Çfarë thotë Kur’ani për dijen dhe sa herë përmendet fjala dije (ilmun) në Kur’an

Në ajetin 3 të sures “Fusilet” Allahu i Madhëruar thotë:

}كتاب فصلت آياته قرآنا عربيا لقوم يعلمون{

“Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit me dije.”

Kurani i Shenjtë i kushton një rëndësi të madhe dijes. Ai thekson se dija është dritë që udhëzon drejt së vërtetës. Kur’ani e lartëson pozitën e atij që posedon dije. Dija e afron njeriun tek Allahu. Kur’ani inkurajon kërkimin e dijes dhe shtimin e saj, pasi Allahu e konsideron atë si shkak për të arritur gradët më të larta dhe devotshmërinë. Kur’ani e bën dijen një temë qendrore në mësimin e tij dhe e lidh atë me besimin, reflektimin dhe udhëzimin drejt Allahut.

Personi që është i lidhur me Kuranin, që e lexon dhe e studion rregullisht, do të vërejë se dija është një nga temat më të përmendura në Kuranin Famëlartë. Fjala “dije” dhe format e saj të ndryshme (si: “i Dijshëm”, “e mësuat”, “dijetar”, “dijetarët”, “Ne dimë”, etj.) janë përmendur tetëqind e pesëdhjetë e gjashtë herë (856 herë). Nuk ka pothuajse asnjë sure në Kur’an që të mos përmendë dijen, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Kjo është një dëshmi e qartë për kujdesin e Islamit që pasuesit dhe ithtarët e tij të jenë dashamirës të dijes, për shkak të vlerave dhe virtyteve të shumta që ajo sjell.

Kur’ani na thotë se ajetet e para që iu shpallën Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) janë ajetet që nxisin dhe urdhërojnë për dije, siç thonë 5 ajetet e para të sures “Alak”:

{ٱقۡرَأۡ بِٱسۡمِ رَبِّكَ ٱلَّذِي خَلَقَ (1) خَلَقَ ٱلۡإِنسَٰنَ مِنۡ عَلَقٍ (2) ٱقۡرَأۡ وَرَبُّكَ ٱلۡأَكۡرَمُ (3) ٱلَّذِي عَلَّمَ بِٱلۡقَلَمِ (4) عَلَّمَ ٱلۡإِنسَٰنَ مَا لَمۡ يَعۡلَمۡ }

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.”

Kur’ani thotë se dija është dritë dhe udhëzim. Dija është drita që e nxjerr njeriun nga errësira e injorancës dhe është rrugë për të kuptuar të vërtetën, siç thuhet në ajetin 43 të sures “Ankebut”: “Dhe këto shembuj Ne ua tregojmë njerëzve, por nuk i kuptojnë përveç dijetarëve.”

Kur’ani thotë se dija është çelësi i besimit: Dijetarët janë njerëzit më të fortë në besim, sepse dija e tyre u jep siguri në të vërtetën dhe i bën ata më rezistent ndaj mashtrimeve të shejtanit.

Kur’ani thotë se Allahu i lartëson dijetarët, siç thotë ajeti 11 në suren “Muxhadele”:

{…يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ}


“…Allahu i lartëson në grada ata që besojnë dhe ata që u është dhënë dituria.”

Kur’ani na thotë se dijetarët janë ata që i frikësohen më shumë Allahut, siç thotë ajeti 28 në suren “Fatir:

{…إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ… ۗ }

“Nga robtë e Tij, vetëm dijetarët i frikësohen Allahut”

Kur’ani thotë se dija është standard për të dalluar njerëzit: Kur’ani e vendos dijen si kriter për të dalluar njerëzit, pasi nuk janë të barabartë i dituri me të paditurin:, siç thotë ajeti 9 në suren Zumer:

{…قُلْ هَلْ يَسْتَوِى ٱلَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَٱلَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ۗ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُو۟لُوا۟ ٱلْأَلْبَـٰبِ}

Thuaj: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?…)

Kur’an bën thirrje për të kërkuar dije: Kurani i porosit besimtarët të luten për më shumë dije, siç thotë ajeti 114 në suren “Taha”:

{وَقُل رَّبِّ زِدْنِي عِلْمًا}
“Dhe thuaj: “Zoti im, më shto dijen!”. Kur’ani thekson se dija është një bekim i madh.

Llojet e dijes të përmendura:

1- Dija për Allahun dhe fenë e Tij: Kjo është dija më e lartë, pra, dija fetare, që përfshin njohjen e Allahut, cilësive të Tij, urdhërave dhe ndalesave. Kjo lloj dijeje sjell frikë dhe respekt ndaj Tij.

2- Dija për universin dhe jetën: Përfshin reflektimin mbi krijimin e qiejve dhe tokës, dhe kuptimin e shenjave të Allahut në natyrë. Kjo lloj dijeje përfshin edhe shkencat e dobishme të kësaj bote si teknologjia, që sot janë një detyrë kolektive për të përballuar sfidat e kohës.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Feja e pastër islame është fe e dijes. Për këtë Kur’ani i jep rëndësi dijes sepse:

Dija është themeli i besimit të qëndrueshëm dhe reflektimit mbi krijimin. 

Ajo është mjet për të kuptuar fenë dhe drejtësinë. 

Dija paralajmëron për gabimin e të vepruarit pa informacion ose pa reflektim. 

Kurani e konsideron dijen si themel të fesë dhe të jetës, çelës për devotshmëri dhe lumturi. Myslimani duhet të synojë dijen në çdo fushë të jetës.

Kur’ani i paralajmëron ata që flasin apo veprojnë pa dije, pasi kjo është burim i humbjes. :

{وَلَا تَقۡفُ مَا لَـيۡسَ لَـكَ بِهٖ عِلۡمٌ‌…}

 “Mos ndiqni atë për të cilin nuk keni dijeni…” (Sure “Isra”, ajeti 36). 

Kur’ani shpjegon se vetëm Allahu di gjithçka dhe se Ai zotëron dijen absolute, ndërsa njerëzit zotërojnë vetëm atë që Ai ua jep, siççthotë ajeti 85 në suren “Isra”:

…}وَمَا أُوتِيتُم مِّنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلًا{ 

“ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”.

Nuk ka fe që e ka ngritur vlerën e dijes dhe pozitën e dijetarëve si Islami. Në ajetin e parë të sures “El Kalem” Allahu betohet në lapsin ku thotë: “Nun. Betohem në lapsin dhe atë që shkruajnë.”. Kjo tregon se dija është bekim i madh nga Allahu.

Këtë thotë Kur’ani për dijen.

Në ajetin 24 të sures “Muhamed” Allahu i Madhëruar thotë:

أ}َفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا{

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kur’anin apo i kanë zemrat të kyçura?!”

Qofshim prej kërkuesve të dijes dhe të poseduesve të saj!