Cili është qëllimi i historive të Kur’anit?

Në ajetin 3 të sures “Jusuf” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ نَحْنُ نَقُصُّ عَلَيْكَ أَحْسَنَ الْقَصَصِ بِمَا أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ هَٰذَا الْقُرْآنَ وَإِن كُنتَ مِن قَبْلِهِ لَمِنَ الْغَافِلِينَ﴾

“Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.”

Kur’ani i Shenjtë nuk është libër historie e as libër tregimesh. Ai është Fjala e Allahut dhe tryeza e Tij. Sipas Kur’anit, historitë që përmenden në të nuk janë thjesht rrëfime për informim, por kanë qëllime shumë të thella edukative dhe udhëzuese. Kur’ani vetë i sqaron qëllimet e tyre.

Qëllimi i parë: Për të forcuar zemrën e Profetit dhe besimtarëve. Në ajetin 120 në suren “Hud” Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjitha këto që të rrëfejmë ty nga lajmet e të dërguarve, janë për t’i forcuar zemrën tënde…” 

Qëllimi i dytë: Për mësim dhe përkujtim. Në ajetin 111 të sures “Jusuf” Allahu i Madhëruar thotë: “Në tregimet e tyre ka mësim për njerëzit me mend…” 

Qëllimi i tretë: Për të udhëzuar njerëzit dhe për t’i bërë të mendojnë. Kur’ani përdor historitë si mënyrë për të treguar pasojat e besimit dhe mosbesimit, drejtësisë dhe padrejtësisë.

Qëllimi i katërt: Për të treguar ligjet e Zotit në histori. Pra, si vepron Zoti me popujt. Kur ata janë të drejtë lartësohen, kur devijojnë shkatërrohen.

Kur’ani nuk i tregon historitë thjesht për t’u lexuar, por për të krijuar ndikim. Kur njeriu lexon historitë e Kur’anit e sheh veten në ato histori dhe mëson nga reagimet e Nuhut, Musait, Ibrahimit, Faraonit, etj. Historitë e profetëve tregojnë se e vërteta gjithmonë fiton, edhe kur duket e dobët. Në to ka paralajmërim dhe frikësim nga mëkati. Historitë e popujve paraardhës që u shkatërruan janë mësim që arroganca e tyre të mos përsëritet nga popujt pasardhës. Historitë e Kur’anit na mësojnë durimin dhe qëndrueshmërinë. Profetët u përballën me sprova të mëdha, dhe kjo i mëson besimtarit të mos dorëzohet.

Lind pyetja: A kanë vlerë histori e Kur’anit në kohën tonë?

Përgjigjja është: Po, dhe madje kanë vlerë shumë të madhe, sepse Kur’ani nuk është i kufizuar me kohën, por Kur’ani është udhëzim për çdo kohë dhe udhëzimi I tij është udhëzimi më i lartë, siç thotë ajeti 9 në suren “El Isra”: “Ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e drejta…”

Historitë e Kur’anit nuk janë të kufizuara me kohën, sepse padrejtësia, egoja, besimi, durimi, kriza morale, mungesa e drejtësisë, shkelja e të drejtave janë të njëjtat me ato të popujve të kaluar. Prandaj, historitë e Kur’anit janë si pasqyrë për shoqërinë moderne. Ato na tregojnë çfarë ndodh kur njeriu largohet nga Zoti dhe çfarë ndodh kur qëndron në rrugën e drejtë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Historitë e Kur’anit të Shenjtë dallohen nga historitë e tjera sepse ato janë të vërteta absolute, të sakta dhe reale dhe kanë për qëllim mësimin, këshillimin dhe forcimin e besimit, e jo thjesht argëtimin apo dokumentimin historik. Ato janë fjalë e Allahut, e pastër nga çdo e pavërtetë. Në ajetin 42 të sures “Fusilet thuhet: “Atij (Kur’anit) nuk mund t’i afrohet e pavërteta as nga përpara, as nga prapa…”

Ndryshe nga historitë njerëzore, historitë e Kur’anit nuk bazohen në fantazi, argëtim apo rrëfim letrar, Historitë e Kur’anit janë shpallje nga Allahu. Ato përfshijnë tregime të profetëve, ngjarje të popujve të kaluar dhe ngjarje që lidhen me kohën e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Kur’ani ka një stil unik që bashkon bukurinë e përshkrimit, saktësinë e kuptimit dhe fokusin tek mësimi dhe morali, jo detajet e tepërta historike

Kur’ani nuk jep gjithmonë detaje të plota historike, por fokusohet tek mësimi që duhet marrë prej historive të tij. Madje, të njëjtat histori përsëriten në vende të ndryshme me mënyra të ndryshme për të shtuar përfitimin prej tyre.

Nuk ka një numër të saktë të përcaktuar për historitë në Kur’an, sepse Kur’ani nuk i ndan ato si “lista tregimesh”, por i shpërndan brenda sureve për qëllime udhëzimi dhe edukimi. Historitë e Kur’anit lidhen kryesisht:

Me Profetët, si: Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musai, Jusufi, Ejubi, Junusi, Shua’jibi, Isa dhe Muhamedi (Paqja qoftë mbi ta!).

Me popujt e mëparshëm, si: Populli i Ad-it, populli i Themudit, banorët e Shpellës, Karuni, Faraoni, etj.

Dhe me ngjarje në kohën e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Beteja e Bedrit, e Uhudit, e Hunejnit, e Ahzabëve, hixhretit dhe ngjarje të jetës së bashkëkohësve të Profetit Muhamed. Këto ngjarje na mësojnë durim, strategji dhe besim në Allahun.

Pra, nuk thuhet se Kur’ani ka kaq histori, sepse disa histori përsëriten në forma të ndryshme, disa janë të gjata, disa vetëm përmendje të shkurtra, qëllimi nuk është numri, por mësimi dhe udhëzimi.

Historitë e profetëve që përmenden në Kur’an tregojnë thirrjen dhe përballjen me popujt e tyre. Historitë në Kur’an janë për udhëzim, mësim dhe forcim besimi. Ato ndikojnë duke edukuar zemrën, mendjen dhe sjelljen. Ato janë plotësisht të vlefshme edhe sot, sepse përshkruajnë ligje të përhershme të jetës njerëzore.

Në ajetin 111 të sures “Jusuf” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ لَقَدْ كَانَ فِي قَصَصِهِمْ عِبْرَةٌ لِّأُولِي الْأَلْبَابِ ۗ مَا كَانَ حَدِيثًا يُفْتَرَىٰ وَلَٰكِن تَصْدِيقَ الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ كُلِّ شَيْءٍ وَهُدًى وَرَحْمَةً لِّقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ﴾

“Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kur’an) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.”

Ky ajet na mëson se tregimet e të Dërguarve dhe Profetëve në Kur’an nuk janë thjesht histori, por burime të thella urtësie dhe mësimi për ata që reflektojnë me mendje të hapur. Kur’ani thekson se ai nuk është një rrëfim i sajuar, por një shpallje hyjnore që vërteton librat e mëparshëm, sqaron të vërtetat jetësore dhe shërben si udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Ajeti efton njeriun të mendojë, të mësojë nga e kaluara dhe të ndjekë udhëzimin hyjnor për të arritur drejtësinë dhe shpëtimin.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në përfundim të temës themi: Historitë e Kur’anit nuk janë rrëfime të thjeshta për të kaluarën, por udhëzime të gjalla dhe të përhershme për jetën e njeriut. Ato synojnë të forcojnë besimin, të edukojnë moralin, të japin mësime nga gabimet dhe sukseset e popujve të mëparshëm, si dhe të nxisin reflektimin e thellë mbi drejtësinë, durimin dhe besnikërinë ndaj Zotit.

Përmes këtyre historive, Kur’ani e udhëzon njeriun drejt së vërtetës dhe e paralajmëron nga devijimi, duke e bërë historinë një mjet të fuqishëm edukimi dhe udhëzimi shpirtëror. Prandaj, qëllimi i tyre i vërtetë realizohet vetëm atëherë kur ne nuk mjaftohemi me leximin, por i zbatojmë mesazhet e tyre në jetën tonë të përditshme.