, në ajetet e sures Ibrahim, Allahu rendit një varg bekimesh që tregojnë se universi është vënë në shërbim të njeriut: qiejt e toka, shiu, frutat, anijet që çajnë detin, lumenjtë që rrjedhin, dielli e hëna që lëvizin me përpikëri, nata dhe dita që alternohen me urtësi.

Ky nënshtrim i kozmosit tregon pozitën e veçantë të njeriut në rendin e krijimit. Megjithatë, ajeti përfundon me një paralajmërim të thellë: njeriu shpesh bëhet zullumqar dhe mohues. Kjo do të thotë se dallimi dhe nderimi i tij janë një prove, se sa më i madh bekimi, aq më e madhe përgjegjësia për falënderim, drejtësi dhe përulësi para Atij që e ka ngritur mbi shumë prej krijesave të Tij.

 

2 – E ka përgatitur për të mbajtur amanetin

Allahu i Madhëruar, gjithashtu thotë:

Ne i kemi ofruar amanetin (detyrën e përgjegjësisë) qiejve, tokës dhe maleve, por ata e refuzuan dhe frikësuan prej tij; e mbajti njeriu, me të vërtetë ai ishte i padrejtë.” (Sure “El Ahzab”, ajeti 72).

3 – Nderimi me dijen

Allahu i Madhëruar, gjithashtu thotë:

“e mësoi njeriun atë që nuk e dinte.” (Sure “El Alak”, ajeti 5)

Allahu e ka nderuar njeriun me dijeni, duke i dhënë mundësinë të mësojë, të kuptojë dhe të përparojë, një bekim që e dallon atë mbi krijesat e tjera.

4 – Nderimi me vullnetin

Nderimi që Allahu i ka dhënë njeriut nuk është thjesht një titull i shkruar në faqet e shpalljes, por një thirrje e përhershme për ta jetuar atë dinjitet. Ai është krijuar me shpirt që kërkon qiellin, me zemër që njeh të vërtetën dhe me mendje që dallon dritën nga errësira. Kur njeriu e kupton këtë amanet dhe e jeton me përulësi, drejtësi dhe devotshmëri, ai bëhet pasqyrë e mëshirës hyjnore në tokë. Atëherë madhështia e tij nuk është më vetëm potencial, por realitet i gjallë.

Allahu i Madhëruar thotë:

Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Sure “Esh Shems”, ajetet 7–10).

Allahu i ka dhënë njeriut aftësinë e vullnetit, për të zgjedhur mes të mirës dhe të keqes, duke e bërë përgjegjës për veprat e tij.

5– I ka dhënë lirinë e zgjedhjes

Allahu e ka nderuar njeriun edhe duke i dhënë arsyen (‘aql) dhe lirinë e zgjedhjes. Ndryshe nga krijesat që veprojnë vetëm sipas instinktit, njeriu ka aftësinë të dallojë të drejtën nga e gabuara, të zgjedhë mes udhëzimit dhe devijimit.

Ky vullnet i lirë është shenjë besimi që Allahu ka vendosur tek ai. Pikërisht sepse ai mund të zgjedhë bindjen me vetëdije, adhurimi i tij ka vlerë të lartë. Madhështia e tij nuk është në forcë fizike, por në ndërgjegjen morale.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj; kush të dojë le të besojë, e kush të dojë le të mohojë…” (Sure “El Kehf”, ajeti 29).

Dhe, gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

“Ne e kemi udhëzuar (njeriun) në rrugë, qoftë për të qenë mirënjohës, qoftë për të mohuar.” (Sure “El Insan”, ajeti 3).”

Kjo tregon se njeriu ka lirinë e zgjedhjes dhe është përgjegjës për rrugën që zgjedh në jetën e tij.

Allahu e ka nderuar njeriun edhe duke i nënshtruar atij shumë prej krijesave të tokës dhe qiejve, duke i dhënë mundësinë të përfitojë nga natyra, të ndërtojë qytetërime dhe të zhvillojë dije. Por ky nderim nuk është privilegj i zbrazët; është provë. Nëse ai e përdor këtë dhuratë për drejtësi dhe falënderim, ai e realizon madhështinë e tij. Nëse e përdor për padrejtësi dhe arrogancë, ai e humbet dinjitetin që i është dhënë.

Pra, Allahu e ka nderuar njeriun sepse ai është krijuar për njohje, për adhurim dhe për përfaqësim të vlerave hyjnore në tokë. Nderimi i tij buron nga potenciali për t’u afruar me Krijuesin dhe për të reflektuar dritën e Tij në këtë botë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Madhështia e njeriut qëndron në zgjedhjen e tij për t’u ngritur. Ai mund të jetë thjesht një trup që kalon nëpër kohë, ose mund të jetë shpirt që lë gjurmë përjetësie. Sa herë që ai zgjedh të vërtetën mbi epshin, faljen mbi hakmarrjen dhe mirënjohjen mbi harresën, ai e rikthen veten në vendin e nderuar që Allahu ia ka caktuar. Dhe kështu, njeriu bëhet dëshmi e gjallë e madhështisë së krijimit dhe e urtësisë së Krijuesit.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Fill out this field
Fill out this field
Please enter a valid email address.
You need to agree with the terms to proceed