Çfarë thotë Kur’ani për kohën?

Të dashur vëllezër dhe motra!

Një nga pasuritë më të mëdha që Allahu i ka dhënë njeriut është koha. Koha është diçka që të gjithë e kemi njësoj, qoftë i pasuri, i varfrin, dijetari i padituri, i riu i moshuari. Por dallimi qëndron në si e shfrytëzojmë atë kohë.

Kur’ani e përmend kohën qindra herë në forma të ndryshme: jeumun (ditë), lejlun (natë), nehar (ditë), Sa’atu (çasti, Kiameti), dehrun (epokat, koha e gjatë). Kjo tregon se koha është një nga temat themelore të Kur’anit, e lidhur ngushtë me besimin dhe veprën.

Në Kur’an ka sure të emërtuara me kohën si: Sure “El Asr”, sure “El Lejl”, Sure “Ed Duha”.

Në Kur’an, koha nuk është e pavarur, por është krijesë e Allahut dhe pjesë e rendit hyjnor në gjithësi. Ajo ecën sipas ligjit të Tij dhe është mjet për: sprovë, adhurim, përgjegjësi, llogari në Botën Tjetër.

Kur’ani i Shenjtë i jep kohës një rëndësi të jashtëzakonshme, aq sa Allahu betohet në kohën, siç thotë ajeti 1 në suren Asr”:

{وَٱلۡعَصۡرِ}

“Pasha kohën!”

Kur Allahu betohet në diçka, kjo do të thotë se ajo në të cilën betohet Allahut nuk është e zakonshme, por është diçka me vlerë mjaft të madhe. Koha është dëshmitare e jetës sonë, e veprave tona, e besimit dhe neglizhencës sonë.

Menjëherë pas këtij betimi, Allahu shpall një realitet tronditës:

}إِنَّ ٱلۡإِنسَٰنَ لَفِي خُسۡرٍ{

“Me të vërtetë njeriu është në humbje.” (Sure “El Asr”, ajeti 2)

Pra, humbja më e madhe e njeriut nuk është pasuria, shëndeti apo fama, por humbja e kohës pa kuptim dhe pa qëllim hyjnor.

Kur’ani na mëson se koha është kapital i jetës dhe se jeta është një afat i caktuar. Në ajetin 2 të sures “El En’am” thuhet:

{هُوَ ٱلَّذِي خَلَقَكُم مِّن طِينٖ ثُمَّ قَضَىٰٓ أَجَلٗاۖ…}

“Ai është që ju krijoi prej dheu, pastaj caktoi një afat (kohor).”

Çdo frymëmarrje është një pjesë e këtij afati. Asnjë çast nuk kthehet më.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Çdo frymë që del nga njeriu, është një hap drejt vdekjes.” Kjo thënie e imam Aliut nuk është për të na frikësuar, por për të na zgjuar.

Kur’ani e lidh kohën drejtpërdrejt me Llogaridhënien. Në ajetin 13 të sures “El Kijametu” Allahu i Madhëruar thotë:

}يُنَبَّؤُاْ ٱلۡإِنسَٰنُ يَوۡمَئِذِۭ بِمَا قَدَّمَ وَأَخَّرَ{

“Atë ditë njeriu do të njoftohet për atë që ka bërë më parë dhe për atë që ka lënë pas.”

Çdo ditë, çdo natë, çdo moment ne ose ndërtojmë Ahiretin tonë, ose koha dëshmon kundër nesh.Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dy mirësi shumica e njerëzve i humbasin: shëndetin dhe kohën e lirë.” Çdo moment regjistrohet dhe do të jepet llogari për të në Ditën e Llogaridhënies.

Kur’ani na paralajmëron që të mos mashtrohemi nga kjo botë. Në ajetin 20 të sures “Hadijd” Allahu i Madhëruar thotë:

{…وَمَا ٱلۡحَيَوٰةُ ٱلدُّنۡيَآ إِلَّا مَتَٰعُ ٱلۡغُرُورِ}

“Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë dhe dëfrim.” Në Botën Tjetër, njeriu do të kuptojë sa e shkurtër ishte kjo kohë. Në ajetin 46 të sures “Naziat” Allahu I Madhëruar thotë:

{كَأَنَّهُمۡ يَوۡمَ يَرَوۡنَهَا لَمۡ يَلۡبَثُوٓاْ إِلَّا عَشِيَّةً أَوۡ ضُحَىٰهَا }

“Ditën kur do ta shohin atë, do t’u duket sikur kanë qëndruar vetëm një mbrëmje ose një mëngjes.” Sa shumë njerëz thonë sot:
“Sikur të kisha edhe pak kohë…” Por atëherë koha nuk kthehet më.

Kur’ani na mëson se ndërrimi i natës dhe ditës është argument i Allahut. Në ajetin 190 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

{إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَاخْتِلَافِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ لَآيَاتٍ لِأُولِي الْأَلْبَابِ}

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për poseduesit e arsyes.”

Nata për pushim, dita për punë, adhurim dhe përpjekje. Besimtari i vërtetë nuk jeton rastësisht, por e organizon kohën sipas kënaqësisë së Allahut.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari e ndan kohën e tij në tri pjesë: një për adhurim, një për punë dhe jetesë, dhe një për pushim të lejuar.” Kjo tregon se koha është boshti i jetës njerëzore dhe i besimit.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Allahu nuk do të na pyesë sa vite kemi jetuar, por do të na pyesë si i kemi jetuar vitet e jetës dhe me çfarë i kemi mbushur ditët tona.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Koha është si shpatë: nëse nuk e përdor kundër saj, ajo do të përdoret kundër teje.”

Prandaj, le ta pyesim veten: A po na afrojnë ditët tona te Allahu? A po e përdorim kohën për dije, adhurim dhe shërbim ndaj njerëzve? Apo po na ikën jeta mes pakujdesisë?

Koha është amanet nga Allahu. Koha është dëshmi në Ditën e Gjykimit. Koha e kësaj bote është e shkurtër, por pasojat janë të përjetshme. Shpëtimi varet se si e mbushim kohën në këtë jetë dhe se çfarë veprash bëjmë gjatë kohës.

Lusim Allahun që të na japë bereqet në kohën tonë, të na bëjë prej atyre që e shfrytëzojnë jetën për kënaqësinë e Tij dhe që të mos jemi prej të humburve të përmendur në suren “El Asr.”