Muaji i Allahut vjen si një stinë e mëshirës, ku zemrat hapen dhe shpirtrat kërkojnë ushqimin e tyre të vërtetë. Në këtë muaj të bekuar, furnizimi nuk matet me tryeza të mbushura apo pasuri të shtuar, por me dritën që zbret në zemër dhe me qetësinë që vendoset në ndërgjegje. I devotshmi e kupton se uria e trupit është vetëm një urë për të zgjuar etjen e shpirtit drejt afërsisë me Allahun.
Furnizimi i të devotshmëve në muajin e Allahut është furnizim me falje, me durim dhe me vetëpërmbajtje. Çdo agjërim është një mësim disipline, çdo lutje një ngritje në gradë, çdo ajet një dritë që ndriçon errësirat e brendshme. Në këtë muaj, zemra stërvitet të heqë dorë nga tepricat dhe të kapet fort pas asaj që është e përhershme.
Ky furnizim nuk është i dukshëm për syrin, por është i ndjeshëm për shpirtin. Ai shfaqet në butësinë e fjalës, në pastërtinë e qëllimit dhe në forcën për t’i rezistuar mëkatit. I devotshmi del nga ky muaj i ndryshuar, sepse ka ushqyer atë pjesë të vetes që shpesh lihet pas dore gjatë vitit.
—————————————————–
Në muajin e Allahut, furnizimi i të devotshmëve merr forma të shumta: shtim të përmendjes së Allahut, thellim të lidhjes me Kur’anin dhe zgjerim të mëshirës ndaj të tjerëve. Agjërimi dobëson epshin, por forcon vullnetin, pakëson konsumimin, por shton ndërgjegjësimin.
Netët e gjata me lutje bëhen momente ku robi e rishikon veten, kërkon falje dhe rregullon qëllimet. Kështu, furnizimi i vërtetë bëhet një kapital shpirtëror që mbetet edhe pasi muaji përfundon.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O njerëz! Me të vërtetë, ju ka ardhur muaji i Allahut me begati, mëshirë dhe falje. Është një muaj që tek Allahu është më i miri ndër muajt; ditët e tij janë ditët më të mira, netët e tij janë netët më të mira dhe orët e tij janë orët më të mira. Është muaji në të cilin jeni ftuar në mikpritjen e Allahut dhe jeni bërë prej atyre që gëzojnë nderimin e Allahut. Frymëmarrja juaj në të është tesbih (lavdërim i Allahut), gjumi juaj është adhurim, veprat tuaja janë të pranuara dhe lutjet tuaja janë të pranuara. Prandaj kërkoni prej Allahut, Zotit tuaj, me qëllime të sinqerta dhe me zemra të pastra, që t’ju japë sukses për agjërimin e tij dhe për leximin e Librit të Tij. Vërtet, i mjerë është ai që privohet nga falja e Allahut në këtë muaj madhështor.”
I Dërguari fisnik (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e nis këtë hutbe me shprehje madhërimi për muajin e bekuar të Ramazanit dhe i sqaron veçoritë më të rëndësishme të tij duke theksuar se ai është më i miri ndër muajt dhe se është muaji i mikpritjes hyjnore…
Që ky muaj i bekuar të mos na kalojë si muajt e tjerë të vitit, duhet së pari ta njohim rëndësinë, pozitën dhe vlerën e tij mbi të gjithë muajt e tjerë, në mënyrë që të lëvizim drejt madhërimit të tij dhe t’i qasemi agjërimit dhe faljes së tij ashtu siç e meriton, me agjërim të vërtetë dhe me adhurim të denjë.
- Muaji i mikpritjes dhe edukata e mysafirit
Në hutben e të Dërguarit fisnik (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u përmend se muaji i Ramazanit është një muaj në të cilin jemi ftuar në mikpritjen e Allahut. Mikpritja e Allahut është falja dhe mëshira e Tij e gjerë, me të cilën Ai i përfshin agjëruesit dhe ata që qëndrojnë në adhurim gjatë këtij muaji të bekuar.
Por si duhet të jetë sjellja dhe edukata jonë në praninë e Mikpritësit tonë, të Lartësuar dhe të Madhëruar?
Sejjid Ibn Tavusi e sqaron përgjigjen e këtij pyetimi duke thënë: ‘Mos u bëj, o njeri, prej atyre tek të cilëve u shkon një mysafir i pasur (që s’ka nevojë për ta), e që prej një viti nuk u ka shkuar mysafir më fisnik se ai. Ka ardhur për ta begatuar, duke sjellë me vete dhurata lumturie, nderime e përkujdesje, dhe gjëra që përshkrimi me fjalë nuk i përfshin dot nga shpresat dhe mirësitë.
E pastaj ai e trajton keq këtë mysafir bujar, e ftoh, e nënvlerëson dhe sillet me të si një mikpritës i ulët. Atëherë mysafiri fisnik largohet duke e qortuar mikpritjen e tij, ndërsa ai tek i cili kishte zbritur mbetet në turpin e neglizhencës dhe të sjelljes së tij të keqe, ose në ndjenjën e turpit, keqardhjes dhe pendimit.
Prandaj, ose bëhu bamirës në mikpritje dhe njohës i të drejtave që ky mysafir ka sjellë me vete prej lumturisë, mëshirës, dhembshurisë dhe sigurisë nga frika; ose së paku mos u bë as për të e as kundër tij, mos e shoqëro me urrejtje dhe me mungesë respekti.”
Pra, nëse nuk je bamirës dhe nderues ndaj këtij mysafiri, të paktën mos u bëj keqbërës e poshtërues ndaj tij; mos e prit me shpërfillje dhe mos e përcill me njolla poshtërimi.
- Ndikimi i muajit Ramazan tek besimtarët dhe tek mëkatarët
Meqenëse muaji i Ramazanit është muaji i Allahut dhe muaji i mikpritjes së Tij, dhe sepse “ky është muaji i faljes dhe i mëshirës; ky është muaji i çlirimit nga zjarri dhe i fitimit të Xhenetit”, dhe sepse është muaji në të cilin shejtanët lidhen me zinxhirë, djajtë prangosen dhe zjarret (e Xhehenemit) mbyllen, ky muaj është festë për miqtë e Allahut dhe brengë për mëkatarët.
Imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të) thotë:
“Paqja qoftë mbi ty, o Muaji më i Madh i Allahut, o festë e miqve të Tij!
Paqja qoftë mbi ty, o shoku më fisnik ndër kohët, o muaji më i mirë ndër ditët dhe orët!
Paqja qoftë mbi ty, o muaj në të cilin shpresat u afruan dhe veprat u përhapën!
Paqja qoftë mbi ty, o shok, prania e të cilit ishte madhështore dhe mungesa e të cilit është e dhimbshme; o i dëshiruar, ndarja prej të cilit dhemb…
Paqja qoftë mbi ty, sa i gjatë je për mëkatarët dhe sa i madhërueshëm je në zemrat e besimtarëve!”
Sa bukur e përshkruan: për dikë është dritë e festë, për dikë tjetër peshë dhe frikë. Varet nga zemra me të cilën hyn në Ramazan.
“…dhe në të (në këtë muaj) caktohen afatet (e jetës), dhe përcaktohen të gjitha çështjet dhe punët e njeriut për vitin, sidomos në Natën e Kadrit.”
Është transmetuar nga Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të): “Kur të hyjë muaji i Ramazanit, përpiquni fort me veten tuaj; sepse në të ndahen furnizimet (rizqet), shkruhen afatet (e jetës), dhe në të regjistrohet delegacioni i Allahut – ata që do të paraqiten tek Ai. Në të është një natë, puna në të cilën është më e mirë se puna në një mijë muaj.”
Ky hadith ta zgjon zemrën dhe na tregon se Muaji i Ramazanit s’është thjesht kalendar, por është moment vendimtar për fatin shpirtëror dhe jetësor të njeriut.
- Përmbledhje e veçorive të muajit të bekuar
Në përfundim, përmbledhim disa nga veçoritë e tjera të nxjerra nga transmetimet e shenjta:
- Erë e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e muskutit[2].
- Engjëjt kërkojnë falje për agjëruesit deri në momentin e iftarit.
- Agjëruesit u falen mëkatet në natën e fundit të muajit të Ramazanit.
- Hapën dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Zjarrit. Në Xhenet ka një derë të quajtur “Er-Rijan”, në të cilën hyjnë vetëm agjëruesit.
- Në të është Natë e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj; kush e privon veten nga e mira e saj, privon veten nga e mira në tërësi.
- Allahu çliron robër nga Zjarri në natën e fundit të Ramazanit.
- Agjërimi ndërmjetëson për shërbëtorin ditën e Kiametit, derisa ta fusë në Xhenet.
- Ky është muaji në të cilin janë shpallur librat hyjnorë, si Fletoret e Ibrahimit, Torahja e Musait, Ungjilli i Isait dhe Kurani i Madhërishëm.
- Veprat vullnetare dhe namazet e preferuara në këtë muaj japin shlyerje nga Zjarri.
- Agjërimi i tij fal të gjitha mëkatet e mëparshme.
- Lutja e agjëruesit në muajin e Ramazanit pranohet.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Furnizimi i të devotshmëve në muajin e Allahut është një dhuratë që nuk konsumohet me kohën. Ai është një dritë që vazhdon të ndriçojë edhe pas mbarimit të Ramazanit, nëse zemra e ruan dhe e kultivon.
Lum ai që e kupton se ky muaj nuk është vetëm një periudhë kalimtare, por një mundësi për t’u mbushur me atë furnizim që e çon shpirtin drejt shpëtimit dhe kënaqësisë së Allahut.
