Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ ۚ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ﴾
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”
Ky ajet nuk është vetëm këshillë morale, por një program i plotë për jetën e përditshme, individuale, familjare, dhe shoqërore. Është ajeti me të cilin mbyllet hytbja e ditës së xhuma. Përmbajtja e këtij ajeti të bekuar është aq ndikuese, sa shumë njerëz për shkak të kuptimeve që përfshihen aty kanë përqafuar Islamin.
Ajeti i bekuar përmban gjashtë baza të rëndësishme. Tri bazat e para janë të karakterit pozitiv dhe Allahu urdhëron të punohet me ato, kurse tri bazat e tjera janë veprime negative, dhe Allahu e ndalon njeriun të bëjë veprime të tilla.
Në fillim, ajeti i bekuar thotë: “All’llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë ndaj të afërmve…”. Në këtë frazë të ajetit përmenden tri bazat positive që janë: drejtësia, mirësia dhe ndihma.
A është e mundur të përfytyrohet program më i gjerë e më gjithëpërfshirës se drejtësia?! Drejtësia është ligji rreth të cilit rrotullohen të gjitha sistemet e ekzistencës, madje edhe qiejt e toka kanë bazë drejtësinë, siç thuhet në një hadith: “Me drejtësi qëndrojnë qiejt dhe toka”. Edhe shoqëria njerëzore, kjo pjesëz e tërësisë së madhe të kësaj ekzistence, nuk është jashtë ligjit të drejtësisë.
Kuptimi real dhe konkret i drejtësisë do të thotë: Kryerja dhe vënia e çdo pune në vendin e duhur, kurse devijimi, teprimi, lënia mangët, tejkalimi i masës dhe sulmi mbi të drejtat e të tjerëve, janë veprime të kundërta të drejtësisë.
Fuqia, madhështia dhe efekti i thellë që ka drejtësia në të gjitha kohët, në procesin e ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë nuk mund të llogaritet. Por, drejtësia nuk është elementi i vetëm që e kryen këtë detyrë të rëndësishme, prandaj urdhri për mirësi ka ardhur menjëherë pas urdhrit për drejtësi, pa asnjë ndarje në kohë.
Thënë më qartë: Në jetën e njerëzimit mund të ndodhin gjendje tepër të ndjeshme, në të cilat është e pamundur që problemet të zgjidhen me anë të kërkimit të ndihmës vetëm me bazë të drejtësisë, por duhet edhe mirësia (ihsan-i), e cila përfshin përsosmërinë në besim, adhurim dhe sjellje. Ihsan-i është niveli më i lartë i fesë, pas Islamit dhe Imanit.Ihsan-i do të thotë që të jetosh me vetëdijen se Allahu të sheh gjithmonë dhe të përpiqesh të bësh çdo gjë në mënyrën më të bukur dhe të përkryer.
Të dyja këto baza, drejtësia dhe mirësia, janë sunduese edhe në trupin e njeriut në formë natyrore. Në gjendje normale, të gjitha gjymtyrët e trupit të njeriut bashkëveprojnë në mënyrë të ndërsjellë dhe çdo gjymtyrë e trupit kryen funksionin përkatës, duke kërkuar edhe ndihmën e gjymtyrëve të tjera. Kjo është baza e drejtësisë.
Kur njëra prej gjymtyrëve plagoset ose nuk e kryen dot funksionin e saj, gjymtyrët e tjera jo vetëm që nuk e harrojnë kurrë gjymtyrën që ka humbur fuqinë për të kryer punën e saj, por vazhdojnë furnizimin e saj me ushqim dhe e mbështesin atë. Kjo është baza e mirësisë. E njëjta gjë ndodh edhe në shoqëri. Në një shoqëri të shëndoshë patjetër duhet të jenë sunduese këto dy baza, pra drejtësia dhe mirësia.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Drejtësia është marrja e të drejtës në mënyrë të barabartë, kurse mirësia (ihsani) është dashamirësi.” (“Nehxhul Belaga”, Fjalët e shkurtra, fjala nr. 231.).
Disa dijetarë kanë thënë se drejtësia është Teuhidi, besimi se Allahu është Zoti Një e i Vetëm. Kurse mirësia është kryerja e obligimeve. Duke u mbështetur në këtë interpretim, rezulton se drejtësia tregon besimin dhe mirësia tregon punën.
Të tjerë kanë thënë se drejtësia është harmonizimi mes së jashtmes e së brendshmes, kurse mirësia tregon se e brendshmja e njeriut është më e mirë se e jashtmja e tij. Të tjerë kanë thënë: drejtësia ka lidhje me punët praktike, kurse mirësia ka lidhje me punët e fesë.
Drejtësia është themeli i jetës individuale dhe shoqërore. Pa të, shoqëria bie në kaos dhe padrejtësi.
Më pas ajeti thotë: “…dhe ndihmën për të afërmit …”. Urdhri për ndihmën ndaj të afërmve tregon se lidhjet familjare janë të shenjta dhe solidariteti fillon nga familja. Mirësia në familje do të thotë të tregosh dashuri, butësi dhe falje.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë ndaj familjes së tij.”
Ndihma ndaj të afërmve do të thotë mbështetje financiare dhe emocionale për familjarët dhemosshkëputja e lidhjeve farefisnore.
Dhe ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet furnizimi, le t’i mbajë lidhjet familjare.”
Pasi përmendi tri bazat pozitive: Drejtësinë, mirësinë dhe, ndihmën dhe kujdesin ndaj të afërmve, në vazhdim ajeti përmend tri bazat negative dhe thotë: “…dhe (Allahu) ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën…”
Disa prej interpretuesve të Kur’ànit të Shenjtë kanë thënë se burimi i devijimeve morale janë tri forca: forca e epshit, forca e zemërimit dhe forca djallëzore e iluzioneve.
Forca e epshit nxit te njeriu dëshirën për të plotësuar kënaqësitë e epshit dhe zhytjen në imoralitet. Forca e zemërimit e shtyn atë të bëjë punë të urryera, të fyejë njerëzit dhe t’u shkaktojë atyre sa më shumë lëndim e mundim. Kurse forca djallëzore e iluzioneve, lind tek njeriu dëshirën për të qenë më lart se të tjerët, lind te njeriu dashurinë për të qenë i parë, të jetë mbi të gjithë dhe të sulmojë të drejtat e të tjerëve.
Në fund të këtij ajetit thuhet: “Ai u këshillon që ju të merrni mësim”. Kjo tregon seurdhëresat e Allahut janë për dobinë tonnë dhe qëllimi është ndërgjegjësimi, jo vetëm detyrimi. Ajeti bën thirrje për të ecur vetëm në rrugën e të Allahut, në rrugën e udhëzimit të drejtë.
Përmbajtja e këtij ajeti të nderuar na sjell në mendje hadithin e transmetuar prej Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në të cilin ai ka thënë: “Dy kategori prej ymetit tim, kur këto dy kategori janë përmirësuar, ymeti im përmirësohet dhe kur ato dy kategori prishen, prishet ymeti im”. Atij i thanë: ‘O i Dërguar i All’llahut, cilat janë këta dy kategori?’ Ai tha: “Djetarët (Fukahatë) dhe sundimtarët”
Zbatimi i tri bazave pozitive: drejtësia, mirësia dhe ndihmë të afërmve, si dhe lufta kundër tri devijimeve në rrafsh botëror është garantues që në botë të sundojë e mira, që bota të jetë e qetë prej çdo turbullire dhe të mos ekzistojë e keqja, shkatërrimi e ngatërresa.
Ky ajet na mëson se besimtari i vërtetë duhet të jetë i drejtë në çdo situate, i mirë në sjellje dhe bujar, i lidhur fort me familjen dhe të qëndrojë larg çdo imoraliteti dhe padrejtësie.
Ky ajet në jetën e përditshme do të thotë që:
Në familje të mbizotëroi: drejtësia, dashuria dhe lidhja familjare
Në punë të mbizotëroi: ndershmëria, përgjegjësia, profesionalizmi dhe respekti
Në shoqëri të mbizotërojë: drejtësia, morali, paqja, dashuria, mosdëmtimi dhe moslëndimi i të tjerëve.
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!

