Çfarë thotë Kur’ani për besimin (imanin)?

Besimi (Ijmani) në Kur’anin e Shenjtë është një sistem i plotë që lidh besimin e zemrës me veprën e mirë dhe nuk është thjesht një pretendim. Sipas Kur’anit, besimi është themeli i çdo vepre dhe themeli i shpëtimit.

Fjala “أمن” me gjithë derivatet e saj përmendet 879 herë në Kur’an dhe përfshin besimin në Allahun, besimin në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij dhe në Jetën Tjetër. Kjo përmendje e shumtë, tregon qartë se besimi është një nga temat qendrore të Kur’anit të Shenjtë.

Besimi është një dritë që Allahu e hedh në zemër, e cila sjell qetësi, moral të mirë, dhe përkthehet në bindje, përpjekje dhe besnikëri, duke qenë gjithmonë i shoqëruar me vepra të mira.

Ai nuk është vetëm bindje me fjalë, por përfshin besimin me zemër, pohimin me gjuhë dhe të vepruarit me gjymtyrë. Imani është gjendje e gjallë shpirtërore, jo vetëm koncept teorik.

Në ajetin 14 të sures “El Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿  قَالَتِ الْأَعْرَابُ آمَنَّا ۖ قُل لَّمْ تُؤْمِنُوا وَلَٰكِن قُولُوا أَسْلَمْنَا وَلَمَّا يَدْخُلِ الْإِيمَانُ فِي قُلُوبِكُمْ ۖ وَإِن تُطِيعُوا اللَّهَ وَرَسُولَهُ لَا يَلِتْكُم مِّنْ أَعْمَالِكُمْ شَيْئًا ۚ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ﴾

“Beduinët thanë: ‘Ne besojmë’. Thuaju: ‘Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi’, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja. E, nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk do t’ju pakësohet asgjë prej veprave tuaja. Sigurisht, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.’”

Sipas këtij ajeti, besimi (Ijmani) është gjendje e brendshme e sinqertë, jo vetëm deklaratë.

Kur’ani kërkon një besim të plotë në Allahun (Njëshmëria, Teuhidi), në Engjëjt, Librat e Allahut, në Profetët, nga Ademi e deri të Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi ta!) dhe në Ditën e Gjykimit.

Në ajetin 285 të sures “El Bekare” Kur’ani e përkufizon qartë besimin e plotë:

}آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِّن رُّسُلِهِ… ۚ }

 I Dërguari beson në atë (Kur’anin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…”.

Kur’ani thekson se besimi i vërtetë duhet të shoqërohet me vepra të mira.

Lind pyetja: A nevojitet besimi në kohën e përparimit teknologjik?

Përgjigjja është: Po, madje më shumë se kurrë. Sepse teknologjia zhvillon mjetet por nuk i jep kuptim jetës. Ndërsa besimi i jep kuptim ekzistencës, i vendos kufij moralë njeriut dhe e ruan njeriun nga humbja shpirtërore dhe e lidh njeriun me Krijuesin.

Një botë pa besim mund të përparojë teknikisht, por rrënohet moralisht dhe shpirtërisht. Pa iman, përparimi bëhet i rrezikshëm, sepse mungon drejtimi moral.

Kur’ani na flet për lidhjen mes imanit dhe veprave.Kushdo që e lexon Kur’anin e Shenjtë do të gjejë se shumë herë përsëritet shoqërimi i besimit me bërjen e veprave të mira. Si përshembull: “O ju që besoni dhe që bëni vepra të mira”, apo ajeti: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira…” Ky kombinim përsëritet dhjetëra here në Kur’anin e Shenjtë.

Mesazhi i këtij kombinimi është shumë i qartë se besimi pa vepra është i mangët, ndërsa veprat pa besim nuk kanë shpërblim të plotë.


Çfarë roli luan besimi në jetën e njeriut?

Besimi ka role të shumta në jetën e njeriut, prej tyre janë:

1- E orienton njeriun drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Ai që beson nuk gënjen dhe është i drejtë.

2- E qetëson shpirtërisht. Në ajetin 28 të sures “Err Rra’d” thuhet: “Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.” 

3- Sjell siguri, siç thotë ajeti 82 në suren “El En’am”: “Ata që besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me padrejtësi, për ta ka siguri”

4- Ndalon padrejtësinë dhe nxit mirësinë.

5- Besimi sjell shpresë dhe durim. Besimtari e sheh çdo vështirësi si provë dhe mundësi shpërblimi.

6- Besimtari nuk dëshpërohet, as nuk gjunjëzohet edhe kur është në vështirësi.

7- Besimi është kusht për shpëtim dhe hyrje në Xhennet. Në ajetin e parë të sures El Mu’minun” Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët”

Në Suren “El Bekare”, ajeti 25, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, përgëzoji me Xhennete…”

 Në suren “En Nisa”, ajeti 57 Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i fusim në Xhennete…”

Në suren “El Kehf”, ajeti 107 Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë për vendpritje Xhenetet e Firdeusit.”

Në suren “El Buruxh”, ajeti 11, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë kopshte poshtë të cilave rrjedhin lumenj…”.

A e pengon besimi arritjen e dijes dhe perparimin dhe qyteterimin e njeriut?

Jo, përkundrazi, besimi i vërtetë nuk e pengon dijen, përparimin dhe qytetërimin, por i nxit dhe i orienton ato, dijen dhe qytetërimin, drejt së mirës. Në perspektivën kur’anore, besimi dhe dija nuk janë në kundërshti, por janë të lidhura ngushtë. Kur’ani fton në dije dhe reflektim. Vazhdimisht i thërret njerëzit të mendojnë, të vëzhgojnë natyrën dhe të kërkojnë të vërtetën. Dija e forcon besimin. Sa më shumë që njeriu kupton krijimin dhe ligjet e universit, aq më shumë e njeh madhështinë e Krijuesit. Besimi e orienton dijen që të përdoret për të mirën e njeriut, jo për shkatërrim apo për padrejtësi.

Historikisht, qytetërimi islam ka qenë një dëshmi e kësaj harmonie. Shumë dijetarë kanë qenë njëkohësisht besimtarë të devotshëm dhe kontribuues në shkencë, mjekësi, matematikë e filozofi.

Nuk është besimi ai që pengon përparimin, por keqkuptimi i besimit, fanatizmi apo padija. Besimi i drejtë nuk e mbyll mendjen, por e hap atë; nuk e ndalon zhvillimin, por e udhëheq atë. Kur bashkohen besimi me dijen, njeriu arrin jo vetëm përparim material, por edhe ngritje morale dhe shpirtërore.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në mbyllje themi se Kur’ani i Shenjtë e paraqet besimin si dritë për zemrën, udhërrëfyes për jetën dhe shpëtim për Jetën e Përjetejme. Pa besim, njeriu mund të ketë gjithçka në këtë botë, por mbetet i zbrazët brenda.

Kur’ani na mëson se besimi nuk është thjesht një fjalë që thuhet me gjuhë, por një realitet i thellë që jeton në zemër dhe reflektohet në sjellje, vepra dhe në çdo aspekt të jetës. Ai është lidhje e fortë me Krijuesin, është burim drite, qetësie dhe udhëzimi, që e orienton njeriun drejt së mirës dhe e largon nga e keqja. Besimi i vërtetë kërkon sinqeritet, përkushtim dhe përputhje mes fjalës dhe veprës.

Prandaj, çdo besimtar është i thirrur që ta forcojë besimin e tij përmes njohjes, adhurimit dhe veprave të mira, duke e bërë atë një udhërrëfyes të përditshëm. Sepse vetëm ai besim që shoqërohet me vepra të mira është ai që sjell shpëtim, kënaqësinë e Allahut dhe lumturinë e përjetshme në Xhennet.