Detyrat e tona ndaj Profetit Muhamed (s.a.a.s)- Pjesa e dytë

Në ajetin 128 të sures “Et-Teube” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِّنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُم بِالْمُؤْمِنِينَ رَءُوفٌ رَّحِيمٌ﴾

“Vërtet, ju ka ardhur një i Dërguar prej vetë jush. Atij i rëndon shumë vuajtja juaj; është fort i kujdesshëm për ju, ndërsa ndaj besimtarëve është plot dhembshuri dhe mëshirë.”

            Ajeti na paraqet dashurinë dhe dhembshurinë e thellë të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famikljen e tij!) për njerëzit. Dhimbja dhe vështirësitë e ymetit e rëndonin zemrën e tij. Ai dëshironte me gjithë shpirt udhëzimin, shpëtimin dhe të mirën e tyre. Ndaj besimtarëve ishte i butë, i dhembshur dhe mëshirues.

            Në pjesën e parë të temës: “Detyrat e tona ndaj Profetit Muhamed” paraqitëm pesë detyra prej detyrave tona ndaj Profetit tonë të dashur. Sot, në pjesën e dytë të temës, do të paraqesim disa detyra të tjera, të cilat janë:

E gjashta: Besimi i palëkundur në të Dërguarin e Allahut (s.a.a.)

            Një prej detyrave tona ndaj Profetit Muhamed është që të kemi besim të palëkundur se ai është me të vërtetë i Dërguari i Allahut, se ai është Vula e profetëve dhe e të dërguarve, se shpallja që solli prej Zotit është e vërtetë dhe se feja me të cilën erdhi është e plotë dhe e përkryer. Gjithashtu, tëe besojmë se Profeti Muhamed është prej krijesave më të zgjedhura të Allahut, prijësi i profetëve dhe ndërmjetësuesi i umetit të tij në Ditën e Gjykimit.

Në ajetin 158 të sures “El-A’raf” Allahu i Madhëruar thotë:

 فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ النَّبِيِّ الْأُمِّيِّ الَّذِي يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَكَلِمَاتِهِ وَاتَّبِعُوهُ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ ﴾

“Prandaj besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk dinte shkrim e lexim, i cili beson Allahun dhe fjalët e Tij; dhe ndiqeni atë, që të mund të udhëzoheni.”

Në ajetin 8 të sures “Et-Tegabun” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَالنُّورِ الَّذِي أَنْزَلْنَا وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ ﴾

“Prandaj besoni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Dritën që Ne kemi zbritur. Allahu është i Mirënjohur për atë që bëni.”

            Dikush mund të thotë: Ne besojmë në Profetin Muhamed. Përse besimi në të përmendet sërish si detyrë?”

            Përgjigjja është se Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar jo vetëm ta pranojmë këtë besim një herë, por të qëndrojmë në të, ta forcojmë dhe ta shtojmë bindjen tonë në besimin te Profeti Muhamed. Në ajetin 136 të sures “En-Nisa” Allahu thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا آمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَالْكِتَابِ الَّذِي نَزَّلَ عَلَى رَسُولِهِ وَالْكِتَابِ الَّذِي أَنْزَلَ مِنْ قَبْلُ ﴾

“O ju që keni besuar! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin që ia zbriti të Dërguarit të Tij dhe Librin që e kishte zbritur më parë.”

            Pra, besimi në të Dërguarin e Allahut nuk është vetëm një pohim me gojë. Ai duhet të jetë një bindje e gjallë në zemër, që forcohet çdo ditë me njohje, dashuri dhe ndjekje. Sidomos në kohët kur shtohen dyshimet, keqinterpretimet dhe sulmet ndaj figurës dhe profetësisë së Profetit Muhamed Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famikljen e tij!), besimtari ka për detyrë ta ruajë zemrën dhe besimin e tij.

            Për këtë arsye duhet të njohim më mirë jetën e Profetit Muhamed, moralin e tij, sakrificat e tij, mrekullitë dhe misionin e tij. Leximi i biografisë së tij, meditimi mbi jetën e tij dhe njohja më e thellë e mesazhit që ai solli janë prej mjeteve më të fuqishme për të shtuar besimin, dashurinë dhe bindjen tonë ndaj Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famikljen e tij!). Sa më shumë që e njohim Profetin, aq më shumë e kuptojmë madhështinë e misionit të tij dhe aq më fort lidhet zemra jonë

E shtata: Ta duam dhe ta ndjekim Ehli Bejtin e Profetit Muhamed

            Kjo është një prej çështjeve shumë të rëndësishme në traditën e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). në ajetin 23 të sures “Esh-Shura” Allahu i Madhëruar thotë:

}قُلْ لَا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا الْمَوَدَّةَ فِي الْقُرْبَىٰ{

“Thuaj: Nuk kërkoj prej jush shpërblim për këtë, përveç dashurisë ndaj të afërmve të mi.”

            Në transmetimet e Ehli Bejtit, kjo dashuri e përmendur në ajet lidhet me dashurinë, ndjekjen dhe përkushtimin ndaj Pamiljes së Profetit Muhamed. Por, duhet ta kuptojmë mirë se dashuria për Ehli Bejtin nuk është vetëm të mbajmë emrat e tyre në gjuhë. Dashuria për Ehli Bejtin është të ndjekim rrugën e tyre, mësimet e tyre dhe porositë e tyre, sepse Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ishte simbol i drejtësisë. Imam Hasani (Paqja qoftë mbi të!) ishte simbol i durimit dhe pajtimit. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ishte simbol i sakrificës dhe qëndrueshmërisë ndaj së vërtetës. Imam Sexhadi (Paqja qoftë mbi të!) ishte simbol i adhurimit. Imam Bakiri dhe Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi ta!) ishin simbole të dijes. E kështu me radhë. Prandaj, ai që pretendon se e do Ehli Bejtin duhet të përpiqet të zbukurohet me moralin dhe sjelljen e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).

E teta: Të mbrojmë mesazhin e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) sakrifikoi gjithçka për ta përcjellë mesazhin e Allahut. Ai duroi talljen, përndjekjen, urinë, luftën dhe humbjen e njerëzve të dashur.

            Pyetja është: Çfarë duhet të bëjmë ne për ta ruajtur dhe për ta përhapur këtë mesazh? Nuk është e domosdoshme që kjo të bëhet me fjalime të mëdha. Mesazhi i Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mbrohet dhe përhapet kur nuk gënjejmë; nuk mashtrojmë; nuk bëjmë padrejtësi. Mesazhi i Profetit mbrohet dhe përhapet kur ndihmojmë një të varfër; kur pajtojmë dy njerëz; kur respektojmë prindërit; kur edukojmë fëmijët me moral dhe kur ruajmë unitetin e myslimanëve. Kështu bëhemi ambasadorë të moralit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

E nënta: Të duam atë që donte Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

            Një prej detyrave tona është të kemi dashuri për ata që Profeti i donte. Ai i donte të varfrit. Ai kujdesej për jetimët. Ai respektonte gratë. Ai ishte i mëshirshëm me fëmijët. Ai vizitonte të sëmurët. Ai falte kur kishte mundësi të hakmerrej. Ai nuk ishte arrogant. Ai nuk jetonte për luks. Ai ishte i lidhur me Allahun dhe njëkohësisht i lidhur me njerëzit.

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), kur përshkruan Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), na jep një pamje të jashtëzakonshme të personalitetit të tij. Imami thoshte se Profeti Muhamed ishte shembull i mëshirës, modestisë, drejtësisë dhe përkushtimit ndaj Allahut. Prandaj, nëse duam të jemi vërtet ndjekës të Profetit Muhamedit, duhet të pyesim veten tonë: A janë këto cilësi të pranishme në jetën time?

E dhjeta: Të ruajmë unitetin e ymetit

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) erdhi për t’i nxjerrë njerëzit nga përçarja drejt besimit dhe vëllazërisë. Ai erdhi për bashkimin e myslimanëve. Në ajetin 103 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا

“Kapuni të gjithë fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani.”

            Prandaj një prej detyrave tona ndaj Profetit Muhamed është të mos e shkatërrojmë me duart tona atë që ai ndërtoi me sakrificë. Profeti ynë i dashur na mësoi vëllazërinë. Ehli Bejti i Profetit (Paqja qoftë mbi ta!) na mësoi ruajtjen e dinjitetit, drejtësisë dhe bashkimit të myslimanëve. Sot, ndoshta një prej formave më të mëdha të respektimit të Profetit Muhmed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është që të mos lejojmë urrejtjen, përçarjen, shpifjen dhe konfliktet të hyjnë në familjet tona dhe në komunitetin tonë.

E njëmbëdhjeta: Ta përcjellim mesazhin e tij te brezi i ri

            Një detyrë e madhe e prindërve dhe e komunitetit është që fëmijët tanë ta njohin Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Nëse fëmija ynë di shumë gjëra për personazhe të ndryshme, por nuk di kush ishte Profeti Muhamed, atëherë kemi një boshllëk të madh në edukim.

            T’u tregojmë fëmijëve: Si sillej Profeti. Si falej. Si i trajtonte fëmijët. Si sillej me familjen. Si sillej me të varfrit. Si falej kur ishte në vështirësi. Si e donte Allahun. Dhe mbi të gjitha: T’u mësojmë se Islami nuk është vetëm informacion; Islami është karakter, Islami është jeta.

E dymbëdhejta: Të stolisemi me moralin e tij fisnik dhe me edukatën e tij të lartë:

            Të stolisemi me mëshirë, zemërgjerësi, butësi, falje, bujari, besnikëri dhe me të gjitha virtytet e tjera të çmuara që sot shpesh na mungojnë në jetën tonë. Pikërisht këto janë ato cilësi morale për përsosjen e të cilave u dërgua Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famikljen e tij!). Ai ka thënë: “Vërtet, unë jam dërguar për t’i përsosur virtytet e mira të moralit.”

            Ishin pikërisht këto virtyte që bënë që njerëzit ta besonin mesazhin e tij, të mblidheshin rreth tij dhe ta donin më shumë se vetveten dhe familjet e tyre. Në ajetin 159 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë: “Falë mëshirës së Allahut, ti u solle butë me ta. Sikur të ishe i ashpër dhe zemërfortë, ata do të shpërndaheshin prej teje…”
Të stolisurit me moralin e Profetit Muhamed është gjithashtu shenjë e besimit të plotë. Profeti ka thënë: “Besimtarët me besimin më të plotë janë ata që kanë moralin më të mirë, dhe më të mirët prej jush janë ata që sillen më mirë me gratë e tyre.”

            Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që ta marrim të Dërguarin e Tij si shembull, si në moralin e tij, ashtu edhe në marrëdhëniet me njerëzit dhe në adhurimin e tij. në ajetin 21 të sures “El-Ahzab” Allahu thotë: “Vërtet, te i Dërguari i Allahut keni shembullin më të mirë për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe që e përmend shumë Allahun.”
            Prandaj, një prej detyrave tona më të rëndësishme është që të përpiqemi të marrim nga morali dhe virtytet e tij, në mënyrë që të bëhemi të denjë për ndërmjetësimin e tij dhe për afërsinë me të në Ditën e Gjykimit.

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famikljen e tij!) ka thënë: “Me të vërtetë, më të dashurit prej jush për mua dhe më të afërtit me mua në kuvend Ditën e Gjykimit do të jenë ata prej jush që kanë moralin më të mirë…”

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Detyrat tona ndaj Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) janë të shumta dhe ato mund t’i përmbledhim në disa fjalë: Ta njohim. Ta duam. Ta respektojmë. T’i bindemi. Ta ndjekim. Të dërgojmë salavate mbi të dhe familjen e tij. Ta duam Ehli Bejtin e tij. Ta ruajmë mesazhin e tij. Ta jetojmë moralin e tij. Dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë.

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ka nevojë për ne; ne kemi nevojë për të. Ai erdhi për të na nxjerrë nga errësira drejt dritës. Në ajetin 2 të sures “El-Xhumua” Allahu i Madhëruar thotë:

هُوَ الَّذِي بَعَثَ فِي الْأُمِّيِّينَ رَسُولًا مِنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ

“Ai është që dërgoi ndër të pashkolluarit një të Dërguar nga mesi i tyre, i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron dhe u mëson Librin dhe Urtësinë…”

            Le të mos jetë lidhja jonë me Profetin Muhamed vetëm në ditët e lindjes së tij apo në ceremonitë fetare. Le të jetë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pjesë e jetës sonë çdo ditë.

            Kur flasim, ta kujtojmë moralin e tij. Kur sillemi me familjen, ta kujtojmë mëshirën e tij. Kur përballemi me padrejtësi, ta kujtojmë drejtësinë e tij. Kur sprovohemi, ta kujtojmë durimin e tij. Kur kemi mundësi të falim të tjerët, ta kujtojmë faljen e tij. Kur zemra jonë dobësohet, të kthehemi te Allahu, te Kur’ani dhe te mësimet e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejtit të tij.

            O Allah, na bëj prej atyre që e duan Profetin Tënd, që e ndjekin Sunetin e tij, që e duan Ehli Bejtin e tij dhe që në Ditën e Gjykimit të ringjallemi nën flamurin e Muhamedit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).