Çfarë është devotshmëria sipas Kur’anit?
Në ajetin 102 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ﴾
“O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet pasur frikë prej Tij dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë.”
Në këtë ajet Allahu i urdhëron besimtarët të kenë devotshmëri të plotë, duke iu bindur Atij, duke u larguar nga mëkatet dhe duke qëndruar në Islam deri në fund të jetës.
Devotshmëria në Kur’an quhet et tekua (التقوى) dhe nënkupton të jetosh me vetëdije të vazhdueshme për Allahun, duke iu bindur Atij, duke u larguar nga mëkatet dhe duke e ruajtur zemrën nga çdo gjë që e largon njeriun prej Zotit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) e ka përkufizuar devotshmërinë: “Frika nga i Madhërishmi (Allahu), veprimi sipas shpalljes, kënaqja me pak dhe përgatitja për ditën e largimit.”
Devotshmëria në Kur’anin e Shenjtë është thelbi i besimit dhe baza e pranimit të veprave. Në kuptimin terminologjik, ajo përkufizohet si zbatimi i urdhrave të Allahut, shmangia nga ndalesat e Tij dhe vendosja e një mbrojtjeje mes robit dhe dënimit të Allahut të Lartësuar. Devotshmëria është përmendur në Kur’an me kuptime të sakta dhe me fryte madhështore.
Devotshmëria (et tekua) nuk është vetëm frikë, por është dashuri ndaj Allahut, respekt ndaj urdhrave të Tij, kujdes për veprat, kontroll mbi dëshirat dhe përgjegjësi morale.
Devotshmëria është masa e vlerës dhe e pozitës së njeriut tek Allahu. Në ajetin 13 të sures “El Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:
{…إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ}
“…Më i nderuari tek Allahu është ai që është më i devotshëm.”
Kjo tregon se vlera e njeriut tek Allahu nuk matet me pasuri, pozitë apo prejardhje, por me devotshmëri.
Gjithashtu, Kur’ani e përshkruan devotshmërinë si dritë për zemrën, mbrojtje nga mëkati dhe rrugë drejt shpëtimit. Në ajetin 29 të sures “El Enfal” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن تَتَّقُوا اللَّهَ يَجْعَل لَّكُمْ فُرْقَانًا وَيُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۗ وَاللَّهُ ذُو الْفَضْلِ الْعَظِيمِ﴾
“O ju që besoni! Nëse jeni të devotshëm ndaj Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë për të dalluar (të vërtetën nga e kota), do t’jua mbulojë gjynahet dhe do t’jua falë ato. Allahu është Zot i mirësisë së madhe.”
Ky ajet tregon se devotshmëria i jep zemrës dritë dhe largpamësi për të dalluar të vërtetën nga e kota, e mbron njeriun nga rrëshqitja në mëkat dhe bëhet shkak për falje dhe shpëtim. Pra, devotshmëria e ndriçon zemrën, e ruan njeriun nga gabimi dhe e udhëzon drejt faljes dhe shpëtimit.
Çfarë ndikimesh dhe dobishë ka devotshmëria?
Sigurisht që devotshmëria ka ndikime dhe dobi të shumta në jetën e njeriut. Prej tyre janë:
1- Devotshmëria sjell afërsi me Allahun
Njeriu i devotshëm e ndien Allahun pranë në çdo moment. Zemra e tij mbushet me qetësi dhe besim. Allahu është me të devotëshmit, siç thuhet në ajetin 194 të sures “El Bekare”:
…}وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَعَ الْمُتَّقِينَ{
“…dijeni se me të vërtetë, Allahu është me të devotshmit.”
Ndërsa në ajetin 128 të sures “En Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ اللَّهَ مَعَ الَّذِينَ اتَّقَوا وَّالَّذِينَ هُم مُّحْسِنُونَ﴾
“Vërtet, Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe që janë punëmirë.”
2- Devotshmëria shkak i pranimit të veprave tek Allahun
Allahu pranon vetëm nga të devotëshmit, siç thotë ajeti: 27 në suren “Maide”:
{…لَأَقْتُلَنَّكَ ۖ قَالَ إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ ٱللَّهُ مِنَ ٱلْمُتَّقِينَ}
“…Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.”
3- Devotshmëria sjell qetësi shpirtërore
Shumë njerëz kanë pasuri, por nuk kanë paqe. Devotshmëria i jep zemrës stabilitet, durim dhe siguri. Njeriu i devotshëm nuk tronditet lehtë, nuk dëshpërohet shpejt dhe nuk bëhet rob i epsheve.
Në ajetet 62-63 të sures “Junus” thuhet:
}أَلَا إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ الَّذِينَ آمَنُوا وَكَانُوا يَتَّقُونَ﴾{
“Vërtet, miqtë e Allahut nuk kanë frikë dhe as nuk pikëllohen; ata janë që besuan dhe ishin të devotshëm.”
Ky ajet tregon qartë se besimi dhe devotshmëria sjellin siguri, largim të frikës dhe pikëllimit, pra qetësi shpirtërore.
4- Devotshmëria e mbron njeriun nga mëkatet dhe padrejtësia
Devotshmëria krijon “alarm të brendshëm”. Kur njeriu dëshiron të bëjë një gabim, apo gjynah devotshmëria e ndalon dhe i kujton Allahun. Prandaj një shoqëri me devotshmëri ka më pak padrejtësi, më pak tradhti dhe më shumë ndershmëri dhe mëshirë.
5- Devotshmëria sjell bereqet dhe zgjidhje në vështirësi
Allahu premton ndihmë për të devotshmit, siç thotë në ajetet 2 dhe 3 në suren “Et Talak”
}وَمَن يَتَّقِ ٱللَّهَ يَجۡعَل لَّهُۥ مَخۡرَجٗا (2) وَيَرۡزُقۡهُ مِنۡ حَيۡثُ لَا يَحۡتَسِبُۚ …}
“…Kush është i dëvotshmë ndaj Allahut, Ai i hap rrugëdalje dhe e furnizon prej nga nuk e pret….”
Pra devotshmëria hap dyer, sjell bereqet, dhe e ndihmon njeriun në momentet e vështira.
6- Devotshmëria është rruga drejt suksesit në Ahiret
Kur’ani e paraqet Xhennetin si shpërblim për të devotshmit.
{وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ}
“…dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.”
7- Devotshmëria është qëllimi i adhurimeve
Kur’ani i Shnjetë thekson se adhurimet e ndryshme janë ligjëruar kryesisht për të arritur devotshmërinë. Përshembull, Kur’ani thotë për agjërimin: “O ju që keni besuar, ju është bërë detyrim agjërimi, ashtu siç ishte detyrim edhe për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.”
Thotë për Haxhin: “Pajisuni me furnizim, por furnizimi më i mirë është devotshmëria. Dhe kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur.”
Thotë për adhurimin në përgjithësi: “O njerëz, adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.”
8- Shpëtimi nga Zjarri dhe fitimi i Xhennetit
Në ajetin 72 të sures “Merjem” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ ثُمَّ نُنَجِّي الَّذِينَ اتَّقَوا وَّنَذَرُ الظَّالِمِينَ فِيهَا جِثِيًّا﴾
“Pastaj Ne do t’i shpëtojmë ata që ishin të devotshëm dhe do t’i lëmë të padrejtët aty të gjunjëzuar.”
Dikush mund të pyesë: A e privon devotshmëria lirinë e besimtarit?
Jo. Përkundrazi, devotshmëria e çliron njeriun. Shumë njerëz mendojnë se fjala liri do të thotë: “të bëj çfarë të dua”. Por Kur’ani na mëson se nëse njeriu bëhet rob i epsheve, zemërimit, pasionit apo mëkatit, ai nuk është i lirë, ai është i robëruar nga dëshirat e veta.
Devotshmëria nuk e burgos njeriun, por e çliron nga robëria e mëkatit, e ruan dinjitetin e tij dhe e orienton drejt asaj që i bën mirë.
Ashtu siç një lumë ka nevojë për brigje që të mos vërshojë dhe të mos shkatërrojë, edhe liria e njeriut ka nevojë për kufij moralë që të mos kthehet në dëm.
Prandaj, devotshmëria nuk është kufizim i lirisë, por ëshë drejtim i saj, pastrim i saj dhe përdorim i saj në rrugën e së mirës.
Devotshmëria sipas Kur’anit të Shenjtë është gjallëria e zemrës dhe mburoja e besimtarit. Ajo e afron njeriun me Allahun, pastron moralin, i jep qetësi shpirtit dhe e udhëzon njeriun drejt suksesit në këtë botë dhe shpëtimit në Botën Tjetër. Njeriu më i lirë nuk është ai që ndjek çdo dëshirë, por ai që arrin të sundojë veten me vetëdije dhe me devotshmëri.
