Nektari i Xhumasë – Leximi i Kur’anit ashtu sic e meriton

Kur’ani Famëlartë nuk është thjesht një libër që lexohet me gjuhë, por është Fjala e Allahut të Madhëruar, një udhërrëfyes për jetën dhe një burim drite për zemrën e njeriut. Leximi i tij është një adhurim i madh, por vlera e vërtetë e këtij leximi shfaqet atëherë kur fjalët e tij depërtojnë në zemër, kuptohen me mendje dhe pasqyrohen në sjelljen dhe veprat e njeriut. Prandaj, besimtari nuk duhet të mjaftohet vetëm me shqiptimin e shkronjave dhe ajeteve, por duhet të përpiqet ta lexojë Kur’anin me sinqeritet, përulësi, meditim dhe vëmendje.

Të lexosh Kur’anin ashtu siç e meriton do të thotë të respektosh të drejtat e tij dhe të lejosh që udhëzimi i tij të ndikojë në jetën tonë. Ai na fton të mendojmë, të reflektojmë, të pastrojmë zemrën, të përmirësojmë moralin dhe t’i zbatojmë mësimet e tij në praktikë. Sa herë që besimtari hap Kur’anin, ai duhet ta shohë veten përballë një mesazhi hyjnor që kërkon jo vetëm të dëgjohet e të lexohet, por të kuptohet, të përjetohet dhe të vihet në jetë. Pikërisht kjo është fryma e leximit të vërtetë të Kur’anit: një lexim që e afron njeriun me Allahun dhe e shndërron zemrën dhe sjelljen e tij.

———————– – ———————-

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿الَّذِينَ آتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ يَتْلُونَهُ حَقَّ تِلاَوَتِهِ أُوْلَئِكَ يُؤْمِنُونَ بِهِ﴾

“Ata të cilëve ua kemi dhënë Librin, e lexojnë atë ashtu siç duhet lexuar; të tillët janë ata që besojnë në të.”[1]

Kur’ani ka të drejta ndaj nesh dhe ne duhet t’ia përmbushim ato duke respektuar një sërë edukatash gjatë leximit dhe dëgjimit të tij.

Në komentimin e këtij ajeti, imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ata i lexojnë ajetet e tij me përpikëri dhe bukuri, i kuptojnë domethëniet e tyre, veprojnë sipas dispozitave të tij, shpresojnë në premtimet e tij, frikësohen nga dënimi i tij, marrin shembull nga rrëfimet e tij, nxjerrin mësime nga parabolat e tij, zbatojnë urdhrat e tij dhe shmangen nga ndalesat e tij…”[2]

Leximi më i mirë i Kur’anit është ai që realizon qëllimin e tij kryesor, e ai është udhëzimi.

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ذَلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ﴾

“Ky është Libri për të cilin nuk ka asnjë dyshim; ai është udhëzim për të devotshmit.”[3]

Ky ajet na tregon se qëllimi themelor i Kur’anit nuk është vetëm leximi i fjalëve të tij, por që njeriu të udhëzohet prej tij, të përmirësojë jetën e tij dhe të afrohet më shumë tek Allahu i Madhëruar. Prandaj, leximi i Kur’anit duhet të shoqërohet me meditim, kuptim dhe zbatim në praktikë.

Për të arritur udhëzimin (el-hidajetu), ka disa çështje që duhen pasur parasysh dhe respektuar; më të rëndësishmet prej tyre janë:

1- Sinqeriteti në lexim (el-ikhlasu)

Një nga edukatat më të rëndësishme dhe më të dobishme gjatë leximit të Kur’anit Famëlartë është sinqeriteti (ihlasi). Për këtë janë transmetuar shumë hadithe.

Ndër to është fjala e imam Bakirit (Paqja qoftë mbi të!): “Lexuesit e Kur’anit janë tre llojesh: Një njeri e lexon Kur’anin dhe e merr atë si mjet përfitimi, duke kërkuar me të afërsinë e sundimtarëve dhe duke u mburrur para njerëzve. Një tjetër e lexon Kur’anin, i ruan shkronjat e tij, por i humbet kufijtë dhe dispozitat e tij; e mban siç mbahet shigjeta në këllëf. Allahu mos i shtoftë të tillët ndër bartësit e Kur’anit. Ndërsa një njeri e lexon Kur’anin dhe ilaçin e Kur’anit e vendos mbi sëmundjen e zemrës së tij; me të e kalon natën zgjuar, me të duron etjen gjatë ditës, me të qëndron në xhamitë e tij dhe për shkak të tij largohet nga shtrati i rehatisë. Pikërisht, për shkak të këtyre Allahu i Plotfuqishëm e largon fatkeqësinë, për shkak të këtyre u jep fitore ndaj armiqve dhe për shkak të këtyre zbret shiun nga qielli. Betohem në Allahun se këta janë më të rrallë ndër lexuesit e Kur’anit sesa squfuri i kuq (një gjë shumë e rrallë).”[4]

2- Meditimi në Kur’an (et-tedebbur)

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَى قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا﴾

“A nuk meditojnë ata mbi Kur’anin, apo zemrat e tyre janë të mbyllura me dryna?”[5]

Leximi i Kur’anit pa meditim dhe reflektim nuk sjell dobinë e dëshiruar. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë:

﴿أَلَمْ يَأْنِ لِلَّذِينَ آمَنُوا أَن تَخْشَعَ قُلُوبُهُمْ لِذِكْرِ اللَّهِ وَمَا نَزَلَ مِنَ الْحَقِّ وَلَا يَكُونُوا كَالَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ مِن قَبْلُ فَطَالَ عَلَيْهِمُ الْأَمَدُ فَقَسَتْ قُلُوبُهُمْ وَكَثِيرٌ مِّنْهُمْ فَاسِقُونَ﴾

“A nuk ka ardhur koha që zemrat e besimtarëve të përulen para përmendjes së Allahut dhe para së vërtetës që është shpallur, e të mos bëhen si ata të cilëve u ishte dhënë Libri më parë; kaloi një kohë e gjatë mbi ta, kështu që zemrat e tyre u ngurtësuan, dhe shumë prej tyre janë të prishur?”[6]

Transmetohet se i Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Vërtet, habitem se si nuk më zbardhen flokët kur lexoj Kur’anin.”[7]

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dijeni se nuk ka të mirë në një dije që nuk shoqërohet me kuptim të thellë; nuk ka të mirë në një lexim që nuk shoqërohet me meditim; dhe nuk ka të mirë në një adhurim që nuk shoqërohet me njohje dhe kuptim fetar.”[8]

Po ashtu, transmetohet nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ai përmendi Xhabir ibn Abdullahun dhe e përshkroi si dijetar. Një njeri i tha: ‘U bëfsha kurban për ty! Ti e përshkruan Xhabirin si dijetar, ndërkohë që ti je ai që je (në dituri dhe urtësi)?’

Imami u përgjigj: “Sepse ai e njihte komentimin e fjalës së Allahut të Madhëruar:

﴿إِنَّ الَّذِي فَرَضَ عَلَيْكَ الْقُرْآنَ لَرَادُّكَ إِلَى مَعَادٍ﴾

“Ai që ta bëri detyrë Kur’anin, pa dyshim do të të kthejë në vendin e kthimit.”[9]

(Një transmetim me këtë kuptim gjendet në “Tefsir El-Kummij”, vëll. 2, f. 147)

Nga këto ajete dhe hadithe kuptojmë se leximi i vërtetë i Kur’anit nuk kufizohet në shqiptimin e fjalëve të tij, por kërkon: sinqeritet për hir të Allahut; meditim në kuptimet e ajeteve; ndikim të zemrës nga mesazhet e tij; dhe zbatim të mësimeve të tij në jetën e përditshme. Vetëm një lexim i tillë mund ta shndërrojë Kur’anin në burim udhëzimi, drite dhe shërimi për zemrën e njeriut.

Transmetohet nga Ez-Zuhriu se ka dëgjuar imam Ali ibn Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) të thotë: “Ajetet e Kur’anit janë thesare të dijes; sa herë që të hapet një thesar prej tyre, duhet të shikosh dhe të meditosh në të.” (“Biharul-Enuar”, vëll. 92, f. 219)

3-Të menduarit dhe reflektimi (et-efekkur)

Një nga edukatat e rëndësishme të leximit të Kur’anit është reflektimi i thellë. Në Kur’anin Famëlartë ka shumë thirrje për të menduar dhe reflektuar.

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ﴾

“Dhe Ne ta zbritëm ty Përkujtimin (Kur’anin), që t’u sqarosh njerëzve atë që u është shpallur, në mënyrë që ata të mendojnë dhe të reflektojnë.”[10]

Po ashtu thotë:

﴿فَاقْصُصِ الْقَصَصَ لَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ﴾

“Tregoju rrëfimet, që ndoshta ata do të mendojnë.”[11]

Dhe ka shumë ajete të tjera me këtë kuptim.

Edhe hadithet që flasin për reflektimin janë të shumta. Është transmetuar se kur zbriti ajeti:

﴿إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَاخْتِلاَفِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ لَآيَاتٍ لِّأُوْلِي الأَلْبَابِ﴾

“Vërtet, në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës ka shenja për njerëzit me mend”[12], i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: “Mjerë ai që e lexon këtë ajet dhe nuk mediton mbi të.”[13]

4- Ndikimi shpirtëror dhe frika ndaj Allahut (et-te’thuru ue el-khashjetu)

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿قُلْ آمِنُوا بِهِ أَوْ لَا تُؤْمِنُوا إِنَّ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ مِن قَبْلِهِ إِذَا يُتْلَى عَلَيْهِمْ يَخِرُّونَ لِلْأَذْقَانِ سُجَّدًا * وَيَقُولُونَ سُبْحَانَ رَبِّنَا إِن كَانَ وَعْدُ رَبِّنَا لَمَفْعُولًا * وَيَخِرُّونَ لِلْأَذْقَانِ يَبْكُونَ وَيَزِيدُهُمْ خُشُوعًا﴾

“Thuaj: Besoni në të ose mos besoni! Me të vërtetë, ata që u është dhënë dija para tij, kur ai u lexohet, bien me fytyrë në sexhde. Dhe thonë: ‘I Lartësuar qoftë Zoti ynë! Premtimi i Zotit tonë është me siguri i përmbushur.’ Dhe bien me fytyrë përtokë duke qarë, e ai ua shton edhe më shumë përulësinë.”[14]

Këto janë gjendjet shpirtërore të atij që e dëgjon Kur’anin me meditim dhe vëmendje; atëherë si duhet të jetë gjendja e atij që e lexon vetë Kur’anin?!

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿لَوْ أَنزَلْنَا هَذَا الْقُرْآنَ عَلَى جَبَلٍ لَّرَأَيْتَهُ خَاشِعًا مُّتَصَدِّعًا مِّنْ خَشْيَةِ اللَّهِ﴾

“Sikur Ne ta zbrisnim këtë Kur’an mbi një mal, do ta shihje atë të përulur dhe të copëtuar nga frika ndaj Allahut.”[15]

Kur’ani nuk është një libër që lexohet vetëm me gjuhë, por një libër që duhet të lexohet me zemër, mendje dhe shpirt. Prandaj, lexuesi i Kur’anit duhet të meditojë në ajetet e tij; të reflektojë mbi mesazhet e tij; të lejojë që Kur’ani të ndikojë në zemrën e tij; të ndiejë përulësi, frikë ndaj Allahut dhe mall për mëshirën e Tij. Sa më i madh të jetë reflektimi dhe meditimi në Kur’an, aq më i madh do të jetë ndikimi i tij në jetën dhe sjelljen e besimtarit.

5- Të qarit dhe trishtimi (el-buka’u uel huznu)

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) se ka thënë: “Kush e lexon Kur’anin dhe nuk përulet para Allahut, nuk i zbutet zemra dhe nuk vishet me trishtim e drojë në brendësinë e tij, ai e ka nënvlerësuar madhështinë e Allahut të Lartësuar. Prandaj shiko se si e lexon Librin e Zotit tënd dhe dokumentin e kujdestarisë sate; si u përgjigjesh urdhrave dhe ndalesave të Tij dhe si i zbaton kufijtë e Tij.”[16]

Është transmetuar në lajme: “Lexojeni Kur’anin me trishtim.”[17]

Në “Nehxhul-Belaga” thuhet: “Allah, Allah për Kur’anin! Mos lejoni që të tjerët t’ju paraprijnë në zbatimin e tij.”[18]

Kur’ani është Fjala e së Vërtetës (Allahut). Nga edukata e leximit të kësaj Fjale është që ta madhërojmë dhe ta nderojmë atë, të mos i marrim lehtë urdhrat dhe ndalesat e tij, paralajmërimet dhe kërcënimet e tij, si dhe të vërtetat dhe sekretet që ai përmban.

Madhështia dhe fuqia absolute e Allahut janë shfaqur për robërit e Tij nëpërmjet Kur’anit Famëlartë. Prandaj, nga edukata e plotë gjatë leximit të Kur’anit është që në zemrat tona të kemi trishtim, në sytë tanë lot, ndërsa në shpirtrat tanë frikë dhe ndjeshmëri. Kjo ishte edhe gjendja e Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), i cili, kur dëgjonte Kur’anin sytë e tij mbusheshin me lot.

Ai thoshte: “Nuk ka sy që derdh lot nga leximi i Kur’anit, veçse do të gëzohet në Ditën e Kiametit.”[19]

Dhe: “Lexojeni Kur’anin dhe qani; nëse nuk qani, atëherë përpiquni të qani.”[20]

Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se në përshkrimin e të devotshmëve ka thënë: “Me Kur’anin i mbushin shpirtrat e tyre me trishtim dhe prej tij nxjerrin ilaçin e sëmundjeve të tyre. Kur kalojnë pranë një ajeti që përmban përgëzim dhe nxitje, mbështeten tek ai me shpresë, shpirtrat e tyre fluturojnë drejt tij me mall dhe mendojnë sikur ai premtim është para syve të tyre. Kur kalojnë pranë një ajeti që përmban frikësim, e dëgjojnë me veshët e zemrës së tyre dhe mendojnë sikur hungërima dhe frymëmarrja e Xhehenemit po ushtojnë pranë veshëve të tyre.”[21]

6- Zbatimi në praktikë

Një nga edukatat më të rëndësishme të leximit të Kur’anit, e cila i sjell njeriut rezultate të shumta dhe përfitime të pakufishme, është zbatimi praktik i ajeteve.

Ai që dëshiron të përfitojë sa më shumë nga Kur’ani Famëlartë duhet ta zbatojë çdo ajet në gjendjen e vet personale, në mënyrë që të marrë përfitimin e plotë prej tij.

Për shembull, Allahu i Madhëruar thotë:

﴿إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ اللّهُ وَجِلَتْ قُلُوبُهُمْ وَإِذَا تُلِيَتْ عَلَيْهِمْ آيَاتُهُ زَادَتْهُمْ إِيمَانًا وَعَلَى رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ﴾

“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata të cilëve, kur u përmendet Allahu, u dridhen zemrat; kur u lexohen ajetet e Tij, ua shtojnë besimin dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.”[22]

Prandaj, udhëtari në rrugën e Allahut duhet të shohë nëse këto tri cilësi gjenden tek ai: A i dridhet zemra kur përmendet Allahu? A i shtohet besimi kur dëgjon ajetet e Kur’anit? A mbështetet dhe a i beson plotësisht Allahut?

Nëse është i privuar nga këto cilësi, duhet të përpiqet t’i fitojë ato.

Kështu duhet të veprojë me çdo ajet që lexon: ta zbatojë në jetën e tij reale dhe ta përdorë si pasqyrë për të vlerësuar veten.

Kur’ani është libër zbatimi dhe veprimi, jo thjesht libër recitimi.

Ashtu siç morali dhe sjellja e të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishin Kur’ani, edhe besimtari që e lexon Kur’anin duhet të përpiqet që morali dhe sjellja e tij të bëhen kur’anore.