A përmendet Ehli Bejti (Familja e Profetit) në Kur’an?
Një nga pyetjet që shtrohet shpesh në mesin e myslimanëve është: A përmendet Ehli Bejti (Familja e Profetit) në Kur’an?
Përgjigjja është: Po. Kur’ani i Shenjtë e përmend Ehli Bejtin në disa ajete, drejtpërdrejt ose tërthorazi, duke sqaruar pozitën e tyre të lartë, pastërtinë e tyre shpirtërore dhe detyrën e myslimanëve për t’i dashur, respektuar dhe pasuar ata.
Si përgjigje ndaj pyetjes: A përmendet Ehli Bejti (Familja e Profetit) në Kur’an, do të citoj disa nga ajetet më të rëndësishme të Kur’anit që flasin për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!).
Ajeti i parë: Ajeti i Pastrimit (Ajetu Et-Tat’hir)
Ky është ajeti 33 në suren “El-Ahzab” në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
{ إِنَّمَا يُرِيدُ اللهُ لِيُذْهِبَ عَنكُمُ الرِّجْسَ أَهْلَ الْبَيْتِ وَيُطَهِّرَكُمْ تَطْهِيرًا}
“Allahu dëshiron vetëm që të largojë prej jush çdo papastërti, o Ehli Bejt, dhe t’ju pastrojë plotësisht.”
Ky është ajeti më i njohur rreth Ehli Bejtit. Sipas shumë transmetimeve të përcjella nga dijetarët myslimanë, kur zbriti ky ajet, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mblodhi nën mantelin e tij: Aliun, Fatimenë, Hasanin, Husejnin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe tha: “O Allah! Këta janë Ehli Bejti im.”
Ky hadith njihet si Hadithi i Mantelit (Hadithul-Kisa).
Ky ajet tregon: pastërtinë shpirtërore të Ehli Bejtit; afërsinë e tyre të veçantë me Allahun dhe pozitën e tyre të lartë në Islam.
Ajeti i dytë: Ajeti i Dashurisë (Ajetul-Meueddeh)
Ky është ajeti 23 në sures “Esh Shura”, në të cilin Allahu Fuqiplot thotë:
{…قُل لَّا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا الْمَوَدَّةَ فِي الْقُرْبَىٰ…}
“…Thuaj: Unë nuk kërkoj prej jush shpërblim për këtë mision, përveç dashurisë ndaj të afërmve…”
Shumë komentues të Kur’anit kanë transmetuar se me “të afërmit” synohen: Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Husejni (Paqja qoftë mbi ta!)
Pra, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk kërkoi pasuri, as pushtet as privilegje, por kërkoi që ummeti të ruajë dashurinë për familjen e tij dhe t’i pasojnë ata.
Ky ajet tregon se dashuria për Ehli Bejtin është urdhër nga Allahu dhe është pjesë e mirënjohjes ndaj Profetit.
Ajeti i tretë: Ajeti i Mubahales (Lutjes për mallkim)
Ky është ajeti 61 në suren “Ali Imran” në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
فَمَنْ حَاجَّكَ فِيهِ مِن بَعْدِ مَا جَاءَكَ مِنَ الْعِلْمِ فَقُلْ تَعَالَوْا نَدْعُ أَبْنَاءَنَا وَأَبْنَاءَكُمْ وَنِسَاءَنَا وَنِسَاءَكُمْ وَأَنفُسَنَا وَأَنفُسَكُمْ ثُمَّ نَبْتَهِلْ فَنَجْعَل لَّعْنَتَ اللَّهِ عَلَى الْكَاذِبِينَ﴾
“Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!”
Kur Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u përball me të krishterët e Nexhranit për çështjen e Profetit Isa (Paqja qoftë mbi të !), ai (Profeti) doli për Mubahale (Lutjte për mallkim) duke marrë me vete Hasanin dhe Husejnin si “bijtë tanë”, Fatimen si “gratë tona”, Aliun si “vetet tona”.
Kjo ngjarje historike tregon pozitën e jashtëzakonshme të këtyre personave pranë Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Prandaj ky ajet konsiderohet një nga argumentet më të forta për madhështinë e Ehli Bejtit.
Sepse, Profeti ynë i dashur, në lutjen për mallkim, nuk mori asnjë person tjetër nga shokët dhe bashkëshortet e tij, por mori vetëm imam Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Husejnin (Paqja qoftë mbi ta!) për t’u treguar myslimanëve se këta janë familja e tij dhe askush tjetër.
Ajeti i katërt: Ajeti i ushqimit
Ky është ajeti 8 dhe ajeti 9 në suren “El-Insan”, në të cilët Allahu i Madhëruar thotë:
{وَيُطْعِمُونَ ٱلطَّعَامَ عَلَىٰ حُبِّهِۦ مِسْكِينًۭا وَيَتِيمًۭا وَأَسِيرًا * إِنَّمَا نُطْعِمُكُمْ لِوَجْهِ ٱللَّهِ لَا نُرِيدُ مِنكُمْ جَزَآءًۭ وَلَا شُكُورًا *
“Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!”
Sipas shumë transmetimeve, këto ajete zbritën për Aliun, Fatimen, Hasanin, Husejnin. Ata agjëruan tri ditë radhazi dhe në tri ditët ia dhanë ushqimin e tyre një të varfri, një jetimi, një robi të liruar, ndërsa vetë mbetën të uritur.
Pastaj Allahu i lavdëroi ata në ajetet 11 dhe 12 po të sures “El-Insan” duke thënë:
}فَوَقَىٰهُمُ ٱللَّهُ شَرَّ ذَٰلِكَ ٱلْيَوْمِ وَلَقَّىٰهُمْ نَضْرَةًۭ وَسُرُورًۭا * وَجَزَىٰهُم بِمَا صَبَرُوا۟ جَنَّةًۭ وَحَرِيرًۭا{ *
“Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.”
Ajeti i ushqimit na meson sinqeritetin, sakrificën, besnkërinë dhe altruizmin e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
Ajeti i pestë: Ajeti i Ulu’l-Emrit (autoritet udhëheqës)
Ky është ajeti 59 në suren “En-Nisa”Allahu thotë:
ا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنكُمْ ۖ
“O ju që keni besuar! Bindjuni All’llahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë çështjet tuaja...”
Shumë dijetarë kanë diskutuar se kush janë “Ulul-Emri”. Shkolla e Ehli Bejtit e shpjegon këtë ajet si referencë për imamët e udhëzimit nga familja e Profetit, sepse Allahu ka urdhëruar bindje ndaj tyre, ashtu si ndaj Profetit.
Ajeti i gjashtë: Ajeti i Vilajetit
Ky është ajeti 55 në suren “El-Maide” në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
{إِنَّمَا وَلِيُّكُمُ ٱللَّهُ وَرَسُولُهُۥ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱلَّذِينَ يُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَيُؤۡتُونَ ٱلزَّكَوٰةَ وَهُمۡ رَٰكِعُونَ}
“Miku dhe kujdestari juaj është vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe ata besimtarë që falin namazin dhe japin zekatin duke qenë në ruku.”
Sipas shumë transmetimeve, ky ajet zbriti kur imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) i dha unazën e tij një të varfri gjatë rukusë në namaz. Ky ajet tregon pozitën e veçantë të imam Aliut në mesin e besimtarëve.
Çfarë na mësojnë këto ajete?
Këto ajete tregojnë se:
1- Ehli Bejti ka një pozitë të veçantë në Islam.
2- Allahu i ka lavdëruar ata në Kur’an.
3- Dashuria ndaj tyre është kërkesë kuranore.
4- Ata janë shembull i pastërtisë, sakrificës dhe devotshmërisë.
5- Ndjekja e rrugës së tyre është rrugë drejt afërsisë me Allahun.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ehli Bejti nuk është thjesht një familje historike. Ata janë shkollë e besimit, moralit dhe sakrificës. Kur’ani na fton të njohim pozitën e tyre, t’i duam dhe të mësojmë prej tyre.
Prandaj, dashuria për Ehli Bejtin nuk është vetëm një ndjenjë, por një përgjegjësi fetare dhe një rrugë drejt kënaqësisë së Allahut. Nuk mjafton të thuash e dua Ehli Bejtin. Duhetq ë Ehli Bejti të jetë në mendimet tona, në fjalët tona, në qëndrimet tona, në moralin tonë, në veprat tona dhe në sjelljen tonë.
Sa bukur ka thënë imam Shafi’iu, imami i Madh’hebit Shafi’ij:
یا آلَ بَیتِ رَسولِ اللَهِ حُبُّکُمُ | فَرضٌ مِنَ اللَهِ فِی القُرآنِ أَنزَلَهُ
یَکفیکُم مِن عَظیمِ الفَخرِ أَنَّکُمُ | مَن لَم یُصَلِّ عَلَیکُم لا صَلاةَ لَهُ
O Ehli Bejti i të Dërguarit të Allahut! Dashuria ndaj jush është një obligim hyjnor, të cilin Allahu e ka shpallur në Kur’an.
Dhe për madhështinë tuaj mjafton ky nder: kush nuk ju përmend me salavat në namaz, namazi i tij nuk është i plotë.
Qofshim prej atyre që e duan Ehli Bejtin dhe që zbatojnë porositë dhe këshillat e tyre!
