Në ajetin 30 të sures “El-Furkan” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَقَالَ الرَّسُولُ يَا رَبِّ إِنَّ قَوْمِي اتَّخَذُوا هَذَا الْقُرْآنَ مَهْجُورًا﴾
“Dhe i Dërguari do të thotë: ‘O Zoti im! Populli im e shpërfilli këtë Kur’an, duke e braktisur atë.’”
Kur flasim për Ditën e Gjykimit, zakonisht mendojmë për pyetjet që Allahu do t’u bëjë njerëzve. Por, ky ajet na paraqet një skenë të veçantë: Vetë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ngre një ankesë para Allahut.
Ai nuk ankohet për mungesën e pasurisë së umetit, as për dobësinë e tyre ushtarake, as për numrin e pakët të ndjekësve. Ankesa e tij është: “O Zoti im! Populli im e braktisi Kur’anin.”
Kjo na tregon se një nga tragjeditë më të mëdha që mund t’i ndodhë një besimtari mysliman dhe shoqërisë islame, është largimi nga Kur’ani.
Çfarë do të thotë “Kur’an i braktisur”?
Fjala “mehxhurun”, që përmendet në këtë ajet të mësipërm, do të thotë i lënë pas dore, i neglizhuar dhe i braktisur.
Dijetarët kanë përmendur disa forma të braktisjes së Kur’anit.
E para: Braktisja e leximit
Shumë njerëz kanë Kur’an në shtëpi, por kalojnë javë e muaj pa e hapur.
Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ndriçoni shtëpitë tuaja me leximin e Kur’anit.”
Ky hadith na mëson se kur lexohet Kur’ani në shtëpi, ajo ndriçohet. Kur’ani nuk zbriti që të qëndrojë në rafte, por që të lexohet vazhdimisht dhe të zbatohet sepse Kur’ani përmban ligjet, rregullat dhe dispozitat e Krijuesit, Allahut të Madhëruar.
Wshtw transmetuar nga I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) se i ka thënë Selman Farisijut: “O Selman! Kapu pas leximit të Kur’anit, sepse leximi i tij është shlyerje për gjynahet, mburojë prej Zjarrit dhe siguri prej dënimit. Atij që e lexon, për çdo ajet i shkruhet shpërblimi i njëqind dëshmorëve; për çdo sure i jepet shpërblimi i një profeti. Mëshira zbret mbi të, engjëjt kërkojnë falje për të, Xheneti përmallësohet për të dhe Zoti është i kënaqur me të.” Burimi: “Xhāmi’ul-Akhbār, f. 39; “Biharul-Enuar”, vëll. 89, f. 17; “Mustedrekul-Uesail”, vëll. 4, f. 257.
E dyta: Braktisja e kuptimit
Disa e lexojnë Kur’anin, por nuk përpiqen ta kuptojnë. Në ajetin 24 të sures “Muhamed Allahu i Madhëruar thotë:
﴿أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ﴾
“A nuk meditojnë ata mbi Kur’anin?”
Ndërsa në ajetin 29 të sures “Sad” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ كِتَابٌ أَنْزَلْنَاهُ إِلَيْكَ مُبَارَكٌ لِيَدَّبَّرُوا آيَاتِهِ وَلِيَتَذَكَّرَ أُولُو الْأَلْبَابِ ﴾
“Ky është një Libër i bekuar që ta kemi zbritur ty, që ata të meditojnë mbi ajetet e tij dhe që të marrin mësim njerëzit e mençur.”
Ky ajet thekson se qëllimi i zbritjes së Kur’anit nuk është vetëm leximi i tij, por edhe meditimi i thellë mbi kuptimet e tij dhe marrja e këshillës e mësimit nga ata që kanë mendje të shëndoshë dhe zemër të hapur ndaj së vërtetës.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Meditoni mbi ajetet e Kur’anit dhe merrni mësim prej tij, sepse ai është më i fuqishmi ndër mësimet.” Burimi: “Gurarul Hikem”, hadithi nr. 4493
Kur’ani nuk është thjesht për recitim melodioz; ai është libër udhëzimi. Nëse lexojmë, por nuk mendojmë për mesazhin e tij, atëherë kemi marrë vetëm një pjesë të përfitimit.
E treta: Braktisja e veprimit
Kjo është forma më e rrezikshme. Njeriu mund ta lexojë Kur’anin çdo ditë, por në praktikë nuk i zbaton zbatojë urdhrat e tij.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Lexuesit e Kur’anit janë tre llojesh, më i miri prej tyre është ai që e merr Kur’anin si udhërrëfyes për jetën e tij.”
Kur’ani kërkon drejtësi, sinqeritet, besnikëri, modesti, moral dhe devotshmëri. Nëse jeta jonë nuk ndryshon nga Kur’ani, atëherë kemi rrezik të jemi ndër ata për të cilët ankohet Profeti.
E katërta: Braktisja e gjykimit sipas Kur’anit
Kur’ani na mëson si të shohim jetën, familjen, ekonominë, moralin dhe shoqërinë. Por kur njerëzit marrin si kriter vetëm dëshirat, modën, rrjetet sociale apo presionin e shoqërisë, atëherë Kur’ani mbetet jashtë vendimmarrjes së tyre.
Në ajetin 59 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَإِنْ تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ﴾
“Nëse keni kundërshtim për diçka, kthejeni atë te Allahu dhe i Dërguari.”
Ky ajet na mëson se burimi përfundimtar i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nuk janë dëshirat, interesat personale apo opinionet e njerëzve, por udhëzimi i Allahut dhe mësimet e të Dërguarit të Tij, Profeti Muhamed (Paqja e bekomet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Besimtari i vërtetë, kur përballet me një çështje të paqartë ose me një konflikt, kërkon gjykimin e Kur’anit dhe të Sunetit të paytës të Profetit dhe të Ehli Bejtit, sepse aty gjendet e vërteta, drejtësia dhe rruga që çon drejt unitetit.
Sa herë që lind një mosmarrëveshje, zgjidhja e saj duhet të kërkohet në udhëzimin e Allahut dhe të të Dërguarit, jo në pasionet dhe interesat personale.
A jemi ne në rrezik të braktisjes së Kur’anit?
Dijetarët kanë thënë se ajeti: “Dhe i Dërguari do të thotë: ‘O Zoti im! Populli im e shpërfilli këtë Kur’an, duke e braktisur atë.’”, është paralajmërim për çdo brez.
Ndoshta sot Kur’ani mund lexohet më shumë se kurrë. Aplikacionet e Kur’anit janë në çdo telefon. Recituesit dëgjohen në mbarë botën. Por pyetja është: Sa ndikim ka Kur’ani në mendimet, sjelljet dhe vendimet tona?
Nëse kalojmë orë të tëra në telefon, por vetëm pak minuta me Kur’anin, kjo duhet të na bëjë të reflektojmë. Nëse njohim fjalët e njerëzve të famshëm, por nuk njohim fjalën e Allahut, kjo është shenjë alarmi.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi tw dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejti (Paqja qoftw mbi ta!) nuk e shihnin Kur’anin si një libër për raste ceremoniale.
Profeti Muhamed ishte Kur’ani folës.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ishte mishërim i Kur’anit.
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) u ngrit për të mbrojtur vlerat e Kur’anit.
Imam Sexhadi (Paqja qoftë mbi të!) kalonte net të tëra duke lexuar dhe medituar mbi ajetet. Është transmetuar se kur arrinte te ajetet e mëshirës, lutej për mëshirë, dhe kur arrinte te ajetet e dënimit, kërkonte mbrojtje nga Allahu.
Pra, Profeti dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) jetonin me Kur’anin. Nwse jemi vwrtetw ndjekws tw tyre edhe ne duhet tw jetojmw me Kur’anin.
Si ta rikthejmë Kur’anin në jetën tonë?
Së pari: Lexim i përditshëm, qoftw edhe pesë apo dhjetë ajete në ditë. Vazhdimësia është më e rëndësishme se sasia.
Së dyti: Lexim me përkthim dhe meditim. Të pyesim veten: Çfarë më thotë ky ajet?Çfarë duhet të ndryshoj në jetën time?
Së treti: Të edukojmë familjen me Kur’an. Shtëpia ku lexohet Kur’ani është shtëpi e bekuar. Fëmijët duhet ta dëgjojnë dhe ta ndjejnë praninë e Kur’anit në familje. I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kush ia mëson fëmijës së tij Kuranin, Allahu do t’i vendosë atij (prindit) një varëse që do t’i mahnitë të parët dhe të fundit në Ditën e Kiametit.” (Kenzul Ummal, nr. 2386)
Së katërti: Të veprojmë sipas tij. Qëllimi përfundimtar nuk është vetëm leximi, por zbatimi. “I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Zbatoje leximin e Kuranit, sepse leximi i tij është shlyerje për mëkatet, mburojë nga zjarri (i Xhehenemit), dhe siguri nga dënimi.” (“Biharul-Enuar”, vëll. 92, f. 17, nr. 18)
Të dashur vëllezër dhe motra!
Çdo ditë tw jetws tonw të imagjinojmë Ditën e Gjykimit kur të gjithë njerëzit do të jenë para Allahut. Atë ditë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) do të jetë dëshmitar mbi umetin e tij.
Çdo ditë le tw pyesim vetat tona: A do të jemi nga ata për të cilët Profeti ankohet, apo nga ata për të cilët ai krenohet?
Të mos lejojmë që Kur’ani të mbetet vetëm zbukurim në raft, apo një aplikacion në telefon apo një libër që hapet vetëm në Ramazan, apo ceremony tw ndryshme. Le ta bëjmë Kur’anin shoqëruesin tonë të përditshëm, udhërrëfyesin tonë në vendime, mësuesin tonë në moral, dhe dritën tonë në rrugën drejt Allahut.
Lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej njerëzve të Kur’anit, prej atyre që e lexojnë, e kuptojnë, e duan dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre

