Cila është pikëpamja e Kur’anit për profetët?
Në ajetin 25 të sures “Hadijd” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿لقد أرْسَلْنا رُسُلَنا بالبيّناتِ وأنْزَلْنا مَعَهُمُ الْكتِابَ والمِيزانَ لِيَقُومَ النّاسُ بِالْقِسْطِ﴾
“Ne i dërguam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat dhe peshoren (e drejtësisë) që njerëzit të veprojnë drejt…”
Allahu i Urtë ka zgjedhur burra të mirë për udhëzimin dhe drejtimin e njerëzimit dhe ua ka ngarkuar atyre mesazhin e Tij për të gjithë njerëzit. Këta burra janë profetët dhe të dërguarit, nëpërmjet të cilëve ka rrjedhur drita e udhëzimit nga Allahut drejt robëve të Tij.
Kjo dritë e bekuar ka filluar të zbresë nga Allahu që nga koha kur njeriu u bë i gatshëm për të përfituar prej saj, dhe ka vazhduar deri në kohën e Profetit të fundit, (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Pikëpamja e Kur’anit për profetët është shumë e qartë dhe e thellë. Sipas Kur’anit, profetët janë:
Të zgjedhur nga Allahu për të udhëzuar njerëzimin.
Janë njerëz, që hanë, jetojnë dhe sprovohen si të tjerët.
Janë të pastër dhe të besueshëm dhe të mbrojtur nga mëkatet.
Janë shembuj moralë dhe shpirtërorë për njerëzit.
Kur’ani i paraqet ata si: Mësues të së vërtetës; Paralajmërues dhe përgëzues si dhe udhërrëfyes drejt rrugës së drejtë
Sipas Kur’anit të gjithë profetët kishin një mision themelor të përbashkët: Thirrja në Njëshmërinë e Allahut (Teuhid). Ata ftonin që të adhurohet vetëm Allahu dhe të refuzohet idhujtaria dhe padrejtësia. Në ajetin 36 të sures “Nal” thuhet:
﴿وَلَقَدْ بَعَثْنا في كلّ أُمّةٍ رَسُولاً أنِ اعبُدُوا اللهَ واجتَنِبُوا الطّاغوتَ﴾
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): ‘Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt…”
Prej misionit të tyre ishte udhëzimi moral dhe shoqëror. Ata ftonin që të vendoset drejtësia; Të pastrohet shpirti i njeriut; Të përhapet e mira dhe të ndalohet e keqja.
Prej misionit të tyre ishte ndërtimi i një shoqërie të drejtë; Mbrojtja e të dobëtve dhe luftimi i korrupsionit dhe i shtypjes.
Pra, mesazhi i tyre ishte një: Besim i pastër, moral i lartë dhe drejtësi shoqërore.
Kur’ani përmend vetëm 25 profetë me emër, dhe, 18 prej tyre përmendn në suren “El En’am”. Por, Kur’ani thotë qartë se ka shumë të tjerë që nuk janë përmendur, siç thotë në ajetin 164 të sures “En Nisa”
}وَرُسُلًا قَدْ قَصَصْنَاهُمْ عَلَيْكَ مِنْ قَبْلُ وَرُسُلًا لَمْ نَقْصُصْهُمْ عَلَيْكَ…{
“Për disa të dërguar të kemi treguar më parë dhe për disa të tjerë nuk të kemi treguar ty…”
Sipas haditheve janë rreth 124,000 profetë (enbija). Prej tyre rreth 313 të dërguar (rusul).
Dallimi ndërmjet Profetit (Nebijju) dhe të Dërguarit (Rresulu) në kontekstin kur’anor:
Resuli (i Dërguari), është ai të cilit i është shpallur një ligj (sheriat) i ri dhe është urdhëruar ta përcjellë atë tek njerëzit.
Nebiu (Profeti), është ai të cilit i është shpallur shpallje (vahj), qoftë i urdhëruar për ta përcjellë apo jo. Pra nebiju është term më i përgjithshëm se resuli.
Kur’ani i sheh profetët si një zinxhir i pandërprerë i udhëzimi të Allahut dhe ata kishin një mesazh të përbashkët: “Adhuroni Allahun, jetoni me drejtësi dhe përgatituni për jetën tjetër.”
Sa nevojë kemi për mësimet e profetëve dhe të të dërguarve në këtë kohë për t’u çliruar nga “idhujt modernë”.
Sot, idhujt nuk janë vetëm statuja, por janë pasuria e tepruar, fama dhe egoja. Prandaj, gjëja më e rëndësishme në zemrën tonë të jetë Allahu, Krijuesi ynë.
Profetët luftuan padrejtësinë dhe shtypjen. Sot shohim padrejtësi sociale, mashtrime dhe korrupsion dhe shtypje të të dobëtëve. Le të bëhemi të drejtë, edhe kur është kundër interesit tonë. Edhe një fjalë e drejtë është vazhdim i misionit të profetëve.
Profetët nuk ndryshuan vetëm ligje, por zemra. Sot problemet më të mëdha janë: urrejtja, zilia dhe hipokrizia. Të punojmë me zemrën tonë çdo ditë, sepse shoqëria përmirësohet duke u përmirësuar individi.
Profetët mbronin jetimët, të varfrit dhe të shtypurit. Vlera e besimit tonë matet me mënyrën si i trajtojmë jetimët dhe nevojtarët.
Të gjithë profetët u përballën me tallje, kundërshtim dhe sprova. Por ata nuk e braktisën të vërtetën dhe të drejtën. Orandaj, mos e braktis të vërtetën vetëm sepse je vetëm. E vërteta nuk matet me shumicë.
Në jetën e përditshme, ndjekja e profetëve do të thotë:
Të jesh i sinqertë edhe kur është e vështirë;
Të bësh mirë pa pritur shpërblim;
Të falësh kur ke mundësi të hakmerresh;
Të mbash drejtësi edhe ndaj vetes;
Sipas Kur’anit misioni i profetëve nuk është vetëm histori, ai është rrugë jetese. Ti nuk je profet, por mund të jesh pasues i misionit të tyre me zemrën tënde, fjalën tënde dhe veprat e qëndrimet e tua.
Kur’ani thotë se Profetët janë dërguar për të plotësuar argumentin ndaj njerëzve, siç thuhet në ajetin 165 të sures “Nisa”:
﴿رُسُلاً مُبَشّرينَ وُمنْذِرينَ لئَلاّ يَكُونَ للِنّاس عَلىَ اللهِ حُجّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ وكانَ اللهُ عَزيزاً حَكيماً﴾
“(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.”
Kur’ani na thotë se Profetët janë shembull për t’u ndjekur, siç thotë ajeti 6 në suren “El Mumtehinetu”:
﴿لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِيهِمْ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ ۚ وَمَن يَتَوَلَّ فَإِنَّ اللَّهَ هُوَ الْغَنِيُّ الْحَمِيدُ﴾
“Vërtet, ata njerëz janë një shembull i mirë për ju e për këdo që shpreson në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kushdo që nuk ia vë veshin (këtij shembulli), ta dijë se Allahu është i Vetëmjaftueshmi, i Denji për çdo lavd!”
Kur’ani thotë:
﴿ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِّن رُّسُلِهِ ۚ﴾
“Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”.
Ky ajet na mëson se besimtari duhet të ketë besim të plotë dhe të barabartë në të gjithë profetët e Allahut, pa i mohuar apo nënvlerësuar disa prej tyre. Të gjithë të dërguarit kanë ardhur me të njëjtin burim hyjnor dhe me të njëjtin qëllim: udhëzimin e njerëzimit drejt së vërtetës dhe adhurimit të Allahut.
Të gjithë profetët janë të vërtetë dhe të dërguar nga Allahu. Nuk lejohet të pranojmë disa dhe të mohojmë të tjerët. Mesazhi i tyre është në thelb i njëjtë: besimi në një Zot dhe jeta e drejtë. Kjo nxit unitet në besim dhe largon përçarjen mes njerëzve. Pra, ajeti thekson unitetin e shpalljes hyjnore dhe respektin e barabartë për të gjithë të dërguarit.
