Çfarë thotë Kur’ani për qetësinë shpirterore?
Qetësia shpirtërore është një nga gjendjet më të kërkuara nga njeriu në jetën e përditshme, sidomos përballë sfidave dhe pasigurive. Kur’ani, Libri i Shenjtë i Islamit, i kushton rëndësi të veçantë kësaj gjendjeje, duke e lidhur atë ngushtë me besimin në Zotin, përkujtimin e Tij dhe durimin në vështirësi. Ai thekson se zemrat gjejnë prehje përmes lidhjes me Allahun dhe përmes besimit të sinqertë. Në këtë mënyrë, Kur’ani ofron udhëzime të qarta për arritjen e qetësisë shpirtërore dhe stabilitetit të brendshëm.
Qetësia shpirtërore në Kur’an nuk përmendet vetëm në një ajet, por përmendet në dhjetëra ajete me shprehje të ndryshme, si:
طمأنينة (tuma’nintun) që do të thotë: qetësi dhe prehje e zemrës
سكينة (sekinetun) që do të thotë: paqë e brendshme që zbret nga Allahu
أمن (emnun) që do të thotë siguri dhe qetësi nga frika.
Ajetet më të njohura që përmendin qetësinë shpirtërore janë:
1- Ajeti 28 në suren “Er Ra’d”: “Me të vërtetë, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”
2- Ajeti 4 në suren “El Fet’h”: “Ai është që zbriti qetësinë (sekinetun) në zemrat e besimtarëve…”
3- Në ajetin 26 të sures Et Teube”: “Pastaj, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët…”
4- Në ajetin 40 të sures “Et Teube”: “…Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”
Nëse i mbledhim të gjitha format e qetësisë shpirtërore të përmendura në Kur’an (sekina, tuma’nina, emn), do të shohim se ato përmenden në mbi 15–20 ajete.
Nga këto ajete vërejmë se Allahu ia zbret qetësinë shpirtëroreatij që është besimtar i sinqertë, sidomos në momente të vështira, frike apo sprove.
Atij që ka besim të fortë dhe mbështetet te Allahu.
Atij që e përmend Allahundhe e ka zemrën të lidhur me Të.
Atij që është i durueshëm në sprova. Atij që ndjek të vërtetën dhe qëndron i palëkundur në të. Kur’ani thotë: “Ai (Allahu) është që e zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve që t’u shtohet besimi mbi besimin e tyre.” (Sure “El Fet’h”, ajeti 4).
Pse ia zbret Allahu qetësinë besimtarëve?
Allahu ua zbret besimtarëve qetësinë shpirtërore për t’i forcuar ata në besim. Për t’u dhënë atyre siguri dhe qetësi në zemër. Për t’i ndihmuar të përballojnë sprovat. Për t’i mbrojtur nga frika, ankthi dhe lëkundja
Pra, qetësia shpirtërore nuk është rastësi,ajo është dhuratë nga Allahu për ata që i afrohen Allahut me sinqeritet dhe besim.
Si arrihet qetësia shpirtërore sipas Kur’anit?
Kur’ani nuk e sheh qetësinë vetëm si diçka psikologjike, por si lidhje me Allahun. Ja rrugët kryesore për të arritur qetësinë shpirtërore sipas Kur’anit:
Rruga e parë: Përmendja e Allahut (Dhikri). Në Kur’an thuhet: “Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat”
Përmendja e Allahut largon ankthin, sepse zemra lidhet me Burimin e sigurisë. Përmendja e Allahut është porta më e rëndësishme, me anë të së cilës, njeriu arrin ta njohë Allahun. Përmendja e Allahut është burim i pandërprerë i mirësive. Prej fryteve të mëdha të përmendjes së Allahut është se ajo e nxjerr njeriun prej errësirave shpirtërore e materiale në dritën e së vërtetës, të së drejtës, të urtësisë etj.
Rruga e dytë: Besimi i fortë. Sa më i fortë besimi, aq më pak frikë dhe pasiguri gjendet në zemër. Besimtari e sheh çdo gjë si pjesë të planit të Krijuesit Fuqiplot e të Urtë.
Rruga e tretë: Mbështetja tek Allahu. Kur njeriu dorëzon çështjet tek Allahu, lirohet nga pesha e kontrollit. Në Kur’an thuhet: “Mështetu te i Gjalli që nuk vdes kurrë.”. Në një ajet tjetër Kur’ani thotë: “Kush mbështetet te Allahu, Ai është Sipërmarrësi i tij.”. Mbështetja te Allahu i lehtëson gjërat dhe për pasojë njeriu ndihet i qetë shpirtërisht.
Rruga e katërt: Namazi. Kur’ani e lidh qetësinë me adhurimin dhe përulësinë. Namazi është “pushim” për shpirtin. Kur’ani thotë: “Fale namazin për të kujtuar Mua.”
Rruga e pestë: Kujtimi i Jetës Tjetër. Kur njeriu e di që kjo botë është e përkohshme, streset zvogëlohen.
Këto janë rrugët më kryesore për të arritur qetësinë shpirtërore sipas Kur’anit të Shenjtë.
Të dashur vëllezër dhe motra:
Sot arritja e qetësisë shpirtërore është sfida është më e madhe, sepse gjendet një shpërqendrim i madh për shkak të rrjete sociale, lajme, informacioneve, etj. Gjithashtu, krahasimi me të tjerët rrit pakënaqësinë. Edhe konkurrenca për të grumbulluar pasuri sjell shqetësime në zemrën e njeriut dhe si pasojë ai nuk jeton i qetë.
Për këtë duhet kufizuar qëndrimi në rrjetet sociale. Jepi vetes kohë pa telefon. Lexo libër, shëtit, vizito të tjerët. Përmende Zotinn vazhdimisht dhe në çdo moment, duke thënë: I larësuar je o Allah, të falënderoj o Allah, etj. Lexoje Kur’anin me kuptim dhe reflektim. Fale namazm me përqendrim dhe vetëdije se para kujt po qëndron. Mos jetë namazi yt thjesh rutinë, por lidhje e fortë me Allahun. Ji i thjeshtësi në jetë. Bëje teknologjinë që ajo të të shërbejë ty dhe jo të të kontrollojë ty.
Qetësia shpirtërore sipas Kur’anit nuk është vetëm mungesë stresi, por është dhuratë nga Allahu për zemrat që janë të lidhura me Të
Në këtë kohë moderne, çelësi nuk është të ikim nga teknologjia, por të ruajmë zemrën nga shpërqendrimi dhe ta mbajmë të lidhur me Allahun, Krijuesi i zemrës.
