MUAJIT I RAMAZANIT, MUAJI I QETËSISË SHPIRTËRORE

Mes ditëve dhe netëve të jetës, një melodi e këndshme lajmëron për ardhjen e një muaji të madh dhe përplot begati. Ajo melodi thotë: Erdhi muaji i bekuar i Ramazanit!

            Muaji i Ramazanit është si shiu i butë i pranverës, i cili bie mbi shkretëtirën e thatë dhe të rreshkur. Të përpiqemi që shkretëtirën e shpirtit tonë ta vadisim me këtë shi jetëdhënës.

            Pa dyshim që problemet dhe vështirësitë e jetës na kanë lodhur, na kanë mundur dhe na kanë shqetësuar. Muaji i begatë i Ramazanit është një rast i veçantë dhe i volitshëm për të dalë nga pëlhura e lodhjes, e emundimit, e dëshpërimit dhe e shqetësimit, që na kanë mbuluar trupin dhe shpirtin. Megjithëse këto çaste të ndritura kalojnë shumë shpejt, ato i rikujtojnë njeriut marrëveshjen dhe besëlidhjen e tij me Allahun dhe rrugën e të jetuarit ashtu siç dëshiron Krijuesi.

            Muaji i begatë i Ramazanit është përplot me çaste të bukura, të cilat nuk mund të shpjegohen me fjalë, por që duhen shijuar. Muaji i begatë i Ramazanit është qetësues i zemrave të mëkatarëve, të cilët duhet që me fletët e pendimit dhe të kërkimit të faljes të fluturojnë drejt qiellit të mëshirës e të faljes së Allahut. Ky muaj i dashur qëndron pranë nesh disa ditë dhe disa netë dhe dalëngadalë largohet. Syfyret e ndritura, iftaret plot begati, krijojnë një ambient të mbushur plot spiritualitet dhe pastërti, duke mundësuar hapjen e një faqeje të re në jetë larg lodhjes, mërzitjes, dëshpërimit dhe shqetësimit.

            Në këtë botë të mbushur me trazira, në të cilën dallgët e fuqishme të materializmit e përplasin njeriun sa në një shkëmb te tjetri, njeriu ka nevojë më shumë se kurrë për t’u çliruar nga monotonia, të merret me veten e tij dhe të mendojë për qëllimet e krijimit dhe për përgjegjësitë që ka në këtë jetë dhe të shpëtojë nga përplasjet e dallgëve të materializmit shkatërrues.

Të gjithë e dimë se njeriu, përveç nevojave materiale, ka edhe nevoja dhe kërkesa të shumta shpirtërore. Nëse këto nevoja lihen në harresë, njeriu pëson dëm të pakompensueshëm. Njëri prej qëllimeve të agjërimit në muajin e bekuar të Ramazanit është që njeriu të çlirohet nga tufani i jetës materiale dhe të hyjë në mejdanin e jetës shpirtërore. Muaji i Ramazanit na mëson se si të përballemi me veprat e gabura e të këqija të cilat na çojnë në rrugë të gabuar dhe në shkatërrim. Ky muaj i begatë e shumëdimensional, i mundëson njeriut që në çdo vend të ndjejë me gjithë qënien e tij praninë e Krijuesit, Allahut të Gjithëditur e të Mirëinformuar. Në këtë muaj të bekuar, shpirti i njeriut pastrohet me burimin e kthjellët të mëshirës së Allahut dhe njeriut i lind një kënaqësi të cilën nuk dëshiron ta ndërrojë me asnjë kënaqësi tjetër në këtë jetë.

            Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e  pyetën se cila është vepra më mirë në këtë muaj? Ai u përgjigj: “Puna më e mirë është ruajtja nga gjërat që i ka ndaluar Allahu.” Pra, njeriu të mos e bëjë atë që e ka ndaluar Allahu i Madhëruar.

            Tani që në muajin e Ramazanit është krijuar një mundësi e re që të rishikojmë mendimet, sjelljet dhe ndjenjat tona, atëherë ta shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi.

            Një prej mundësive të përkyera në muajin e Ramazanit për të qetësuar shpirtin është leximi i Kur’anit të Shenjtë dhe ky lexim të jetë i  shoqëruar me kuptim, arsyetim dhe zbatim, sepse Libri i Allahut, të cilit nuk i vjen e kota nga asnjë anë, është i pandryshuar dhe udhëzon në atë që është më e mira më e përkryera dhe më e dobishmja, siç thotë ajeti 9 i sures “Isra”: Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.Kur’ani i Shenjtë është ai që i mëson njeriut balancimin dhe ekuilibrin mes materiales dhe shpirtërores në çdo sferë të jetës. Prandaj, le të jetë Kur’ani shoqëruesi ynë më i mirë në muajin e Ramazanit dhe në të gjithë jetën tonë!

            Në ajete të ndryshme të Kur’anit, Allahu ka përmendur veçoritë e besimtarëve dhe të njerëzve punëmirë, duke premtuar se këto veçori e çojnë besimtarin drejt lumturisë dhe përparimit në fusha të ndryshme të jetës së tij. Gjithashtu, këto veçori e lartësojnë atë në Jetën Tjetër dhe e bëjnë prej banorëve të Xhenetit. Njëra prej veçorive të njerëzve punëmirë është besimi i tyre i patundur në Allahun e Plotfuqishëm. Në ajetin 9 të sures “Ankebut”, përmendet kushti për hyrjen në mesin e njerëzve të mirë, e ai është besimi dhe kryerja e veprave të mira. Ajeti thotë: Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri do t’i radhisim në mesin e të mirëve.Ndërsa në suren “Fusilet”, ajeti 30 thuhet: “Me të vërtetë, atyre që thonë: ‘Zoti ynë është Allahu’, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melekët (para vdekjes) e do t’u thonë: ‘Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.’”

            Besimtarë të vërtetë janë ata njerëz të cilët kanë një zemër të mbushur me besim dhe me dashuri për Krijuesin. Ata, vazhdimisht e përmendin, e madhërojnë, e falënderojnë dhe e adhurojnë Atë. Falë besimit dhe bindjes që kanë në zemër ndaj Allahut Fuqiplotë, ata e ndjejnë veten e tyre të siguritë dhe ndjejnë një qetësi të paparë në shpirtin dhe zemrën e tyre. Besimi, si një mbrojtës i fuqishëm, e ruan njeriun nga dëmtimet shpirtërore e morale dhe nga cytjet e shejtanit e të egos. Njerëzit punëmirë janë njerëz të shëndetshëm si nga aspekti shpirtëror, ashtu edhe nga ai psikik. Përvoja ka treguar se besimi në Allahun e Madhëruar i fal njeriut qetësi dhe siguri.

            Nga këndvështrimi i njerëzve besimtarë, bota nuk është një përmbledhje elementesh të kotë dhe të pavlerë, por është një sistem, i cili ndjek një qëllim të caktuar. Sipas njeriut besimtar, Allahu Fuqiplotë është burimi i të gjitha të mirave dhe bukurive në gjithësi. Ai është i Gjithmëshirshëm, i Plotpushtetshëm. Është gjithmonë pranë robve të Tij dhe i dëgjon lutjet e tyre. Kjo ndjenjë, bën që besimtarët të posedojnë shëndet më të mirë shpirtëror.

            Ai njeri që nuk beson në ekzistencën e Allahut, pa dyshim që ndjen një boshllëk në brendinë e tij. Sigurisht, që kjo ndjenjë negative ndikon në sjelljet dhe në veprimet e tij.

            Në këtë muaj të veçantë të përfitojmë sa më shumë nga sofra e Allahut të Madhëruar, e cila përmban të gjitha ushqimet që i nevojiten zemrës, shpirtit, mendjes dhe ndërgjegjes që të fitojmë kënaqësinë e Allahut në të dy jetët. Nëpërmjet mësimeve të tij të qarta e të larta, Kur’ani na tregon rrugën më të mirë për të arritur lumturinë në këtë Jetë dhe në Jetën Tjetër. Në suren “Haxh”, ajeti 40, thuhet: Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.

Në suren “Ahzab”, ajetet 42-44 thuhet:O ju që keni besuar! Përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! Është Ai që ju bekon, ndërkohë që melekët e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve. Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar.”

            O Allahu ynë! Me zemrën mbushur me besim dhe me shpresë në mëshirën Tënde të pafundme jemi gati që të përfitojmë sadopak nga kjo sofër që ke përgatitur në këtë muaj të begatë! O Allahu ynë! Duart tona i ngremë drejt Teje në mënyrë që të na japësh atë që ne e meritojmë! O Allahu ynë! Të falënderojmë natë e ditë që na mundësove edhe njëherë të shijojmë ëmbëlsinë e pranisë së këtij muaji të bekuar!

Paqja qoftë mbi ty, o Muaj i mëshirës së Allahut! Paqja qoftë mbi ty, o sofra e shtruar e Allahut! Paqja qoftë mbi ty, o Muaj që duam të të kemi pranë gjithmonë!

Allahu zemrat na i qetësoftë dhe adhurimet na i pranoftë!