Nektari i Xhumasë – Kur’ani dhe sekretet e krijimit

Kur’ani i Shenjtë është fjala e përjetshme e Allahut, libri i udhëzimit që ndriçon mendjen, pastron zemrën dhe e fton njeriun të meditojë mbi madhështinë e Krijuesit. Ai nuk është vetëm një libër që përcjell urdhra, ndalesa dhe rrëfime historike, por edhe një thirrje e vazhdueshme për të vëzhguar universin, për të reflektuar mbi krijimin dhe për të zbuluar urtësinë e pafundme që Allahu ka vendosur në çdo krijesë. Në shumë ajete, Kur’ani e drejton njeriun të shikojë qiejt, tokën, malet, detet, bimët dhe vetveten, duke e ftuar të kuptojë se pas këtij rregulli të përsosur qëndron dora e Krijuesit të Gjithëdijshëm.

Sa më shumë që njeriu avancon në dije dhe zbulon ligjet e natyrës, aq më tepër kupton se universi nuk është fryt i rastësisë, por një krijim i ndërtuar mbi urtësi, ekuilibër dhe masë të përkryer. Për këtë arsye, shumë prej ajeteve të Kur’anit që flasin për krijimin vazhdojnë të jenë objekt meditimi dhe studimi edhe në ditët tona. Këto ajete nuk synojnë ta shndërrojnë Kur’anin në një libër shkencor, por ta zgjojnë mendjen e njeriut, ta nxisin të kërkojë të vërtetën dhe ta forcojnë bindjen se çdo gjë në këtë univers është një shenjë që dëshmon fuqinë, diturinë dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar.

———————- – ———————–

Kur’ani i Shenjtë, në shumë prej ajeteve të tij, ka folur për ligjet e universit, rregullat e natyrës, trupat qiellorë dhe çështje të tjera që në fillimet e Islamit nuk kishte mundësi të njiheshin përveçse përmes shpalljes hyjnore.

Disa prej këtyre ligjeve mund të kenë qenë të njohura për grekët e lashtë ose për popuj të tjerë që kishin njohuri shkencore, por Gadishulli Arabik ishte larg këtyre njohurive. Ndërsa një pjesë e asaj që ka njoftuar Kur’ani u bë e qartë vetëm pasi shkencat u zhvilluan dhe zbulimet u shtuan.

Kur’ani ka treguar kujdes dhe urtësi në mënyrën se si i ka paraqitur këto çështje. Për disa prej tyre ka folur qartë dhe hapur, aty ku ishte e përshtatshme, ndërsa për disa të tjera ka bërë vetëm aludime dhe shenja. Kjo sepse disa prej këtyre realiteteve ishin përtej aftësisë së të kuptuarit të njerëzve të asaj kohe.

Prandaj, urtësia kërkonte që ato të përmendeshin në mënyrë të tërthortë, në mënyrë që kuptimi i tyre të bëhej i qartë për njerëzit e epokave të ardhshme, kur shkenca të përparonte dhe zbulimet të shtoheshin.

Ndër sekretet që shpallja hyjnore na ka zbuluar dhe që me kalimin e kohës kanë tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve, është rregulli i jashtëzakonshëm që Allahu ka vendosur në krijimin e çdo gjëje. Kur’ani na fton të mos e shohim natyrën si një rastësi, por si një sistem të ndërtuar me urtësi, masë dhe ekuilibër të përsosur. Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe në të (në tokë) kemi bërë të mbijë çdo gjë me masë të caktuar.” (Sure “El-Hixhr”, ajeti 19)

Ky ajet fisnik e drejton njeriun të meditojë mbi rregullin e vendosur në botën bimore. Ai na kujton se në krijimin e Allahut nuk ka asgjë të rastësishme apo të çrregullt, por çdo gjë është përcaktuar me urtësi dhe masë të përkryer.

Shkenca moderne ka vërtetuar se çdo lloj bime përbëhet nga elemente të posaçme në përmasa të caktuara. Nëse njëri prej këtyre elementeve do të shtohej ose do të pakësohej, do të krijohej një përbërje tjetër. Raportet dhe përmasat ndërmjet këtyre elementeve janë aq të sakta dhe të imëta, saqë përcaktimi i tyre kërkon matje jashtëzakonisht precize, madje me mjetet më të sakta të njohura nga njerëzimi.

Një tjetër shembull i urtësisë së Allahut në krijim është procesi i pllenimit të bimëve, një proces që për shumë shekuj mbeti i panjohur për njerëzit. Kur’ani i Shenjtë i referohet këtij realiteti me fjalët:

“Dhe Ne i dërguam erërat si pllenuese.” (Sure “El-Hixhr”, ajeti 22)

Ky ajet fisnik na nxit të vëzhgojmë një proces të fshehtë të natyrës, i cili zhvillohet çdo ditë para syve tanë, por që vetëm me zhvillimin e dijes shkencore është kuptuar më qartë.

Megjithëse komentuesit e hershëm të Kur’anit e kanë interpretuar fjalën “leuakih” (pllenuese) edhe me kuptimin e bartjes, duke e lidhur me retë dhe shiun, shumë studiues bashkëkohorë kanë tërhequr vëmendjen se ajeti mund të përfshijë edhe procesin e pllenimit të bimëve.

Në dritën e zbulimeve të botanikës, kuptohet se prodhimi dhe frytëzimi i shumë pemëve dhe bimëve varet nga pllenimi, i cili në shumë raste realizohet pikërisht përmes erërave. Kjo ndodh te shumë bimë dhe pemë, si kajsia, pisha, shega, portokalli, pambuku, bimët drithërore dhe shumë të tjera. Kur piqen kokrrat e polenit, qeskat që i përmbajnë ato hapen dhe poleni shpërndahet nga era, duke rënë mbi pjesët femërore të luleve dhe duke realizuar kështu procesin e pllenimit.

Po kështu, Kur’ani tërheq vëmendjen edhe ndaj një ligji tjetër të përgjithshëm të krijimit: ligjit të çiftësisë. Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe prej çdo lloji frutash Ai krijoi në to dy çifte.” (Sure “Err-Rra‘d”, ajeti 3)

Ky ajet na kujton se krijimi i Allahut mbështetet mbi një rend të përsosur, ku shumë krijesa ekzistojnë në çifte sipas urtësisë së Tij.

Po ashtu Allahu i Madhëruar thotë:

“I Lartësuar qoftë Ai që krijoi të gjitha çiftet: nga ato që mbin toka, nga vetë njerëzit dhe nga gjërat që ata nuk i dinë.” (Sure “Ja-Sijn”, ajeti 36)

Ky ajet zgjeron horizontin e mendimit të njeriut. Ai nuk kufizohet vetëm te ajo që njeriu njeh, por i kujton se në univers ekzistojnë krijime dhe ligje të shumta që ende nuk janë zbuluar. Sa më shumë përparon dija, aq më shumë njeriu kupton se njohuria e tij mbetet e kufizuar përballë diturisë së pakufishme të Allahut.

Një tjetër prej çështjeve që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve është mënyra se si Kur’ani e përshkruan Tokën. Allahu i Madhëruar thotë:

“Ai që e bëri për ju Tokën si një djep.” (Sure “Taha”, ajeti 53; Sure “Ez-Zuhruf”, ajeti 10)

Ky përshkrim i bukur e paraqet Tokën si një vend të qetë, të përshtatshëm dhe të sigurt për jetën e njeriut. Disa studiues kanë parë në përdorimin e fjalës “mehden” (djep) edhe një aludim të hollë për lëvizjen e Tokës, ashtu si djepi që lëkundet me butësi duke i dhënë qetësi foshnjës.

Kjo është një prej çështjeve që disa studiues bashkëkohorë e kanë konsideruar si një nga shenjat e mrekullisë shkencore të Kur’anit. Ata theksojnë se Kur’ani nuk e shpreh drejtpërdrejt këtë çështje, por përdor një shprehje të zgjedhur me urtësi, e cila lejon njeriun të meditojë mbi madhështinë e krijimit.

Ashtu si djepi është vend rehatie dhe qetësie për foshnjën, edhe Toka është bërë vendbanim i përshtatshëm për jetën e njerëzve dhe të të gjitha krijesave. Lëvizja e saj e rregullt mundëson alternimin e ditës dhe natës, ndryshimin e stinëve dhe vazhdimësinë e jetës mbi të.

Në këtë mënyrë, ajeti fisnik e fton besimtarin të shohë përtej pamjes së jashtme të gjërave dhe të meditojë mbi urtësinë e Allahut në krijimin e universit. Sa më shumë që njeriu studion ligjet e natyrës, aq më tepër shtohen arsyet për ta lavdëruar Krijuesin dhe për të pranuar se çdo gjë në këtë univers është vendosur me dije, urtësi dhe masë të përsosur.

  • Një kontinent tjetër në Kur’an

Ndër sekretet që Kur’ani ka zbuluar katërmbëdhjetë shekuj më parë është edhe ekzistenca e një kontinenti tjetër. Allahu i Madhëruar thotë:

“Zoti i dy lindjeve dhe Zoti i dy perëndimeve.” (Sure “Er-Rahman”, ajeti 17)

Ky ajet fisnik i ka angazhuar mendjet e komentuesve të Kur’anit për shumë shekuj dhe ata kanë dhënë interpretime të ndryshme.

Disa kanë thënë se me “dy lindjet” dhe “dy perëndimet” nënkuptohen: lindja dhe perëndimi i diellit, lindja dhe perëndimi i hënës.

Të tjerë kanë thënë se bëhet fjalë për: lindjen e diellit në verë dhe në dimër, si dhe perëndimet e tij në këto dy stinë.

Por, mesa duket ajeti aludon për ekzistencën e një pjese tjetër të Tokës në anën e kundërt të globit, ku lindja e diellit për ata përkon me perëndimin e tij për ne.

Këtë e mbështet edhe fjala e Allahut:

“Ah, sikur ndërmjet meje dhe teje të ishte largësia e dy lindjeve! Sa shok i keq që je!”  (Sure “Ez-Zuhruf”, ajeti 38)

Nga kuptimi i dukshëm i këtij ajeti kuptohet se largësia ndërmjet “dy lindjeve” paraqet largësinë më të madhe të perceptueshme. Prandaj, sipas këtij interpretimi, nuk mund të bëhet fjalë për lindjen e diellit dhe të hënës, as për lindjet e verës dhe dimrit, sepse distanca ndërmjet tyre nuk është largësia më e madhe e mundshme.

Prandaj, domosdoshmërit këtu synohet largësia ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Kjo nënkupton se perëndimi për një grup njerëzish është lindje për një grup tjetër në anën tjetër të Tokës. Sipas këtij interpretimi, ajeti tregon për ekzistencën e asaj pjese të globit që nuk ishte zbuluar ende në kohën e zbritjes së Kur’anit dhe që u njoh vetëm pas shumë shekujsh.

Për sa u përket ajeteve që përmendin lindjen dhe perëndimin në trajtën njëjës, qëllimi është vetë lloji ose drejtimi i lindjes dhe perëndimit, si në fjalën e Allahut:

“Allahut i përkasin lindja dhe perëndimi; kudo që të ktheheni, aty është Fytyra (drejtimi dhe prania) e Allahut.” (Sure “El-Bekare,” ajeti 115)

Ndërsa ajetet që përdorin trajtën dyjësore (dy lindje dhe dy perëndime) interpretohen si aludim për pjesën tjetër të globit tokësor.

Kurse ajetet që përdorin trajtën shumës (lindjet dhe perëndimet) kanë për qëllim shumëllojshmërinë e lindjeve dhe perëndimeve sipas vendeve dhe pjesëve të ndryshme të Tokës.