Çfarë na pret pas vdekjes sipas Kur’anit?

Një nga pyetjet më të mëdha që e ka shoqëruar njeriun gjatë gjithë historisë është: Çfarë ndodh me ne kur vdesim? A përfundon gjithçka në varr, apo na pret një jetë tjetër?

            Kur’ani i Shenjtë i përgjigjet kësaj pyetjeje duke na mësuar se vdekja nuk është fundi i ekzistencës së njeriut, por kalimi nga një etapë e jetës në një etapë tjetër.

            Sipas Kur’anit, pas vdekjes njeriu kalon në botën e Berzakhut, pastaj vjen ringjallja, llogaridhënia dhe jeta e përhershme në Botën Tjetër.

1. Vdekja nuk është zhdukje, por kalim

Në ajetin 185 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ ۗ وَإِنَّمَا تُوَفَّوْنَ أُجُورَكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ

“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen, ndërsa shpërblimet tuaja do t’ju jepen plotësisht Ditën e Kiametit.”

            Në këtë ajet fisnik Kur’ani nuk thotë se njeriu zhduket përfundimisht, por thotë se do ta shijojë dhe do ta përjetojë vdekjen, nga e cila askush nuk shpëton.

Në ajetin 57 të sures “Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿ كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ ۖ ثُمَّ إِلَيْنَا تُرْجَعُونَ﴾

“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen, pastaj te Ne do të ktheheni.”

            Ky ajet na mëson se vdekja nuk është fundi i ekzistencës së njeriut, por kalimi nga jeta e kësaj bote drejt kthimit tek Allahu. Ky ajet na kujton se jeta tokësore është e përkohshme, ndërsa kthimi tek Allahu është i pashmangshëm, sepse ne të Allahut jem dhe tek Ai do të kthehemi.

2- Çfarë ndodh në çastin e vdekjes?

            Kur’ani i Shenjtë na tregon se në çastin e vdekjes engjëjt marrin shpirtin e njeriut. Në ajetin 11 të sures “Es-Sexhde” Allahu i Madhëruar thotë: 

قُلْ يَتَوَفَّاكُم مَّلَكُ الْمَوْتِ الَّذِي وُكِّلَ بِكُمْ ثُمَّ إِلَىٰ رَبِّكُمْ تُرْجَعُونَ

“Thuaj: Engjëlli i vdekjes, i cili është ngarkuar për ju, do t’jua marrë shpirtin, pastaj te Zoti juaj do të ktheheni.”

Ky ajet fisnik përmban tri të vërteta:

E para: Vdekja ndodh me urdhrin e Allahut.

E dyta: Shpirti merret nga engjëlli i vdekjes.

E treta: Njeriu kthehet te Zoti i tij.

 Kur’ani na përshkruan gjendjen e besimtarëve në çastin e vdekjes dhe thotë:

الَّذِينَ تَتَوَفَّاهُمُ الْمَلَائِكَةُ طَيِّبِينَ ۙ يَقُولُونَ سَلَامٌ عَلَيْكُمُ ادْخُلُوا الْجَنَّةَ بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

“Atyre që engjëjt ua marrin shpirtin duke qenë të mirë e të pastër, u thonë: ‘Paqja qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet për atë që keni vepruar!’” (Sure En-Nahl, ajeti 32)

            Pra, për besimtarin e devotshëm, vdekja nuk paraqitet vetëm si ndarje nga kjo botë, por edhe si fillimi i përgëzimit nga Allahu për shpërblimin e madh që e pret pas vdekjes.

            Gjithashtu, Kur’ani na përshkruan gjendjen e jobesimtarëve në çastin e vdekjes dhe thotë: 

وَلَوْ تَرَى إِذْ يَتَوَفَّى الَّذِينَ كَفَرُوا الْمَلَائِكَةُ يَضْرِبُونَ وُجُوهَهُمْ وَأَدْبَارَهُمْ وَذُوقُوا عَذَابَ الْحَرِيقِ (50) ذَلِكَ بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيكُمْ وَأَنَّ اللَّهَ لَيْسَ بِظَلَّامٍ لِلْعَبِيدِ) (50)، (51)

“Sikur të shihje çastin kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që nuk besuan, duke i goditur në fytyrat dhe shpinat e tyre (e duke u thënë): ‘Shijojeni dënimin e Zjarrit përvëlues!’. Kjo është për shkak të asaj që duart tuaja kanë bërë më parë. Dhe, vërtet, Allahu nuk është aspak i padrejtë ndaj robërve të Tij.” (Sure El-Enfal, ajetet 50–51.)

            Këto dy ajete na mësojnë se çasti i vdekjes nuk është i njëjtë për të gjithë. Gjendja e njeriut në atë çast lidhet me besimin dhe veprat e tij.  Njeriu do të përballet me atë që ka bërë gjatë jetës së kësaj bote. Ndëshkimi i Allahut nuk është arbitrar, por mbështetet në drejtësinë e Tij.

            Vdekja është fillimi i përballjes me realitetin e Botës Tjetër. Ajo që njeriu mund ta ketë mohuar gjatë jetës, në atë çast bëhet një realitet i pashmangshëm.

            Vdekja nuk është vetëm ndarja e shpirtit nga trupi, por edhe çasti kur njeriu fillon të përballet me pasojat e veprave të tij. Prandaj, Kur’ani na fton të përgatitemi për këtë takim përmes besimit, pendimit dhe veprave të mira.

3- Pas vdekjes ekziston bota e Berzakhut (Bota Ndërmjetëse)

            Një nga ajetet më të rëndësishme për Berzakhun (Botën Ndërmjetëse) është ajeti 100 në suren “El-Mu’minun”, i cili thotë:

وَمِن وَرَائِهِم بَرْزَخٌ إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُونَ

“Dhe pas tyre është një Berzakh (Botë Ndërmjetëse) deri në ditën kur do të ringjallen.”

            Fjala “Berzakh” nënkupton një pengesë ose ndarje ndërmjet dy gjendjeve. Në kuptimin e jetës pas vdekjes, Berzakhu është etapa ndërmjet vdekjes së njeriut dhe ringjalljes së përgjithshme. Kjo do të thotë se, sipas Kur’anit, njeriu nuk kalon menjëherë në gjendjen përfundimtare të Ditës së Gjykimit. Ai hyn në një etapë tjetër të ekzistencës.

4- A ka jetë dhe vetëdije në Berzakh?

            Kur’ani jep dëshmi se pas vdekjes ekziston një formë jete që ndryshon nga jeta tokësore. Allahu thotë për dëshmorët:

وَلَا تَحْسَبَنَّ الَّذِينَ قُتِلُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ أَمْوَاتًا ۚ بَلْ أَحْيَاءٌ عِندَ رَبِّهِمْ يُرْزَقُونَ

“Mos i mendo të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut! Përkundrazi, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe furnizohen.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 169)

Ky ajet dëshmon qartë për një jetë pas vdekjes së dëshmorëve.

Një tjetër ajet flet për njerëzit e Faraonit:

النَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَعَشِيًّا ۖ وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ

“Ata i ekspozohen Zjarrit mëngjes e mbrëmje. E ditën kur të vijë Ora (e Kiametit, do të thuhet): ‘Futini njerëzit e Faraonit në dënimin më të rëndë!’” (Sure Gafir, ajeti 46)

            Në interpretimin e dijetarëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi!), ky është një nga argumentet kur’anore për jetën dhe shpërblimin ose ndëshkimin në Berzakh.

5- Çfarë ndodh në Ditën e Ringjalljes?

Në ajetet 15-16 të sures “EL-Mu’minun” Allahu i Madhëruar thotë:

ثُمَّ إِنَّكُمْ بَعْدَ ذَٰلِكَ لَمَيِّتُونَ ۝ ثُمَّ إِنَّكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ تُبْعَثُونَ

“Pastaj, pas kësaj, ju me siguri do të vdisni. Më pas, Ditën e Kiametit, do të ringjalleni.”

            Ringjallja është një nga themelet e besimit islam. Në atë Ditë, njeriu do të dalë përpara Allahut dhe do të përballet me veprat e veta. Në ajetet 7-8 të sures “El-Zelzele” Kur’ani thotë:

فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ ۝ وَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ

“Kush ka bërë qoftë edhe sa pesha e një grimce mirësi, do ta shohë atë. Dhe kush ka bërë qoftë edhe sa pesha e një grimce të keqe, do ta shohë atë.”

Këto ajete na mësojnë se asnjë vepër nuk humbet te Allahu, qoftë e madhe apo e vogël.

6- Pas gjykimit vjen Jeta e Përhershme

            Kur’ani përshkruan dy përfundime kryesore të jetës së ardhshme: Xhennetin dhe Xhehennemin. 

Për besimtarët dhe njerëzit që kryejnë vepra të mira, Allahu thotë:

إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ كَانَتْ لَهُمْ جَنَّاتُ الْفِرْدَوْسِ نُزُلًا ۝ خَالِدِينَ فِيهَا لَا يَبْغُونَ عَنْهَا حِوَلًا

“Vërtet, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë kopshtet e Firdeusit si vendpritje. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë dhe nuk do të dëshirojnë të largohen prej tyre.” (Sure “El-Kehf”, ajetet 107–108)

            Ndërsa për ata që mohojnë të vërtetën dhe këmbëngulin në padrejtësi, Kur’ani paralajmëron për ndëshkimin në Botën Tjetër. Në ajetin 7 të sures Fatir Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ الَّذِينَ كَفَرُوا لَهُمْ عَذَابٌ شَدِيدٌ ۖ وَالَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ لَهُم مَّغْفِرَةٌ وَأَجْرٌ كَبِيرٌ﴾

“Ata që nuk besuan, do të kenë një dënim të rëndë, ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë falje dhe një shpërblim të madh.”

            Ky ajet na mëson se besimi dhe veprat e njeriut kanë pasoja në jetën e përtejme. Allahu na kujton dy përfundime të ndryshme: ndëshkimin për mohimin e së vërtetës dhe faljen e shpërblimin e madh për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.

7- Çfarë duhet të mësojmë nga këto ajete?

            Kur’ani nuk na flet për vdekjen vetëm që të dimë çfarë ndodh pas saj, por që të kuptojmë si duhet të jetojmë përpara saj. Në ajetin 18 të sures “El-Hasht”, Allahu i Madhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍ ۖ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe le të shikojë çdo njeri se çfarë ka përgatitur për të nesërmen. Kini frikë Allahun, sepse Allahu është plotësisht i informuar për atë që veproni.”

            Ky ajet na përcjell një në mesazh të madh dhe na thotë se jeta e kësaj bote është vendi ku përgatitemi për jetën e ardhshme.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Nëse e lexojmë Kur’anin me vëmendje do të gjejmë se ai vizaton rruga e njeriut, e cila përbëhet nga:

Jeta tokësore. Kjo ështëkoha e sprovës, zgjedhjeve dhe veprave në këtë jetë.

Vdekja. Marrja e shpirtit dhe ndarja nga jeta tokësore.

Berzakhu. Jeta ndërmjetëse, e cila fillon pas vdekjes e deri në ringjallje.

Ringjallja dhe Gjykimit. Njeriu do të ringjallet dhe do të japë llogari për veprat e tij.

Shpërblimi ose ndëshkimi, sipas drejtësisë dhe mëshirës së Allahut.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Vdekja nuk është fundi i rrugës së njeriut, por fundi i mundësisë së tij për të vepruar në këtë botë. Njeriu largohet nga kjo botë, por veprat e tij e shoqërojnë. Pasuria mbetet, shtëpia mbetet, pozita mbetet, ndërsa njeriu merr me vete atë që ka përgatitur për takimin me Allahun. Prandaj, pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm: Çfarë gjendet pas vdekjes? Por pyetja më e rëndësishme është: Çfarë kemi përgatitur ne për jetën pas vdekjes?

            Prandaj le të përgatitemi dhe të pajisemi me furnizimin e asaj jete dhe furnizimi më i mirë për Jetë janë besimi, devotshmëria dhe veprat e mira.

Në ajetin 105 të sures “Et-Teube” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَقُلِ اعْمَلُوا فَسَيَرَى اللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ ۖ وَسَتُرَدُّونَ إِلَىٰ عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ﴾

“Dhe thuaj: Punoni, sepse Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do t’i shohin veprat tuaja. Pastaj do të ktheheni tek Ai që e di të fshehtën dhe të dukshmen, e Ai do t’ju njoftojë për gjithçka që keni vepruar.”

            Vlera e njeriut dëshmohet përmes veprave të tij, jo vetëm përmes fjalëve. Çdo vepër, e dukshme apo e fshehtë, është e njohur për Allahun dhe çdo njeri do të japë llogari për atë që ka bërë. Prandaj, besimtari duhet të jetojë me sinqeritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj së mirës, duke qenë i vetëdijshëm se asnjë vepër nuk humbet para drejtësisë së Allahut. Besimi dëshmohet me vepra, sinqeriteti me sjellje dhe përgjegjësia me vetëdijen se çdo veprim do të gjykohet përpara Allahut.