Dita kur askush nuk do të shpëtojë veçse me mëshirën e Allahut

Në jetën e kësaj bote, njeriu shpesh e mat suksesin me pasuri, pozitë, famë apo lavdërime nga njerëzit. Mirëpo, Islami na mëson se ekziston një peshore tjetër, shumë më e drejtë dhe shumë më e saktë se çdo vlerësim njerëzor.

Është Peshorja e Veprave, ajo peshore hyjnore që do të vendoset në Ditën e Gjykimit dhe në të cilën do të peshohet çdo fjalë, çdo vepër, çdo qëllim dhe çdo hap që njeriu ka bërë gjatë jetës së tij. Ajo nuk gabon, nuk padrejton askënd dhe nuk ndikohet nga pasuria, pushteti apo fama. Në atë ditë, nuk do të ketë rëndësi se çfarë mendonin njerëzit për ne, por çfarë di Allahu për zemrat tona dhe çfarë kemi sjellë përpara Tij.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:

“Ne do të vendosim peshoret e drejta në Ditën e Kiametit dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Edhe sikur vepra të jetë sa një kokërr sinapi, Ne do ta sjellim atë. Dhe Ne mjaftojmë si llogaritës.”(Sure El-Enbija, ajeti 47)

Ky ajet na jep siguri se drejtësia e Allahut është absolute. Asnjë vepër e mirë nuk humbet dhe asnjë padrejtësi nuk mbetet pa u gjykuar. Edhe një buzëqeshje e sinqertë, një lot pendimi, një fjalë e mirë apo një ndihmë e vogël për një besimtar do të ketë peshën e saj në atë ditë.

Peshorja e veprave nuk mat vetëm sasinë e veprave, por mbi të gjitha mat vlerën e tyre. Dy njerëz mund të kryejnë të njëjtën vepër, por njëri mund të shpërblehet shumëfish, ndërsa tjetri të mos marrë asgjë, sepse ndryshimi qëndron tek nijeti. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe secilit i takon ajo që ka pasur për qëllim.”

Prandaj, peshorja fillon të ndërtohet që në zemrën tonë. Nijeti i pastër e bën një vepër të vogël të peshojë shumë, ndërsa syefaqësia mund ta bëjë një vepër të madhe të mos ketë asnjë vlerë.

Një nga pyetjet më të rëndësishme që duhet t’i bëjmë vetes është: Çfarë do të peshojë më rëndë në peshoren tonë? A do të jenë namazet tona? Agjërimet tona? Bamirësia? Dashuria për Allahun, Profetin Muhamed dhe për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta)? Apo do të jenë mëkatet, padrejtësitë dhe neglizhenca jonë?

Kur’ani na tregon qartë rezultatin e asaj dite:

“Sa u përket atyre, peshorja e të cilëve do të jetë e rëndë, ata do të jenë në një jetë të kënaqshme. Kurse ai, peshorja e të cilit do të jetë e lehtë, vendbanimi i tij do të jetë Humija (Zjarri).”(Sure El-Kariah, ajetet 6-9)

Sa madhështore janë këto fjalë! E gjithë jeta jonë mund të përmblidhet në dy gjendje; një peshore e rëndë ose një peshore e lehtë. Nuk ekziston një rrugë e tretë. Për këtë arsye, çdo ditë është një mundësi për të shtuar diçka në peshoren tonë.

Shpesh njerëzit nënvlerësojnë veprat e vogla. Ata mendojnë se vetëm adhurimet e mëdha kanë rëndësi. Por Islami na mëson të kundërtën. Një fjalë e mirë, largimi i një pengese nga rruga, falja e dikujt, respekti ndaj prindërve, ndihma ndaj jetimit, vizita e të sëmurit apo edhe një buzëqeshje e sinqertë mund të bëhen shkak që peshorja të anojë në favorin tonë.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mos e nënvlerësoni asnjë vepër të mirë, sepse nuk e dini se cila prej tyre do ta kënaqë Allahun.”

Kjo thënie na mëson të jetojmë me shpresë dhe përkushtim. Nuk duhet të presim vetëm raste të mëdha për të bërë mirësi; përkundrazi, çdo moment i jetës mund të bëhet një investim për Ahiretin.

Një element tjetër që e rëndon peshoren është morali i mirë. Shumë njerëz mund të falen, të agjërojnë dhe të japin lëmoshë, por nëse lëndojnë njerëzit me gjuhën e tyre, bëjnë padrejtësi ose mbjellin urrejtje, ata rrezikojnë të humbasin shpërblimet e tyre.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Nuk ka asgjë më të rëndë në peshoren e besimtarit në Ditën e Kiametit sesa morali i mirë.”

Morali nuk është thjesht sjellje e bukur, por ai është një adhurim që peshon rëndë tek Allahu. Një buzëqeshje ndaj familjes, durimi ndaj njerëzve, falja e gabimeve dhe butësia në komunikim mund të kenë peshë më të madhe se shumë vepra që duken madhështore në sytë e njerëzve.

Nga ana tjetër, mëkatet nuk ndikojnë vetëm në shpërblimin tonë, por edhe në peshoren e veprave. Gënjeshtra, përgojimi, shpifja, padrejtësia, arroganca dhe shtypja e të tjerëve janë barrë e rëndë për shpirtin. Më e rrezikshmja është se disa prej tyre lidhen me të drejtat e njerëzve. Në Ditën e Gjykimit, ato nuk falen vetëm me pendim, por kërkojnë që të drejtat të kthehen tek pronarët e tyre ose ata të falin.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Llogaritni veten para se të llogariteni dhe peshojini veprat tuaja para se t’ju peshohen.”

Kjo është një këshillë që duhet të na shoqërojë çdo mbrëmje. Çdo ditë mund të bëjmë një bilanc të vetes se çfarë fituam për Ahiretin? Kë kënaqëm? Kë lënduam? A u afruam më shumë me Allahun apo u larguam prej Tij? Një njeri që e kontrollon vazhdimisht veten nuk do të befasohet në Ditën e Gjykimit.

Ndër veprat që e bëjnë peshoren të rëndë është edhe dashuria dhe besnikëria ndaj Profetit dhe Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta). Ata janë udhërrëfyesit e umetit dhe modeli më i pastër i bindjes ndaj Allahut. Ndjekja e moralit të tyre, e drejtësisë së tyre, e durimit dhe e devotshmërisë së tyre e zbukuron jetën e besimtarit dhe e afron atë me mëshirën hyjnore.

Megjithatë, edhe njeriu që ka gabuar nuk duhet të humbasë shpresën. Allahu është Mëshirues dhe dera e pendimit mbetet e hapur derisa njeriu është gjallë. Çdo pendim i sinqertë, çdo lot për një mëkat, çdo kthim drejt Allahut mund të ndryshojë të gjithë peshoren e jetës sonë. Sa njerëz kanë jetuar vite në mëkate dhe një pendim i sinqertë i ka bërë prej banorëve të Xhenetit! Allahu nuk shikon të kaluarën tonë për të na dëshpëruar, por gatishmërinë tonë për t’u kthyer tek Ai.

Në fund, duhet të kujtojmë se Peshorja e Veprave nuk është një tregim simbolik apo një metaforë. Ajo është një realitet i Ditës së Kiametit. Çdo frymëmarrje që bëjmë sot është një mundësi për të shtuar diçka në atë peshore. Çdo namaz i falur me përkushtim, çdo ajet i lexuar nga Kur’ani, çdo sadaka, çdo falje ndaj dikujt, çdo lutje për prindërit dhe çdo vepër e mirë e bërë vetëm për Allahun do të jetë një dritë në atë ditë kur njeriu do të ketë më shumë nevojë për të se kurrë më parë.

Le të jetojmë me vetëdijen se një ditë do të qëndrojmë përballë Peshorjes së Veprave. Atëherë nuk do të kemi mundësi të shtojmë asnjë vepër të mirë dhe as të fshijmë një mëkat. Mundësia është sot.

Prandaj, le ta mbushim jetën tonë me besim, sinqeritet, moral të lartë, drejtësi, dashuri për Allahun, për Profetin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi të), në mënyrë që peshorja jonë të jetë e rëndë me vepra të mira dhe fytyrat tona të ndriçojnë në Ditën kur askush nuk do të shpëtojë veçse me mëshirën e Allahut.

MA. Isra Merja