Çfarë thotë Kur’ani për krijimin e gjithësisë?
Kur’ani përmban shumë ajete që flasin për krijimin e gjithësisë nga Allahu Fuqiplot, duke e paraqitur atë si dëshmi të qartë për ekzistencën, urtësinë dhe fuqinë e Allahut. Në ajetet e shumta që flasin për krijimin e gjithësisë, Kur’ani dëshiron të na mësojë:
Së pari: Allahu është Krijuesi i gjithçkaje
Kur’ani thekson vazhdimisht se Allahu është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçkaje që gjendet ndërmjet tyre, siç thotë ajeti 62 në suren “Zumer”:
{ٱللَّهُ خَٰلِقُ كُلِّ شَيۡءٖۖ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ وَكِيلٞ}
“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është mbikëqyrësi mbi gjithçka.”
Së dyti: Krijimi i qiejve dhe Tokës është argument për besim
Allahu i fton njerëzit të mendojnë rreth krijimit të gjithësisë për të arritur në njohjen e Tij, e më pas për të besuar në Allahun, siç thotë ajeti 190 në suren “Ali Imran”:
{إِنَّ فِي خَلۡقِ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ وَٱخۡتِلَٰفِ ٱلَّيۡلِ وَٱلنَّهَارِ لَأٓيَٰتٖ لِّأُوْلِي ٱلۡأَلۡبَٰبِ }
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, dhe në ndryshimin e natës dhe ditës, ka argumente për të mençurit.”
Ky ajet i bekuar në mëson se besimi i vërtetë lind nga mendimi dhe reflektimi, jo nga imitimi. Ajeti na fton të shikojmë universin me syrin e mendjes, sepse në çdo atom, dhe në çdo krijiesë, në qiej e në tokë, ka argumente që dëshmojnë për praninë e një Krijuesi të Urtë dhe të Gjithëfuqishëm.
Së trerti: Krijimi nuk është i kotë por ka qëllim
Krijimi i gjithësisë nuk është pa qëllim. Gjithçka është krijuar me urtësi. Në ajetin 38 të sures “Ed Dukhan”:
{وَمَا خَلَقۡنَا ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضَ وَمَا بَيۡنَهُمَا لَٰعِبِينَ}
“Ne nuk i krijuam qiejt e Tokën dhe çfarë ka mes tyre për lojë.”
Ndërsa në ajetin 3 të sures “El Ahkaf” Allahu i Madhëruar thotë:
{مَا خَلَقۡنَا ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضَ وَمَا بَيۡنَهُمَآ إِلَّا بِٱلۡحَقِّ وَأَجَلٖ مُّسَمّٗىۚ …}
“Dhe Ne nuk e krijuam qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet mes tyre, veçse me të vërtetën dhe për një afat të caktuar…”
Së katërti: Fillimi i krijimit dhe zgjerimi i gjithësisë është në dorën e Allahut
Një ajet shumë i thellë dhe i përmendur shpesh për shkak të përputhjes me teoritë modern, është ajeti 30 në sعren “El Enbija”, i cili thotë:
{أَوَلَمۡ يَرَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓاْ أَنَّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضَ كَانَتَا رَتۡقٗا فَفَتَقۡنَٰهُمَاۖ وَجَعَلۡنَا مِنَ ٱلۡمَآءِ كُلَّ شَيۡءٍ حَيٍّۚ أَفَلَا يُؤۡمِنُونَ}
“A nuk e shohin ata që nuk besuan se qiejt dhe Toka ishin një masë e bashkuar, e Ne i ndamë ato, dhe nga uji Ne krijuam çdo gjë të gjallë? A nuk do të besojnë ata?”
Ky ajet është një thirrje për reflektim mbi krijimin e universit dhe origjinën e jetës, duke përdorur të dhëna që përkojnë edhe me kuptime bashkëkohore shkencore. Ai synon të zgjojë vetëdijen shpirtërore dhe mendore tek ata që nuk besojnë, duke i ftuar qw të besojnë në Allahun përmes vëzhgimit të realitetit që i rrethon.
Ndërsa në ajetin 47 të sures “Edh Dharijat” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَٱلسَّمَآءَ بَنَيۡنَٰهَا بِأَيۡيْدٖ وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ}
“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne jemi që e zgjerojmë atë.”
Ky ajet shpesh shihet si një referencë ndaj zgjerimit të universit, që është një fakt i pranuar në astronominë moderne.
Së pesti: Allahu është I Plotfuqishëm ta rindërtojë krijimin pas shkatërrimit
Kur’ani gjithashtu përmend se ashtu siç krijoi gjithësinë, Allahu është i Gjithëfuqishëm që ta rikrijojë atë, siç thotë në ajetin 104 të sures “Enbija”:
…}كَمَا بَدَأۡنَآ أَوَّلَ خَلۡقٖ نُّعِيدُهُۥۚ وَعۡدًا عَلَيۡنَآۚ إِنَّا كُنَّا فَٰعِلِينَ {
“…Ashtu siç filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Kjo është premtimi mbi Ne. Vërtet, Ne do ta bëjmë.”
Së gjashti: Ajetet që flasin për krijimin e gjithësisë nxisin për të menduar dhe reflektuar
Kur’ani nuk ofron detaje teknike shkencore, por u drejtohet mendjeve dhe zemrave për të nxitur meditimin dhe reflektimin mbi krijimin. Në ajetin 101 të sures “Junus” Alluahu i Madhëruar thotë:
}قُلِ ٱنظُرُواْ مَاذَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ {…
“Thuaj: Shikoni çfarë ka në qiej e në Tokë…”
Në ajetet 17-20 të sures “Gashije” Allahu I Madhëruar thotë:
{أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى ٱلۡإِبِلِ كَيۡفَ خُلِقَتۡ (17) وَإِلَى ٱلسَّمَآءِ كَيۡفَ رُفِعَتۡ (18) وَإِلَى ٱلۡجِبَالِ كَيۡفَ نُصِبَتۡ (19) وَإِلَى ٱلۡأَرۡضِ كَيۡفَ سُطِحَتۡ}
“Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundur?! Po Tokën, se si është shtrirë?!”
Ky grup ajetesh është një ftesë për të përdorur arsyen dhe vëzhgimin si urë drejt besimit. Ato na mësojnë të shohim botën si dëshmi të drejtpërdrejta të ekzistencës, urtësisë dhe mëshirës së Allahut, duke na ftuar të jemi më të vetëdijshëm për qëllimin tonë në këtë jetë.
Në Kur’anin e Shenjtë përsëriten shpesh frazat: “a nuk mendojnë?”, “a nuk arsyetojnë”, “a nuk persijatin”, “a nuk shakoes”? Qëllimi i përsëritjes së këtyre pyetjeve është për t’i nxitur njerëzit të meditojnë mbi krijimin dhe urtësinë e Allahut të Plotfuqishëm.
Kur’ani na mëson se:
Gjithësia është krijuar nga Allahu për një qëllim të lartë.
Ajo është ndërtuar me rregull dhe urtësi.
Reflektimi mbi krijimin ndihmon në forcimin e besimit.
Allahu është i aftë ta rikrijojë gjithçka, ashtu siç e krijoi në fillim.
