​Çfarë është feja sipas Kur’anit?

Kur flasim për fenë, shumë njerëz e kufizojnë atë në rite dhe adhurime, si: namaz, agjërim, haxh apo lexim të Kur’anit. Mirëpo, Kur’ani na mëson se feja është shumë më e gjerë. Ajo është një mënyrë jetese, një sistem hyjnor që rregullon marrëdhënien e njeriut me Allahun, me vetveten, me familjen dhe me shoqërinë.
Sot do t’i përgjigjemi pyetje: Çfarë është feja sipas Kur’anit?

Sipas Kur’anit Feja është nënshtrim i vetëdijshëm ndaj Allahut
Në ajetin 19 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّهِ الْإِسْلَامُ ۗ …﴾
“Feja e pranueshme tek Allahu është Islami.”
​
​Fjala Islam do të thotë dorëzim dhe nënshtrim ndaj Allahut me bindje dhe dashuri. Feja nuk është thjesht të thuash “Unë jam mysliman”, por ta dorëzosh zemrën, mendjen dhe veprat tek Zoti. Prandaj Kur’ani na fton që besimi të mos mbetet vetëm në gjuhë, por të shfaqet në sjellje, moral dhe drejtësi.

Sipas Kur’anit Feja është rruga e drejtë

Në ajetin 153 të sures “El-En’am” Allahu i Madhëruar e i Lartësuar thotë:
﴿ وَأَنَّ هَٰذَا صِرَاطِي مُسْتَقِيمًا فَاتَّبِعُوهُ ۖ وَلَا تَتَّبِعُوا السُّبُلَ فَتَفَرَّقَ بِكُمْ عَن سَبِيلِهِ ۚ …﴾
“Kjo është rruga Ime e drejtë, prandaj ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera që do t’ju largojnë nga rruga e Tij.”
​Kur’ani e përshkruan fenë si rruga e drejtw. Kush ecën në këtë rrugë, ecën drejt lumturisë së kësaj bote dhe shpëtimit në Botën Tjetër. Njeriu pa udhëzim është si një udhëtar pa busull. Kur’ani është udhërrëfyesi që e orienton në çdo hap të jetës.

Sipas Kur’anit Feja është besim dhe vepër

​Kur’ani i bashkon gjithmonë dy fjalë: “Ata që besojnw dhe bënjë vepra të mira…”. Kjo shprehje përsëritet dhjetëra herë në Kur’an. Kjo tregon se besimi nuk është vetëm bindje në zemër. Besimi i vërtetë prodhon vepra të mira. Nëse besimi nuk ndikon në sjelljen tonë, atëherë ai ka nevojë të forcohet.
Namazi duhet të na largojë nga e keqja. Agjërimi duhet të na mësojë durimin. Zekati duhet të na pastrojë nga koprracia. Haxhi duhet të na edukojë me devotshmëri.

Sipas Kur’anit Feja është drejtësi mirëbërje dhe solidaritet dhe pastërtim nga të këqijat

Në ajetin 90 të sures “En-Nahl” Allahu urdhëron e thotë:
﴿ ۞ إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ ۚ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ﴾
“Me të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe dhënien ndaj të afërmve, ndërsa ndalon nga shthurja, nga çdo e keqe dhe nga padrejtësia. Ai ju këshillon, që të merrni mësim.”
​Ky ajet konsiderohet një nga ajetet më gjithëpërfshirëse të Kur’anit, sepse i përmbledh bazat e fesë në dy pjesë: Në pjesën e parë urdhëron tre virtyte madhore: drejtësinë, bamirësinë dhe kujdesin ndaj të afërmve. Në pjesën e dytë ndalon tre kategori të së keqes: imoralitetin, çdo vepër të urryer dhe padrejtësinë.
​Drejtësia është një nga shtyllat e fesë. Besimtari duhet të jetë i drejtë me familjen, fqinjët, bashkëpunëtorët, madje edhe me ata që nuk pajtohen me të.
​Në ajetin 8 të sures “El-Maide” Kur’ani na mëson: “Mos lejoni që urrejtja ndaj një populli t’ju shtyjë të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë.”
​Nga ky ajet kuptojmë se Feja na mëson që drejtësia të jetë më e fortë se emocionet tona. Edhe kur nuk e duam dikë, nuk kemi të drejtë t’i bëjmë padrejtësi. Drejtësia është rruga më e afërt drejt devotshmërisë. Besimtari është i drejtë me mikun dhe me kundërshtarin, me të afërmin dhe me të huajin, sepse drejtësia nuk është favor, por obligim.

Sipas Kur’anit Feja është moral

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte mishërimi praktik i Kur’anit.
Në ajetin 4 të sures “El-Kalem” Allahu thotë për Profetin Muhamed:
﴿ وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ﴾
“Vërtet, ti je me moral madhështor.”
​Prandaj feja nuk matet vetëm me numrin e adhurimeve, por me sinqeritetin, besnikërinë, butësinë, faljen dhe respektin ndaj njerëzve. I tillë ishte Profeti ynë i dashur. Një besimtar mund të njihet nga buzëqeshja, fjala e mirë, mbajtja e premtimit dhe largimi nga padrejtësia.

Kur’ani thotë se Feja nuk është vështirësi

Në ajetin 185 të sure “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يُرِيدُ اللَّهُ بِكُمُ الْيُسْرَ وَلَا يُرِيدُ بِكُمُ الْعُسْرَ﴾
“Allahu dëshiron lehtësim për ju dhe nuk dëshiron vështirësi për ju.”
Dhe në ajetin 78 të sures “El Haxhxh” Kur’ani thotë:
وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ ۚ
“Ai nuk ka vendosur mbi ju ndonjë vështirësi në fe.”
Islami është fe e ekuilibrit. Ai nuk kërkon nga njeriu atë që nuk mund ta përballojë. Allahu e njeh natyrën tonë dhe ligjet e Tij janë në përputhje me të.

Sipas Kur’anit Feja është mëshirë
Në ajetin 107 të sures “El-Enbija” Allahu i drejtohet Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me fjalët:
﴿ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ﴾
“Ne të kemi dërguar ty vetëm si mëshirë për botët.”
​Prandaj, feja nuk ndërtohet mbi ashpërsinë dhe urrejtjen, por mbi mëshirën, urtësinë dhe dashurinë për të mirën. Besimtari është I mëshirshëm me prindërit, bashkëshortin, fëmijët, fqinjët, të varfrit dhe madje edhe me kafshët e natyrën.

Të dashur vëllezër dhe motra!
​Sipas Kur’anit, feja nuk është vetëm një grup ritualesh. Ajo është: Besim i sinqertë në Allahun. Nënshtrim ndaj urdhrave të Tij. Moral i lartë. Drejtësi në çdo rrethanë. Mëshirë ndaj krijesave. Vepwr e mira që buron nga besimi. Kur këto bashkohen, atëherë njeriu jeton fenë ashtu siç e dëshiron Allahu.
E lus Allahun që ta bëjë Kur’anin udhërrëfyes të jetës sonë, të na forcojë në besim, të na zbukurojë me moral të mirë dhe të na bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën prej saj! Allahu na bëftë prej robërve të Tij të sinqertë dhe na dhëntë sukses në zbatimin e fesë së Tij në çdo aspekt të jetës!