Një nga pyetjet më të rëndësishme që lind te njeriu është: A mund të më falë Allahu pas gjithë gabimeve dhe mëkateve që kam bërë?
Kur’ani i Shenjtë na jep një përgjigje të qartë dhe na thotë se: Mëshira e Allahut është më e madhe se çdo mëkat, por falja e Tij kërkon kthim të sinqertë tek Ai.
Prej emrave të bukur të Allahut janë: El-Ghafurr, El-Ghaffar, El-‘Afuvu.
El-Ghafurr, që do të thotë “Falësi i Madh”, është përmendur 91 herë në Kur’anin e Shenjtë.
El-Ghaffar që ka kuptimin: Ai që fal vazhdimisht dhe shumë, është përmendur 5 herë në Kur’anin e Shenjtë.
El-‘Afuvu që do të thotë: Ai që shlyen dhe fshin gjurmët e mëkatit, është përmendur 5 herë në Kur’anin e Shenjtë.
Këto emra të Allahut tregojnë gjerësinë e mëshirës së Tij dhe shkallët e ndryshme të faljes së Tij ndaj robve.
Çfarë thotë Kur’ani pëe faljen e mëkateve?
1-Kur’ani thotë se Allahu i fal të gjitha mëkatet për atë që pendohet
Në ajetin 53 të sures “Ez-Zumer Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ ۞ قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ﴾
“Thuaj: O robtë e Mi që e keni tepruar ndaj vetvetes! Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.”
Ky ajet është quajtur nga dijetarët “ajeti i shpresës”. Në këtë ajet vëmë re se Allahu u drejtohet jo vetëm besimtarëve të devotshëm, por edhe atyre që kanë “tepruar” në mëkate. Mesazhi i ajetit është i qartë: Asnjë njeri nuk duhet të dëshpërohet nga mëshira e Allahut.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çudia më e madhe është për atë që shkatërrohet ndërsa dera e pendimit është e hapur.”
Në ajetin 110 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَمَن يَعْمَلْ سُوءًا أَوْ يَظْلِمْ نَفْسَهُ ثُمَّ يَسْتَغْفِرِ اللَّهَ يَجِدِ اللَّهَ غَفُورًا رَّحِيمًا ﴾
“Dhe kush bën një vepër të keqe ose i bën padrejtësi vetes së tij, pastaj kërkon falje nga Allahu, do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirëplotë.”
Ky ajet është një ajet tjetër nga ajetet shpresëdhënës në Kur’an, sepse hap derën e pendimit për çdo njeri. Nga ky ajet mësojmë se asnjë mëkat nuk është më i madh se mëshira e Allahut, nëse njeriu pendohet sinqerisht. Nuk duhet të dëshpërohemi nga gabimet dhe të këqijat tona, por të kthehemi tek Allahu. Pendimi duhet të pasohet nga kërkimi i faljes, jo nga këmbëngulja në mëkat. Ky ajet na mëson se rruga drejt faljes është gjithmonë e hapur
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i miri i pendimit është ai që pasohet nga lënia e mëkatit.”
2- Kur’ani thotë se Allahu e do pendimin
Në ajetin 222 të sures “El Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ ﴾
“Vërtet Allahu i do ata që pendohen dhe i do ata që pastrohen.”
Pendimi nuk është vetëm shkak për falje, por edhe shkak që Allahu ta dojë robin e Tij. Kjo tregon se Allahu nuk dëshiron dënimin e njeriut, por kthimin e tij.
3- Kur’ani thotë se Allahu i zëvendëson mëkatet me vepra të mira
Një nga ajetet më të mahnitshme, i cili është ajeti 70 në suren “El-Furkan” në të cilin thuhet:
﴿ إِلَّا مَن تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ عَمَلًا صَالِحًا فَأُولَٰئِكَ يُبَدِّلُ اللَّهُ سَيِّئَاتِهِمْ حَسَنَاتٍ ۗ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا﴾
“Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe bëjnë vepra të mira; Allahu do t’ua zëvendësojë veprat e këqija me vepra të mira. Allahu është Falës dhe Mëshirues.”
Nga ky ajet kuptojmë se Allahu jo vetëm që fal, por në disa raste Ai i shndërron mëkatet e së kaluarës në shpërblim. Kjo është madhështia e mëshirës së Allahut.
4- Kur’ani na thotë se Allahu pranon pendimin edhe pas gabimeve të mëdha
Ajetin 25 në sures “Esh-Shura” thotë:
﴿ وَهُوَ الَّذِي يَقْبَلُ التَّوْبَةَ عَنْ عِبَادِهِ وَيَعْفُو عَنِ السَّيِّئَاتِ وَيَعْلَمُ مَا تَفْعَلُونَ﴾
“Ai (Allahu) është që e pranon pendimin e robve të Tij, ua fal mëkatet dhe e di çfarë veproni.”
Njeriu mund të ketë rënë shumë herë në gabim, por sa herë që kthehet sinqerisht tek Allahu, dera e faljes mbetet e hapur.
5- Kur’ani thotë se pendimi i pranohet atij që bën keq nga padituria.
Në ajetin 17 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّمَا التَّوْبَةُ عَلَى اللَّهِ لِلَّذِينَ يَعْمَلُونَ السُّوءَ بِجَهَالَةٍ ثُمَّ يَتُوبُونَ مِن قَرِيبٍ فَأُولَٰئِكَ يَتُوبُ اللَّهُ عَلَيْهِمْ ۗ وَكَانَ اللَّهُ عَلِيمًا حَكِيمًا﴾
“Vërtet, pranimi i pendimit tek Allahu është për ata që bëjnë të keqen nga padituria, e pastaj pendohen shpejt. Këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”
Këtu “padituria” nuk do të thotë vetëm se njeriu nuk e di se vepra është haram. Dijetarët kanë thënë se çdo mëkat, kur kryhet nën ndikimin e pasionit, neglizhencës ose dobësisë shpirtërore, është një lloj paditurie. Pra, njeriu në atë çast largohet nga urtësia dhe vetëdija e plotë ndaj Allahut. Njeriu mund të bjerë në gabim, por nuk duhet të dëshpërohet. Rreziku i vërtetë nuk është rënia në mëkat, por këmbëngulja në të dhe vonimi i pendimit.
Ndërsa në ajetin 18 të sures “Enisa” Allahu I Madhëruar thotë:
﴿ وَلَيْسَتِ التَّوْبَةُ لِلَّذِينَ يَعْمَلُونَ السَّيِّئَاتِ حَتَّىٰ إِذَا حَضَرَ أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ إِنِّي تُبْتُ الْآنَ وَلَا الَّذِينَ يَمُوتُونَ وَهُمْ كُفَّارٌ ۚ أُولَٰئِكَ أَعْتَدْنَا لَهُمْ عَذَابًا أَلِيمًا﴾
“Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdojnë të bëjnë mëkate, derisa kur njërit prej tyre i afrohet vdekja, ai thotë: ‘Tani u pendova’; as i atyre që vdesin duke qenë mohues. Për këta kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.”
Ky ajet bën thirrje që njeriu të mos e shtyjë pendimin për nesër, sepse askush nuk e di se kur do t’i vijë çasti i fundit. Dera e pendimit është e hapur gjatë jetës, por nuk duhet të pritet deri në momentin kur vdekja është bërë e pashmangshme.
6- Kur’ani thotë mos e humb shpresën në mëshirën e Allahut
Kur’ani e konsideron humbjen e shpresës si një gabim të madh. Profeti Jakub (Paqja qoftë mbi të!) u tha bijve të tij:
﴿ … وَلَا تَيْأَسُوا مِن رَّوْحِ اللَّهِ ۖ إِنَّهُ لَا يَيْأَسُ مِن رَّوْحِ اللَّهِ إِلَّا الْقَوْمُ الْكَافِرُونَ﴾
“…Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Allahut përveç popullit jobesimtar.” (Sure “Jusuf”, ajeti 87)
Prandaj, besimtari jeton gjithmonë ndërmjet frikës nga mëkati dhe shpresës në mëshirën e Allahut.
7- Dikush mund të pyesë: A ka ndonjë mëkat që nuk falet?
Për këtë në ajetin 116 të sures “En-Nisa” Kur’ani thotë:
﴿ إِنَّ اللَّهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ ۚ وَمَن يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَقَدْ ضَلَّ ضَلَالًا بَعِيدًا﴾
“Vërtet, Allahu nuk fal që Atij t’i bëhet shok (shirk), por fal çdo gjë tjetër për kë të dojë.”
Po ashtu, në ajetin 48 të sures En-Nisa” Kur’ani thotë:
﴿ إِنَّ اللَّهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ ۚ وَمَن يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَقَدِ افْتَرَىٰ إِثْمًا عَظِيمًا﴾
“Allahu nuk fal që Atij t’i bëhet shok, por fal mëkatet e tjera për kë të dojë.”
Kushtet e pendimit të sinqertë për faljen e mëkateve
Në ajetin 8 të sures “Et-Tahrim” Kur’ani urdhëron e thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إِلَى اللَّهِ تَوْبَةً نَّصُوحًا عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَن يُكَفِّرَ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ…﴾
“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë të këqijat”
Pendimi i sinqertë përfshin: Ndalimi nga bërja e mëkatit. Të penduarit me gjithë zemër për atë që ka kaluar. Të vendosurit e moskthimit në bërjen e mëkateve. Kthimi i të drejtat njerëzve nëse ua ka marrë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Nga ajetet e Kur’anit të Shenjtë mësojmë se Allahu është Falësi dhe Mëshiruesi. Ai i fal të gjitha mëkatet për atë që pendohet sinqerisht. Askush nuk duhet të dëshpërohet nga mëshira e Allahut. Pendimi i sinqertë e pastron njeriun nga mëkatet. Shirku nuk falet nëse njeriu vdes pa u penduar prej tij.
Dera e pendimit mbetet e hapur deri në çastet e fundit të jetës.
Gjithmonë të kujtojmë ajetin më shpresëdhënës:
لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ﴾
“Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.” (Sure “Ez-Zumer”, ajeti 53)
Lusim Allahun e Madhëruar të na falë mëkatet tona, të pranojë pendimin tonë dhe të na bëjë prej robve të Tij të sinqertë!
